NJERIU “JERM” I SHTËPISË PREJ XHAMI

Kishte një kujtesë të jashtëzakonshme. Kjo i dhuroi qysh herët nofkën “Memory Babe”. E ndihmoi shumë edhe në shkrimin e romaneve të tij, më të shumtat e të cilave mbështeten tek kujtimet e mëparshme të jetës. I pëlqente shumë leximi, prandaj qysh herët tregoi mundësitë letrare. Formulonte periodikët e tij, të cilat madje i ilustronte edhe me ikona

Grigor JOVANI

Nëqoftëse pranojmë që me brezin “Bit” në Amerikën e fundviteve 40-të të shekullit të kaluar nënkuptojmë një mënyrë të veçantë jetese dhe një trashëgimi kulturore po të tillë, atëherë automatikisht kemi sjellë në mend themeluesin e saj, Xhon Keruak (12 mars, 1922 – 21 tetor,1969), i cili, në fund të fundit, shpiku edhe termin përkatës. Ky term nënkupton gjithashtu edhe telendisje, shfarosje (beaten up), por edhe një gjendje jermi, gjer në ekstazë. Dhe e shpjegoi vetë, më tej: “Kjo do të thotë “Bit”: “Jetoje jetën tënde? Jo, dashuroje jetën tënde! Kur do të vinë të të stisin në mur, për të të gjuajtur me gurë, të paktën do të kesh shtëpi prej qelqi, do të kesh vetëm trupin tënd prej xhami…”

***

Ishte romancier i njohur amerikan, që me filozofinë e tij “Bit”, ndikoi brezat e mëvonshme, gjer edhe kolegë të shquar të shkrimit. Thuhet se ai është shkaku që Alen Ginzberg zgjodhi titullin “Britma” për veprën e tij, si edhe Uiliam Baruzh për “Vakt i zhveshur”.

Gjithë jetën mbeti dygjuhësh, gjashtëvjeçar akoma zotëronte dy gjuhë, anglishten dhe frëngjishten. Në një kohë që në shtëpi përdornin gjuhën “joual”, një dialekt kebekian i frëngjishtes, i cili përçmohej nga anglofolësit amerikanë dhe shërbente si shkak mënjanimi dhe diskriminimi.

Përjetoi rritjen në një shoqëri frëngo-kanadeze punëtorësh të Louel-it. Miqtë e tij më të ngushtë ishin greko-amerikanë. Më 1926 humbi vëllanë e tij, Zherar, prej një epidemie ethesh, ngjarje tragjike të cilën e përjetoi thellë, dhimbshëm dhe e shtyu të shkruante më vonë romanin “Vizionet e Zherarit”.

Kishte një kujtesë të jashtëzakonshme. Kjo i dhuroi qysh herët nofkën “Memory Babe”. E ndihmoi shumë edhe në shkrimin e romaneve të tij, më të shumtat e të cilave mbështeten tek kujtimet e mëparshme të jetës. I pëlqente shumë leximi, prandaj qysh herët tregoi mundësitë letrare. Formulonte periodikët e tij, të cilat madje i ilustronte edhe me ikona.

***

Duke u rritur, Xhoni i shkathët dhe atletik u bë lojtar shumë i mirë në bejzboll (futbolli tradicional amerikan), aq sa fitoi një bursë falas për në Universitetin “Kolumbia” të Nju Jorkut. Si student i “Kolumbias”, erdhi në kontakt me disa prej personaliteteve të mëvonshme të brezit të  “Bit”-ve, siç qenë Alen Ginsberg, Edie Parker, Lucien Carr dhe Uiliam Baruzh. Me ta bashkë ravijëzoi tiparet botëkuptimore të një brezi të tërë në Amerikën e fundviteve 40-të. Atë periudhë, në një bashkëbisedim me shkrimtarin John Clellon Holmes, Keruak përshkruajti miqtë e tij dhe në përgjithësi gjithë brezin e tyre si “të lodhur shpirtërisht me jetën dhe botën, duke pasur një ndjenjë të humbjes (beatness)”, formulontas kështu për herë të parë termin “Beat Generation”.

U martua me miken e “Kolumbias”, Eddie Parker (1944), por u ndanë pas disa muajsh, ngaqë gjërat nuk mund të ekzistonin natyrshëm për një kohë të gjatë në jetën e tij.

***

Aventura e “Kolumbias” nuk zgjati shumë, si çdo gjë e rëndësishme në jetën e vetë të shkapërderdhur. Theu këmbën gjatë vitit të parë në një ndeshje bejzbolli. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e këqija me trajnerin e tij, e shtyu të braktiste studimet dhe të kthehej në vendlindje, ku filloi të punojë si reporter sportiv i gazetës “Lowell Sun”.

