Standardet kombëtare për zhvillim kulturor duhet të jenë të përbashkëta, pavarësisht ku jetojnë e ku frymojë shqiptarët! Jashtë këtyre standardeve do të kishim diletantizëm, amatorizëm dhe asimilim, do të kishim rrezik potencial për shitje për “kulturë shqiptare” të “turlitavave kulturore” të huaja që do të ishin turp i madh për mbarë Kombin
Nga Avni HALIMI
Nëse i bëjmë një krahasim zhvillimeve të ndryshme shoqërore në raport me zhvillimet kulturore te ne, sakaq do të dilnim te përfundimi se, fatkeqësisht, jemi për t’u vajuar! Nuk mund të thuhet se nuk kemi korniza ligjore për sa i përket jetës së gjithmbarshme kulturore. I kemi, madje janë në harmoni të plotë me kërkesat ligjore evropiane. Strategjitë nacionale për kulturë, i kemi, janë të mahnitshme në lexim të parë! A kemi mekanizëm kontrollues, mbikëqyrës, motivues, mbi të gjitha, sanksionues, kundër neglizhuesve dhe sabotuesve të këtyre ligjeve dhe strategjive? Janë mijëra e mijëra godina banesore, janë qindra mijëra biznese, qindra korporata, qindra institucione shëndetësore, bankare etj. I tërë ky zhvillim në fakt paraqet vetëm “zhvillimin e manipulueshëm”, mundësinë e përfitimeve të mëdha të oligarkëve, por edhe mundësinë e përfitimeve shtetërore nga taksat!
Sponsorizim i “limonatave” që shiten për kulturë
Nga ana tjetër, nuk kemi institucione kulturore rishtas të themeluara! Kemi dy-tre teatro private, dy-tre manifestime private, nja dhjetëra shtëpi botuese që përkujdesen për botimin e librit; nuk kemi operë, filarmoni, balet, nuk kemi institucione kërkimore kulturore. Nuk i kemi sepse kërkojnë kosto të paimagjinueshme, të papërballueshme për buxhetet shtetërore, ndonëse, tërë ky “mastraf” do të mund lehtësisht të përballohej vetëm nga konfiskimi i pasurive të fituara pandershmërisht, nga ndëshkimi i korrupsionit dhe përfitimeve të ndryshme në rrugë joligjore. Shqipëria dhe Kosova tashmë e kanë edhe Ligjin për sponsorizim të kulturës rinisë dhe sportit, ligje këto që krijojnë përshtypjen se, intenca e shtetarëve tanë është që më shumë të tallen me kulturën se sa ta ndihmojnë! A nuk është ky një përçmim institucional që i bëhet kulturës?! Ky ligj do të duhej të ishte enkas për kulturën, pastaj le të ketë ligje të ngjashme edhe për rininë dhe sportin etj. Sepse, këto ligje gjithëpërfshirëse, nuk kanë ravijëzuar bie fjala, kufirin në mes të kulturës dhe argëtimi. Së këndejmi, aktivitetet argëtuese-sportive nuk mund të jenë jetë kulturore! Ligjet në fjalë, sponsorizuesve të aktiviteteve rinore e sportive u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim. Kurse, për aktivitete kulturore kjo zbritje prek vetëm njëzet për qindëshin (20%)! Ligj i ngjashëm ekziston edhe në Maqedoninë e Veriut!
Pse nuk kemi sponsorizim të aktiviteteve gjurmuese-arkeologjike, të repertorit të një filarmonie, të një opere, të një baleti, nuk kemi sponsorizim të një shfaqje teatrale, të botimeve ekskluzivisht të talenteve të reja; pse nuk kemi një ekspozitë të sponsorizuar, nuk kemi koloni artistësh, nuk kemi një manifestim letrar gjithëkombëtar! Sepse, të gjitha këto aktivitete janë elitare dhe nuk u krijojnë kurrfarë përfitimi sponsorizuesve. Prandaj, sponsorizuesit i kemi të pranishëm më tepër tek estrada argëtuese-zbavitëse, e cila, nuk paraqet kurrfarë aktiviteti kulturor. Sepse, një aktivitet i estradës siguron masë të gjerë vizitorësh, ku edhe reklama për donatorin është më masovike, kurse një ekspozitë pikturash mund të sigurojë maksimumin nja 1000 vizitorë! Një libër mund të vërehet se është donuar, më së shumti nga nja 30-50 lexues dhe, reklamimi i sponsorizusit shkon vetëm tek ky numër i popullit! Sponsorizimi i aktiviteteve kulturore, me prioritete të caktuara institucionalisht, do të duhej që “t’i amnistonte” nga tatimet të gjithë subjektet që dëshirojnë të kontribuojnë në jetën e gjithëmbarshme kulturore. Shteti ka mekanizma për ta kontrolluar këtë sponosrizim dhe për t’u lehtësuar nga financimi i të gjitha atyre aktiviteteve që ndihmohen nga dashamirët e kulturës! Kjo do të krijojnë një garë ndërbiznesore si dhe një koegzistencë të mrekullueshme biznes- kulturë, në interes të zhvillim të gjithëmbarshëm shoqëror!
