PLAGJIATURA, SIMPTOMË E NJË EPIDEMIE TË RËNDË

Si do të shpëtojmë nga plagjiatura, nga pseudo-poetët, pseudo-shkrimtarët, ata që na vjedhin artin dhe shpirtin, ata që po na e shterin fare dhe dëshirën për t’u marrë me të? Po kritikët! Akademikët! Lidhja e shkrimtarëve!

Armenida QYQJA

Tashmë është shkruar kaq shumë për plagjiaturën në qarqet e shkrimtarëve dhe poetëve, sa jam e bindur që shumë lexues as do të marrin mundimin të ndalen e të lexojnë këto pak rreshta. Vërtetë që shkas për këtë shkrim u bë një plagjiaturë e rëndomtë që iu bë një prej poezive të mia, por dëmi i plagjiaturës, që është bërë një shfaqe epidemike, është shumë më i thellë sesa përmasat e artit dhe artistit. Kjo është çfarë ne nuk po arrijmë të kuptojmë dhe jemi bërë si mjek-pacientët komercial në kërkim të një recete farmaceutike, që ne e dimë shumë mirë që vetëm sa i trajton simptomat, por nuk i shëron ato.

“Hajdutët! Kapini hajdutët!”, vetëm s’e nuk bëhet fjalë për “paratë e dashura”, por për poezitë, librat. Kush, si do ta shpëtojmë artin? Si do të shpëtojmë nga plagjiatura, nga pseudo-poetët, pseudo-shkrimtarët, ata që na vjedhin artin dhe shpirtin, ata që po na e shterin fare dhe dëshirën për t’u marrë me të? Kritikët! Akademikët! Lidhja e shkrimtarëve! Bla-bla-blaaaaaa… Me falni, por a po e dëgjon ndonjëri nga jush Molierin që shqyhet gazit atje lart në parajsë?! 1670. Viti kur ai shkroi  “Borgjezin fisnik”. S’do t’ju marr shumë kohë me analiza, do t’ju kujtoj vetëm se ky borgjezi i etur për të qenë në të njëjtin rang me fisnikët, u mundua të blejë tituj, mori dhe mësues vallëzimi, muzike, filozof. Të tërë e rropën të gjallë duke ia mbishitur vlerat e artit të tyre, ndërkohë që ai ishte krejt i paaftë për to. Mësuesi i filozofisë e nisi me Logjikën dhe Moralin, por këto nuk na i pëlqyen tregtarit.

Tabloja është e njëjtë me përjashtim të veshjeve dhe parukeve. Shoqërisë sonë nuk i pëlqejnë as Logjika e as Morali. Boshllëku shpirtëror dhe injoranca kanë futur në rrjetën e tyre një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare. Më shumë se 800 poet në një konkurs! E ku, në një shoqëri ku çdo ditë po përdhunohen fëmijë nga të afërm, po dhunohen gra e pleq, po vetë-helmon vajza në lule te moshës me fotoksininë që shitet farmacive…A duhet të vazhdoj? Po ku është kjo shoqëria jonë kaq e ndritur sa të ketë 800 poet aktivë? Ju them unë se çfarë ka kjo shoqëria jonë albanistanse: ka shumë fukarallëk material dhe shpirtëror, njerëz që jetojnë pa bukë dhe njerëz që nuk dinë ç’t’i bëjnë paratë dhe blejnë ndjekës ne instagram, njerëz që blejnë diploma e paguajnë redaktorë t’ua ndreqin broçkullat dhe botojnë libra, njerëz qe vjedhin dhe manipulojnë artin e të tjerëve vetëm të fryhen dhe ata. Por, ne fakt harrojnë ose nuk dinë shumë gjëra. Harrojnë që ata nuk dinë as A-në, as shkrim e këndim dhe pastaj vijnë të thonë si fisniku i Molierit, “kam dyzet vjet që flas në prozë!”

Është shumë e thellë dhe aspak për të qeshur se këta individë janë dhe mësues e zyrtarë në poste administrative. Çfarë shembulli japin dhe çfarë vlerash përçojnë te nxënësit apo vartësit e tyre? Themi pastaj pse nuk bëhet Shqipëria?! Si do të bëhet?! Kush do e bëj?! Antivlerat që fitojnë mbi vlerat?! Njerëzit që i kanë blerë postet drejtuese, diplomat?! Këta të 800-tët?! Të më fal pakica e nderuar që padashur ka hyrë aty, në atë kazan.

Konkluzioni? Si do shpëtojmë nga kjo epidemi? Nuk e di, por di një gjë që nga vegjëlia: dezinfektimi me gëlqere, hedhja apo djegia e disa sendeve si jorgan, batanije etj…Mos u shqetësoni! Nuk kam luajtur mendsh të vë njerëz në turrat e druve! Zot na ruaj! Por, duhen demaskuar rastet me prova të qarta, konkrete. Duhen ndëshkuar nëse ata janë në disa poste kyçe si arsim, kulturë. Duhen hequr plagjiaturat nga libraritë apo rrjetet që mund të kontrollohen. Duhet të gjobiten plagjiaturistët dhe bashkëpunëtorët (redaktorët, shtëpitë botuese). Po nuk u morën ca masa e po nuk u dhanë ca ndëshkime, ne do vazhdojmë të mbetemi në këtë rreth vicioz.

Leave a Reply

Your email address will not be published.