POETI SAID NGA TETOVA DHE POEZITË E TIJ

Poeti, shairi Said bën pjesë në poetët shqiptarë nga Tetova që kanë shkruar poezitë e tyre në turqishten e vjetër. Nuk kemi shumë njohuri në lidhje me jetën e tij dhe nuk përmendet në librat biografike të poetëve të periudhës osmane

Metin IZETI

Informatat në lidhje me periudhën kur ka jetuar i marrim nga disa vargje kronogramike të shkruara nga ana e tij me rastin e vdekjes së udhërrëfyesit të tij shpirtëror Baba Abbasit. Pasi Baba Abbasi, përndryshe shejh i teqesë Harabati Baba në Tetovë, kishte vdekur në vitin 1218/1803-4, na jep të kuptojmë se Saidi në këtë kohë ishte poet i pjekur, ngase ishte në gjendje të shkruajë vargje kronogramike për shejhin e vet. Si rrjedhojë konstatojmë se poeti Said ka mundësi të ketë lindur në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe ka jetuar edhe në gjysmën e parë të shekullit të XIX.

Saidi krahas turqishtes së vjetër e ka njohur edhe arabishten dhe persishten dhe kjo tregon se ai ka ndjekur mësimet e rregullta dhe ka qenë i arsimuar. Poezitë i ka të shkruara në ujdi me kallëpet dhe metrikën e poezisë klasike osmane. Nga poezitë e tij që i ka shkruar për Gostivarin, Tetovën, fshatin Saraqinë, fshatin Pallçishtë, kuptojmë se ai ka lindur në rrethinën e Tetovës dhe më pas është vendosur në qytet. Vargjet kronogramike të fundit të poetit na e tregojnë datën 1232/1816-17 që do të thotë se ai në këto vite ka qenë ende në jetë dhe ka shkruar një dyvargësh për ta lavdëruar Rexhep Pashain, pasi ai e kishte ndërtuar rrugën me kalldrëm për në fshatin Saraqinë.

Saidi ka qenë në marrëdhënie shumë të mira me Rexhep Pashain dhe familjen e tij. Në disa poezi të tij, ai thur lavde për personalitetin dhe veprimtarinë e Rexhep Pashait.

Ata janë mbrojtës të qytetit, në çdo gjuhë lavdërohen

Mbrojtja e tyre është e pranishme në çdo cep, nuk fshihen

Nëse begatitë e tyre për çdo ditë në qytet shihen

Nga Krijuesi zemërgjerë kanë ardhur, le të dihen

Çdo punë e kanë të bukur, me të shtypurin shoqërohen

Zoti ju ndihmoftë në këtë botë, dhe në botën tjetër të shpërblehen.

Saidi është një personalitet sufi. Ai është një sufi që i përmbahet tarikatit bektashian. Kjo mund të shihet pothuajse në të gjitha poezitë e tij. Poezia e parë në përmbledhjen e poezive të Saidit, që është në dorëshkrim, i kushtohet lavdërimit të bijve të Profetit. Një poezi e tij i kushtohet edhe Ibrahim Dedeut me të cilin ishte takuar dhe i kishte dëgjuar bisedat e tij. Më pas është një ilahi sufike dhe një poemë historike për shejhun e tij, Baba Abbasin. Gjithashtu ka edhe një poezi në strofa katërvargëshe ku flet për shehlerët që ai i ka takuar. Poezia në formën e një gazeli me titullin “semai/qiellore” i ka karakteristikat e një poezie që këshillon kërkimin e një udhërrëfyesi apo përkushtimin ndaj shejhit. Dy poezitë e fundit janë poezi me mësime didaktike sufike.

Saidi ka profil të një poeti që është në mes të dy stileve të poezisë, poezisë së divanit dhe poezisë popullore, që në thelb bazohen në të njëjtën traditë. Gjuha e tij është turqishtja e Rumelisë/Ballkanit dhe ka qenë e kuptueshme për nënqiellin ku ka jetuar dhe vepruar.

Shumica e poezive të tij janë shkruar me frymë dhe qëllim sufik. Pothuajse të gjitha poezitë lavdëruese janë të rezervuara për emra që kanë jetuar në kohën dhe vendin e poetit. Por gjithnjë duke e pasur parasysh përmasën shpirtërore dhe sufike të tyre. Edhe në vargjet që ia kushton Rexhep Pashait, theksi është i vendosur në atë se ai është sufi dhe njeri shpirtëror.