Manipulimet partiake dhe lavdërimet boshe
Ministria e kulturës është një prej dikastereve më të ndjeshme ku për çdo vit “thyhen heshtat” në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve. Çuditërisht, ndonëse shqiptarët vazhdimisht “plagosen për vdekje”, ata vit për vit ndahen të lumtur se ia kanë dalë “të plagosen në periferi të organeve vitale”! Në mënyrë triumfaliste do të ngrenë pluhur duke u lavdëruar se ia kanë dalë që të marrin 30, 40, 50, madje dhe 55 për qind nga buxheti i Ministrisë së kulturës! Kurse para fakteve heshtin edhe zotat! Shqiptarët kurrë nuk kanë arritur ta kuptojnë hilenë por, gjithnjë kanë shprehur kënaqësinë se, vit për vit arrijnë që ta shtojnë numrin e botimeve të librave! Pas konfliktit të vitit 2001 numri i librave shqip të financuar nga kjo Ministri ka tejkaluar dyzetëshin dhe, vit për vit janë shtuar nga një nga dy botime më tepër! Më vitin 2011 numri i botimeve ka arritur në 87 tituj, ndërsa, më 2021 le të themi se arritën të botohen rreth 100 tituj! Dhe, gjithnjë, për çdo vit, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë konstatuar se diskriminimi kulturor u bëhet pikërisht se Ministria e Kulturës ndanë buxhet më të madh për librin maqedonas se sa për librin shqip! Pastaj, shtrohen ankesat, pas të cilave lejohet botimi edhe i na 4-5 titujve dhe, sakaq nuk ka më diskriminim kulturor! Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut mirëqenien kulturore e kanë matur me numrin e titujve të botuar pa çka që brenda atyre titujve ka antivlera të turpshme edhe për komunitetet primitive!
Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë mbi 60 institucione kulturore, në të cilat punojnë mbi 2100 persona, prej të cilëve, rreth 200 janë shqiptarë, ndërsa rreth 150 pjesëtarë të përkatësive të tjera (turq, romë, boshnjakë, serbë, vllehë, kroatë etj.). Pra, diku rreth 1700 të punësuar nëpër institucionet nacionale kulturore janë maqedonas, të cilët, sikur të paguheshin minimalisht nga 350 euro, do të duheshin mbi 7 milion euro në vit! Për shqiptarët e punësuar nëpër këta institucione do të duhej buxhet vjetor prej afër 850 mijë euro! Nga buxheti vjetor prej 3.3 miliard denarë, apo, rreth 55 milion euro për vitin 2021, rreth 16 milion euro shkojnë për transfera të ndryshme, afër 6 milion për bllok dotacione, rreth 4 milion euro investime kapitale, rreth 2 milion e gjysmë euro për mallra dhe shpenzime të ndryshme, si dhe rreth 32 mijë euro për rroga për personat me kontratë në vepër dhe për kompensime të tjera. Po ashtu, rreth 800 mijë euro shkojnë për përfshirjen e të rinjve në aktivitete kulturore, për përforcimin e integrimeve në EU në rrafshin e kulturës si dhe për programin e ri për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Nga buxheti i përgjithshëm, pra, ikin mbi 36 milion euro ndërsa shqiptarët marrin mezi rreth 1 milion euro. Pjesa tjetër e buxhetit shkon për aktivitete për realizimin e programit vjetor të kësaj Ministrie. Edhe nga kjo pjesë e buxhetit për realizim të programit, shqiptarët nuk marrin as 10 për qind, kështu që, nga shuma totale shqiptarët nuk marrin më shumë se 3 milion euro ose rreth 5.5 për qind nga buxheti i përgjithshëm!
Me asnjë marrëveshje deri më sot, as me atë të Ohrit, as me ato gjatë formimit të qeverive, nuk është zbutur diskriminimi shovinist që u bëhet shqiptarëve në rrafshin e kulturës. Ndërsa asnjëherë nuk është analizuar kjo çështje, e cila, kryekëput ka anuar kah zbutja e diskriminimit në përfshirjen e shqiptarëve në administratën shtetërore. Taksapaguesit shqiptarë japin më shumë se sa marrin, përfshirë këtu edhe participimin në larjen e borxheve që autoritetet shtetërore i marrin për shtet dhe për shoqëri! Pa eliminimin e këtij diskriminimi, cilado parti që do të rrahte gjoks se ka bërë shumë për komb, në fakt e ka vetëm marketing idiotik para elektoratit për t’ia grabitur votën! Ndërsa angazhimi në këtë sferë i cilësdo parti është gati se mision i pamundshëm, meqë në programet e tyre nuk gjen njeriu qoftë dy fjali për kulturën! Sepse nuk e kuptojnë as peshën, as rëndësinë dhe as rolin e kulturës kombëtare. Partitë tona, edhe për nja 100 vite të ardhshme do të merren me asfaltim, me kanalizime, me ujësjellës, me “ekologji”, sepse, këtu janë paratë, tenderët, mundësitë për vjedhje e për pasurime enorm. Akoma nuk e kanë të elaboruar mundësinë e vjedhjes nga kultura, apo, janë shumë të vetëdijshëm se këtu mund të përballen me njerëzit e kulturës dhe, që në start janë të vetëdijshëm për humbjen e betejës së tyre e cila nuk shkon përtej angazhimeve “patriotike” për vjedhje!
