OPOZITARIZMI KONSERVATOR

Metternich absolutizon status quo-në para revolucionit. Falë pozicionit që kishte në krye të një prej fuqive më të mëdha europiane, ai arriti të vonojë në mënyrën më të zgjuar e të menduar hollë, zhvillimin politik të një pjese të madhe të Evropës kontinentale

Ervina TOPTANI

Shembujt që Shqipërisë i kanë munguar te liderët drejtues të shtetit. Për pasojë ndodh kaosi i madh politik në të gjitha kohërat e mëvonshme, sepse ne nuk kemi kulturë e as memorie politike të shtet-bërjes.

Në ridimensionimin e historisë së mendimit, shpesh theksohet karakteri antinacionalist i konservatorizmit. Që konservatorizmi në të vërtetë bashkë-identifikohet me të njëjtën origjinë iluministe si liberalizmi, del e qartë te Burke (1728 –1797), por akoma më shumë te politikani konservator më efektiv që prodhoi Europa e gjysmës së parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Clemens Lothar, konti Metternich (1773-1859).

Ashtu si Burke, Metternich mban kahun e supozimit teorik të ekuilibrit, por me diferencën se ky parim i matricës shkencore-racionaliste përshkallëzohet dhe ndjehet më fort në profilin e tij politik. Në fakt, Metternich absolutizon status quo-në para revolucionit. Falë pozicionit që kishte në krye të një prej fuqive më të mëdha europiane, ai arriti të vonojë në mënyrën më të zgjuar e të menduar hollë, zhvillimin politik të një pjese të madhe të Evropës kontinentale.

Metternich ishte njeri me parime të qarta iluministe (për të sqaruar se çfarë është iluminizmi për ata që nuk e kanë të qartë, ju rekomandoj të klikoni në google në enciklopedinë tashmë dhe online “La Treccani”. Po ta sqaroja, shkrimi do të dilte shumë i gjatë). Babai i tij, një diplomat dhe mason i kryepeshkopatës së Trevirit, herë pas here ia besonte fëmijët e tij një mësuesi protestant, por Metternich u thellua ndjeshëm në trashëgiminë intelektuale të iluminizmit në Universitetin e Strasburgut, ku studioi duke filluar nga viti 1788.

Pas shpërthimit të revolucionit, ai shkoi në Mainz ku vazhdoi studimet me historianin e mirënjohur Niklas Vogt, mbështetës i rëndësishëm “letrar” i konceptit të ekuilibrit. Në veprat e tij “System des Gleichgewichts” (1785) dhe në veprën tjetër të tij madhore, “Über die Europäische Republik” (1787-92) në pesë volumet e kësaj vepre, Vogt shkruante se të gjithë njerëzit jetonin sipas dy forcave të kundërta orientimi, tërheqjes dhe zmbrapsjes, dashurisë dhe urrejtjes, dëshirës dhe neverisë, por ishte njëkohësisht i bindur që ekzistonte dhe një tendencë konstante ekuilibri që në fund do të sillte fitoren e padiskutueshme të iluminizmit, që do të thotë pika e rëndesës së ekuilibrit të lumturisë e stabilitetit, në krahasim me forcën e veprimet e detyruara tek pjesa më e madhe e masave civile.

Bërthama e ekuilibrit vogtian u bë parimi bazë dhe guri i themelit të idesë së Metternich në vesten e tij primare si diplomat austriak, më pas ministër i jashtëm dhe kancelar i perandorisë (kryeministër).

Shpirti i njeriut mbushet kur është i detyruar të punojë me ekstremet – mendonte ai. Ndaj është e nevojshme të zëvendësohet një shekull i pafe` dhe doktrinash të rreme filozofike me një epokë reagimi moral dhe fetar.

Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, në vitin 1789, duhej të ndiqte një ritëm më të ngadaltë e të ndryshonte taktikën e qeverisjes së tij, përndryshe nuk do të ishte e mundur të arrihej ekuilibri midis parimeve të shkatërrimit dhe asaj të ruajtjes që në botë veprojnë vazhdimisht kundër njëra-tjetrës. Përsa i takon pjesës politike, ai e konceptonte atë të ndarë ndërmjet një ekuilibri të dyfishtë: atë të jashtëm, të shteteve europiane ndërmjet tyre dhe atë të brendshëm, të shteteve të marra veç e veç. Elementi dinamik duhet të zhdukej nga politika e brendshme e duhej ristabilizuar rregulli i brendshëm social dhe ekonomik. Kështu e konceptonte Metternich ekuilibrin social.

Nuk ekziston rregull dhe jetesë normale në një shtet apo në një Perandori shumëkombëshe nëse njerëzit nuk kanë minimalisht stabilitet ekonomik. Pas stabilitetit ekonomik vjen dhe stabiliteti social e intelektual. Forma më ideale e shtetit, sipas tij, ishte monarkia. Po i referohemi kohërave kur konceptimi politik i qeverisjes së vendit mendohej si pozicionimi i ndërmjetëm midis tiranisë së masave dhe despotizmit të një njeriu të vetëm, udhëheqësit.

Metternich mendonte se ishte detyrë primare e shtetit, qeverisë e udhëheqësit të vendit që të mendonte pandërprerë për mirëqenien e shtetasve të tyre dhe garancisë së lirive individuale aq sa këto të dyja të përputheshin e të mos kishte ndërprerje të zinxhirit nga pjesa shumë e rëndësishme e drejtësisë dhe ruajtjes së ligjeve shumë të forta në lidhje me drejtësinë dhe respektimin e pronës private. Metternich ishte i mendimit se një shtet që ka dhënë prova konkrete dhe ka pasur sukses në zhvillimin e prosperitetin e tij, duhet të ndërhyjë në mënyra të ndryshme (shpesh kjo gjë sipas mundësive e formave të kërkuara nga vetë shtetet në vështirësi) për të ndihmuar e asistuar shtetet që nuk ishin në ekuilibër prej mosmarrëveshjeve e problemeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.