POETI QË SHKROI HISTORINË E GRAVE

Kabbani,është poeti që tundi botën dhe pushtoi zemrat e njerëzve në gjysmën e dytë të shekullit të XX

Artan ALMETA

Historia e letërsisë botërore ka njohur në çdo periudhë të saj njerëz të mëdhenj, shkrimtarë, artistë, poetë dhe gjeni. Njerëz që shkruajnë ka shumë, ama poetë ka pak. Poetë ka shumë, ama gjenitë poetikë janë të rrallë, më të rrallë se diamantet në shkretëtirë. Një prej gjenive që dëshmoi bota ishte edhe poeti Arab i shekullit të XX, Nizar Kabbani.

Kabbani,është poeti që tundi botën dhe pushtoi zemrat e njerëzve në gjysmën e dytë të shekullit të XX. U lind më 23 mars të vitit 1923 në Damask (Siri) në një prej familjeve më të vjetra damaskiane, siç ishte familja Kabbani.  Ai ishte poeti i cili diti të ndërthurë aq bukur thjeshtësinë, nacionalizmin, romancën dhe elegancën e vargut. Poeti i gdhendjeve me fjalë të mrekullueshme, poeti i kontradiktave të mëdha arabe. Gjatë gjithë jetës së tij të mbushur me kontradikta, Nizar Kabbani krijoi një sërë krizash intelektuale dhe letrare. Ai është shprehës i vërtetë i kontradiktave të ligjërimit arab në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai është poeti që shkatërroi me kurajë dhe guxim një sërë strukturash dhe mendësish tradicionale me të cilat njerëzit ishin mësuar në të menduarit dhe traditat e tyre shoqërore.

Poeti ynë ishte i lirë dhe rebel në atë që thoshte, për gjërat më të rëndësishme që preokuponin mendjen arabe dhe jo vetëm, si të menduarit, të vepruarit, dhe ndjesitë nga njëra anë dhe të gjitha gjërat e ndaluara të cilat konsideroheshin tabu dhe të liga deri atëherë nga ana tjetër. Çështja e gruas ishte diçka e parëndësishme deri atëherë, tabu deri diku, por shumë shpejt u kthye një çështje ku Nizari gjeti atë që donte, dhe e konsideroi si më të rëndësishmen në këtë ekzistencë! Në një prej poezive të tij ai u përgjigjet akuzave, të miqve, armiqve, poetëve dhe botës së asaj kohe:

Pse shkruaj për gruan

E gjithë bota më qorton…

Se për atdheun të shkruaj kam harruar…

Por për mua, atdheu nga gruaja fillon.

NIZARI DHE REVOLUCIONI I KONTRADIKTËS NË NDRYSHIM

Në mesin e shekullit të XX dhe pas Luftës së Dytë Botërore, u shfaq një elitë e mrekullueshme arabe poetësh, artistësh dhe intelektualësh që ishin të zënë me politikën, ideologjitë revolucionare, nacionaliste, luftën, demokracinë dhe socializmin. Ama këtu Nizari nuk e shihte veten në asnjë rol të rëndësishëm. Gruaja ishte shqetësimi i tij kryesor, ai ishte fantastik në përshkrimin e saj, duke e imagjinuar atë ashtu siç donte mendja dhe imagjinata e tij. Ai përshkruante pamjet e belit, këmbëve, ecjes, gjoksit, thonjve dhe fijeve të flokëve të saj, të cilat ai i krijoi dhe i mishëroi në mënyrë ekspresive. Ishte brilant në përdorimin e fjalëve shumë të thjeshta në fjalimin e tij poetik që hynin drejtpërdrejt në shpirt pa asnjë ndërlikim dhe ia doli të përfshinte fjalë të zakonshme, të përditshme që njerëzit përdorin në mëngjes dhe në mbrëmje në vjershërimet e tij.
Dhe mund të them se Nizari shquhet për fjalorin e tij poetik dhe shprehjet që e veçojnë nga të tjerët. Ai mbeti njëkohësisht njeriu që e ruajti metrin poetik dhe u dashurua me muzikalitetin e disa fjalëve dhe shprehjeve, që ngjallte ndjenja dhe emocione të nxehta. Ai gjeti një mjedis shoqëror arab të shtypur deri në thelb, të ndrojtur e që nuk i jepte mundësinë të luante lojërat emocionale me gjithë guximin e tij. Rrethanat e asaj kohe e ndihmuan atë të përdorte të gjitha shprehjet për seksin, dashurinë, trupin dhe dëshirat. Por shpesh u detyrua të ndryshojë një numër të madh të fjalëve dhe shprehjeve të tij në njëzet vitet e fundit për shkak të ndryshimit të plotë të rrethanave në shoqërinë arabe, së pari, dhe për shkak të humbjes së Belkisës, largimi i së cilës ia prishi gjumin.

