E kanë quajtur, ndër të tjera, edhe “Pikasoja i Poezisë”, sepse derdhi lumenj të tërë të rrëmbyer koloritesh dhe pasionesh në hartën latino-amerikane, për të himnizuar dinjitetin njerëzor, lirinë e popujve, dashurinë e njerëzve
Grigor JOVANI
Pablo Neruda është një simbol. Jo vetëm se është më i lexuari poet spanjishtshkrues në botë. Mbi të gjitha, se është poet i lirisë. Dhe liria, për njeriun në veçanti por edhe për një popull apo njerëzimin në tërësi, është visari më i çmuar. Atë që bëri Salvadore Alende në politikë, për popullin e vetë por edhe për mbarë Amerikën Latine, e bëri edhe Neruda në letërsi, veçse me rezonanca shumë më të larta. Ishte flamurtari i betejave antidiktatoriale të gjithë kësaj pjese të nxehtë të planetit, borizani i flaktë që ftonte dhe printe në beteja revolucionin në mbarë botën. Ç’fjalë tjetër mund të përdorësh për të zëvendësuar termin “simbol”?
E kanë quajtur, ndër të tjera, edhe “Pikasoja i Poezisë”, sepse derdhi lumenj të tërë të rrëmbyer koloritesh dhe pasionesh në hartën latinoamerikane, për të himnizuar dinjitetin njerëzor, lirinë e popujve, dashurinë e njerëzve. Prozatori i shkëlqyer kolumbian Markez, i “shkollës nerudiane të revolucioneve” edhe ai, mbase nuk është njeriu më adap për të vlerësuar një poet – “tjetër puna e priftit dhe tjetër ajo e kandilondezësit” – por nisur prej atyre faktorëve që përcaktuam më lart, mbase është “i autorizuar” nga llogjika latinoamerikane mbi drejtësinë e gjërave, të bëjë përcaktimin e tij: “Neruda? Padyshim, poeti më i rëndësishëm i shekullit 20-të!” Me sigurinë absolute të “patriarkut”. Kush mund ta kundërshtojë?
***
Erdhi në jetë më 12 korrik 1904. Vendlindja e tij është qyteti Bara, në pjesën qëndrore të Kilit. Bir i punonjësit të hekurudhave Hose del Karmen Rejes Morales dhe i mësueses Roza Neftali Basoaldo Opaso. Mbeti jetim nga e ëma, një vit pasi e kishte lindur, duke detyruar të atin të shpërngulej në qytetin Temuko, ku dhe u martua. Poetit të ardhshëm i mungoi qysh i mitur dashuria e mëmës, faktor i rëndësishëm për të mbjellur në shpirtin e një fëmije dashurinë për botën. Në shpirtin e brishtë të një poeti të parametrave të tij, ishte mungesë e pa zëvendësueshme. Megjithatë, ky shpirt-orkestër u mbush me tonet dhe me ngjyrat e një dashurie botërore, asaj të lirisë. Prandaj u bë poeti i njohur i saj.
Poet mund të lindësh, por nuk bëhesh i tillë qysh në fillim. Duhet të përgatitesh shpirtërisht për këtë mision të madh. Pabloja pikërisht atë bëri, qysh në vegjëli. Filloi të shkruajë akoma 10 vjeç. Nuk pati krahë. I ati, njeri i zakonshëm i mbijetimit të përditshëm, nuk e përkrahte në “kësisoj marrëzirash”. Kështu që i vogli duhej të fshihte pasionin e tij të madh. I nënshkruante krijimet e veta me pseudonimin “Pablo Neruda”, duke përvetësuar mbiemrin e shkrimtarit të njohur çek Jan Neruda dhe duke i bashkuar emrin e poetit të famshëm frëng Pol Verlen. Me këtë emër e njohu bota fillimisht kilianin e vogël poet. Me këtë emër do t’i hapte portën e përjetësisë poetit të madh botëror: Pablo Neruda.
