PARASHKRIMI I LETËRSISË

Një pjesë të letërsisë së realizmit socialist andej dhe këndej kufirit i ka humbur shpirti dhe ka mbetur vetëm si “dosje” letrare. Cili lexues sot i bie në fund romanit “Këneta” të Fatmir Gjatës, apo “Rrushi ka nisë me u pjekë” të Sinan Hasanit

Afrim DEMIRI

Parashkrimi i lëndëve juridike, për një arsye apo tjetër, vazhdimisht më ka ngjallë një ndjenjë pakënaqësie mos të them mosbesimi. E shtrirë deri te publiku i gjerë, kjo shmangie e dhënies së një verdikti një vepre të caktuar të kryer penale, e cila ka shkelur më shumë se një të drejtë, nëpërmjet një afati kohor, më ka ngjallur një tërmet moral duke mos pasur mundësi të krijoj një drejtpeshim në mes të asaj që është e drejtë juridike dhe asaj që është e drejtë morale! Kjo gjë më ka ndodhur jo njëherë gjatë punës si gazetar, kur edhe më është dashur ta mësoj fjalën p ar a sh k r i m.

Këto ditë kur kam nëpër duar një përmbledhje me tregime, që mëton t’i përfshijë brenda kopertinave 40 tregime të krijuara përgjatë një periudhe prej para lufte e deri më tash, po më ngjallen pothuaj të njëjtat ndjenja sikur kur isha gazetar për lëndët juridike, sikur tash që jam autor, krijues i këtyre tregimeve. Madje për herë të parë po më imponohet sintagama parashkrimi i letërsisë, si homologe me sintagmën parashkrimi i lëndës juridike. Ku qëndron ajo ngjashmëri që po më dërgon në të njëjtën spirale enigmatike?!

Po ia filloj nga xixat e para të dyshimit për mundësinë e parashkrimit të letërsisë. Siç e dimë, një pjesë e letërsisë sonë, për brezin tonë që jetuam pothuaj gjysmën e jetës nën socializëm kurrë nuk na erdhi e plotë as si letërsi e pastër, as mësim mbi të as kritikë për të. Me një fjalë, ishim të privuar nga qasje për të, si psh., vepra e plotë e Fishtës, e Koliqit apo shumë studime shkencore të françeskanëve etj. Në kohën kur ato erdhën në mesin tonë, mbase asnjëherë nuk arrita në mënyrë shkollore, zbërthyese analizuese t’i shijoj në palcë dhe t’i përvetësoj, sikur bie fjala autorët që sado pak i kishim punuar në mënyrë më sistematike në sistemin tonë shkollor, disa prej të cilëve i kisha mësuar edhe përmendësh, si p.sh. Frashërin, Nolin, Migjenin etj. Ku qëndron këtu problemi, ku mbështillet paqartësia apo ku shkëputet komunikimi në mes veprës dhe lexuesit? Mbase një pjesë e përgjegjës qëndron tek njësia e kohës, e moshës, tek aftësia e përvetësimit e cila si duket e ka moshën e vet. Mos ishte parashkruar aftësia ime reflektuese?! Psh. pse tregimet e Koliqit nuk i përvetësova kurrë si skicat e Migjenit? Kjo më ka çuar deri te konstatimet se nuk jemi të vetëdijshëm çfarë prerje kulturore ka shkaktuar censura dhe ndalimi i kësaj pjese të letërsisë.

Kjo gjë na përballë me shumë pyetje, në rend të parë me vazhdimësinë kulturore e cila fatkeqësisht tek ne nuk ka ndodhë që nga  krijuesit filo-biblik e deri vonë në mes të raporteve të letërsisë që krijohej në Shqipërinë administrative si dhe në Kosovën e okupuar. Shkëputjet kanë sjellë shkëputje!Andaj, a parashkruhet një tekst letrar apo me kohë shndërrohet në dokument kohe. Psh.,me çfarë qasje të lexohet sot Bogdani, Fishta e Koliqi, a është duke e kultivuar lexuesin shkolla e jonë për vlerat tona klasike! Apo aq më paradoksale tingëllon një pjesë e letërsisë së realizmit socialist andej dhe këndej kufirit, të cilësi ka humbur shpirti dhe ka mbetur vetëm si “dosje” letrare. Cili lexues sot i bie në fund romanit “Këneta” të Gjatës, apo “Rrushi ka nisë me u pjekë”, të Sinanit.

