NJERËZORJA E HUMBUR

(Rreth veprës “Ç’njerëz” të Fitim Nuhiut)

Emine BORIÇI

Karakteri si shëmbëlltyrë e personalitetit vetjak merr plotësinë e tij nëpërmjet dy funksioneve, të cilat shkojnë në proporcion me njëra-tjetrën; aparenca fizike dhe botëkuptimi i brendshëm, duke formësuar katalizatorin e dikotomisë unë dhe tjetri. Vetë qenia njerëzore të mahnit me situatat që krijon duke mundësuar kështu demonstrimin e një celule të historisë globale, për të cilën individët mundohen që në impaktin e parë të jenë perfekt e të mbulojnë çdo gjë të padëshirueshme që shoqëria nuk e ka pjesë të komunitetit të saj, edhe pse një sjellje e caktuar mund të jetë dobiprurëse. Thyhet raporti midis të drejtës dhe të dëshirueshmes, ku mendja orientohet te ajo çka grupi ka si parim bazik. Këtu fillon ndrydhja e koshiencës si një zë që thërret drejt së mirës dhe detyrimit moral, që të ndihesh i përfshirë te komuniteti, duzim ky që, dashur pa dashur, është i pranishëm te të gjithë në një çast të jetës. Kuptohet që situata të përsëritura venitin besueshmërinë sesa i vërtetë je më pas, dhe vetvetiu vendoset në pikëpyetje nëse kemi të bëjmë me një karakter dublant, të dyfishtë.

Nuhiu na njeh me një sprovë letrare prej së cilës nuk e kapërcejmë dot botën e njëmendësisë për t’u kënaqur te trilli si një mundësi arratisjeje nga lodhja e jetës, por gjejmë nota dëshpëruese sa vetë realiteti. “Ç’njerëz”, libër i cili ngre shumë pikëpyetje për realitetin dhe të mban lidhur me një parim, të shikosh drejtë botën, duke reflektuar mbi gabimet përgjithësuese, edhe pse psikologjia orientohet kah disa mendime të lira, të cilat njerëzit i keqinterpretojnë dhe shkojnë drejt gabimit, ama prova e prekja e një devijimi tjetërson pastërtinë. Libri nis me një thënie “Denoncim i njeriut të sotëm”, ku autori na parapërgatit që do akuzojë individin, pikërisht atë postmodern, që ka tjetërsuar dhe ka arritur një novatizëm çudibërës. Kuptojmë thjesht dhe qartë që realizmi do sundojë në këtë sprovë, duke e bërë lexuesin që të përjetojë çaste jo fort të këndshme nga pjesëza të jetës së tij të kaluar apo që ndoshta po e përjeton në të tashmen.

Të fokusohemi të segmenti më jetik i librit që është njeriu dhe mini-segmentet që përplotësojnë tërësoren si: karakteri, përqasja me të tjerët, introvertizmi si fenomen bashkëkohor, elozha, mashtrimi, gënjeshtra, fshehja e së vërtetës duke u strukur turpshëm te justifikimi, pra te bota që ne po jetojmë. Poeti shprehet: njerëz që definitivisht s’janë NJERËZ. Godet dhembshëm mbi realitet, aq sa lexuesi edhe e akuzon Nuhiun, sepse skuqet, e gjen veten në një tematikë të caktuar, duke u munduar ta anashkalojë frazën, e kur njëra pas tjetrës renditen dëmshëm për botën tonë shpirtërore, rastisim që e mbyllim dhe ta hedhim tutje, sepse nuk e presim këtë koncizion kaq perfekt. Ai, libri mund të gjendet në një qoshe të dhomës për disa orë, por në shpërthime emocionale të pakontrolluara, siç thotë edhe Frojdi, sub-koshienca jonë thërret të vërtetën, edhe pse ne nuk e pranojmë, ama shpirti na kërkon të ushqehet me të vërteta. Ja disa prej tyre:

Njerëz që muzikën klasike e dëgjuan

vetëm nga filmat e Çarli Çaplinit.

Njerëz që të pyesin se “nga je” e nuk të pyesin, “kush je”.

Njerëz që s’njohin Zot, dhe krenohen me këtë.

Njerëz që përmes facebook-ut kritikojnë facebook-un.

Njerëz që censurojnë ëndrrat e të tjerëve.

Njerëz të ç’mençur.

Njerëz që shikojnë hënën, por nuk e sodisin atë.

Njerëz që përpiqen të jenë njerëz, por s’ia dalin dot.

Njerëz, që definitivisht s’janë NJERËZ.

Fitim Nuhiu nuk e kryqëzon njeriun, nuk e nënçmon, nuk e sheh me tendencën për ta ofenduar e që të ndihet keq, por ai dënon veprimin, i cili është shkaku kryesor që qenia njerëzore pëson ndryshimin drastik, prandaj këto fraza ligjërimore duhet t’i përkthejmë te vetja jonë si një mundësi e mirë për të mos rënë në vorbullën e gabimeve. Nuk duhet të gjykojmë të vërtetën edhe pse ajo vret te egoja jonë, por të jemi egoist për ta pranuar dhe për të korrigjuar vetveten, prandaj libri “Ç’njerëz” le t’i shërbejë gjithsecilit për t’u NDËRGJEGJËSUAR.

Leave a Reply

Your email address will not be published.