NJERËZIT E PADITUR DHE POEZIA

(Kur mediokret fjalën poezi e përdorin në kuptimin inferior të saj, si “ broçkulla ose përralla”)

Puntorie ZIBA

Për atë që është një diagnozë mjekësore, që vetëm poeti i mirëfilltë dhe me talent ka aftësi t’ia cakton një sistemi ose një fenomeni, llafexhinjtë, pseudo-intelektualët thonë: janë dokrra, gjepura, pallavra. Fjala poezi vjen nga greqishtja e vjetër “poesis” që do të thotë: bëj, krijoj, thur. Ata që e shkruajnë poezinë quhen poet. Secili nga poetët i përket kohës dhe shekullit kur jeton. Ata janë njerëz të veçantë me qëllime dhe ide të larta. Tellallët e së keqes që i shohim në debate ordinere, në TV, por edhe në faqet e fb-së, të lënë përshtypje se nuk e kanë kryer shkollën fillore dhe kurrë nuk e kanë mësuar e dëgjuar qysh në klasën e dytë fillore poezinë “Mëmëdheu” të Çajupit, sa për të krijuar imazhin se sa e pushtetshme është poezia, se ajo mbart përgjegjësinë kryesore për kulturën e një kombi dhe se ajo është mbretëresha e të gjitha arteve tjera. “Je tu thonë vjersha, o ti, je tu thonë vjersha!”- ishte retorika e një pseudo-politikani që të cyste ta bësh thërrime-thërrime ekranin e televizorit ngaqë ta pështirte jetën. Fatkeqësisht, edhe në fushën e fb.-së që është hapësirë e madhe për t’i futur hundët gjithsecili, kam has thënie të kuptimit inferior për poezinë, si: “ Pres të thotë ndonjë poezi filan politikani”. Kështu shkruan dikush pa e vrarë mendjen dhe pa e ditur se pikërisht poezia mbart njohuri të mëdha, se është aristokrate, transformuese dhe se nuk ka të bëj me oratorinë. Ky art fisnik disave nuk ua prek as trurin, as zemrën, as ndjenjat… Dikush i thotë vetes politikan dhe nuk arrin ta kap rëndësinë e poezive antologjike kushtuar atdheut ose ndodhive historike, ngaqë gjëja më me vlerë e tërë kohërave i duket vetja, paratë dhe luksi. I gjori pseudo-politikan merr guximin dhe thotë: ”Je tu thonë vjersha, o ti!”, kinse “ pallavra”. Ai ndoshta nuk ka dëgjuar kurrë për perlat kombëtare me një gjuhë të fuqishme artistike dhe shumë cilësore, si : “O moj Shqypni”, “ Anës së lumejve”, “ Syrgjyn vdekur”, “Poemi Kosovar”, “ Ikja e Mojsi Golemit” etj. Fyerja e poezisë merr formë fantazmagorike pasi që derdimenët harrojnë se po të mos kishte poezi, nuk do ta kishim një pjesë të hises së identitetit tonë kombëtar, harrojnë se himni ka një vjershë brenda. Ata pseudo-intelektualë nuk e dinë se këngët legjendare, ninullat, këngët e vajit, këngët e nizamëve që janë kënduar në kohën e sundimit osman, janë të rëndësishme për letërsinë dhe për historinë e kombit. Kanë thënë se kur nuk di, më mirë është të heshtësh. Në këtë anarki ku mungon pushteti i organizuar, ku nuk veprojnë ligjet dhe rregullat etike, ku dëgjohet apoteoza e peshkut që nuk arrijmë ta kapim as te koka, as te bishti se rrëshqet e ik në mënyrë tinzare për të gllabëruar fukarenjtë, fyhet vjersha. Pasi poezia është shumë fisnike dhe aristokrate, një grusht njerëzish kanë aftësi ta duan dhe ta zbërthejnë atë. Poezia na kujton se e pranishmja, por edhe gjithçkaja, është më tepër sesa ajo që na sheh syri jonë dhe më gjigande se detajet që na i kap truri. Ata që nuk kanë aftësi ta vlerësojnë poetin dhe poezinë nuk dinë dhe nuk bëjnë përpjekje ta shohin botën. Ata më mirë të heshtin përgjithmonë. E bekuara poezi ngjason me ligjin për drejtësinë, kur një diktaturë burgos dhe torturon qytetarët, kur mungon liria e mendimit dhe liria e të shprehurit. Poezia e mirëfilltë është një disiplinë e fuqishme moralizuese dhe fisnike. Përmes saj shpalosen epokat historike, prandaj kanë thënë se atë që e harron historia, e thotë poezia. Tek ajo hasim edhe begatinë mahnitëse të gjuhës. “Zëri i saj është zëri i dëshirave dhe vizioneve. Është zë i një tjetër bote dhe zë i asaj bote, është i lashtë dhe i sotëm, është i nëndheshëm”, thotë Oktavio Paz. Vjershat është një dhunti hyjnore, është religjion, është e veçantë, është si një diagnozë mjekësore që vetëm poeti ka aftësi t’ia cakton një sistemi ose një fenomeni. Është e turpshme, fyese, bile mund të quhet mani injorantësh po që se fjala poezi përdoret në kuptimin inferior të fjalës, duke e përqeshur atë, duke e stigmatizuar. Njerëzit që e përqeshin këtë lloj arti mund të konsiderohen si njerëz të paditur dhe si njerëz që i bëjnë dëm kombit. Shumica e poetëve shqiptar, por edhe të atyre botëror që i përkasin letërsisë artistike, ishin dhe janë njerëz të arsimuar si: mësues, avokat, mjek etj. Ata janë produkt fin i një shoqërie, njerëz me energji të veçantë. Ata janë dhe do të mbeten pasuria e kombit. Kjo dukuri intelektualizmi që posedon mendime të përsosura, e ka në damar idealizmin dhe demokracinë e vërtetë.

