PËR KË SHKRUAJMË!

Koha ka treguar se letërsia si art nuk bëhet për gjithë masat. Të shkruash, do të thotë të njohësh më mirë vetveten, të komunikosh, të reflektosh apo pozicionohesh, të lidhesh me njerëzit e mbi të gjitha të shërosh shpirtin tënd…

Irena Kuka DRAGOTI

Për kë shkruajmë? Një pyetje e vjetër sa vet bota. Ndoshta këtë retorikë e patën dhe ata që gdhendën ideogramat e para në muret e shpellave mijëra vite më parë apo nga sumerët e lashtë që kishin letërsinë e tyre, prej të cilëve ka mbërritur si tekst i plotë deri në ditët tona “Epi i Gilgameshit”.

Për kë shkruajmë? Kjo retorikë na ndjek dhe sot në botën digjitale. Shkruajmë për të shkuar brenda vetes apo për të shkuar te lexuesi? Për kë shkruajmë,kur paragjykojmë e fajësojmë lexuesin si një masë që nuk kupton. Vallë, a duhet të na kuptojnë njëjtë të gjithë? Faustin nuk e kuptoi,e pranoi kush në kohën e vet, por as në 100 vitet më pas nuk arritën ta zbërthejnë dhe kjo nuk e zhbëri Atë. Pse pretendojmë të lexohemi, kur nuk lexojmë të tjerë, nga mungesa e modestisë a lideri i madhështisë. Pse imponojmë krijimet tonaderi në narcizëm si fitimtarë të një beteje… Nëse shkruajmë për të shëruar shpirtin,pse duhet të shqetësohemi për vlerësimin jashtë tij.. Për kë shkruajmë,kur më shumë kujdesemi për lavdinë sesa për përmbajtjen e asaj që shkruajmë,kur më shumë kujdesemi për publicitetin sesa për shpirtin tonë. Për kë shkruajmë, kur prej narcizmi nuk e njohim fjalën reflektim. Këto retorika i kemi në nënvetëdijen tonë krijuese të papërgjigje për sa kohë sundon anarkia në sjelljet e veprimet tona, e cila ecën njëjtë me egoizmin tonë. Në çastin që shkruajmë,asgjë nuk është më jona.Ajo është pronë e të gjithëve,po aq sa e askujt e që të jemi koherentë,kjo është një nga dëshirat tona të brendshme,komunikimi me lexuesin, por pa pretenduar gjithë-pranimin. Ankohemi për lexuesin,dmth masën që nuk na vlerëson krijimtarinë,po aq sa ankohemi për moskuptimin e artit tonë nga ai. Këtu biem në kontradiktë me veten,sepse nuk kemi një sitë përzgjedhëse lexuesi në rrjete sociale prej dëshirës për vëmendje po aq sa shpërdorojmë letërsinë, duke e kthyer në mision borxh-shlyerje pa u nisur nga vlerat e saj reale. Në këtë rrumpallë krijuese ku gjithkush e quan veten më të lavdishëm se tjetri, mungon vëmendja nga njohësi i vërtetë i letërsisë që ndoshta e ka kohën më të vlerë për të krijuar se për të lexuar, po aq sa nga i thjeshti që nuk ka pasionin, mundësinë apo njohuri për letërsinë të lexojë si duam. Por, etja për lavdi na shtyn të gjejmë rrugët për t’i ç’bërë këto.E ato mund të jenë me çfarëdolloj kostoje… Harrojmë se lavdia vjen në çastin që i kthehemi vetes, duke iu përgjigjur dhe retorikave tona. A jemi realist në çdo vlerësim që ne i japim autorëve të ndryshëm vetëm se prej tij kemi marrë të njëjtën gjë, por vepra e tij realisht nuk vlen. A do dilnim ne mbi paragjykimet, kritikat, vlerësimet,mbi egon? A do ta sugjeronim një shkrimtar tjetër mes miqsh për nga vlera pa pritur shpërblim prej tij? Apo duhet pritur sa të vdes shkrimtari e ti japim respektin e duhur,kjo sepse pas vdekjes nuk i ndjejmë konkurrent e rrezik për lavdinë personale. Bëjmë mijëra përpjekje,mbështetur nga media apo inteligjenca artificiale,për publicitet te masa e lexuesve, por vlerësimin e duam nga elita e letërsisë. A do të mjaftonte për egon tonë që arti ynë të pëlqehej nga masa pa kurrfarë ndasie intelektuale? A do mjaftonte për egon tonë që arti ynë të kanalizohej veç te letërsi-njohësit? Shumë prej autorëve shkruajnë për të shkuar brenda vetes.Disa shqyejnë dyert e revistave veç për t’u përmendur,jo për t’u lexuar nga kush. Pse në shek 21 letërsinë ua imponojmë lexuesve? Migjeni e të tjerë para tij e pas tij krijuan e u përcollën si vlerë në një kohë kur ende nuk ekzistonte digjitalizimi. Lasgushi jetoi jashtë egos për të bërë emër, e sot krenohemi me të. A e kemi menduar ndonjëherë se pas vdekjes nuk do të kemi në dorë kontrollin mbi lexuesit e pikërisht atëherë do kuptojmë sa vlerë ka ajo që kemi shkruar apo sa vlerë kemi ne? Çdo lexues kur lexon një vepër,më shumë se vepra,lexon vetveten.Një vepër letrare është një lloj mjeti optik që i ofrohet lexuesit, duke i lejuar të shohë atë që pa librin nuk do ta shihte kurrë -thotë Marcel Proust. Jorrallëherë ka aq shume poetë,tregimtarë e romancierë poshtë nivelit të lexuesit më të thjeshtë që ai vet paragjykon. Letërsia mbetet një prej garancive më të mira për progres të shoqërisë së sotme teknologjike:-thotë Mario Vargas Llosa.

