PËR KOÇO KOSTËN DHE TË TJERË…

Dukej se regjimi kishte vendosur të merrej seriozisht me të. Pak kohë më pas, për shkak të veprës së tij “Ata të dy dhe të tjerë”, në mos gaboj, Koços i hiqet e drejta e botimit

Dashnor KOKONOZI

Dëgjoj të flitet pak për shkrimtarin Koço Kosta. Kujtoj shpesh se botimet e tij dikur krijonin atë që sot quhet “buzz “, një diskutim që shkonte gojë më gojë e vesh më vesh dhe që atëherë nuk është se i pëlqente shumë regjimit.

Mbase kishte edhe plane për ta dërguar në kasaphanë.

Se më kujtohet, që pasi folëm gjatë nën zë e shpesh duke qeshur për një vepër të tijën, që përshkruante furnizimin me speca dhe erën e tyre që shpërndahej nëpër qytet, në Radio erdhi një ish redaktor i Radios që tashmë punonte në Komitetin Qendror a në një Institut marksizmi.

Shkruante edhe vetë libra, por kujdesej të sillte hera herës “lajme” nga lart. Atë ditë, pa e pyetur kush, nisi të tregojë se shoqja Nexhmije ka folur disa herë për letërsinë pa cilësi të Koço Kostës. Për ata lart Koço qe dikush që shkruante për gjëra që nuk kishin vend në letërsinë e vërtetë. Në fund na u “lut” qe kjo të mbetej midis nesh.

Po atë ditë, nja dy orë më pas, kolegu e shefi i Redaksisë së Kulturës, Alfred Kanini, disi i turbulluar më thirri për një kafe dhe më tha se kishte përshtypjen se Koçon e prisnin ditë të këqija.

Pyetjes sime përse mendonte ashtu, iu përgjigj duke më treguar se pak më parë, kur po bisedonte me nja dy kolegë te Klubi i Lidhjes, mes tyre qe afruar po i njëjti person që paradite kishte qenë në Radio dhe u kishte folur për përshtypjet jo të mira që që kishin “atje lart” për Koço Kostën. Në fund edhe atyre u qe “lutur” që ajo çka u tha të mbetej aty midis tyre.

Dukej se regjimi kishte vendosur të merrej seriozisht me të. Pak kohë më pas, për shkak të veprës së tij “Ata të dy dhe të tjerë”, në mos gaboj, Koços i hiqet e drejta e botimit.

Ne që ishim në dijeni të fjalëve që ishin përhapur për të (që sot e shoh si shenjë të qartë se kishte një organizim perfekt përgatitjeje opinioni për ata që do ta pësonin), prisnim akoma më keq.

Dukej se çatallët prej gize të diktaturës ishin hapur mirë për Koço Kostën, por nëse u mjaftuan vetëm me sikterisjen e tij në një fshat të Mallakastrës (gjë që sipas skemës ishte faza e parë e zbritjes në Ferr) kjo ndodhi sepse ngjarjet po përshpejtoheshin në drejtime krejt të tjera dhe regjimit po i ndiheshin krisjet dhe grahmat e fundit.

Ai ”buzz” i librit të tij mua më ka mbetur në mendje si një nga të paktat shenja jete e realizmi të letërsisë së asaj kohe.

Kishte tëtjerë qe e kishin frazën më të stërholluar e limuar se K. Kosta, por sot unë pyes veten: për cilën Shqipëri shkruanin ata, se atë që del në faqet e librave të tyre kam përshtypjen se nuk e kam parë gjëkundi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.