NJEQIND VJET VETMI

 “Ky roman është pjesa e parë letrare nga “Libri i zanafillës”, i cili duhet të lexohet nga e gjithë raca njerëzore… Z. Garcia Markez nuk bëri asgjë më pak se të krijojë tek lexuesi ndjesinë e gjithë kësaj: Jeta është thellësisht e pakuptimtë!” (WILLIAM KENNEDY, “New York Times Book Review”)

Grigor JOVANI

Konsiderohet nga kritika botërore si një nga “librat më ndikues të kohës sonë”, një vepër mahnitëse letrare, tejet origjinale, nga dora e mjeshtrit të shkrimit Gabriel Garcia Marquez, fitues i Nobelit të Letërsisë. “100 vjet vetmi” përshkruan procesin e ngritjes dhe të rënies, të lindjes dhe të vdekjes të qytezës mitike të Makondos, përmes historisë së familjes Buendia.

Vepër zhbiruese, argëtuese, e gjallë, tërheqëse, sa e dhimbshme aq dhe optimiste, me personazhe të paharruar, mbushur me vërtetësi dhe me një lirizëm magjik – ky roman është një kryevepër shkrimi. Nuk mund të kishte Çmim Botëror që do ta injoronte…

Vërtet që Makondo është një qytezë e imagjinuar, por në të Markezi shtron një tapiceri reale, mbushur me jetë dhe njerëz të vërtetë. Duke shpalosur historinë e shtatë brezave të familjes Buendia, shkrimtari eksploron temat e mënjanimit, ciklit historik dhe të forcës së vazhdueshme të familjes dhe të natyrës. Por, cilat janë shtyllat e vërtetësisë reale shoqërore mbi të cilat u ngrit dhe u mbështet pavdekshëm kjo histori e imagjinuar?

ENDRRA DHE REALITETI

José Arcadio Buendía, i shtyrë nga pasioni për dijen dhe prej dëshirës për t’u arratisur nga realiteti, shtyn bashkëshorten e tij Ursula të gjejë qytetin enigmatik Makondo, një oazë mëvetësie mes botës së vrullshme, njëkohësisht një utopi e shkëputur nga bota tjetër shoqërore. Qyteza lulëzon, me ciganët e saj dhe me thagmat e ndryshme, por edhe vihet përballë izolimit dhe problemeve të brendshme që rrjedhin prej tij. Pasioni i Jose Arkadios me alkimitë shoqërore dhe me luftën çon pashmangshëm në tjetërsim familjen e tij. Vetmia me veset e saj është krimbi që e gërryen përbrenda. Kështu që kalbja me kohë është e vetmja mundësi.

DASHURIA, VETMIA DHE REALIZMI MAGJIK

Familja Buendia mplekset në një “rrjetë të mallkuar merimangash”, prej së cilës nuk shkëputet dot, përbërë nga inde dashurie, vetmie dhe humbjesh të dhimbshme. Aureliano, i pari fëmijë i familjes, që lind profitikisht me sytë hapur, trashëgon etjen e të atit, Josesë, për dijen, por edhe shpirtin e tij kryengritës. Nuk ia përton t’u hyjë shumë betejave, shtyrë nga dëshira për rregull dhe drejtësi shoqërore, në një botë kaotike dhe të padrejtë. Motra e tij, Amaranda, është zhytur në një dashuri të pasionuar, të cilën nuk e kupton plotësisht, prandaj dhe ngërthehet në një atmosferë melankolike, me dëshira të paplotësuara. Një realitet i mjegullt shoqëror, pra, i endur me faktorë magjie dhe realiteti. Njëkohësisht, një zbërthim fantastik prej mjeshtri të rrëfimit i gjithë kësaj bote të ndërlikuar dhe komplekse.

CIKLI I SHPRESËS DHE I DESHPERIMIT

Çdo brez i familjes Buendia përballon sfidat e veta. Janë ca faktorë regresivë, si arroganca, kokëfortësia, dritëngushtësia dhe marrëdhëniet erotiket brenda gjakut, që e shtyjnë familjen drejt shpërbërjes. Njëkohësisht, qyteti përballon sëmundje, epidemi shfarosëse, zjarre dhe shkatërrime në plantacionet e bananes – burim jetik i njerëzve të qytezës, si edhe trazira politike – tipike këto për vendet latino-amerikane. Megjithatë, pas kësaj fasade të zymtë zhytur në dëshpërim, gjallon akoma shpresa. Jeta me tendencat e saj progresive funksionon, qoftë edhe spontantanisht. Idetë dhe iniciativat kryengritëse të Aureliano Buendia dhe qëndrueshmëria e palëkundur e Ursulës ofrojnë mundësitë ekzistuese për shkatërrimin e ciklit mbytës të vetmisë. Ekziston gjithmonë shpresa reale për të ardhmen.

KUJTESA DHE KOHA

Me zhvillimin e ngjarjeve, bien kufijtë kohorë midis të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes. Përsëriten ngjarje dhe rilindin karaktere të njëjtë, pasqyrohen tek pasardhësit ëndrrat e stërgjyshërve, të cilat paralajmërojnë ngjarje të së nesërmes. Vetë Makondo tkurret dhe shkatërrohet, bëhet një qytet fantazmë kujtimesh. Buendia e fundit, Aureliano Babilonia, dekripton dorëshkrimet e Melkiades dhe zbulon se eposi familjar ishte parashikuar dhe shkruar, para se të ndodhte. Pasazhe që të ngrenë në qiellin më të përndezur të fantazisë. Veçse gjithçka rrëfehet me një realizëm sa magjik, aq edhe real.

JEHONA

Me “100 vjet vetmi” nuk mërzitesh kurrë, nuk të ikën kurrë interesimi për vazhdimin e historisë. Të mbërthen një tërheqje e vazhdueshme. Kjo vepër artistike nuk është thjesht historia kronologjike e shumë brezave të një familjeje, por një “ese letraro-shkencore” (nëse mund të bëhet normalisht diçka e tillë) për përvojën njerëzore. I ka të gjitha faktorët përbërës: lindjen dhe vdekjen, shpresën dhe dëshpërimin, suksesin dhe humbjen. Plus kësaj, qëllimi i shoqërisë njerëzore kërkohet tek natyra ciklike e jetës (shkencë shoqërore nuk është kjo?). Duke mpleksur mjeshtërisht dhe në një mënyrë tejet efektive të dhënat historike me ato mitiket, arrihet tek i ashtuquajturi “art i Markezit” – realizmi magjik – shkolla letrare që mundëson mrekulli.

Romani, ashtu si vetë qyteza e Makondos dhe njerëzit e saj mund të zbehen gradualisht me zhvillimin dhe përfundimin e rrëfimit, mirëpo të ndjekin pas jehonat e një historie të tillë. Ato vazhdojnë të ushtojnë brenda çdo lexuesi, duke i kujtuar bukurinë e ashpër dhe melankolinë e ëmbël dhe të hidhur të ekzistencës njerëzore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.