Letërsia është si dashuria, justifikon zgjedhjet e gabuara.Pra, nëse të lexon lexuesi i gabuar apo një lexues lexon veprën e gabuar, nuk është fundi i botës,është veç një rrugë drejt së vërtetës. Shumë prej nesh nguten te lavdia e vazhdueshme të trembur nga harresa,emri i pompuar artificialisht e disa i mundon inferioriteti. Shumë prej nesh shkruajnë se e dashurojnë të shkruarën pa mbajtur me tjegulla të nxehta askënd.Nuk zgjohen në mëngjes për t’i bërë “qokat“gazetave,revistave,botuesve të mëdhenj,kritikëve,shkrimtarëve e filozofëve, duke harruar pse shkruajnë. Në sjelljet e shumë autorëve shpesh shoh të ndodhë një eklips i tmerrshëm nga të bërit art për të dhënë veten,në të bërit art për të krijuar një vete iluzioniste. Shpesh, shumë autorë nuk ngopen me aq sa kanë marrë mbrapsht nga letërsia e tyre e po aq mendojnë se letërsia e lexuesi janë pafundësisht në borxh me ta. Mos vallë shkruhet për t’u shpërblyer? Po sikur të shkruajmë për vetë poezinë,romanin tregimin,novelën?! Po sikur të shkruajmë pa paramenduar për lavdinë a vdekjen? Ajo që vërej dhe e quaj pozitive vitet e fundit në letërsinë shqipe, është që shumë prej autorëve nuk shkruajnë për shpërblim monetar, duke ditur sesa pak lexohet dhe sesa të fryra e pa kontroll janë botimet në Shqipëri.Kjo ka sjellë një lloj vetëdije që letërsia nuk sjell para.Atëherë mbeten dy opsione pse shkruajmë: -shkruhet për te vetja,për letërsinë -shkruhet për lavdi,për ego Lavdia? “Është përshëndetja e një mase njerëzish që ju s’i njihni” – ka thënë Skrjabin.

Lavdia te shumë prej nesh nga një pasojëështë kthyer në një qëllim, e shpesh si një shkallë hierarkie. Te shkrimtari duhet pranuar lavdia deri diku si formë publiciteti, duhen duartrokitur përmasat, por jo kur pas saj synohet qëllimi i përfitimit.Çdo poet duhet të jetë si një oqean i paqtë që nuk duhet të lejojë (lavdinë )si grëmi t’i marrë frymën hardhisë. Dy shembuj dashurie të lavdisë: Neroni dhe Erostrati nuk e lanë anonim eposin e lavdisë. Erostrati për të glorifikuar emrin e vet, dogji një tempull. Neroni, për të glorifikuar tempullin, dogji vetveten. Një maksimë e Gëtes thotë: ”Nuk duhet shkruar asnjë rresht pa pasur parasysh një milion lexues”, por nuk duhen ngutur këta miliona njerëz të na pëlqejnë… Në përditshmërinë krijuese, shpesh e kapim veten duke u grindur me egon, me kolegë,me median ose duke fajësuar digjitalizimin për të shkruarën dhe ankthet e letërsisë. Koha ka treguar se letërsia si art nuk bëhet për gjithë masat. Të shkruash, do të thotë të njohësh më mirë vetveten, të komunikosh, të reflektosh apo pozicionohesh ,të lidhesh me njerëzit e mbi të gjitha të shërosh shpirtin tënd…

Leave a Reply

Your email address will not be published.