NJË VEPËR ME PLOT ART, MIT, MAGJI E MISTIKË 

(Agron Tufa “Merkuna e zezë”, roman, Toena 2009)

Ismet ALIU

Shkrimtari Agron Tufa është autor i një morie veprash në fushën e poezisë e prozës, por mendoj se atë denjësisht e përfaqësojnë romanet “Tenxherja” dhe “Merkuna e zezë”. Kësaj radhe do t’i shtrojmë e përimtojmë disa çështje esenciale të veprës “Merkuna e Zezë”

Te romani “Merkuna e zezë” kemi një ngjarje interesante, një kolorit fiksional të mitit e imagjinatës me plot mister. Miti në esencë ka copërat e errëta mitike plot arkaizma, magji, seks, absurditet e hakmarrje, të cilat janë bartur deri në kohet moderne në formë mallkimi, si një vulë e së keqes njerëzore në këtë rast femrës, përmes të cilit mund të mësojmë sesa absurde e mëkatare është ekzistenca e racës njerëzore.  Një mit i tillë është absurd, po aq sa është absurd edhe miti i Sizifit. Sizifi nuk e di pse me çdo kusht duhet ta shpie GURIN në majë, gratë e prira nga Merkuna e zezë nuk e dinë pse me çdo kusht duhet të jetojnë pa meshkuj, pse duhet të mos ngopen me të keqen. Miti na thotë se hakmerren. Por absurditeti është se ato vrasin edhe një pjesë të vetvetes: dashurinë. Thellë në ndërdijen e njeriut si qenie shoqërore e sociale, qëndron egoja e sëmurë e tij për pushtet e dominim mbi tjetrin, për lirim nga tjetri duke e shkatërruar atë. Te njeriu kjo është e gjithmonshme, por është zbutur me vetëdijesimin dhe ngritjen e tij intelektuale për gjatë kohëve. Niechtze, po e parafrazoj, do të thoshte: Mijëra vjet njeriu shkon kah e përkryera, por meqë deri më sot nuk u përkëry, ai nuk përkryhet më.

Te ky mit gratë luftojnë për të dominuar si gjini. Por pikërisht egoja lakmitare, dallimet gjinore, racore, materiale e intelektuale e kanë rraskapitur njeriun për gjatë gjithë ekzistencës së tij dhe, njeriun do ta shpëtojë vetëm harmonia mes gjithë këtyre. Te romani “Merkuna e zezë” kemi plot magji, mister, ritual e kob dhe pikërisht këtu është esenca e kultit djallëzor. Zanafilla e së keqes, e cila aq fuqishëm na është dhënë në tekst herë-herë përmes nëntekstit, është e stërmoçme, madje mijëvjeçare. E si ka mbijetuar dhe si është strehuar në këtë fshat gjithë ai mallkim i errët, gjithë ai makth,është çështje më vete. As gratë, protagonistet e këtij kulti, nuk e kanë të qartë çfarë duan nga vetja me mëkatin që njëkohësisht është edhe vetëshkatërrimi i tyre.

Në luftën për dominim, në kohët e errëta të ndarjes PATRIARKAT/MATRIARKAT kishte ndodhur një dhunë e paparë ku gratë ishin dhunuar e vrarë pamëshirshëm nga burrat. Pra, kishte ndodhur krimi. E gratë në shenjë hakmarrjeje i vrisnin burrat. Absurditeti këtu është mbijetesa e kohë-errësirës, mitit që arrin në kohët moderne. Ka aq destruktivitet në gjëllimin e këtij miti, ku realja dhe irealja shkrihen brenda rrjedhës narratologjike, brenda imazheve, pasazheve, mesazheve, botëkuptimeve, idesë e domethënieve të thella, sa lexuesi tralliset, por kjo, për fat të mirë, ndodh vetëm në një fshat të vogël; në Ivranaj dhe këtu na është dhënë tabloja plot magji me gjithë koloritin e fuqishëm artistik të mjeshtrit të ndërtimit të tekstit romanor.

Të nisemi nga kohë/hapësira në të cilën është vendosur ngjarja. Koha në roman është subjektive, ndërsa vendi fiksion ani se duket real. Mbeturinat e mitit, që edhe e kanë pjellur pastaj zotin e së keqes Merkunën e Zezë, janë që nga kohërat pagane. Miti i kohës pagane, ka arritur që të fshihet në një xhep të harruar kohë dhe të strehohet aty si mallkim dhe njëkohësisht si etje e pamposhtur për hakmarrje.

