PËRPJEKJA JONË

Njerëzit që mungojnë sot duhen krijuar dhe ata që flenë duhen zgjuar. Ndryshe nuk ka dhe nuk do të ketë kuptim historia shqiptare

Vangjel KOÇA

Një mik më kujtoi sot se përpjekja jonë në periodën e jetës shqiptare që po kalojmë është një mundim i kotë, sepse mungon rrethi që ta kuptojë dhe të vihet nën flamurin e saj. Një gjë fare e drejtë! Mirëpo kjo nuk do të thotë se njeriu s’duhet të përpiqet që të përgatitë udhën për një tjetër periodë jete më të lartë dhe me kuptim më të gjerë. Ideja s mundet të triumfojë me një herë, po, më parë duhet të shkojë nëpër disa faza gjer sa të arrijë në fazën që të kuptohet, të çmohet, të ndjehet dhe të mbretërojë në mendjet dhe shpirtrat e të gjithëve. Faza e parë e predikimit të një ideje është një fazë donkishoteske, dhe pikërisht këtë fazë po kalon sot përpjekja jonë. Don Kishoti: Ja figura që duhet të zotërojë në periodën e sotme të jetës sonë, e cila është anembanë plot me Sancho Pancha, materializma e të cilëve po rëndohet dhe me kaq të meta të lënë trashëgim nga historia kombëtare. Don Kishoti nuk është një figurë qesharake siç pandehet përgjithësisht, por një hero i vërtetë në kuptimin e thellë të fjalës. Shpreh heroizmin e një shpirti që përpiqet për një gjë të bukur e të drejtë, kundër çdo kovencioni, poshtërie, egoizme dhe vulgariteti. Historia e Don Kishotit shkruan një komentator i tij i madhe dhe gjenial, Miguel de Unamuno, është një Ungjill për ata që dëshirojnë shpëtimin nga konvencionalizmi dhe nga urtësia meskine. Miku ka të drejtë kur thotë se sot përpjekja jonë është e kotë. Nuk ka njerëz rreth e rrotull, dhe në ka disa të rrallë, këta po flenë akoma, që të kujtojnë bukurinë morale të një lufte që zhvillohet jashtë botës politike dhe jashtë botës materiale. Mirë, njerëzit që mungojnë sot duhen krijuar dhe ata që flenë duhen zgjuar. Ndryshe nuk ka dhe nuk do të ketë kuptim historia shqiptare. Pikërisht ne dëshirojmë dhe përpiqemi që t i japim kuptim historisë shqiptare. Idealizma jonë teorike, që sot shfaqet në një rreth të vogël të shpirtrave që s kuptohen, lartësohet përmbi kuptimin egoistik të jetës, dhe fytyra e saj apostolike projektohet mbi të nesërmen shqiptare. Njeriu që kërkojmë sot në këtë vend është Peer Gynt-i. Ky është heroizimi ibsenian, që përpiqet të gjejë e të zaptojë veten. Me të lindur, Perr Gynt-i e ndjeu veten jashtë qendrës, jashtë botës. E sheh veten si prodhim pa lëng, si një monedhë pa fytyrë. S kupton dot hapët as se përse janë historia e bota. Po mundohet andej këndej.

Sheh rrotull hi dhe pluhur. I bie erë kalbësi dhe varr. Se ka gjetur dot akoma veten e tij. Prandaj, vazhdon të kërkojë, të pyesë, të gjurmojë. Peer Gynt-i është kalorësi i shekulli: njeriu që kërkon veten. Është kushëri i Don Kishotit dhe i Faustit. Drama e tij po përdridhet përmes kohës në të cilën ai kërkon një gjë brenda në veten e tij. Dhe, duke pasur këtë qëllim, ecën e ecën dhe s ka të sosur, si Ahasveri, për të zbuluar e zaptuar botën që i mungon dhe për të mbushur zbrazësirën që ndjen brëmda vetes së tij. Edhe shqiptari e fitoi lirinë dhe indipendencën e tij. Shpëtoi nga skllavëria e të huajit. U bë shtet më vete. Nga kjo pikpamje s ka se ç të kërkojë më. Vetëm një gjë s ka bërë akoma gjer sot: të kërkojë, të zbulojë veten e ta zaptojë. Të bëjë atë gjë që psikologjia e quan introspektion. Shpirtin e tij se ka kapur drama heroike, që mundoi për tërë jetën Peer Gynt-in. Sa pa bërë këtë gjë, shqiptari s’mundet të krijojë histori të re. Histori në kuptimin e gjerë e të thellë të fjalës. As ndonjë përpjekje, sado heroike e gjeniale qoftë, s mund të sjellë pemë, gjersa shqiptari nuk do të gjejë më parë veten e ta sundojë. Natyrisht vepra është e rëndë dhe lyp kohë. Njeriu që kërkojmë sot, Shqiptari që përpiqet të gjejë veten s’mund të gjendet menjëherë. Do të gjendet pasnesër dhe do të dalë nga kazani i sakrificës dhe i dramës, që sot janë për ne dy fjalë të thata e pa kuptim!

(Minerva, qershor-korrik 1934, nr. 21-22)

Leave a Reply

Your email address will not be published.