Më 1919 Milena krejt rastësisht kishte lexuar librat e Franc Kafkës dhe do t’i shkruajë atij për t’i kërkuar autorizimin që t’i përkthejë në çekisht
Dashnor KOKONOZI
Të gjithë kemi dëgjuar për letrat dërguar Milenës, por për vetë Milenën dimë pak. Ky libër flet për jetën e pa zakonshme të asaj që u bë objekt adhurimi i Franc Kafkës.
Në të vërtetë është fjala për një ribotim të pasuruar ndjeshëm të librit “Milena” që mban emrin e Margaret Buber-Neumann.
Më 1937, duke qenë e ekspozuar si militante e Partisë Komuniste gjermane, autorja e librit, Margaret Buber-Neumann rrezikonte të përfundonte në ndonjë kamp përqendrimi. Kjo e detyroi të gjente strehim në Moskë. Shtoj këtu kalimthi se më 1932 ajo dhe i shoqi, Heinz Neumann, drejtues i lartë i Partisë Komuniste gjermane, kishin qenë të ftuar personal të Stalinit në Moskë.
Kohët kanë ndryshuar. Ajo këtë herë akuzohet për “deviacionizëm” nga Moska. Pas dy vjetësh internimi në Siberi, NKDV-ja (Gestapoja sovjetike) më 1940 nuk ngurroi t’ia dorëzojë atë Gestapos gjermane.
Pas formaliteteve të rastit, ajo do të mbyllet në kampin e Ravensbrück-ut, ku gjendet edhe Milena Jesenská-n, pinjolle e një familje aristokrate sllovake, gazetare e famshme, intelektuale, përkthyese e njohur nga çekishtja dhe grua mjaft aktive e militante komuniste.
Më 1919 Milena krejt rastësisht kishte lexuar librat e Franc Kafkës dhe do t’i shkruajë atij për t’i kërkuar autorizimin që t’i përkthejë në çekisht.
Qe fillimi i një korrespondence pasionante që ka shënjuar historinë e letrave botërore.
Margaret Buber-Neumann tek dëgjon rrëfimin e jetës së Milenës sikur ndjen në të një eko të jetës së saj. Milena veç njohjes së shkurtër me Franc Kafkën, ka pasur lidhje me shkrimtarin hebre Ernst Polak dhe më tej me arkitektin Jaromir Krejcar, por mbi të gjitha ajo do të shfaqet si një militante e zhgënjyer komuniste…
Të gjitha këto Margaret Buber-Neumann do t’i sjellë me besnikëri në librin e saj. Ishte ajo që i qëndroi te shtrati i agonisë Milenës, e cila do të vdesë më 1944.
– Ti do të tregosh cila isha? – i thotë ajo, – Dua që për mua të kesh butësinë e një gjykatësi.
Margaret Buber-Neumann do të vdesë mjaft më vonë, më 1989, jo pa nxjerrë një version përfundimtar të këtij libri i cili nga specialistët është parë qoftë si biografi, por edhe si autobiografi e vetë autores. Është edhe dëshmi e jashtëzakonshme e dashurisë së një gruaje për një grua tjetër.
Personalisht, nuk mendoj se dashuria e F. Kafkës për Milenën ka pasur ndonjë flakërim hyjnor (Ata u takuan vetëm dy herë, katër ditë në Vjenë dhe një ditë në Gmund).
Më fort besoj se shkrimtari gjenial ka pasur nevojë për një objekt adhurimi, ndaj të cilit do të shprehë aq shumë ide.
Lidhja e tyre përfundoi sepse me gjithë këmbënguljen e Kafkës, Milena nuk pranoi të ndahet nga i shoqi. Duket se edhe asaj i erdhi ca për së mbari, sepse e mundonin shumë ankthet e rënda të Franc Kafkës.