Poezia lindi bashkë me njeriun dhe u bë promotor i jetës së tij. Poeti shkroi për vdekjen, dashurinë, paqen, lirinë, shpresën, besën, pabesinë, natyrën, stinët, ajrin, ujin, hënën, diellin dhe për gjithçka që na rrethon. Tek poezia mpleksen kultet, mitet, legjendat, ëndrrat, zanat, shtojzovallet etj.

Unë i këndoj  mbretëreshës së arteve dhe them:

Je mushti i shtrydhur

loti që rresh nga akullnajat e shpirtit,

prafullimë që kapërcen nga damarët

dhe merr udhët e botës,

plazmë që ndalon rrjedhën e gjakut

nga dregëzat lëkurore,

gualli i plagëve.

Mllefi mund të lind më shumë nga fyerja që i bëhet poezisë në mënyrë të përgjithësuar dhe jo akëcilit apo akëcilës poete. Megjithatë, do ta shkruaj një përkthim të një adithi nga Ulvi F. pasi që më la mbresa të thella. Në atë hadith përmenden ziliqarët e poetëve. Autori thotë: Kur poeti arrin suksese deri në qiell, armiqtë janë sa numri i yjeve. Pastaj thotë: ata do të më xhelozojnë edhe në vdekjen time. Ah, mjerim edhe në vdekje do të më xhelozojnë.”

Derisa në kohën e Rilindjes Kombëtare, por edhe gjatë periudhës komuniste poezia ka qenë kryefjala e popullit shqiptar, ajo sot përdhoset nga mediokret e pamëshirshëm që i ka kapluar jermi. Konkludime të këtilla të gabuara sjellin njerëzit e paditur që nuk kanë aftësi t’i çmojnë vlerat kombëtare.

Po të ishte aq e parëndësishme poezia, nuk do të harxhoheshin qindra mijëra euro për Mbrëmjet Poetike Strugane në Maqedoninë e Veriut. Kështu veprojnë ata që e vlerësojnë kulturën e vet, ata që përpiqen të krijojnë imazhin e nacionalitetit nëpër botë. Ca njerëz e admirojnë feniksin kur ngrihet nga hiri, kurse disa nga shqiptarët e përbaltin atë njësoj si i përbaltin mitet, poezinë dhe poetët. Dëgjuam e çka nuk kemi dëgjuar këto vite të mbrapshta, përjetuam e çka nuk përjetuam, nga “të pushtetshmit” që të emërojnë e të kthejnë nga rruga përtej oqeaneve për një hise që të takon si poete dhe pastaj të shkarkojnë brenda natës e të fyejnë, sepse harrojnë ta shikojnë veten në pasqyrë. Mjeranët ndoshta edhe nuk e dinë se librat e poetëve financohen nga tatimet e këtij populli hallemadh, nga ata njerëz që e njohin dhe e admirojnë poezinë. Po ashtu truri i tyre nuk arrin ta kuptojë se poetët gjithmonë janë opozitë, janë gjykues të padrejtësive, sherreve dhe gabimeve që bëjnë ata. Poezia nuk mund të jetë broçkull, sepse ajo lind nga dashuria për ta ngritur tej lartësive trungun kombëtar. “Poezia është një kombinim i mendjes me zemrën.” Thotë poeti grek, T.Patrikos. Kurse unë vazhdoj t’i them:

Je shfryrje dhembjesh inatesh,

je shkrepje,je rrufe

je vashë e brishtë nazike, je perëndesha

je lartësia që zë vend mbi zhurmën

mbi gojët llomotare të politikanëve cakërran…

Je petale fonemash të trëndafiluara

je arma ime e vetme, je religjioni im…

Leave a Reply

Your email address will not be published.