Sikurse te parashkrimi juridik, edhe te një parashkrim i mundshëm letrar koha dhe rrethanat kohore po janë ato, që po e mbizotërojnë një gjykim të tillë. Parashkrimi i letërsisë sikur po e shndërron atë në një lëndë vetëm për kritikët, studiuesit e letërsisë kurse lexuesin po e dëbon nga kënaqësia artistike apo shpesh nga mos mundësia e shijimit të vlerave të njëmendta letrare. Pothuaj njëlloj si tek parashkrimi juridik i cili e privon realizimin e një të drejte vetëm pse ika ikur koha e saj e paracaktuar nga disa rregulla në fuqi.

Dikush mundtë thotë a vlen kjo gjë edhe për letërsinë e huaj?! Të përpiqem të jem i sinqertë dhe në fillim të mendoj sa e sa autorë të shkëlqyeshëm as që i njoh unë e  as që janë të njohur ne letrat tona. Sqarimi më sfidues po është Çmimi Nobël, cili po na befason me emra të panjohur për realitetin tone letrar. Ku është letërsia e tyre në raport me lexuesin tonë? Mos është e parashkruar?! Veprën “Plaku e deti” të Heminguejit e kam lexuar kaherë, madje e kam përjetuar si libër himn, mirëpo “Lamtumirë armë” e kam lexuar gjatë pandemisë dhe disi mezi i rashë në fund dhe nuk e gjeta dot Heminguejin tim. Pata bindjen se ai libër ishte parashkruar për mua, nuk ishte ajo që e prisja. Dikush nga miqtë më pat thënë, ndoshta ke hasur një përkthim jo të mirë. Ta marrim një rast tjetër, më ranë në dorë tregimet e De Mopasanit, thash do t’i lexoj me një frymë, por mezi që u rashë tejpërtej!

Shembuj të tillë mund të kemi të gjithë ne që si lexues pasionant notojmë në detin e letërsisë, ndoshta deti është i njëjtë po ka ndërruar sasia e kripës në të. A duhet të jetë letërsia në marrëdhënie me kohën si një vazo që nuk është shitur gjatë në dyqan, por me heqjen e pluhurit ajo sërish shkëlqen, apo letërsisë i ikën koha e vet, parashkruhet, nuk ka ku ish t’ia hjekë pluhurin!

Këto dilema më vritnin derisa i shtrija tregimet nëpër kapitujt e librit, derisa doja që ta ruaja porosinë e tyre nga koha kur i kam shkruar, kur kërkoja një vazhdimësi kohore,por kisha frikën se po i botoja me vonesë, kisha frikën mos janë parashkruar! Kritikët shpesh kanë pasur dëshirë të japin vlerësimet se kjo apo ajo vepër i qëndron kohërave, nuk dyshoj në shumë prej tyre që përbëjnë thesarin tonë letrar apo edhe atë botëror, por problem është tek ndryshimi dinamik i lexuesit, i cili ose po zhbëhet ose po shndërrohet në një  marrës të informatës së koduar. Kodet letrare dita ditës po ngjallin neveri që të zbërthehen.

Pa dashur që parashkrimin e letërsisë ta shoh si fundin e saj edhe një segment tjetër i shfaqur në atë  të quajtur “vërshimë letrare” më detyron të jem skeptik për fatin  e letërsisë, së paku në hapësirën tonë letrare. Ka shumë informacione për shkrime të librave me porosi, sikur ajo shpallja  e marketingut“ shkruajmë diploma, disertacione”, “lexojeni shkruajmë libra me poezi, tregime apo romane”. Kjo është formë më e vrazhdë e parashkrimit sepse kjo prodhon para-autorin.

Edhe në botë po hasën shumë libra në të cilat sqarohet se në këtë apo në atë libër kanë punuar shkrimtarë apo studiues të ndryshëm. Atëherë shtrohet edhe një pyetje më fundementale, apo krijohet libri integrues, i përbashkët me shumë autorë dhe lexuesi nuk ka nevojë të krijon mitin e autorit ai në të vërtetë duhet ta lexoj vetëm librin. Të shprehem kushtimisht vdekja e autorit sikur e merr me vete autenticitetin e librit posaçërisht kur është fjala për librin letrar, ndoshta ndryshe është tek librat shkencorë, teknik apo enciklopedik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.