POETIKA E KUJTESËS NË VARGJET E NAFIJE ZOGAJT

Poezitë e Nafije Zogajt japin një shembull të veçantë se aftësia për të parë thelbin e gjërave, e ndërthurur me aftësinë për t’i rrëfyer ato me emocion, janë parakushte për një poezi të realizuar

Zyrafete SHALA

Në klimën letrare që po mbretëron dekadat e fundit te ne, nuk habit fakti që pas botimit shumica e veprave përcillen me heshtje, për të mos thënë me indiferencë, dhe si të tilla ato mbeten pezull, jo vetëm pa vlerësim adekuat, por edhe pa një vend të përcaktuar brenda hierarkisë së letrave shqipe. Kjo indiferencë e kritikës letrare, krahas inkurajimit të botimit të teksteve që nuk përmbushin asnjë kriter, shpeshherë rrezikon edhe mosidentifikimin e vlerave të mirëfillta letrare, të cilat, për pasojë, mund të mbulohen nga harresa ende pa arritur te lexuesi. Në veçanti, përvoja të tilla mund të kenë veprat e autorëve që, edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun të cilit i nënshtrohen, vendosin të futen në konkurrencën letrare duke u mbështetur vetëm në fuqinë e fjalës së tyre, pa llogaritur në mjetet joletrare që gjithnjë e më shpesh po shfrytëzohen te ne për t’i evituar barrierat në botën e letërsisë. Nëse, tanimë jemi pajtuar me faktin se jemi të pafuqishëm për të ndalur uraganin e antivlerave që me fuqinë e tij shkatërruese ka depërtuar në çdo fushë, kërkohet së paku një përpjekje serioze për t’i shpëtuar ato pak vlera që po arrijnë të lindin të shëndosha në ambientin toksik të kulturës sonë.

Një libër që ka merituar më shumë vëmendje, qoftë nga kritika letrare apo nga portalet që synojnë të përcjellin prurjet e reja në letërsi, është padyshim vëllimi me poezi “Hëna vezullonte në të verdhë të vdekjes” i autores Nafije Zogaj, botuar në vitin 2021 nga shtëpia botuese Faik Konica dhe me redaktor profesorin Anton Nikë Berisha. Bëhet fjalë për një botim me ndjeshmëri poetike të veçantë e që artikulohet përmes një shprehësie e cila ndryshon rrënjësisht nga korniza estetike që dominon aktualisht në letërsinë tonë.Hëna vezullonte në të verdhë të vdekjes, është vëllimi i tretë me radhë i autores Zogaj, por që botohet me një distancë kohore 24 vjeçare nga libri i fundit i saj; periudhë kjo që flet njëkohësisht edhe për qasjen e autores ndaj letërsisë, përkatësisht poezisë. Poezia për krijuesen Zogaj nuk konsiderohet si  mjet për të krijuar emër, e as si privilegj që i siguron vend në ‘elitat’ kulturore; ajo është e preokupuar që flukset e ndjesive të saj emotive të arrijë t’i transponojë në fjalë dhe me to të ndërtojë një botë poetike të denjë për t’u quajtur poezi.

Lexuesi i vëmendshëm, që ka ndjekur rrjedhat e poezisë sonë bashkëkohore, qysh në poezinë e parë të këtij vëllimi vëren se ka të bëjë me një autore që nuk ndikohet nga kaosi i zërave të kohës, por këmbëngul në artikulimin e botës së vet emotive përmes një shprehësie që dallohet me tendencën e ekonomizimit të gjuhës e që shkon drejt një stil lakonik; tendencën e shmangies nga figurat e klishetizuara, krijimin e figurave befasues, funksionalizimin e tyre brenda poezisë dhe thjeshtësinë e ligjërimit që përmes forcës depërtuese të mendimit rezulton me krijimin e emocionit të fuqishëm. Me këto veçori, mënyra shprehëse e krijueses Nafije Zogaj shfaqet si vazhdimësi e propozimit estetik që për herë të parë në letërsinë shqipe e sjell poeti Xhevdet Bajraj, poezia e të cilit, deshëm ta pranojmë ose jo, e ka lëvizur rendin e hierarkisë së vlerave në krijimtarinë letrare shqipe. Nga ky këndvështrim, vëllimi poetik i Zogajt duket se po hap shteg të ri në formimin e një shkolle poetike. Ndikimet e tilla dhe formësimet e shkollave të veçanta që nisin si propozim estetik i një autori, për të vazhduar më pas me shumë të tjerë, në letërsitë e popujve që kanë traditë më të gjatë dhe më të pasur të zhvillimit, janë tejet të rëndomta. Por, se a do të ndiqet kjo rrugë në të ardhmen edhe nga krijues të tjerë të rinj mbetet të shihet gjatë viteve në vijim.  

