NJOHURI TË REJA PËR VEPRËN E SANTORIT

Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, hedhin në qarkullim “Franqisk A. Santori dhe trashëgimia gjuhësore e letrare shqipe” – Aktet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare. Tiranë, 2022

Merita Sauku BRUCI

Viti 2019 shënoi një përvjetor të rëndësishëm dhe një ngjarje të shënuar për historinë e gjuhës dhe letërsisë shqipe: 200-vjetorin e lindjes së Franqisk Anton Santorit (Picilì, 16 shtator 1819 – Shën Japk, 7 shtator 1894).Personaliteti njerëzor e letrar i Santorit, në gjallje e gati një shekull e gjysmë pas kalimit të tij në amshim vazhdon të endet mes kujtesës dhe harresës, mes simpative dhe antipative, mes vlerësimeve dhe paragjykimeve, mes përshtatjeve dhe respektimit të vullnetit të tij autorial, mes njohjes dhe mosnjohjes. Ky botim i akteve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare me temë: FRANQISK A. SANTORI DHE TRASHËGIMIA GJUHËSORE E LETRARE SHQIPE, organizuar Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (ASA) në dhjetor të 2019 sjell të dhëna të zgjeruara mbi atë çka njihet e mbetet për t’u njohur nga krijimtaria e Santorit, rrugën për të depërtuar e pacenuar filologjikisht tek lexuesi (Bruci); mbi vendin e Santorit në letërsinë arbëreshe e shqipe, mbi aspektin social dhe të angazhuar, që ajo shfaq me Autorin tonë, për të cilin arti letrar nuk është vetëm një kërkim i pastër formal; në thelb të tij qëndron impenjimi social për të qenë zëri real karakterizues i personazheve dhe mesazheve që autori dëshiron të japë (Fortino); mbi të dhëna të reja e të panjohura deri më sot për biografinë dhe për jetën e Santorit pas vitit 1860, njeriut e shkrimtarit që kurrë nuk u vetpromovua dhe as vetpromovoi veprën e tij (Belluscio); mbi shfaqjen e një aspekti pak të studiuar të Santorit, atë të angazhimit social e politik dhe kushtet historike që paraprinë krijimin dhe botimin e himnit Valle harēs madhe (Parise); mbi vendin e Santorit ndë mend të popullit (Golemme).

Ky botim ofron këndvështrime interesante në rrafshin letrar: krijimi i një universi poetik ku bashkohet një vizion i tërë gjithpërfshirës: dielli, hëna, yjet, toka – njëherësh si trup qiellor dhe si bazamenti ku gjallojnë mikrokozmoset njerëzore (Smaqi); rileximi në vijimësi i veprës së Santorit, rikuptimësimi i mesazheve të përçuara përmes saj dhe vlerësimi sërish i vendit të tij në historinë e letërsisë në gjuhën shqipe (Plangarica); shqyrtimi i rapsodive santoriane, i elementeve të ngjashme ose të njëjta, si dhe përputhjet e tyre me personazhet e Eposit Heroik Shqiptar (Neziri); lëvrimi i “tokave të virgjëra” në letërsinë shqiptare dhe pasurimi i letërsisë arbëreshe dhe shqiptare me gjininë e dramaturgjisë me të cilën Santori i prin zhvillimit të gjinisë në fjalë në atdheun e origjinës (Kodra); rëndësia e romanzetto-ve në kuadrin e veprës së Santori-t dhe të letërsisë arbëreshe dhe zgjedhjen e ndërgjegjshme që autori arbëresh bëri me lëvrimin e kësaj gjinie për të komunikuar me lexuesin (Çali); pasurimi i trashëgimisë shkrimore mbi tekstin biblik në arbërishte dhe shqyrtimi i një arsenali burimor të këngëve fetare dhe të himneve themelore në liturgjinë e krishterë në variantet e ofruara nga A. Santori (Paci); vendosja e përrallëzave të Santorit, si njëri prej autorëve më të hershëm dhe më origjinalë në përkthimin, rimodelimin dhe krijimin e fabulës në letërsinë shqipe, brenda marrëdhënieve strukturore dhe tipologjike (Leka).

