Kadareja ka 20 vite i nominuar për çmimin Nobel dhe 52 vite që botohet në Perëndim e në botën mbarë, ku 20 vite krijimtari i përkasin kohës së diktaturës
Fatbardh AMURSI
Askush tjetër nuk e mishëron thënien e Naim Frashërit “Dielli lind andej nga perëndon” nga Ismail Kadare, për më tepër në kohën kur propagandohej “Lindja e kuqe”. Germat latine të gjuhës sonë, në latinisht u këndoi Barleti bëmave të Gjergj Kastriotit, kordhëtarit të kontinentit mëmë, si e vetmja rrugë, që, mendjet e ndritura të kombit e mbajtën hapur, pavarësisht pushtimeve, rrethimeve e izolimeve. (Si bejtexhinjtë dhe ndikimin i letërsisë sovjetike nuk prekën identitetin e letërsisë, prirjen evropiane të saj. Pashko Vasa ishte guvernator i Libisë, por romanin e parë shqiptar e shkroi në gjuhën frënge.)
Pukvili, duke udhëtuar për në Përmet përmend një rast interesant. Në rrugë e sipër një përmetar i drejtohet në frëngjisht, i cili, më pas do t`i fliste për miqësinë që ai kishte me shkrimtarë të njohur të Francës, midis të cilëve përmend dhe Emil Zolanë. Të asaj France nga ku do të nis rrugëtimin fama e shkrimtarit tonë Ismail Kadare, i cili ka 20 e ca vite që nominohet për çmimin Nobel. Nëse do të bënim një krahasim me futbollin, prej vitesh arrin në çerekfinale dhe në gjysmëfinale. Pak po ju duket?! Ndryshe nga Pasternaku, i cili e nxori fshehurazi romanin “Doktor Zhivako”, i financuar nga CIA dhe M6 angleze i jepet çmimi Nobel, ndërsa Kadareja botohet jashtë me miratimin e shtetit shqiptar. (Shihni si lumturohen, me të drejtë, poetë e shkrimtarë, kur u botohet jashtë ndonjë poezi, libër apo marrin ndonjë çmim, ndërsa mosmarrjen e Nobelit, për fat të keq, disa poetucë, shkrimtarucë, shqiptarucë, shtrigologë e gjithologë ia llogarisin shkrimtarit tonë më të famshëm të të gjitha kohërave, si dështim?! As më shumë e as më pak, janë po ata, që vuajnë nga deliri i shkurorëzimit, përngjashëm me dërgatën, që i dorëzoi ViktorEmanuelit III kurorën e mbretit të Shqipërisë, si e si të mos e shihnin në kokën e mbretit të tyre. Studiuesit thonë: pavarësisht se ari zë vendin e parë, vlera e argjendit është më e madhe. Kadare me argjendin i ka të përmbushura ambiciet e veta, por, ja që Nobeli u duhet shqiptarëve më shumë se atij vetë. Një medalje ari merr një sportist i jepen grada në ushtri, ndërsa gjeneralizmi i letrave shqip me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” pushtoi botën letrare.)
Nuk e teprojmë nëse themi se sjellja ndaj Kadaresë: është një test për të dalluar të talentuarin nga mediokri, të kulturuarin nga pseudoja, mendjen e hapur nga kritizerin delenxhi, pse jo: atdhetarin nga pseudopatrioti. Këta të fundit i gjen me shumicë nëpër parti, mediume dhe portale. U duket se Kadare u ka marrë kësmetin. Dje e luftonin shkrimtarin në emër të dogmave, si “i shitur tek Perëndimi”, kur librat botoheshin me pëlqimin e shtetit shqiptar. (Pushtetarët i akuzojnë se kanë vjedhur floririn që nga mbreti Zog e deri tek këta të sotmit, por më shumë u dhimbset floriri, që, me gjasa, paska shpenzuar Enver Hoxha për botimin e librave të Kadaresë në Perëndim, e cila shkon si kompliment për diktatorin, i cili e derdhka paranë për artin, kur sot shumica dërrmuese e autorëve i paguajnë nga xhepi i tyre librat e botuara. Na dilka se i interesuar për ta shitur shkrimtarin në Perëndim paske qenë shteti, kur kryeministri i kohës e akuzonte për “agjent të Perëndimit”, sikurse akuzoheshin Koliqi dhe Camaj deri vonë?! Tani kanë ndërruar pllakë, jo të shitur tek Perëndimi, por të blerë nga regjimi, si beniamin i Hoxhës dhe oborrtar i tij, duke na kujtuar poezinë e Kadaresë për kuajt: nga lufta vijmë dhe në luftëra shkojmë. (Ku qëndronsuksesi i Kadaresë jashtë, e pyetën dikur kritikun Razi Brahimi në Lushnje. Se shkruan sipas shijeve të borgjezisë, ishte përgjigjja e tij. Raziun e kishin sjellë në Lushnje me dënim, si redaktor i librit të Dritëroit “Zhurma e erërave të dikurshme”, i hequr nga qarkullimi për gabime ideologjike (!) Edhe kur i zinte e keqja, prapë nuk u rrihej pa e prishur gojën?! Të shaje Kadaren të merrej si një mundësi për të rregulluar biografinë.)