Në fillimet e viteve 40-të (1942) u punësua në flotën tregtare, për të filluar udhëtimet e gjata nëpër botë me anije të ndryshme. Vitin tjetër, në kohë lufte, u regjistrua vullnetarisht në Flotën Luftarake, por u përjashtua pak muaj më vonë, për shkak se ishte i padisiplinuar dhe me gjendje psikike të dyshimtë. Më vonë iu lejua të rikthehej dhe shërbeu në inteneraret SHBA – Angli, me anijen luftarake “S.S. George Weens”.

***

Romani i tij i parë “Qyteza dhe qyteti” (The Town and the City) u botua më 1950. Kishte filluar ndërkohë të udhëtonte vazhdimisht nëpër gjithë Amerikën dhe në Meksikë, bashkë me mikun e vetë Nil Kassadi, herë duke e pasur si bashkudhëtar në makinë, herë me “autostop”. Kjo aventurë e gjatë udhëtimesh shërbeu si bazë për romanin e tij më të mirë “Në rrugë” (On the Road).

Më 1950 u martua me gruan e tij të dytë, Joan Haverty. Me Xhoanën kaloi vitet më prodhimtare në krijimtari. Shkruante me pasion. Kështu erdhën romanet bazuar tek udhëtimet e veta: “Vizionet e Kondit”, “Doktor Saks”, “Magi Kasidi” e të tjera.

Gjatë viteve 50-të filloi të studiojë budizmin. Shkak i kësaj manie të re u bë vepra e Dwight Goddard “Bibla Budiste”. Gjatë një udhëtimi në Meksikë përfundoi serinë poetike “Bluz në Meksiko Siti” (Mexico City Blues). I kësaj kohe është edhe romani “Tristesa” (Tristessa), i shkruar për një vajzë që njohu në Meksikë.

Disa nga romanet e tij të tjera, janë: “Rrugaçët e Darmasë”, “Hipoltonët”, “Kotësia e Duluozit”, “Shkrime të përjetësisë”. Ka botuar edhe gjashtë vëllime me poezi.

E tërhiqte publiciteti. Filloi të shkruante tek periodikët e njohur “Playboy”, “Swank”, “Holiday”, “Escapade” dhe “Esquire”.

Martesa e dytë, ajo me Xhoanën, zgjati më shumë se të tjerat, por gjithashtu si të tjerat, nuk qe e gjithëhershmja. Më 1966 u martua me miken e tij të fëmijërisë, Stella Saba, me origjinë greke. U vendosën në Shën Pitersberg të Floridës. Prej andej nuk u shpërngul më, veçse kur iu desh të fluturonte për udhëtimin e fundit.

***

Është shkrimtar tejet i veçantë. Shkrimi i tij karakterizohet prej refuzimit për të përshtatur formën me përmbajtjen, nga një negocim i vazhdueshëm për kufijtë e shprehjes, shkrimit të lirë, spontanitetit dhe subjektivizmit. Forma e tij është e papërpunuar, pothuajse inekzistente, me paragrafë të palidhur midis tyre dhe fjalor të varfër dhe të përsëritur. Ç’mbetet, atëherë? Pikërisht këtu është magjia. Kjo “letërsi e çrregullt” pothuajse “jerm”, gati “të shpërbëhet”, ka megjithatë bukurinë e saj tërheqëse. Mendimi i tij “i pakontrolluar” të shtyn të ëndërrosh në ekstazë botëra dhe kohëra të tjera, sa abstrakte aq edhe reale, të ngjan se rron në një “shtëpi xhamash”, gati të shpërbëhen.

Tek hyrja e romanit “Në rrugë”, padyshim vepra e tij më e njohur dhe më e mirë, e cila u shkrua vetëm në tre javë, sikur shkrimtari “ishte vënë në prizë” dhe gjendej në ekstazë dehjeje, libër pa pjesë dhe paragrafë – një tërësi dhe kaq – Keruak do të shkruante: “Të vetmit njerëz që ekzistojnë për mua janë të çmendurit, ata që çmenden për të jetuar, që çmenden për të folur, çmenden për të shpëtuar, që i duan të gjitha njëkohësisht, ata që kurrë nuk gogësijnë ose thonë qoftë edhe një thënie të zakonshme, por që digjen si qirinjtë e verdhë mitikë të romakëve, që shpërthejnë si fishekzjarre mes yjeve dhe nga brenda tyre çlirohet dritëza blu e zemrës së tyre, dhe ata që i shikojnë ia bëjnë: Aaaa!!!, të mrekulluar…”

***

Vitet e fundit të jetës vuajti abandonimin thuajse total të botës botuese dhe denigrimin e përhershëm nga kritika letrare ekzistuese.

Vdiq 46 vjeçar, në urgjencën e “St. Anthony’s Hospital” të Floridas, nga një hemoragji në stomak. U varros në vendlindjen e tij, në Louel. Pak më parë i ishte bërë një përshpirtje lamtumire në kishën e St. Jean Baptiste, ku ndiqte meshat kur ishte i vogël.

Leave a Reply

Your email address will not be published.