PËRSIATJE MBI TË BUKURËN

Në art dhe letërsi, të paktën gjer në fund të shekullit XX, e bukura konsiderohej si ideali i lartë në rrugën e gjatë të përpjekjeve krijuese drejt sublimes, zenitit, që pleks gjithë arsenalin artistik

Bujar MEHOLLI

I – Në planin teorik duket si goxha e ndërlikuar të japësh definicion për atë që konsiderohet e bukur. “Ah, sa bukur!”, “tepër bukur!”, janë shprehje që i hasim rëndom si shtytje/motivim që i bëhen tjetrit për të ecur tutje, por edhe kur njëmend na pëlqen diçka dhe na duket e bukur; megjithatë si mund ta “kapim/prekim” të bukurën vërtet? Ta zëmë, po të bëjmë një shkëputje nga arti dhe letërsia, pse mund të jetë më e bukur Hedy Lamarr sesa Beverly Tyler në planin fizik? Cila është yshtja sensuale? Kush e bën diferencën dhe e “shton” bukurinë ca më tepër? Pse, fjala vjen, një model fustani është më i bukur se tjetri? Kur flasim për të bukurën në përgjithësi, pra, kemi të bëjmë me emocionet estetike. Problemi përshkallëzohet kur e bukura, nocioni i saj, përcaktohet si abstrakt. Secila qenie njerëzore e kërkon të bukurën sipas projeksioneve që ka krijuar karshi saj, pra, sipas formimit që bart (ku hyn dhe mendimi/ndjesia për të bukurën). Afërmendsh, në art dhe letërsi, të paktën gjer në fund të shekullit XX, e bukura konsiderohej si ideali i lartë në rrugën e gjatë të përpjekjeve krijuese drejt sublimes, zenitit, që pleks gjithë arsenalin artistik. Filozofi antik grek Platoni duke trajtuar problemet e estetikës, të bukurës ia vesh të mirën dhe të vërtetën. “Për Platonin e bukura ishte para së gjithash dhe mbi të gjitha bukuria e fytyrës dhe e formës njerëzore. Dashuria për të bukurën, mendonte ai, e ka origjinën tek erosi, një pasion të cilin e ndjejmë të gjithë ne. Ne do ta quanim këtë pasion dashuri romantike. Për Platonin, erosi është një forcë kozmike e cila rrjedh tek ne në formën e dëshirave seksuale. Por nëse bukuria njerëzore ndjell dëshirë, si mund të ketë ajo lidhje me hyjnoren? Dëshirat i takojnë individit, jeta në këtë botë është një pasion i shpejtë”, shkruan filozofi britanik Roger Scruton. Sidoqoftë, ndër shekuj ka orvatje të shumta nga filozofë e shkrimtarë për ta përkufizuar të bukurën, për t’ia dhënë një përcaktim. Dëgjojmë rëndom: Godinë e bukur! Këngë e bukur! Peizazh i bukur! Kafene e bukur! Shtrihet para gjithë bukuria e qytetit! Kur bie shi, rrugët e qytetit duken aq të bukura… A ka ndonjë dallim esencial në gjithë këtë konglomerat bukurish? A ekziston një ndjenjë që pulson brenda qenies dhe i bën gjërat e bukura përreth, komfor dëshirave (për t’i parë gjërat si të bukura?)…

II – Në poezinë “Bukuria” Sharl Bodleri shkruan:

Froni im është në qiell, si sfinks i paepur, i paanë;

një zemërborë me një bardhësi mjellme bashkoj,

i urrej lëvizjet e linjat s’më pëlqejnë t’i turbulloj,

jam si ajo që kurrë s’qesh e kurrë s’qan!” (shqipëruar nga Dritan Thomollari)

Sistemi poetik i Bodlerit është mjaft kompleks; ai qe ndër poetët, pararendës të modernitetit, që preokupohej me të bukurën dhe idealin e saj. Për Bodlerin, e bukura sa deh poetët/artistët dhe frymëzon dashuri në njërën anë, aq është edhe e gënjeshtërt, bizare… e pakapshme që as “qesh” as “qan” në anën tjetër. Duke përsiatur rreth efekteve që përçon te qenia njerëzore e bukura, mund të themi se ajo arrihet nga forma e posaçme (harmonioze), zbulimi i së vërtetës dhe gjurmimi i së brendshmes (spiritualitetit), ideali i efekteve të dëshiruara shprehëse, ikja nga sipërfaqësorja (cytja e rremë e ndjenjave dhe venitja e shpejt e tyre!) Fjala vjen, epoka mainstream që po jetojmë e “shndërron” të bukurën në diçka të lehtë që bëhet normë; ky arbitraritet i “sistemit anti-estetik” brutalizon shijet dhe njollosë/përdhosë ndjenjën fine që rri diku e strukur në skutat e thella të shpirtit. Afërmendsh, nuk është çudi që sot i bukur perceptohet, nga një masë e konsiderueshme e njerëzve, një shkrim klishe për dashurinë, shenjtërinë e nënës, babait, etj… (pretendon të jetë poezi dhe imponohet me qëllim pikasjen e atyre që e lexojnë në plan shumë intim sepse tekefundit secili ka ndjeshmëri për prindërit, vetvetiu lihen në heshtje vlerat apo bukuria e shkrimit, mjaft që të përmenden prindërit dhe të thuhet se ushqejnë dashuri të sinqertë!) postuar (shfaqet dëshira për t’i thënë “botuar”) në Instagram apo Facebook, por jo një lirikë e ndjerë e Hil Mosit apo Ilir Belliut që, mjerisht, ngelen jashtë rrjetit social… rrjedhimisht jashtë “të bukurës dhe të ndjeshmes” (virtuale).

III- Sot e bukura në art gjendet vështirë sepse nuk del në pah. Madje ka rezistencë ndaj saj(!) Atë duhet gjurmuar me mjaft mund; një këngë e bukur (lënë jashtë/në margjina nga provincializmi mediatik), një poezi të shkruar bukur, antipod i letërsisë omfaloskopike, (oh, aq të dashur e kërkuar) apo një pikturë të bërë nga duar mjeshtërore (mbuluar me pluhurin e njerëzve meskinë ala gogolian). Profesori Abdullah Karjagdiu në një tekst shprehet: “Njeriu ka aftësi t’ua mveshë petkun njerëzor edhe gjërave, në qofshin ato të bukura, tërheqëse. Në saje të kësaj aftësie, shpeshherë, një objekt të parëndësishëm e shndërron në objekt njerëzor; meqë e bukura, ndonëse është vetëm shprehje, çfaqje, paraqitje, pasqyrim, dritë e diçkaje që na afron e ofron artisti, kërkon natyrisht, dashamirësi, mirëkuptim, vëmendje, vullnet, gusto, e sidomos mbi të gjitha interesim të posaçëm për të.” Arti i vërtet duhet të jetë sugjestiv; ta kredh shpirtin në kujtime, ëndërrime & përfytyrime – kështu të nxis krijim të asociacioneve që e pasurojnë qenien njerëzore shpirtërisht e mendërisht. Aty gjendet e bukura, aty është strofulli i saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.