PODCAST-i

Koha kur prindërit tanë uleshin para TV për të ndjekur lajmet apo ndonjë emision televiziv, është një gjë që i takon së shkuarës. Sot njerëzit, qoftë edhe ata të moshës së vjetër, tashmë i kanë smartfonat në duart e tyre që kontrollojnë vazhdimisht lajmet që transmetohen dhe postohen kudo nëpër botë

Fitim NUHIU

Gjatë historisë së tij, televizioni është konsideruar si një nga platformat më të fuqishme të komunikimit masiv, por në dekadat e fundit fenomene të tilla si rrjetet sociale dhe së fundmi podcast-etsiç po duketkanë fituar më shumë terren në këtë aspekt dhe në të ardhmen e afërt këto formate digjitale mund edhe t’i sfidojnë plotësisht mediet tradicionale dhe t’i nxjerrin nga loja. Koha kur prindërit tanë uleshin para TV, në një kohë të caktuar, të ndjekin lajmet apo ndonjë emision televiziv është një gjë që i takon së shkuarës. Sot njerëzit, qoftë edhe ata të moshës së vjetër, tashmë i kanë smartfonat në duart e tyre që kontrollojnë vazhdimisht të rejat dhe lajmet online që transmetohen dhe postohen kudo nëpër botë.

Sot shohim se mediet tradicionale po sfidohen e po “revolucionarizohen” nga rrjetet e ndryshme sociale online (facebook, instagram, twitter, etj) dhe njeriu i sotëm nuk ia ka më nevojën e informimit por edhe argëtimit si dikur. Edhe në vendin tonë kjo platformë tashmë ka zënë vendin e vet dhe ka filluar të konkurroj tregun mediatik.

Podcast-et janë një format shumë i njohur në ditët e sotme, një dialog mes dy personash, një mjet për të fituar ndjekës në rrjetet sociale, për të zgjeruar idetë e ndryshme edukative, kulturore, informative, politike, si edhe programet dhe strategjitë e marketingut apo biznesit në mënyrë për të qenë gjithnjë në sytë e audiencës që dëshiron dhe synon. Podcast-et janë një seri përmbajtjesh të regjistruara audio-video që transmetohen zakonisht në internet. Këto mund të regjistrohen në formate të ndryshme, si intervista ose biseda për një temë specifike.

Podcast-et janë një formë inovative e gazetarisë së sotme, tentojnë të marrin rrëfime dhe të nxjerrin njerëzit nga kuadrati që jemi mësuar t’i shohim dhe t’i dëgjojmë, ku gjatë intervistave, i intervistuari mund të flet pa ndonjë agjendë të caktuar paçka se ka një temë të caktuar, të flet lirshëm dhe të ndërthur personalen me profesionalen, të jetë sa më origjinal dhe i hapur. Podcast-i nuk ka ndonjë hierarki që duhet t’i përmbahet apo të jep ndonjë përgjegjësi dikujt, apo ndonjë censurë nga dikush, lidhet direkt me njerëzit, pa ndonjë transmetues indirekt, apo ndonjë ndërmjetës, etj.

Podcast është konceptuar si një platformë që u jep zë individëve që kanë diçka për të thënë, t’i shpërndajnë lirshëm idetë e tyre, mendimet, opinionet dhe eksperiencat jetësore, sidomos ata që e kanë të vështirë të arrijnë publikun përkatës. Ky format është konceptuar të jetë një format i gjatë bashkëbisedimi, pa ndërprerje dhe pa agjendë. Besoj që sot më shumë se kurrë ne si shoqëri kemi më shumë nevojë të diskutojmë për ide dhe bashkëbisedime të tilla, të rrahim tematika kryq e tërthor qoftë edhe pa ndonjë rregull përkatës.

Zakonisht episodet e podcast-it mbahen një herë në javë, me të ftuar të ndryshëm, por me qëllimin që në një kohë të shkurtër, të jenë sa më të shpeshtë. Të ftuar mund të jenë njerëz të thjeshtë me histori suksesesh por edhe dështimesh, profesionistë në të gjitha fushat e mundshme, por edhe aktorë, shkrimtarë, sipërmarrës, politikanë, profesorë, trajnues, komedianë, me një fjalë gjithsecili që ka diçka për të thënë, për të ndarë dhe për t’i dhënë diçka një komuniteti të caktuar apo shoqërisë në përgjithësi.

Qëllimi i podcast-it është të ofrojë një platformë të lirë, një mundësi të hapur, ku mund të diskutohen ide të ndryshme duke i dhënë gjithsecilit një alternativë që është kurdoherë të ketë qasje, që me të drejtë është quajtur radio-televizion postmodern.

Prej nga erdhi Podcast

Termipodcast është produkt i bashkimit të fjalëve Pod (ka kuptime të shumta: Personal on demand – person që kërkohet, Portable Open Database – Baza e të dhënave të hapura portative) dhe broadcast (transmetim).