Nëse si pikënisje për vlerësimin e poezisë marrim mendimin e Aristotelit se: “Dhuntia për të përdorur metafora është ajo që e dallon poetin nga ne të tjerët” – atëherë mund të themi se Nafije Zogaj e përmbush plotësisht këtë parakusht, ngase në poezitë e saj, metafora jo vetëm që shfaqet si figurë mbizotëruese, por edhe përdoret me mjeshtëri. Për më tepër, metaforat funksionalizohen plotësisht brenda poezisë duke arritur të krijojnë emocionin e fuqishëm, si një tjetër komponent që Thomas Hardy e konsideron esencial për një poezi të realizuar (“Poezia është emocion i vënë në varg”). Kështu, në poezinë e Zogajt na shfaqen qiej të varur në gishtërinj, zogj që bien në thellësi të syve, dritare mbi kodër, dhimbje që rrjedhin përmes lëkurës, apo që kullojnë në qiell, fëmijë që mbahen për re, ëndrra që mbahen në grusht e shumë metafora të tjera, të cilat shpeshherë krijojnë imazhe surreale që përkojnë me të vështruarit dhe kuptuarit specifik të botës nga perspektiva e fëmijës.

Marrë në tërësi, poezitë e vëllimit “Hëna vezullonte në të verdhë të vdekjes”, trajtojnë një shumësi temash e motivesh që vijnë si reagim ndaj përjetimeve që kanë trandur botën shpirtërore të autores, apo si reflektim ndaj observimeve të realitetit të ashpër, të cilat janë ndarë në pesë cikle: “Qiell i varur në gishtërinj”, “Me diell në fyt”, “Njeriu me flokë ngjyrë akulli”, “Diçka si vetëtimë” dhe “E verdhë mbi të zezë”. Meqë secili cikël meriton vëmendje të veçantë, kësaj radhe do të ndalemi vetëm në poezitë e ciklit të parë, që paraqesin një kthim në të kaluarën, gjegjësisht një rrugëtim retrospektiv që nxjerr në pah thënien e Kantit se: “Koha nuk mund të paraqitet veçse nëpërmjet mediumit të jashtëm të hapësirës.” Rizbulimi i përjetimeve, ndjesive, përvojave e perceptimeve të ‘harruara’ që kanë vënë themelet e unit të subjektit lirik, bëhet duke u nisur nga shtëpia që: ishte e ndërtuar me gurë të zhveshur nga myshqet / drurë të harruar, qerpiçë e djersë të njoma / me një arkitekturë të tillë / që dielli i binte nga të gjitha anët. (Shtëpia e dallëndysheve) Kemi pra shtëpinë e fëmijërisë, si simbol hapësinor të së kaluarës së largët, që shpreh gjenezën e identitetit subjektiv dhe në të njëjtën kohë krijon distancën, por edhe ndryshimin, mes të kaluarës dhe të tashmes. Shtëpia, së cilës dikur i binte dielli nga të gjitha anët, është po ajo shtëpi që tani: hija i bie / gjithnjë në të njëjtën anë. Këto dy perspektiva mbi të njëjtin objekt, shfaqin kujtesën si një proces aktiv, brenda të cilit imazhet transformohen, rindërtohen dhe marrin kuptime të reja poetike.