Skematikët nuk kanë tjetër njësi matëse nga politizimet. Ndërsa vetë mbanin nofka dhe pseudonime të tjerët i etiketonin me “shfaqje të huaja”, “lakra në kokë”, dekadentë apo izmaxhi. (Reliken, dikur e mbanin për vete si hajmali, ndërsa të tjerëve ua vënë poshtë rrobave si magji.) Kush nuk shkroi për partinë dhe Enverin, ja që të Ismailit binin në sy për shkak të artit. Dikur ky soji mburrej me “shqiponjat që fluturonin lart”, ndërsa tani: ku t`i kërkojmë rrënjët e tua, i thonë shkrimtarit. Në librat e shenjtë thuhet se nuk mund të dënohesh dy herë për të njëjtin faji, ndërsa Kadare u sulmua me të njëjtin zell dy herë për romanin “Dimri i madh”. Këta të parrënjët, të pa krahët, që janë mësuar të ecin zvarrë, duke u ankuar se nuk i kanë lënë të fluturojnë, u duhet një armik imagjinar. Për dështimet e tyre fajësojnë atdheun, do thotë diku shkrimtari për ta. (Simpatia e shkrimtarit austriak PeterHanke për Millosheviçin, nuk e pengoi jurinë që t`i jepte atij Nobelin. Ka në botë autorë komunistë që kanë marrë çmimin Nobel, ndërsa Kadare u dashka ndëshkuar pse në roman ka personazh Enver Hoxhën, apo ka shkruar vargje për të. Për Stalinin kanë shkruar edhe disidentë sovjetikë.)
Kadareja ka 20 vite i nominuar për çmimin Nobel dhe 52 vite që botohet në Perëndim e në botën mbarë, ku 20 vite krijimtari i përkasin kohës së diktaturës. Prej gjysmë shekulli të botohet rregullisht në Perëndim, shoqëruar dhe me çmime prestigjoze, një shkrimtar ardhur nga një vend diktatorial, ku shumë e shumë evropianë nuk e dinin nga binte Shqipëria, për më tepër një shkrimtar i trajtuar si heretik, me një rol të jashtëzakonshëm në emancipimin e letërsisë provinciale të vendit të tij, vlera këto që nuk manifestohen prej asnjërit nga të kurorëzuarit e Nobelit, do ishin të mjaftueshme që shkrimtari ynë të kurorëzohej me Nobelin. Nuk mund të habisë fakti, që, ishin të huajt që e promovuan shkrimtarin tonë kundrejt shijeve dhe standardeve të tyre. I dolën krah, kur këndej nga ne donin ta izolonin. Në mos ta ndëshkonin.
Rexhep Qosja, që vetë s`i kursen lëvdatat për Enver Hoxhën, në një botim të tijin për censurimin e filmave të diktaturës, krejt pa lidhje, xhiron fjalë krejt të padenja për Kadarenë: “Po ndaluan filmat e para ’90-ës, duhet të ndalojnë dhe Kadarenë”, “Ç’është romani Dimri i madh? Padyshim “zgjatim i natyrshëm i komunizmit”, në të vërtetë “zgjatim i natyrshëm i stalinizmit”! Ç’është romani Dasma? Padyshim zgjatim i natyrshëm i maoizmit, domethënë i politikës dhe ideologjisë së revolucionit kulturor kinez!” Ta zëmë për një moment se kërkesa për censurim miratohet: bashkë me filmat ndalohen dhe librat e Kadaresë. Por, a do t`i ndalojë Perëndimi veprat e “agjentit” të saj? A nuk është e turpshme të mendosh, që në demokraci të kërkohet censurimi dhe ndalimi i librave, sikurse i ndodhi shkrimtarit dhe në diktaturë? Ngjarjet në Ukrainë a nuk e kanë aktualizuan romanin “Dimri i madh”? Shkrimtari mbështet në libër shkëputjen e Shqipërisë nga Moska, gjë që po ndodh dhe me Ukrainën, me një luftë nga më heroiket të historisë moderne. Sovjetikët për të nënshtruan shtetin shqiptar ndaluan furnizimin me grurë, bllokada e grurit u shfaq dhe në luftën e sotme në Ukrainë dhe shpëtimi erdhi nga Perëndimi, Franca, aty ku botohej krijimtaria e Ismail Kadaresë. Meqë financimet ruse sponsorizojnë politikën, median, a ka të ngjarë që sulmet ndaj shkrimtarit tonë perëndimor të kenë sponsorizim lindor? Por ta mbyllur: Nobeli më shumë u duhet shqiptarëve se Kadaresë.