Letërsia është fiksion, që te lexuesi mjeshtëria e rrëfimit krijon bindje e vërtetësi, krijon emocion, ngacmim estetik, prandaj vetëm si e tillë na e zgjon kureshtjen, madje edhe kur teksti pasqyron përmbajtje të tilla ku janë derdhur të gjitha ngjyrat e errëta të mallkimit e të ekzistencës gjinore të njeriut nga vetë raca e tij. Në të vërtet, në këtë vepër romanore e shëmtuara si kategori estetike është ngritur në një art të qëndrueshëm që të trondit estetikisht.

Te letërsia e përbotshme, por edhe të ajo shqipe autorët kanë krijuar Makondot e tyre si Markezi. Ta zëmë Rexhep Qosja krijon Vajazanin, Ridvan Dibra Egobokën etj., e Agron Tufa trillon/krijon Ivranaj-n. Këtu te Agron Tufa është fjala për një gjetje ku emërvendi kodon brenda vetes mesazhin. Në të shumtën e rasteve autorët përmes emërvendeve fshehin enigmë, mister apo sekret që dekodimi për lexuesin do të shërbente si prelud. Mendoj se edhe këtu kemi një sekret që vetë emri bart mesazhin mbi mynxyrën. Kjo deshifrohet duke e shkoqitur emërvendin që tregon krimhapësirën, por të lokalizuar: I – VRAN – AJ. Pra në këtë hapësirë i vranë ai, miti i lashtë që ka dalë nga mbetjet mitike e arkaike të lashtësisë.

Në Ivranaj kemi edhe heronjtë që ndërthurin/ndërtojnë ngjarjen tekstore duke i dhënë jetë e vërtetësi fiksionit artistik. Në roman kemi tre grupe protagonistësh: Personazhe mitikë Merkuna, Enjti, personazhe realë: Guri, Fata, Gjyshi, Gjyshja, Shartimja, Nafaka, Mitushi personazhe enigmatikë e fantastikë: Nuna Shtime, personazhe fantastik/përrallor Shtrigat etj. Shumë nga heronjtë e grupimit të parë janë realë, por e kanë brenda vetes një mjegull misteri. Veprimet dhe botëkuptimet e tyre e bëjnë vetë esencën e misterit. Në tekst, në ndërthurjen e ngjarjeve, kemi të pranishme edhe botën faunore: Delet e Zeza, Dhinë e Zezë, të cilat paraqesin një mister në vete, nga që me to janë të lidhura të gjitha ato gra që i takojnë kultit të shtriganisë, të cilat pareshtur ndjellin të keqën dhe këtë të keqe e realizojnë përmes zotit të tyre mitik: MERKUNËS. Te një grup personazhesh gërshetohen elementet reale me ato ireale, mitike e fantastike. Në gjithë veprën hero të pastër realë e të padjallëzuar e kemi Gurin dhe Fatushën. Guri nuk e njeh misterin e këtij kulti, ndërkaq Fatushja e urren këtë kult. Ajo urren edhe nënën e motrën si pjesë të kultit. Ajo nuk pajtohet me veprimet e tyre djallëzore. Guri, i cili edhe është kryenarratori i veprës romanore, me pafajësinë e tij engjëllore prej adoleshenti, nëpërkëmbët, dhunohet e shpihet deri në prag të çmendisë, për të vetmin fakt se është mashkull.

Ngjarjet në roman pasqyrohen në mënyrë kronologjike me një rrjedhë lineare, plotësisht unike, pa krijuar intermeco e fragmentarizma. Teksti narratologjik është perspektiv, me ndonjë ndërfutje të rrallë të retrospektives si rrëfimi mbi ngjarjen e stërmoçme të luftës së palës së Merkunës (Zotit të gruas) dhe Enjtit (zotit të burrave) dhe përfundimin misterioz të Gjyshit që na vije si retrospektivë përmes rrëfimit të Gjyshes si dhimbje e mjegull nostalgjie. Autori e përgatit lexuesin pikërisht me vdekjen misterioze të Gjyshit, duke shpaluar misteriozitetin e retrospektivës për të na quar në një mori ngjarjesh në perspektivë, të cilat janë plot tmerr, krim, seks, magji, ankth, djallëzi, shtrigëri, rituale, absurditet e destruktivitet deri në vetëshkatërrim. Meshkujt nuk jetojnë dot në këtë fshat, ata sikur e ndjejnë që i ndjek një HIJE shkatërrimtare, e të cilën e ndjellin e ushqejnë gratë përmes ritualeve djallëzore, prandaj në gjithë Ivranaj-n jetojnë vetëm 4-5 meshkuj.

