NJË RRUGË E VËSHTIRË

Qysh nga abetarja e parë e Veqilharxhit që paralajmëroi lindjen e një periudhe të re në historinë e shqipes, Rilindjes sonë, rruga drejt emancipimit dhe afirmimit të gjuhës shqipe është një proces i gjatë dhe i mundimshëm, por që ka dhënë fryte të çmuara për popullin shqiptar

Drita MIFTARI

Abetarja shqiptare, me një histori prej 180 vjetësh, përfaqëson një përpjekje të vazhdueshme për të gjetur rrugë më të përshtatshme për emancipimin e një populli të vuajtur dhe të dëshpëruar. Ajo është shprehje e dëshirës për të gjetur metoda të mbështetura për nxënësit e shkronjës shqipe, si një parakusht për zhvillimin e dijes dhe identitetit. Përmes rrugës së abetares, shqiptarët kanë pasur mundësinë të shpalosin vetëdijen e tyre për përkatësinë kombëtare. Shumica e këtyre abetareve janë botuar jashtë vendit, një fakt që reflekton situatën e vështirë dhe sfidat në përhapjen dhe njohjen e gjuhës shqipe, si dhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në qytetet si Bukureshti, Athina, Selaniku, Brukseli, Firenca, Milano, Vjena, Parisi, Stambolli dhe Sofja, shqiptarët kanë gjetur hapësira për të shtypur abetaret e tyre.

Pirro Misha, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, vlerëson kontributin e abetareve në procesin e emancipimit kombëtar. Ai thekson se nga viti 1844 deri në vitin 1942, abetaret e para shqiptare janë pjesë e rëndësishme e historisë së kombit. Përfaqësuesit më të shquar të kësaj periudhe, si Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi dhe Sami Frashëri, kanë lënë një trashëgimi të çmuar në fushën e arsimit dhe identitetit kombëtar.

Botimi i abetares jashtë Shqipërisë është dëshmi e situatës së vështirë në vend dhe sfidave në rrugën e lëvrimin, njohjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe. Ndërkaq, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë shërben si një qendër e rëndësishme për ruajtjen e kësaj trashëgimie kulturore.

Frrok Kristaj, shkrimtar dhe veprimtar kulturor, pjesëmarrës në botimin e abetares së Zymit, shpreh rëndësinë e kësaj abetare për historinë e arsimit në Kosovë. Ai thekson se abetarja e Zymit, e botuar në vitin 1900, është një ndër abetaret e hershme në trojet shqiptare dhe tregon historinë e arsimit në këtë rajon.”“Kur unë e kam lanë arsimin, e kam kaluar në gazetari, në gazetën “Rilindja”, më ka ra në dorë një artikull që është botuar në gazetën arsimore të Shqipërisë ‘Mësusi’, që bënte fjalë për abetaren e Zymit. Abetarja është me alfabet të Stambolli, i mungojnë 3 shkronja, të cilat nuk kanë ekzistuar asokohe. I mungon shkronja ë, ç dhe xh, janë të shkruara vetëm me njërën prej tyre, domethënë pa “q” dhe “gj”. Alfabeti i gjuhës shqipe, që është përdor në abetaren e Zymit i ka 33 shkronja. Ishte koha e Perandorisë Osmane, Shkruan ‘Abetarja e Zymit’ 20 maj 1900, po nuk përmendet shtëpia botuese. Nuk e dimë nëse ka ekzistuar edhe më herët. Nga sllavishtja nuk ekziston asnjë fjalë, por ka shumë turqizma. Për të ardhur deri te një tekst shkollor, duhet të kemi përvojë shkollore bile nja 100 vjet ma herët. Sepse nuk është e mundur që në ditën e hapjes së shkollës të krijohet edhe abetarja. Nuk përmendet autori, por supozohet se ka qenë Lazër Lumezi, për shkak se ai është quajtur edhe Lazër shkollari. Është koha kur janë fshehur autorët e abetareve, sepse dihet se si e pësuan disa nga regjimet greke e serbe të asaj kohe. Dihet se pësoi Naum Veqilharxhi. Në vitin 2011 u botuan 1000 ekzemplarë të abetares se Zymit.

“Klubi Shqiptar i Kumanovës”, në vitin 1911, botoi “ Abetaren e Kumanovës” nga atëdhetari Jashar Erebara. Ajo ishte e rëndësishme për gjuhën dhe të shkruarit shqip, si dhe për arsimimin e shqiptarëve në Kumanovë dhe rrethinë. Ishte një faqe e vetme e shtypur në njërën anë të gazetës ”Shkupi”, në mes viteve 1911-1912.

Prof. Dr. Naser Zabeli, një nga bashkautorët e abetares së përbashkët të shqiptarëve, shpreh rëndësinë e këtij teksti si një udhërrëfyes për të ardhmen. Ai vlerëson punën e bërë në hartimin e një abetare të përbashkët, që synon të promovojë një gjuhë të përbashkët dhe identitetin kombëtar.

Qysh nga abetarja e parë e Veqilharxhit që paralajmëroi lindjen e një periudhe të re në historinë e shqipes, Rilindjes sonë, rruga drejt emancipimit dhe afirmimit të gjuhës shqipe është një proces i gjatë dhe i mundimshëm, por që ka dhënë fryte të çmuara për popullin shqiptar. Rëndësia e saj ishte si një gur themeltar për faktin se gjuha jonë është një nga gjuhët më të vjetra, por është një gjuhë e shkruar relativisht vonë. Sot, është e domosdoshme, që të gjenden rrugët, për t’ju treguar dhe rrënjosur atyre që vijnë pas nesh, se sa e vështirë ka qenë rruga e përpjekjeve, për të mos u asimiluar dhe për të, mos u zhdukur gjuha shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.