KABBANI POETI I GRUAS

Në botën arabe, kur përmendet emri i Kabbanit menjëherë të vete mendja tek çështja e grave, tek ligjërimi për to, tek lufta për t’i dhënë asaj vendin e duhur. Pra, e thënë ndryshe Nizari njihet si “ Poeti i gruas”. Poezia e tij vjen si reagim ndaj ndodhive, fenomeneve e ngjarjeve që ndodhën në familjen e tij dhe jo vetëm. Ai ishte dëshmitar i vetëvrasje së motrës së tij, Hadba, pasi ajo nuk donte të martohej me burrin që i kishte zgjedhur familja për bashkëshort.

Një numër i madh librash kanë në qendër pikërisht këtë luftë, ku mund të përmendim: ” Kështu e shkruaj historinë e grave“, Ti je e imja, E dashura ime, Ditari i një gruaje indiferente, 100 letra dashurie,Një poemë për Belkisën, U martova me ty, liri, Dëshmoj që s’ka tjetër grua veç teje, Unë jam vetëm një burrë, ti je një fis me gra, Pesëdhjetë vjet në lavdërimin e grave …etj. Nizari nuk e prezantoi gruan si çdo qenie tjetër njerëzore, përkundrazi e shfaqi atë në një kornizë të bukur dhe nuk ndali ta zbukuronte me petka, ngjyra dhe t’i ftonte të tjerët tek ajo me të gjitha përshkrimet e tij të mrekullueshme. Njeriu në vetvete, ka natyrë poetike për të cilën mendoj se askush nuk e kundërshton. Sigurisht gjeniu është diçka komplet tjetër, kur e dëgjojnë njerëzit gëzohen dhe zemra u këndon, aq më tepër kur ai zotëron edhe aftësi të mrekullueshme në recitimin poetik që rrëmben zemrat!

Kabbani është i vetmi poet në botë që kur çdo grua i lexon fjalët e tij, thëniet dhe poezitë, ndjen se është ajo që flet nëpërmjet tij. Ja pra, pse Nizari mban titullin “Mbështetësi i grave”, pse jetoi dhe vdiq duke mbrojtur gratë… A ishte ky për Nizarin, kompensimi për atë që motrës së tij  iu privua? Vepra e Nizar Kabbanite ngriti gruan me delikatesë, si një flutur që pëshpërit:

Atëherë kur të thashë: “ të dua”

E dija se po udhëhiqja një grusht shteti ndaj rendit fisnor

Dhe që po rrihja kambanat e skandalit.

Unë doja ta merrja pushtetin në dorë

Që ti bëj pyjet me më shumë fletë

Detet ende më të kaltër,

Ti bëja më të lumtur fëmijët e pafajshëm.

Dëshiroja ti jap fund rendit barbar

Të vrisja të fundmin sundimtar…

Kur të dashurova , doja të thyeja dyert e haremeve

Të shpëtoja gratë nga dhëmbët e meshkujve

Që ëndrrat e tyre të vallëzojnë të lumtura

Si farat e murrizit të kuq…

Kur të thashë: “ të dua”, e dija se po shpik një alfabet të ri

Për një qytet që nuk ka dëshirë të lexojë,

Që po recitoja poezitë e mija në një sallë të zbrazur

Që po ju servirja nektar, atyre që nuk dinë as vlerën e sheqerit.

Kur vendosa të vrisja sundimtarin e fundit

Dhe të shpallja mbretërinë e dashurisë

Të mendoja ty si mbretëreshë.

Ndonëse e dija që vetëm zogjtë

Do ta mbështesnin revolucionin tim.

