Çasti, tonet nga e bardha në të zezë apo anasjelltas, janë elemente që e karakterizojnë stilin e artistit. Vetëm përmes tyne, ai me nji foto, e krijon skenën
Vlora ADEMI
Ekspozitën fotografike PËRDITA IME E MUNGUEME e karakterizon drama e nji epoke. Drama e luftës, e ekzistencës, e boshit, e mungesës, e humbjes dhe shpërfytyrimit.
Dramën që e mbartin në vete portretet e realizueme të kësaj ekspozite, me shumë takt e dell, na i shpërfaq, artisti i fotografisë, Fahredin Spahija.
Në fototekën e tij, ndër ma të pasunat e llojit të vet, karshi portreteve të figurave të njohuna nga fusha e kulturës dhe, karshi nudove, me çka edhe i ka sfidue tabutë e shoqnisë shqiptare të shekullit 21, zanë vend edhe dëshmitë e nji epoke tragjike këtej e andej kufinit.
Çasti, tonet nga e bardha në të zezë apo anasjelltas, janë elemente që e karakterizojnë stilin e artistit. Vetëm përmes tyne, ai me nji foto, e krijon skenën. Shpërfaqja e emocionit përmes tyne deri n’përlotje, asht dhunti veç e nji artisti me substancë e strukturë të pasun intelektuale.
Për portretet mund të thuhet: edhe pse kanë nji vulë të dallueshme etnografie, ato priren ma shumë kah ekzotikja se janë elemente piktorike në zhdukje e që fotografi ia ka rrëmbye harresës vetëm nji çast para se tis i harrimit me ra mbi to.
PËRDITA IME E MUNGUEME asht dedikim i përtypjes së dhimbës përtej nji veteje të pabindun.
(Prishtinë, shkurt, 2024)
P.S.
Ekspozita e Fahredin Spahisë u realizua në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë REPUBLIKA, edicioni VI