Nga ky autor në gjuhën shqipe është botuar libri “Burri që e pandehu gruan për kapelë” – dhe rrëfenja të tjera klinike (përkthyer nga Griselda Zaimi, Botoi Sh. B. “Skanderbeg Books”, Tiranë, 2016)
Xhahid BUSHATI
Në vitin 1961 Sacks mbërriti në SHBA. Kreu një stazh në Spitalin Mt. Zion në San Francisko dhe një rezidencë në neurologji dhe neuropatologji në UCLA. Ndërsa ishte në San Francisko, Sacks u bë mik i ngushtë e i përjetshëm i poetit Thom Gunn, duke thënë se ai e donte imagjinatën e tij të egër, kontrollin e tij të rreptë dhe formën e përsosur poetike.
Sacks u transferua në qytetin e Nju Jorkut. Lexoi një libër nga mjeku i migrenës, Edward Liveing. E frymëzoi ai libër! Sacks, edhe pse do të mbetej banor i SHBA për pjesën tjetër të jetës, ai nuk u bë kurrë shtetas amerikan. Pas një pune me arritje të larta shkencore në fushën e mjekësisë, u emërua i pari “Artist i Universitetit të Kolumbias” në Universitetin e Kolumbisë në kampusin “Morningside Heights” të Universitetit, duke njohur rolin e punës së tij në lidhjen e arteve dhe shkencave.
Në vitin 1967 filloi për herë të parë të shkruante për përvojat e tij me disa nga pacientët e tij neurologjikë. Libri i tij i parë “Ward 23” u dogj nga Sacks gjatë një episodi vetëdyshimi. Puna e tij është paraqitur në një “gamë më të gjerë mediash se ato të çdo autori tjetër mjekësor bashkëkohor”. Në vitin 1990, “The New York Times” shkroi se ai “… është bërë një lloj poeti laureat i Mjekësisë Bashkëkohore”.
E konsideroi stilin e tij letrar si të dalë nga tradita e “anekdotave klinike” të shekullit të 19-të, një stil letrar që përfshinte histori të detajuara narrative, të cilat i quajti romane. Pas botimit të librit të tij të parë “Migrena” në vitin 1970, një rishikim nga miku i tij i ngushtë W. H. Auden, e inkurajoi Sacks-in të përshtaste stilin e tij të të shkruarit por “të jetë metaforik, të jetë mitik, të jetë gjithçka që ju nevojitet”.
Sacks i përshkroi rastet e tij me një mori detajesh narrative, duke u përqendruar në përvojat e pacientit. Pacientët që përshkroi shpesh ishin në gjendje t’i përshtateshin situatës së tyre në mënyra të ndryshme, pavarësisht nga fakti se kushtet e tyre neurologjike zakonisht konsideroheshin të pashërueshme. Libri i tij “Awakenings”, mbi të cilin bazohet filmi artistik i vitit 1990 me të njëjtin emër, përshkruan përvojat e tij duke përdorur ilaçin e ri levodopa tek pacientët post-encefalitikë në ish-Spitalin “Beth Abraham”, aktualisht Qendra Beth Abraham për Rehabilitim dhe Infermierë, Allerton Ave, në Bronksi-n Verilindor. “Awakenings ishte, gjithashtu, subjekt i dokumentarit të parë të realizuar (në vitin 1974) për serialin televiziv britanik Discovery.
Duhet thënë se, Sacks, ndonjëherë, përballej me kritika në komunitetet e studimeve mjekësore dhe të aftësisë së kufizuar. Artur K. Shapiro tha se puna e Sacks ishte “idiosinkratike” dhe u mbështet shumë në provat anekdotike në shkrimet e tij. Studiuesi Makoto Yamaguchi mendonte se shpjegimet matematikore të Sacks-it, në studimin e tij për binjakët e talentuar numerikisht (si tek vepra “Burri që e pandehu gruan për kapelë”) ishin të parëndësishme dhe vuri në dyshim metodat e tij. Edhe pse Sacks është karakterizuar si një shkrimtar dhe mjek “i dhembshur”, të tjerë kanë ndjerë se ai i ka shfrytëzuar subjektet e tij. Sacks u quajt “… njeriu që ngatërroi pacientët e tij për një karrierë letrare”.
Sacks nuk u martua kurrë. Jetoi i vetëm në pjesën më të madhe të jetës së tij. Nuk pranoi të ndajë detaje personale deri vonë në jetën e tij. Në një intervistë të vitit 2001 vuri në duke se, “… ndrojtja e rëndë kishte qenë një pengesë gjatë gjithë jetës për ndërveprimet e tij personale. Besonte se ndrojtja e tij buronte nga prosopagnosia e tij, e njohur si “verbëria e fytyrës”, një gjendje që e studioi tek disa pacientë të tij, duke përfshirë edhe njeriun e veprës së tij “Burri që e pandehu gruan si kapelë”. Kjo paaftësi e tij neurologjike, ashpërsia e së cilës dhe ndikimi i të cilit në jetën e tij Sacks nuk e kuptoi plotësisht derisa arriti në moshën e mesme, madje ndonjëherë e pengoi atë të njihte reflektimin e tij në pasqyrë.
Në janar të vitit 2015, në mëlçinë e tij u zbuluan metastaza nga tumori okular. Sacks e vlerësoi kohën e tij të mbetur në “muaj”. Ndërkohë synimi i tij ishte: “Dëshiroj dhe shpresoj në kohën që më ka mbetur të thelloj miqësitë e mia, t’u them lamtumirën atyre që dua, të shkruaj më shumë, të udhëtoj nëse kam forcë, të arrij nivele të reja mirëkuptimi dhe depërtimi”.
Sack vdiq më 30 gusht 2015, në shtëpinë e tij në Manhattan, në moshën 82-vjeçare, i rrethuar nga miqtë e tij më të ngushtë. Në vitin 2024, Biblioteka Publike e Nju Jorkut njoftoi se kishte marrë në dorëzim arkivin e Sacks. Në të gjendeshin 35.000 letra, 7.000 fotografi, dorëshkrime të librave të tij, revista dhe fletore.