Një platformë kombëtare për kulturë shqiptare
Në çdo vend jeta e gjithmbarshme e një shoqërie rregullohet sipas akteve normative dhe akteve nënligjore. Kushtetuta është akti monumental i çdo shteti në të cilën bazohet tërë struktura e ligjeve, statuteve, rregulloreve të cilat përbëjnë “binaret” e një shoqërie të shëndoshë e funksionale. Kur u hartua Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shqiptarët ishin të përjashtuar nga përfshirja në komisionin amë për përgatitjen e këtij akti themeltar! U përjashtuan edhe nga hartimi i shumë ligjeve, të cilat, tashmë nuk kishin nevojë për kontribute e interpretime shqiptare, sepse, gjithçka bazohej në Kushtetutën e miratuar! Megjithatë, falë këmbënguljes së partive politike shqiptare, u arrit të sensibilizohen edhe maqedonasit dhe të pranojnë se në rrugëtimin e shtet-ndërtimit nuk do të mund të jenë të suksesshëm pa shqiptarët e këtushëm, sikur nisën t’i përfshijnë edhe shqiptarët por, de jure, vetëm si popull me emrin “20 për qind”! Kjo dukuri do të shtrihet dhe në të gjitha nenet e Ligjit për Kulturë, i cili, pa dyshim, bazohet në Kushtetutën e vendit që e rregullon “shtetin maqedonas”!
Shqiptarët si popull, të përjashtuar nga “obligimi shtetëror” i Maqedonisë së Veriut, bëjnë një jetë kulturore e cila, me tepër na del si kopjim diletantesk, si kopje e zbehtë, e kulturës kombëtare që zhvillohet në Shqipëri e Kosovë, më tepër në baza vullnetare se sa të përkrahur nga institucionet shtetërore. Ky mjerim kulturor pa dyshim që i atribuohet politikave mjerane të partive shqiptare të këtij shteti! Se nuk shprehin kurrfarë interesimi për kulturën kombëtare këtë më së miri e vërtetojnë “programet” e tyre partiake! Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut më tepër janë të përkushtuar për ekologjinë, për “arsimimin e shqiptarëve” duke hapur “universitete” partiake që prodhojnë diploma për “politikanët” me përgatitje shkollore tetëvjeçare si dhe për ata që janë në gjendje të paguajnë sa t’u kërkohet! Nëpër programet partiake të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut nuk gjen njeriu asnjë “kapitull” që flet për zhvillim dhe jetë kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Mbi të gjitha, ky problem duhet të jetë brengë serioze për qendrat kombëtare të vendosjes për fatin e shqiptarëve, Tirana dhe Prishtina! Akademia e shkencave dhe arteve të Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të obligohen të hartojnë platformë kombëtare për zhvillim kulturor që do të ishte segment i patjetërsueshëm i programeve partiake të partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe gjithandej ku jetojnë ata në viset etnike. Nuk mund të përkrahet nga qendrat shqiptare asnjë parti e cila nuk e ka prioritet zhvillimin kulturor të shqiptarëve duke e kultivuar identitetin kulturor pro-perëndimor! Nuk ka përfshirje në asnjë qeveri e cila nuk garanton themelim të institucioneve nacionale kulturore, konkretisht, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut! Pa dyshim, implementimi i platformave të tilla kombëtare mund të ketë implikime financiar e për të cilat “shteti maqedonas” nuk mund të zotohet se mund të krijojë buxhet dedikues. Prandaj, në një plan afatgjatë asgjë nuk do të kushtonte për Shqipërinë dhe Kosovën të kontribuonin me “shuma modeste” në krijimin e buxhetit për t’u zbatuar platforma kombëtare për zhvillim kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut! Kujdesi kombëtar e shtetëror sado që mund të duket “utopik”, megjithatë, nesër, do të ketë një pjesë të veten që nuk do ta ketë as “ngarkesë”, as “ngatërresë”, as “turp”, as “hendikep” por, thjesht, një motor shoqërues në zhvillimin dhe përparimin kulturor kombëtar! Standardet kombëtare për zhvillim kulturor duhet të jenë të përbashkëta, pavarësisht ku jetojnë e ku frymojë shqiptarët! Jashtë këtyre standardeve do të kishim diletantizëm, amatorizëm dhe asimilim, do të kishim rrezik potencial për shitje për “kulturë shqiptare” të “turlitavave kulturore” të huaja që do të ishin turp i madh për mbarë kombin!