Koncepti i podcast-it filloi në vitin 2000 nga Tristan Lewis dhe Dave Weiner. Ideja ishte t’u mundësonte njerëzve të bashkëngjitnin skedarë audio dhe video në burimet RSS. Weiner ishte gjithashtu autori i formatit RSS, dhe podcast-i u përfshi në versionin RSS 0.92. Podcast-i i parë është IT Talks nga Dough Kaye. Filloi në vitin 2003 dhe zgjati deri në vitin 2012. Dy vjet pas fillimit të tij, Apple shtoi podcast-e në iTunes. Kjo luajti një rol të madh në popullaritetin e podcast-it. (mekan0.com)

Ato janë krahasuar me frekuencat radio-televizive, mirëpo nuk i kërkohet ndonjë licencë apo ndonjë certifikim nga ndonjë drejtori apo institucion përkatës. Janë në dispozicion (online) në çdo kohë për ndjekësit e tyre. Në krahasim me programet radio-televizive, podcast-et kanë më pak cenzurë apo aspak dhe temat janë më organike. Podcast mund të dëgjohet pothuajse në të gjitha platformat online.

Podcast-et tek ne

Siç e ceka më lart, edhe tek ne kjo platformë digjitale ka zënë vend dhe grupet e interesit apo njerëzit e ndryshëm me formime të ndryshme kulturore dhe akademike kanë filluar të shfrytëzojnë këtë mundësi, kanë hapur kanalet e tyre dhe lirshëm iu drejtohen audiencës së tyre. Ka të shumtë prej tyre, por dua të theksoj podcast-in e Mira Kazhanit “Zë me Mirën”, një kanal shumë i dobishëm, kulturor, informativ dhe emancipues, me intervistues të realizuar në profesionet e tyre dhe jo vetëm, me një qasje shumë pozitive dhe energjike që realisht, mendoj se ka sfiduar shumë televizione kombëtare dhe private shqiptare.

 Podcastet dhe biznesi

Për sipërmarrësit, podcastet janë një mënyrë e shkëlqyeshme për t’u lidhur me ndjekësit dhe klientët e mundshëm. Sipas hulumtimit nga Gartner, mbi 155 milionë amerikanë kanë ndjekur rregullisht podcast-e gjatë vitit 2020 (gati dyfishi i numrave të vitit 2018), me afërsisht 24% të atyre që dëgjojnë çdo javë – statistika që parashikohen të rriten gjatë viteve të ardhshme. Sot, pothuajse çdo markë, biznes, njeri apo individ me ndikim ka akses në mjetet që u nevojiten për të nisur një podcast, për të shpërndarë përmbajtje të vlefshme në një audiencë ndjekësish dhe për të rritur praninë e tyre në internet. (https://businessmag.al/)

 Podcastet dhe politikanët

Këto formate dialogësh apo monologë informale po shfrytëzohen edhe nga politikanët. Është një tendencë që nuk do të ndalet, mendojnë disa specialistë të komunikimit. Obama ka qenë ndër politikanët e parë që filloi modën e podcast-eve. Ajo që ndodh shpesh në këto formate transmetimi është ndërrimi i roleve dhe si rezultat, politikanët bëhen gazetarë. Një element që specialistë të komunikimit si Gulliem Suau pranon se vë në rrezik saktësinë e informacionit: “Kur një politikan mban këtë rol, ai e bën këtë pa ndjekur kriteret gazetareske”. Ka të tjerë si Oriol Llop që këtë format e shohin me sy pozitiv: “Ata nuk ia imponojnë askujt. Është më shumë një bashkëbisedim i mendimeve të ndryshme që i mundësojnë dëgjuesit, në mënyrën e tij, të pasurohet dhe të ketë një mendim më të qartë”.

Qëllimi i politikanëve është se ata duan të anashkalojnë mediet tradicionale dhe duan që idetë e tyre t’i drejtojnë direkt tek veshët dhe votuesit e vet, pa ndonjë ndërprerje apo “zhurmim” nga gazetarët. Gjithashtu në favorin e tyre është edhe anashkalimi i pyetjeve “bezdisëse” nga ana e gazetarëve të pavarur dhe të vërtetë, që janë të pranishëm nëpër televizione publike.

Në intervistat televizive dhe në konferencat për shtyp, gazetarët “ngacmojnë dhe provokojnë” narrativën e politikanëve, madje edhe në rrjete sociale dikush mund t’i komentojë negativisht, ndërsa podcast-i është një platformë e mbyllur hermetikisht që i bën të gjithë ata politikanë të ndjehen të lirë, të patrazuar dhe si rezultat i kësaj, të duken të drejtë dhe të mirë.

 Podcastet dhe argëtimet

Podcast-et janë edhe një lloj i veçantë argëtimi dhe në thelb janë një version modern i talk show-ve. Kur dëgjuesit përshtaten me podcast-et, ata e bëjnë këtë me shpresën se përmbajtja që dëgjojnë do t’i shtojë vlerë dhe kuptim jetës së tyre, qoftë nëpërmjet informacionit edukues, diskutimit të temave të ndryshme ose thjesht dëshirës për t’u argëtuar për një periudhë të caktuar kohore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.