Siç u përmend edhe më lartë, një poezi e tij i është kushtuar bijve të Profetit, 12 imamëve:

Imami parë është ai shërbyes i Burimit të xhenetit dhe mbret i miqësisë

U lavdërua si trim i pashoq dhe dhuratë e qenësisë

Drita e syve të mi, Husejni, mbreti i dashur dhe plotë bukuri

Ditë e natë mbi Jezidin qoftë i lëshuar mallkimi.

Edhe në poezitë tjera të tij mbretëron koncepti sufik, madje disa kanë edhe karakteristika këshillëdhënëse:

Fjalën e myrshidit (udhërrëfyesit) dëgjoje, zemrën pastroje

Puthe gotën e dashurisë hyjnore, bën përpjekje, përpjekje.

Saidi ka shkruar edhe disa poezi në të cilat i përshkruan dhe lavdëron Tetovën, Gostivarin, fshatin Pallçishtë dhe Saraqinë. Në fillim, pasqyrohet imazhi natyror i qytetit apo fshatit, më pas përshkruhet përmasa historike dhe kulturore, ndërsa në pjesën e fundit përmenden varret e personaliteteve që kanë dalë në pah me identitetin e tyre sufik dhe kontributin e tyre për këto vise.

Ja çka thotë, Saidi, për Tetovën:

Një shpirt, dhuratë hyjnore, është Tetova

Sinqeritet e pastërti është për të dashurin, Tetova

Burim i dritës së sheriatit, vatër e sekretit të tarikatit

Thesar perlash të hakikatit (realitetit) është për gnostikët.

Nga përjetësia bartet lavdia për ty, me plotni,

Të zbukuroi, I Bukuri absolut, çdo anë me shumë stoli

Lumenjtë që rrjedhin japin plot gjallëri

Tetovë, e meriton, nëse them se s’ke rival në qenësi.

Në vargjet në vazhdim Saidi flet për shejhlerët sufi, të cilët kanë qenë të pranishëm apo të varrosur në qytetin e Tetovës. Këta vargje të Saidit janë të rëndësishme edhe për identifikimin e jetës fetare dhe kulturore në qytetin e  Tetovës.

Nga njëra anë të mbron Sersem Ali Baba

Në kodër lart mbi ty qëndron Kojun Baba

Në anën tjetër çdo dëshirë ta plotëson Jarar Baba

Ndihma të vjen në katër anë, Tetovë, e dashura.

Bëhet fjalë për tre teqe bektashiane të cilat janë në qytetin e Tetovës. Sersem Ali Baba është emri i dytë i Teqesë Harabati Baba në Tetovë, ndërsa teqeja e Kojun Babës është në fshatin Shipkovicë në malësi të Tetovës, por për fat të keq në periudhën komuniste është uzurpuar nga pushteti dhe është përdorur si qendër ushtarake, ndërsa tash është e braktisur dhe lënë pas dore. Kurse, teqeja e Jarar ose Javer Babës ka qenë në dalje të Tetovës në afërsi të fshatit Poroj. Kjo teqe është uzurpuar që në periudhën e Mbretërisë jugosllave dhe i është dhënë në pronësi një serbi të quajtur Stole dhe deri vonë vendi ku ka qenë teqeja është thirrur me emrin “Teqeja e Stoles”.

Poeti Saidi në këtë poezi për Tetovën na jep edhe informata tjera, të cilat për fat të keq, nuk kemi mundësi t’i vërtetojmë në bazë të dhënave që i kemi. Ai thotë që teqenë e parë në Tetovë e kanë hapur Halveti-Sinanitë dhe më pas një shejh i kadirive i quajtur Shejh Minuri.

Në fillim teqenë e kanë hapur dervishët sinani

Pozitat e tyre janë të dashura dhe plot miqësi

Me mëshirë i afrohen çdo njeriu në afërsi

Sekretet të gjalla i ka Tetova në përgjithësi.

Çarshia e Epërme ishte në fillim e banuar

Minur Babai teqe ka themeluar

Djali i tij Mahmudi si dhe Abbasi ishin të dalluar

Tetovë ti je vend pjellor dervish për të edukuar.

Sipas Saidit në afërsi të Sahat Kullës, që do të thotë te xhamia e Sahatit teqe ka patur Shejh Aliu dhe afër tij ka qenë edhe Shejh Mensuri. Ndërsa në Çarshinë e Poshtme ka qenë një shejh me emrin Sulejman si dhe nipi i tij Mehmedi. Ata kanë qenë të vendosur në afërsi të Eski Xhamisë në qendër të Tetovës.

Në vargjet e fundit Saidi thotë se Tetova është një qytet përplot me miq të Zotit dhe ka një atmosferë të bujshme shpirtërore dhe se shumë vështirë është të përmenden të gjithë personalitetet që kanë jetuar dhe vepruar në këtë qytet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.