PELEGRINAZHI

Libri “Santiago de Compostela” me autor shkrimtarin Dashnor Kokonozi është një kënaqësi e vërtetë estetike nga faqja e parë tek ajo e fundit. Ai ia del mbanë plotësisht të të mbajë kureshtjen zgjuar, pavarësisht se ngjarjet përsëriten dhe kthehen në rutinë

Lindita KOMANI

Kjo është ajo kohë e vitit, kur pelegrinë nga mbarë bota ose e kanë nisur udhëtimin ose janë duke planifikuar udhëtimin për në Santiago de Compostela. Një shkëmbim i shkurtër me shkrimtarin Dashnor Kokonozi, autor i librit “Santiago de Compostela” m’i solli ndërmend shënimet e mëposhtme që kisha mbajtur për vete pas leximit të tij në korrik 2021. Një vit më vonë edhe unë u gjenda në rrugëtim për në Santiago, jo nga e njëjta trajektore si ajo e autorit Kokonozi dhe jo duke kaluar nëpër të njëjtin mundim kohor sikurse ai, por aq sa për t’u frymëzuar e për të dashur që në një të ardhme ta mendoj të ndërmarr përsëri një shtegtim frymëzues sikurse ai.

U bënë vite që në listën e dëshirave kam përfshirë rrugëtimin për në Santiago de Compostela, ndaj kur në librari e pashë të ekspozuar tek librat e rekomanduar e mora menjëherë nga rafti, e bleva dhe nisa ta lexoj që pa mbërritur në shtëpi.

Libri “Santiago de Compostela” me autor shkrimtarin Dashnor Kokonozi është një kënaqësi e vërtetë estetike nga faqja e parë tek ajo e fundit. Ai ia del mbanë plotësisht të të mbajë kureshtjen zgjuar, pavarësisht se ngjarjet përsëriten dhe kthehen në rutinë. Edhe personazhet vetë, të cilët e nisin jetën e tyre me këtë libër si episodikë e rastësorë në rrugëtimin e pelegrinit autor, rishfaqen kohë pas kohe, aq sa të përjetosh edhe një lloj zhvillimi për një pjesë të mirë të tyre. Takon aq shumë tipa të ndryshëm dhe kombësi saqë lumturohesh që bota është kaq e larmishme dhe që autori ka qenë i aftë të sjellë shumë prej saj në një libër të vetëm.

Rrugëtimi nis lart në Francë dhe përfundon larg në Santiago de Compostela. Qindra kilometra janë një hapësirë e mjaftueshme për të ndeshur në shumë histori dhe për të përjetuar edhe hapësirën gjeografike nëpër të cilën kalon ky rrugëtim, dallimin në mikpritje, prirjen me komerciale të bujtësve francezë dhe natyrën më të ngrohtë dhe të përshpirtshme të atyre spanjollë e baskë.

Kureshtja e autorit, e plotësuar me erudicionin dhe hulumtimet e tij, vëzhgimi me pozitivitet dhe përshkrimi i detajuar e me nota të këndshme humori, të bëjnë të ndihesh sikur po ecën përkrah tij. Ndonjëherë doja t’i flisja që ta lëshonte përdhe çantën e shpinës ose t’ia zbrazja një pjesë të barrës që që të mos vuante aq shumë sa përftohej në lexim.

Humanizmi, adhurimi për të bukurën dhe historinë, sensi i aventurës dhe dëshira e vullneti për t’u bërë pelegrin ishin ato që duket se e shtynë të ndërmerrte këtë rrugëtim prej 1800 km. Autori personazh gjen mundësinë të shkëputet nga puna dhe niset pa bujë, në një përpjekje trupore, shpirtërore dhe mendore, larg familjes, duke u mbyllur në heshtjen e tij që thyhet nga biseda të kohëpaskohshme me pelegrinë të tjerë.

Me interes është filli lidhës që autori krijon duke dashur të pasqyrojë apo më mirë të kuptojë vetë dhe më pas të pasqyrojë historinë shqiptare të pelegrinazhit për në Santiago. Që në krye, aty ku ai e nis rrugëtimin, në Vézelay, ai mëson që është shqiptari i parë në atë regjistër. Por kjo nuk e pengon pelegrinin autor që të vendosë si referencë Pjetër Budin, i cili e ka bërë këtë udhëtim disa shekuj më parë. Sipas autorit, emri Shijak qe e mban një qytezë shqiptare, vjen pikërisht nga Shën Jaku, një dëshmi që kulti i Shën Jakut do të ketë qenë mjaft i njohur edhe në trojet e shqiptarëve. Ishte pikërisht Shën Jaku i cili duhet se ishte “ndërmjetësi” në atë udhëtim. Zbulimi i fakteve rreth Shën Jakut duket po ashtu se është një qëllim i pashprehur si i rrugëtimit ashtu edhe i vetë librit. Shën Jaku e pret edhe në finish, në katedralen që mban emrin e tij. Në mbërritje, ai me të drejtë përjeton plotësimin e një misioni. Për katedralen autori shkruan:

“… u shpalos përpara meje me bukurinë e një filigrani të praruar që më të detyroi të mbaj frymën. Asnjë përfytyrim qe kisha pasur për të nuk i afrohej. Është madhështore si jeta. Para saj ndjeva se nuk ka ëndërr të tepruar.”

Leximi i librit u shtri në më shumë ditë nga sa e kisha parashikuar fillimisht, por ndoshta jo rastësisht faqet e fundit të tij i lexova në datën 25 korrik që me këtë rast mësova që ishte dita në të cilën festohet festa e Shën Jakut. Këto faqe dhe mësimi i këtij fakti me rastin e mbylljes së leximit më kulmuan përjetimin me një përlotje të vërtetë si ato që ndodhin në çaste të rëndësishme të jetës. Për mua ishte një thirrje që ta ndërmarr edhe vetë këtë rrugëtim. Ai të mos mbetet vetëm një dëshirë, por të kthehet në një qëllim konkret. Për disiplinën në udhëtim lexova e mësova në të. Kam shumë punë përgatitore përpara, por kam njëkohësisht bindjen dhe gëzimin që po i përgjigjem thirrjes.

Dashur-padashur, rrugëtimi im për në Santiago de Compostela nisi më 25 korrik 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published.