***
Krijimet e tij të para të periudhës djaloshare ishin disa frymëzime romantike prej bukurive të Atdheut të vetë, Kilit. U pa menjëherë magjia që e kishte mbrujtur si poet. Përshkrime fantastike, të përndezura, një botë metaforike e pa parë gjer atëherë në relievin gjithsesi të pasur të letërsisë latinoamerikane. Spikaste qysh në fillim si i përvetshëm. Përshkruan poetikisht shiun si “personalitet i veçantë i paharrueshëm”, kurse relievin e vendlindjes e përshkruan si “një zonjë që s’ka të dytë në përngjasim”.
Në fakt, qysh në fillim poezia e tij ishte një farë autobiografie. Shikojmë të rregjistruara tek ajo si në një kronikë gjithë shtegtimet që bëri, ndikimet letrare, prirjet e tij majtiste, gjithçka ka të bëjë me të. Po, po, e gjithë poezia e tij është një rrëfim për veten dhe për botën. E thamë, një farë autobiografie në vargje. Ky rrëfim i jashtëzakonshëm artistik dhe jetësor fillon me vitet e vegjëlisë dhe përfundon me vdekjen e tij, më 23 shtator 1973, zyrtarisht nga kanceri i prostatit. Vonë, shumë vonë u mësua se shkaku ishte tjetër: u helmua. Mbi Kilin kishte rënë gjatë ditëve të fundit të poetit hija e rëndë e fashizmit, kurse mbi vetë poetin ishte shtrirë dora vrasëse e CIA-s amerikane dhe e pinoçetistëve vendas. Ata e vranë, ngaqë i tmerroheshin poezisë së tij, këtij flamuri gjithmonë të shpalosur të lirisë.
Dha shpirt kur ishte 69 vjeç dhe varrimi i tij madhështor shënoi kundërshtimin e parë të madh popullor ndaj tragjedisë së Pinoçetit në Kili.
***
Poezia, pra, është “alfa” dhe “omega” e gjithë jetës së tij prej njeriu dhe poeti revolucionar. Kur nuk iu shmang dhe nuk nguroi të flasë me të dhe për të. Mbase është njëri nga poetët më të ligjërueshëm rreth muzës, që e frymëzoi dhe që e shoqëroi në jetë. Poezia ishte gjithmonë një shkak për të folur edhe për gjërat më të thjeshta, të përditshmet, të arkivuarat dhe ato që rridhnin. U shpreh se besonte që poeti duhet “të lajë dhe të pastrojë gjërat e zakonshme dhe të vishte me rrobat më të reja që i afron jeta…” Kështu do të ngjante më bashkëkohor, më i vlefshëm dhe më i bukur. E përcakton diku tjetër më saktë rolin e poetit: “Poeti i sotëm shoqëror vazhdon traditën e një meshtari të vjetër. Dikur kishte nënshkruar kontratë me errësirën, tani ftohet të shpjegojë dritën”.
Pikërisht për këtë qëllim, të derdhte dritë mbi Atdheun e tij dhe mbarë botën, Neruda shkroi mbi 30 libra. Renditet ndër poetët më prodhimtarë të Amerikës Latine.
Ndonëse poet i angazhuar politikisht, u përfshi shumë herët në Partinë Komuniste të Kilit dhe u zgjodhi shumë kohë senator i saj, duke përfaqësuar diplomatikisht edhe vendin e tij nëpër botë, është megjithatë edhe poet i madh erotik, këngëtar i pashoq i dashurisë, veçanërisht me përmbledhjen që mori famë botërore, “Njëqind sonete erotike”, vepër që i kushtohet dashurisë së tij të jetës, Matilde Urutia, me të cilën filloi të bashkëjetojë prej vitit 1955.
Çmimin Nobel për Letërsinë, falë famës që kishte fituar botërisht si poet, e mori më 1971, kur ishte ambasador në Francë. Vepra të tjera të mirënjohura të tij janë edhe: “Banesa e tretë”, “Kantoja Heneral” (në Greqi iu melodizua nga i famshmi Miki Teodorakis), “Libri i shkapërdredhur”, “Banesë tokësore” e plot të tjera.
