(Parathënie e librave të Sabri Zirap Dautit: VARGJE TË VJESHTËS SË VONË dhe FRYMA E FUNDIT E VETMISË, botuar nga QMMK “Toleranca”, Shkup, 2018)
Shkëlzen HALIMI
Kur miku im Daut Dauti më tha se ka ardhur koha që ta shohin dritën dorëshkrimet e mikut tonë të përbashkët, Sabri Zirap Dautit, ndjeva edhe pikëllim, por edhe gëzim. I pikëlluar për shkak se ai nga kjo jetë iku para kohe, këtu e njëzet vjet më parë, por i gëzuar sepse më në fund do të përjetësohet shpirti i tij artistik.
Dhe ja tek i kemi disa nga poezitë e tij, të cilat janë të ngjyrosura me dashuri, ngrohtësi e urtësi… Por edhe me dhembje. Dhe poeti nuk është poet nëse nuk ia hap kraharorin dhembjes, të cilin e bën bashkudhëtar në rrugëtimin poetik.
Vargu i tij lirik herë – herë shpërthen me gjithë fuqinë e brendshme, duke i nxjerrë në pah shqetësimet e tij poetike, të cilat i ndihmojnë Sabriut për ta sfiduar atë botë të tij të brendshme, e cila, shikuar nga këndi i sotëm, nuk është vështirë të konstatojmë se ishte thjeshtë botë poetike, ku Sabriu kishte ngritur strehën e tij. Dhe, ai, sikur kishte mësuar se koha do të jetë e shkurtër, ndaj do të shpejtojë ta thotë, përmes fjalës së bukur, të pathënën që ishte shtresuar në shpirtin e tij plot dashuri.
Sabri do të mbetet një zë i artikuluar i kohës në të cilën ai jetoi, zë i shqetësimeve rinore, mbase edhe dramatike. Ai, mbi të gjitha, në botën e tij do të jetë një bohem i vërtetë, sepse rrezaton dhembje, dashuri, por edhe urtësi, sidomos kur i kthehet motivit të vendlindjes.
Në veçanti, impresionon cikli përkushtues për shoqet dhe shokët e klasës. Është një cikël ku derdhet tërë shpirti i Sabriut. Mbase, mund të jetë edhe një cikël paralajmërues për t’i lënë vend kujtimit të përhershëm:
Nëse ndonjëherë më varrosin
Mbi varrin tim
Të veni flakën e dashurisë
Sabriu që në rini tërë qenien e vet dhe tërë forcën e brendshme do t’ia kushtojë fjalës së bukur, me të cilën do të shoqërohet deri në grahmën e fundit. Dhe kjo, atë do ta bëjë sa subtil aq edhe të ndjeshëm, ndoshta për faktin se ai botën e kundronte më ndryshe. Megjithatë, ai dhembjen do ta barrikadojë në kështjellën e tij, të cilën e kishte ngritur, portat e së cilës hapeshin vetëm në çastet e vetmisë, kur ngjyra e lapsit mbushte faqet e fletores, e cila gjithsesi ndonjëherë do të jetë mbyllur edhe në orët e para të mëngjesit. Nga kjo kështjellë e Sabriut do të shpërthejnë edhe vargjet antologjike të tij të poezisë me titull: DASHNORËT E NDARË
Unë kisha lotin
Ti kishe syrin
Por kush kishte zemrën
Unë kisha dhimbjen
Ti kishe shpirtin
Por kush kishte plagën?
Unë kisha pikëllimin
Ti kishe mallëngjimin
Por kush kishte vetminë?
Unë kisha dashurinë
Ti kishe dashurinë
Por ne s’u dashuruam
Kjo poezi që është një nga më të bukurat nga opusi i Sabriut, që është një klithje e brendshme, një monolog, krijon mozaikun e një drame sa të përfunduar aq edhe të papërfunduar. Një emocion i vërtetë që është i prekshëm, i ndjeshëm dhe i përjetësuar. S’është gjendje personale, por universale…
Sabriu i takon një brezi të krijuesve që do të shpërthejnë në vitet 80-ta dhe që kishin një profil të caktuar. Përfaqësuesit e këtij brezi sot janë emra të shquar të letërsisë shqiptare. Hapi i ndërprerë para kohe nuk ia ul fare vlerën krijimeve të Sabriut, të cilat i bënë ballë kohës dhe të vërtetës se fjala e bukur vetëm sa e zbukuron atë që është e përjetshme.
Pikëllimin tonë për Sabriun që na iku në vitin 1998 e mbulon gëzimi dhe fakti se ai na e la të përjetshmen – librin…
(Shkup, shkurt, 2018)