(Letra e 3-të, nga libri 100 letra dashurie)

FAMILJA, JETA, VDEKJA…

Ende në moshë të re, kur ishte student i Fakultetit të Drejtësisë në Damask, ai do ta bënte për vete lexuesin e tij me librin e parë :‘Më tha zeshkania“ i cili u butua në vitin 1944,për tu pasuar më pas me dhjetëra të tjerë njëri më i qëlluar se tjetri. Ai ishte i rrallë në formulimin e fjalëve, me lojën që bënte me to, me mënyrën sesi e përshkruante vendlindjen, prindërit, familjen, shtëpinë…

Kur flet për shtëpinë… “A e dini se çfarë do të thotë të jetosh në një shishe parfumi? Shtëpia jonë ishte e tillë. Nuk po mundohem t’iu manipuloj me një analogji të rreme, por besomëni, që me këtë analogji nuk i bie më qafë shishes së parfumit. Përkundrazi, parfumi është ai që i bie më qafë dhe errëson shtëpinë tone”.

Ndërsa kur flet për qytetin e tij të lindjes thotë: “ Ata që kanë jetuar në Damask, që kanë hyrë në lagjet dhe rrugicat e ngushta të tij, e dinë se si ua hap krahët parajsa, andej nga nuk e presin…”

Për dashurinë e nënës së tij: “Njëzet fletë lulesh në oborrin e shtëpisë janë e gjithë pasuria e nënës sime. Secilën lule e do si një nga fëmijët e saj, ndaj sa herë harronim dhe i vidhnim një fëmijë, ajo qante dhe i ankohej Zotit për ne”.

Kujtimet e fëmijërisë:”Tani, pas tridhjetë vjetësh, mund t’i mbyll sytë dhe të kujtoj babain tim të ulur në oborrin e shtëpisë dhe përballë tij është filxhani i kafesë, dorezat , një kuti duhani dhe gazeta e tij. Në faqet e gazetës një lule jasemine e bardhë bie çdo pesë minuta, si të ish letër dashurie që vjen nga qielli. …Nëse pengohesha, pengohesha në krahun e një pëllumbi dhe nëse rrëzohesha, bija në prehrin e një trëndafili”.

Për Kabbanin, poeti është njeriu i tërhequr, që bën një jetë askete, mistike dhe flijuese në shërbim të poezisë.

Dhe nëse gjysma e shkrimtarëve të botës të kenë mbaruar akademinë e kafesë, unë nuk do të isha nga të diplomuarit e kësaj akademie. Unë besoja se një vepër letrare është një akt adhurimi, që ka ritualet, ceremonitë dhe pastërtinë e saj, ndaj e kisha të vështirë të kuptoja se si mund të dilte letërsia serioze nga grepi i nargjileve dhe nga kërcitja e zareve.

Sigurisht, Nizari vdiq  si të gjithë, ama trashëgimia e tij letrare do të mbetet, krahas historisë së tij letrare dhe intelektuale gjatë gjithë historisë së botës. Poezitë e tij patriotike, këngët e tij nacionaliste, qëndrimet e tij kritike dhe sarkastike dhe në shumë nga artikujt e tij që botoi vitet e fundit në faqet e gazetës së njohur Al-Hayat, ishte shembulli i një intelektuali që e donte jo vetëm gruan, por edhe tokën e atdheun e tij. Këngëtarët më në zë të botës arabe kënduan një sërë poezish të tij, duke përfshirë: Umm Kulthum, Najat, Abdel Halim, Fayza, Fairouz, Kazem, Majda, Asala… etj. Nizari përjetoi disa tronditje të forta në jetën e tij private, duke përfshirë largimin e nënës së tij ndërsa ishte fëmija i saj i llastuar, vdekjen e motrës së tij Visal nga sëmundjet e zemrës dhe vetëvrasja e motrës së tij Hadba. Gjithashtu u trondit nga vdekja e djalit të tij të vogël, Teufikut, gruas së tij të parë Zahrës pas një sëmundjeje, nga vdekja e gruas së tij të dytë, Belkisës, pas një shpërthimi në ambasadën irakiane në Bejrut, ku ajo punonte. Vitet e fundit të jetës së tij ishin një rrëmujë betejash, polemikash dhe poemash të nxehta politike, veçanërisht në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Ai la pas një det krijimtarie, një mori gjetjesh, fjalësh që vetëm Kabbani mund t’i çonte ndërmend…Nuk ka dyshim, ai arriti ta përmbushë më së miri misionin e tij, duke e ngritur figurën e gruas në piedestale që nuk kish mundur ta bëjë asnjë poet përpara tij.

Vdiq në Londër më 30 prill 1998 dhe u varros në Damask. Ai la pas veprat dhe  poezitë e tij që njerëzit t’i ndjenin, këndonin ose t’i recitonin. Kabbani na la një hambar perlash, librash, lirikash dhe stolish artistike, bashkë me të vdiq edhe legjenda e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.