***
Pablo Neruda ka folur vazhdimisht edhe për veten. Ka qejf të rrëfehet për vitet kur u bë poet, teksa ishte akoma një i ri provincial, por me një dëshirë të flaktë “të pushtonte botën”. Jo t’u ngjante turmave ogurzeze të kolonizatorëve, që historikisht kishin mbytur me gjak ëndrrën latinoamerikane të lirisë, por me poezinë e tij. Poezia është dritë, i vetmi ekspansion i bukur dhe i dobishëm në botë. Ndonëse i zhytur siç thotë “mes një vetmie të ndriçuar”, kishte shpresë dhe besim se duke shaluar këtë “pegas” fluturues – poezinë e tij, do të mundëte të shëtiste dikur dhe “të pushtonte” botën. Gjë që e bëri, padyshim.
Cilët ishin frymëzuesit e tij: padyshim, pishtarët majtistë latinoamerikanë dhe botërorë të lirisë, ashtu siç i shikonte ai, pavarësisht nëse disa prej tyre “i errësoi” historia në vazhdim e botës: Çe Guevara, Fidel Kastro, Majakovski, Pikaso, Lorkas, Josif Stalin dhe Salvadore Alende.
E veçanta është se gjithmonë ka qenë shumë i sinqertë në këtë bashkëbisedim me vetëveten dhe botën. Shkruan për Lorkën, njërin nga idolët e vetë: “Prirjet e tij seksuale, homofilofile, ishin të qarta, ndonëse unë i pashë shumë vonë. Por mund të ekzistojnë njerëz të tillë të lumtur dhe të mjeruar shpirtërisht, kështu që ajo që shikon tek ata të jetë më e bukur në dëshpërim. Federiko reflektonte lumturi dhe në kupën e tij të tejmbushur duhej të kishin zënë vend të gjitha dashuritë e tij të realizuara”. Vetëm një poet si Neruda, me një zemër që strehonte gjithë dashuritë e botës, mund ta ndjente dhe ta shprehte këtë.
Ekziston një kapitull në jetën e Nerudës që ndikoi shumë tek ai. Vizita në Bashkimin Sovjetik. Qe një ëndërr e kamotshme idealiste e poetit. Veçse, kur u realizua, përmbysi pikëpamje tek ai. Kishte fituar ndërkohë “Çmimin Stalin”. Si duhej të ndjehej ai vetë, revolucionari historik kilian, “miku nr. 1 Alendes”, siç e cilësonin? Jo dhe aq siç mund të pritet. Nisur nga rrëfimet e veta ekskluzive për këtë dilemë jetësore, mund të konkludojmë: ngatërrueshëm… Ngaqë, sado idealist, vetëm i verbër dhe naiv nuk mund të jetë një poet i përmasave të Nerudës.
Le t’i referohemi: “M’u akordua edhe mua “Çmimi Stalin, për Paqen dhe Miqësinë midis Popujve”. Më shumë gjasë ka ta meritoja, megjithatë vetëpyetem: me ç’mënyrë e njihte ky njeri i largët dhe jo kaq i afrueshëm ekzistencën time?!” Ironia dhe sarkazma këtu thyen brinjë, të vë në mendime. Dhe gjetkë: “Shumë kanë përftuar besimin se jam një “stalinist i vendosur”. Fashistët dhe kundërshtarët e mi më kanë stigmatizuar si “rrëfimtarin lirik të Stalinit”. Asgjë nga këto nuk më zemëron veçanërisht. Të gjitha përfundimet janë të mundshme, në një epokë diabolikisht të ngatërruar.” Nuk duhej t’i akordohej njëkohësisht edhe çmimi më i lartë i sinqeritetit?