Në drejtimin gjuhësor, gjejnë vend: analiza e një përpjekjeje të Santorit për afrimin e dialekteve të shqipes bazuar mbi një ligjëratë nga teksti i Pjetër Bogdanit Cuneus Prophetarum, të përshtatur në njëfarë mase në arbërishte për t’u bërë i kuptueshëm nga lexuesi arbëresh (Omari); vëzhgimi mbi format fonetike dhe morfologjike që u përkasin të folmeve të ndryshme arbëreshe, të pranishme në veprën e Santorit, të cilat dëshmojnë për vetëdijen e ngulët të autorit se gjuha e letërsisë duhej t’i kapërcente caqet ngushtësisht lokale për t’u folur sa më shumë njerëzve (Doka); hulumtimi mbi sintaksën dhe semantikën e fjalës “për” në veprat e Santorit në pranëvënie me autorë të tjerë si Buzuku, Budi, Bogdani e Varibobba (Kananaj); shqyrtimi i alternimit të mbylltoreve të pazëshme/të zëshme (p/b, t/d, q/gj, k/g) në të njëjtën fjalë në veprën e Santorit dhe zgjedhjet e kuratorëve të ndryshëm në pasqyrimin e këtij alternimi (Sinanaj); vëzhgimi mbi praninë në veprat e Santorit të disa formave të pashtjelluara me vlerë paskajoreje të tipit “me thënë”, që njihet ndryshe si paskajorja e gegërishtes, për shkak se sot ajo mungon në të folmet e toskërishtes (Koperaj).

Drejtimi leksikologji, semantikë e kritikë letrare studiuesit na njeh me: disa fusha leksiko-semantike, si leksiku që lidhet me botën e dashurisë, leksiku i botës së luftës, leksiku fetar, leksiku etnokulturor, leksiku i gatimtarisë, etnobotanizmat, etnozoologjizmat si edhe dukuri të fjalëformimit dhe ato të sistemësisë në fjalëformim që kanë lidhje të drejtpërdrejta me këto fusha (Memisha); përpjekjen e vetëdijshme e të suksesshme për krijimin e një arbërishteje tej caqeve të të folmeve vendore, e cila ngërthen ndërkaq edhe elemente të traditës librore përqendruar në vendin, rolin dhe përdorimin stilistik e si burim neologjizmash i greqizmave në veprën e Santorit (Qirjazi); fabulat e përkthyera a përpunuara nga Santori të cilat na mundësojnë të njohim jo vetëm evolucionin e gjuhës shqipe [arbërishtes], normat dhe doket kulturore të një diaspore historike por edhe statusin e jetësinë e pasurisë së saj leksikore, sintaksore, e mjeteve të shprehjes poetike – përkrah disa gjuhëve europiane (Lamaj); studimin e vargjeve satirike nga këndvështrimi leksiko-semantik, referuar veçanërisht neologjizmave të krijuara nga Santori, të veshura me ngjyresa kuptimore të kushtëzuara nga konteksti humoristik (Kume); mënyrat e vështrimit, metodat e përdorura dhe nivelet e interpretimit nga kritika letrare shqiptare për të analizuar veprën e Santorit dhe risitë që ajo ka sjellë (Gugu). Megjithëse ky botim po del me pak shkëputje kohore për shkaqe objektivisht të njohura, kemi bindjen se ai plotëson dhe ndriçon në shumë aspekte figurën e Franqisk Anton Santorit dhe do t’u vijë në ndihmë studiuesve, historianëve të letërsisë shqipe, hartuesve të teksteve të letërsisë, pedagogëve, studentëve, nxënësve apo edhe lexuesve të interesuar. Jo më kot në këtë botim janë përfshirë me synim pasurues edhe ilustrime të përzgjedhura nga pena e Santorit, brendashkruar kumtesave apo ndërmjet tyre, si një kontakt i drejtpërdrejtë me autorin dhe plotësim i argumenteve të trajtuara në kumtime.

Leave a Reply

Your email address will not be published.