Nëse jeta gjatë fëmijërisë ndriçohet nga të gjitha anët, në një moshë të mëvonshme, situatat e saj që shkaktojnë dhimbje mbeten të mbuluara nga hija, që nuk është asgjë tjetër veçse  amnezi infantile, gjegjësisht shtypje e ndërdijshme. Në këtë kuptim, gjurmimi i vetes që fillon nga fëmijëria, aty ku nis njohja me jetën, ndalet në disa dukuri e situata që, nëse jo për riparim, së paku, kanë nevojë për rishqyrtim. E tillë është edhe përballja me vdekjen. Madje, është pikërisht pamundësia e konceptimit të vdekjes nga mendja e fëmijës, ajo që bëhet barrierë për rikrijimin e peizazhit të plotë të parajsës së humbur. Kujtesa e subjektit lirik, që shfaqet si  domosdoshmëri për të depërtuar në të gjitha humnerat e ndërdijes, ndalet në ato momente që nuk kanë arritur të marrin shpjegime të pranueshëm, apo edhe që kanë lënë vragë në imagjinatën infantile si dilema të pazgjidhshme: Me siguri ishe në shtëpi / Nuk ishe në shtëpi apo: për çudi / mua më kërkonin / më vinin pas / ty jo (Teksa fluturoje me krahë ëndrrash).

Pamundësia e dikurshme e zotërimit të situatave vështirëson edhe përpjekjen për ta sjellë të plotë imazhin e fëmijërisë; gjë që krijon përshtypjen e një tabloje që vende-vende duket se është dëmtuar. Prej këtu lind edhe mohimi i përpjekjes për t’u rikthyer: “nuk dua të kthehem në të kaluarën / unë isha atje / dhe nuk munda ta shpëtoj fëmijën që më rrëshqiste nga krahët / e mbytej në një pellg / të turbullt / të errët / të thellë”. (Unë isha atje) Mirëpo, përkundër mohimit të vendosur, kthimi bëhet, dhe ky kthim në një varg poezish shfaqet në imazhet ku dukuritë, objektet, njerëzit dhe relacionet me ta zhvishen nga kompleksiteti, për t’u parë në një dritë tjetër, nën dritën e pafajësisë, që në këtë rast realizohet plotësisht, sado që qasja e subjektit lirik është retrospektive. Në figurën e nënës, personazhit strumbullar përmes të cilit krijohen më tej ndërveprimet me botën përreth, gërshetohet në njërën anë forca, sepse me duart e saj: ka përshkuar anë e përtej / diellin akull / shiun zjarr, ndërsa në anën tjetër butësia, ngase ajo qante: vetëm kur ndonjë dallëndyshe e vocërr / duke pritur gojëhapur ushqimin / binte nga pragu i folesë / dhe nuk arrinte ta shpëtonte / nga goja e maces. (Nuk di shumë për jetën) Dualizmi që përvijon portretin e nënës, paraqet një formë të pastër infantile të njohjes emocionale; prandaj jo rastësisht nënës i përshkruhen dy cilësi, që sado antagoniste në dukje, janë të domosdoshme për të siguruar baraspeshën dhe stabilitetin e fëmijës përgjatë trajektores jetësore.    

Megjithatë, vëllimi poetik “Hëna vezullonte në të verdhë të vdekjes” përveç qasjes së mësipërme, ofron edhe shumë mundësi të tjera në rrafshin analitik, që padyshim do të përfshihen në një punim të ardhshëm. Poezitë e Nafije Zogajt japin një shembull të veçantë se aftësia për të parë thelbin e gjërave, e ndërthurur me aftësinë për t’i rrëfyer ato me emocion, janë parakushte për një poezi të realizuar. Zogaj nuk ngarend pas temave të ‘mëdha’, nuk përpiqet të fshihet pas petkut të hermetizimit, nuk përdor dialektizma e lokalizma për të arritur efektin emocional, ajo thjesht eksploron kujtesën e saj, rrugëton në universin brenda vetes, përpiqet t’u jep emër ndjesive dhe dukurive që nuk ka arritur t’i emërtojë dikur. Dhe është pikërisht kjo qasje e natyrshme ndaj krijimit dhe përgjegjësia ndaj fjalës, që e rendisin veprën e Nafije Zogajt në mesin e veprave më të suksesshme të botuara vitet e fundit në letërsinë shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.