***
Kur flet për Pablo Nerudën dhe hymnëzon jetën e tij prej poeti revolucionar, nuk mund të tejshkalosh “Nerudën e pasvdekjes”, zhurmën mediatike që është ngritur rreth tij, veçanërisht kohët e fundit. Nëse jetën dhe veprën i krijoi ai vetë dhe dokumentohen lehtazi, ajo çka orvatet të stiset rreth personalitetit të tij tashmë, zor se mund të kapërdihet lehtazi, aq më shumë të vërtetohet. Personalisht, jam i mendimit se orvatet dinakërisht t’i kryhet një vrasje e dytë, me helmim të përjetshëm të kësaj figure madhore, sa poetike aq dhe shoqërore. Djallëzorja është se këtë mundohen ta realizojnë qarqet e interesuara – dhe dihet cilat mund të jenë ato – nëpërmjet “enteve majtiste veprimtarësh” të të drejtave njerëzore (?!) Domethënë: të vësh Hamletin, të helmojë Hamletin!
Shkrimtari dhe veprimtari human kilian, Pablo Neruda, i cili ndihmoi në kohëra historike 2000 emigrantë politikë të shpëtonin nga Spanja e Frankos më 1939, duke u gjetur strehim politik në vende asnjanëse demokratike, ai që u arratis vetë nga Kili mes Andeve dimërore më 1949 për të shpëtuar nga e njëjta murtajë, tani – rruana zot! – akuzohet nga “shoqata feministe” për… “përdhunimin e një pastruese”, kur ishte konsull i Kilit në Sri Lanka. Shto këtu edhe arsenalin tjetër të akuzave kundër tij: braktisjen e të bijës që vuante nga hidrokefalia, sjelljen e ashpërr ndaj bashkëshortes etj, etj. Kush, ai, që me dashurinë dhe zemërbardhësinë që derdhi në vargjet e veta, mahniti dhe frymëzoi gjithë botën! E gjithë bota të ketë rënë jashtë me të?!
Por, meqë hijet janë nderur dhe po spekulohet gjithdarsoj me to tashmë, ç’ndodhi në rastin e parë, atë të “përdhunimit të pastrueses”? Thotë një kritik i madh botëror se poetët janë si fëmijët, “çdo të fshehtë ia rrëfejnë botës”, me çiltërsinë e tyre karakteristike. Ja si rrëfehet vetë Neruda për rastin në fjalë dhe rezultatet e nxjerra nga kjo dëshmi, gjithsesi janë tuajat: “Një mëngjes, shumë i vendosur për t’u sqaruar, e zura fort nga krahu dhe u gjendëm fytyrë me fytyrë. Nuk u gjend gjuhë të komunikonim. Më la – pa as më të voglën rezistencë dhe pa asnjë grimcë buzëqeshjeje në fytyrë – ta udhëheq dhe menjëherë, pa e kuptuar unë, u gjend lakuriq në krevatin tim. Sensualiteti brenda saj, hijet e saj të bëshme latine dhe dy kupat e mbushura të gjoksit e bënin të ngjante me skulpturat mijëravjeçare të Indisë Jugore. Bëhet fjalë për një takim të një mashkulli me një skulpturë. Qëndroi gjithë kohës me sytë e saj të hapura, pa asnjë shprehje. Shumë mirë bëri, duke më poshtëruar. Kjo gjë nuk u përsërit…”
***
Më 1953, gjatë vizitës në Bashkimin Sovjetik, në kohën kur Partia Komuniste në vendin e tij, rrjedhimisht edhe ai vetë ishin nxjerrë “jashtë ligjit”, Nerudës iu akordua në Moskë Çmimi letrar “Lenin”, i barazvlershëm me atë perëndimor të llojit, Çmimin “Nobel”, që jepte Akademia Mbretërore e Helsinkit.
Më 1971, mes kundërshtimesh sensacionale në Perëndim për këtë kandidaturë, më tepër nga përkatësia politike se sa nga vlera artistike e krijimtarisë, Neruda fitoi edhe Çmimin “Nobel”. Qofsha i gabuar, por nuk më vjen në mendje rast i dytë, kur një shkrimtar zhvlerëson me një triumf të tillë, ndasitë Lindje – Perëndim. Rast i shkëlqyer, ku Arti bashkon një botë të tërë.
————————–
(Istmo i Korinthit, mars 2024)