PËR HEMINGWAYN

Si shumë artistë të mëdhenj që mblidheshin në Parisin e ëndrrave… edhe Hemingway zbarkoi në atë qytet që ishte “festë e pambarimtë”, siç e quante

Bujar MEHOLLI

Një djalosh karizmatik. Me një humor që e veçon, i hajthëm dhe tërheqës. Inteligjent. Ernest Hemingway. Ky ishte portreti i nobelistit të ardhshëm në letërsi, njeriut që hodhi në letër kongolomeratin e eksperiencave të shumta – luftëtar i paepur për liri, sy patrembur, artist i vërtetë që nuk bëhet servil dhe s’para pëlqen lajlelulet e përshkrimet e dobëta, sipërfaqësore, shkruan si mendon, ashtu siç dhe jeton. Njashtu është dhe stili i tij i shkrimit, prozator mjaft konciz, i saktë, i përqendruar, mjeshtër i dialogut; Hemingway është shkrimtari më i veçantë amerikan i shek. XX. Humanist, vizionar, realist, aspak utopist, aspak i dehur nga ëndrra amerikane. Një stilist i përkryer; intelektual i angazhuar deri edhe me armë në krahë…

Të shkruash për jetën dhe krijimtarinë e një njeriu si Hemingway është gjë e vështirë. Për jetën e tij libertine, mbushur me lloj-lloj lidhjesh erotike, bar-restorante, pije, bredhje, gra & letërsi – ka çfarë të shkruhet. Jeta e Hemingwayt qe tipike boheme dhe Parisi me magjinë e tij ishte vendi ku shkrimtari i ri amerikan do të zbarkonte për të jetuar e për të zhvilluar karrierën.

Ernest Hemingwayu lind më 21 korrik të vitit 1899 në Oak Park, Ilionis. Babai i tij ishte mjek, nëna muzikante; fëmijëria e Ernestit kaloi mes shumë aventurave, ishte i dhënë pas peshkimit dhe gjuetisë – pasione të cilat do t’i përjetësonte më vonë edhe në shkrime. E gjithë jeta e tij qe një aventurë në të vërtetë: përpjekjet e para për gazetari i bëri pranë gazetës “Kansas City Star”. Si 18-vjeçar, plagoset në frontin e luftës në Itali ku qe bashkuar me Kryqin e Kuq. Aty dashurohet në një infermiere të bukur e cila qe muza e romanit të famshëm “Lamtumirë armë”, 1929. Aventurat e tërhiqnin gjithmonë dhe ai rendte pas tyre me energji të jashtëzakonshme. “Plaku dhe deti” padyshim është ndër veprat e tij më të njohura. Një histori/tregim që vë në pah forcën dhe dinjitetin e brendshëm të njeriut. E përkthyer në të gjitha gjuhët. Fiton çmimin “Pulitzer” dhe bind Akademinë Suedeze t’ia ndajë çmimin “Nobel” autorit të saj në vitin 1954.

Si shumë artistë të mëdhenj që mblidheshin në Parisin e ëndrrave… edhe Hemingwayzbarkoi në atë qytet që ishte “festë e pambarimtë”, siç e quante. Hemi kishte intervistuar kryeministrin francez të asaj kohe, pastaj fashistin italian Mussolinin, gjithashtu kishte shkruar artikuj për Konferencën e Paqes. Në vitin 1930 shkoi në Spanjë për t’u rreshtuar kundër Frankos. Atje do të frymëzohet për romanin e famshëm “Për kë bie kambana?”, – historia e Robertit, amerikanit trim që bie në sevda me Marian, fshataren guerile. Shkrimtari shqiptar Petro Marko, (po ashtu pjesëmarrës në luftën e Spanjës) do ta takojë Hemin. “U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror. Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalët e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:

– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!

– Më shumë m’i rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Hemingway.” 

Petro Marko i dërgon romanin “Hasta la vista” për të cilin merr letër nga Hemingway. “Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të emingway-it, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falënderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”.

Parisi u bë për të (sikur për çdo artist) aq i dashur! Itinerari i shkrimtarit amerikan në Paris përfshin shumë hotele, apartamente, restorante e kafene ku rrinte tërë ditën, pinte, shkruante e bridhte pas grave. Në Paris jetohej më lirë, artistët kishin liri për t’u dhënë pas aventurave, klubeve e bordellove të shumta rrugëve; kjo jetë e pasur artistike i tërhiqte ata nga e gjithë bota drejt “atdheut” të tyre. Hemi, veç tjerash, u takua me një grua interesante, GertrudeS tein, nga e cila mësoi shumë edhe në stilin e të shkruarit. Ajo ishte amerikane, koleksionuese e veprave artistike dhe mike e mirë e shumë artistëve. Edhe Hemingwayn ajo do ta këshillonte rreth shkrimit dhe çlirimit nga ngarkesa e fjalive të panevojshme. Në kryeqytetin francez Hemi fillimisht çonte jetë të vështirë. Janë të njohura shkrimet për urinë në kujtimet e tij; atij shpesh i duhej të bariste andej-këndej me stomakun bosh duke kërkuar një vend të ngrohtë ku të ulej, të pinte (ishte dashamirës i madh i pijes) dhe të shkruante. U njoh me shumë artistë tjerë, piktorë e shkrimtarë, ndër ta me Picasson, Joycen, Fitzgeraldin, etj.

Aventurat e tij me gratë janë të shumta. Galeria e grave në jetën e Hemit është e pasur. Është e njohur aventura me aktoren Marlene Dietrich së cilës në një letër, ndër të tjera, do t’i shkruante: “E dashur Marlene, të kam dashur dhe admiruar gjithmonë. Dua ta dish që të harroj ndonjëherë… ashtu siç harroj të rrahurat e zemrës sime; ajo megjithatë rrahë, gjithmonë. Nuk arrij të përshkruaj sesi sa herë që të përqafoj, ndjehem në shtëpi”. Hadley Richardson ishte bashkëshortja e parë e tij, e cila u pasua nga tri të tjera. Pauline Pfeiffer ishte gruaja tjetër me të cilën Hemi u martua, por ajo e lodhur nga sjelljet e tij u detyra të divorcohet. Martha Gellhorn, elegante, e bukur, pati dy fëmijë me Hemin; ata ishin të lumtur derisa ai u njoh me gazetaren Mary Welsh. Një bionde e bukur që s’do t’i ndahet gjer në çastin final të jetës. Martohen, shijojnë muzikën e Chopinit, shëtisin. Këto janë vitet më të rënda për shkrimtarin e zhytur thellë në depresion. Është 2 korriku i vitit ’61. Ai zgjohet, merr armën e gjahut, kyç derën dhe ia hedh vetes trutë në erë. (Të paktën ky është versioni zyrtar!) Ky është një ndër përfundimet më të dhimbshme të njerëzve të mëdhenj. Edhe Hemingway vetëvritet sikur i ati kohë më parë.

Kështu shuhet një njeri i madh, pasionant, punëtor, i cili skaliti emrin në panteonin e letërsisë së përbotshme. Hemingway, si Dreiser, Fitzgerald, London, bënë pjesë te emrat më të mëdhenj të letërsisë amerikane; njeriu që me guxim të pashoq u bëri ballë tallazeve të jetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.