Teksti i romanit “Mërkuna e Zezë” është i dendur dhe polidimensional. Shtresat e shumta të rrëfimit bipolar, ngjeshur brenda hapësirave narratologjike e bëjnë tekstin ngacmues në shijen estetike të lexuesit. Autori, jo rrallëherë kësaj ia shton edhe situatat mistike e të parrokshme ku bën bashkë botën e të gjallit me të vdekurin, por në një vizion mjegullor/magjik, siç edhe është ky çast, ku rrënohen muret mes dy botëve. Një situatë e tillë e absurditetit dhe paradoksit është skena kur gjyshe Terzijen e gjejnë të alivanosur, të lidhur me penjë. Ajo do të rrëfejë se kishte qenë Mërkuna ajo që ishte paraqitur si halla Gurije, e vdekur shumë kohë më parë. Por dy filgjanët e kafesë pirë gjer në gjysmë, tregonin edhe diçka tjetër. Këtu mistereve të shumta u shtohej edhe ky mister. Pra autori nga veprimi e situata ndërton misterin, ndërkaq nga misteri lind hamendësimet: hapësira për të menduarit shumështresor të lexuesit. Një mister tjetër ishin edhe delet e zeza. Ato i takonin kultit. Me to identifikoheshin gratë, të cilat merreshin vetëm me leshin e zi. Në tekst, në të vërtet, delja e zezë dhe delja e bardhë krijojnë kontrastet: e keqja dhe e mira. Përndryshe ky autor edhe te romani “Tenxherja” e ka poashtu personazh Plakën misterioze Firuzen që misteriozitetin e saj e shton pikërisht dhia (Mefistofeli) e zezë.

Në romanin “Merkuna e zezë”, autori qëndron në një kënd periferik. Në tekst nuk kemi teknika të shumta të vrojtimit e rrëfimit dhe pozicione narratologjike. Autori zgjedh pozicion vrojtues, prej nga sheh gjithë rrjedhën e ngjarjeve brendatekstore. Rrallë herë kemi ndërhyrjet e autorit, të cilat shfaqen si domosdoshmëri, plotësim në ndërtimin tekstor të veprës. Atëherë shtrohet pyetje kush na rrëfen te “Merkuna…”? Po. Kryenarrator është Guri, ndërkaq edhe personazhet tjerë ndërveprojnë, kanë hisen e tyre, në ndërtimin e tekstit, përmes veprimit, rrëfimit narrativ, dialogëve, monologëve. Koha ku zhvillohen ngjarjet është definuar. Gjithçka ndodh brenda disa ditësh kur Guri është në pushim dimëror, por koha në roman njëkohësisht është edhe koha e trilluar, meqë ngjarjet, zanafilla e mitit është e brezpasbrezshme dhe në çdo brez si në mjegull nis e gjëllin ai që në mitër.

Rreth kulti MERKUNA janë mbledhur gra dhe vajza që bëjnë veprime djallëzore e shtrigërie. Kultit i prin Merkuna e zezë, krijesë imagjinare, e cila hakmerret kundër Enjtit. Merkuna është zoti i femrës, ndërkaq Enjti zoti i mashkullit. Rrallëherë mund të gjesh një mit kaq destruktiv, ku krimi është edhe vetëshkatërrim i kryerësit të veprës e megjithatë edhe si i tillë mbijeton. Veprimet e kultit, janë të njohura, prandaj i gjejmë dendur edhe në artin filmik. Ja, ta zëmë, se çfarë kërkon një grua e kultit nga Merkuna: Oj Merkuna Lavdemadhe! Shihi gratë që po të falen/ Prej kënetash dil e shfaqu, dil prej nate e mësyj/ Nëpër shpija ku ka meshkuj,dil e prina vetë vallen/ Vjehrrën, Fatën edhe nipin ndihmë fare krejt t’i zhbij/Sa për burrin në minierë, raftë një fashë gurë e shkëmb,/Ia dërrmoftë kockë e kokallë, ia bëftë kryet petë etj. F. 155

Gjithë tekstin e romanit “Merkuna e zezë”autori e mvesh me një kolorit mjegulle, misteri e magjie qëllimisht ashtu siç është vetë ngjarja. Mistike e djallëzore janë veprimet e ritualet e Shartimes e Nafakës: rituali i ndjelljes së borës, furka me kokën e Merkunës, mënyra e mbytjes së urithit, trikoja me fytyrën e Merkunës, Delet e zeza, vdekja e mistershme e Gjyshit, ardhja e Merkunës te gjyshe Terzija, e shndërruar në hallën Gurije, të vdekur prej kohësh, dhe i gjithë rituali djallëzor te nunë Shtimja. Vepra përmbyllet me fitoren e së keqes. Guri dhe Fata shqyhen nga klani i Merkunës. Shpirtrat e tyre ngjiten lart dhe nga lartësitë shohin plot habi sesi pjesëtaret e kultit  ua hanë trupin.

Të gjitha këto që u thanë më lart dhe ato që janë stivuar si nëntekst i fuqishëm që flasin thellë, figurshëm e shumështresshëm, romanin “Merkuna e zezë” e bëjnë vepër të një rëndësie të posaçme në letërsinë shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.