POEZI ME UNITET TË BRENDSHËM

(Rreth vëllimit poetik “Ndonjëherë” të Agim Bajramit)

Nuri PLAKU

Agim Bajrami është një emër i njohur në poezinë e sotme shqipe krijimtaria e të cilit rrezaton gjerësisht vlera të mirëfillta artistike. Kohët e fundit ai vjen me vëllimin e ri poetik titulluar “Ndonjëherë”, ku shfaqet sërish mjeshtëria e tij që të bën të ndalesh e të ndiesh së afërmi e së largëti, zërat joshës të kësaj poezie. Ai është një lirik i vrullshëm që shkruan me varg të rregullt e të rimuar dhe e mbush poezinë e tij me emocion të hollë që e bën sa noprane aq dhe lozanjare elemente të denja këto për një lirikë prekëse e të ndierë. Por ajo që është më e rëndësishme te kjo poezi është stili i tij, nëpërmjet të cilit ai shfaqet me një un të plotë poetik duke zhvilluar disa veçori specifike që e bëjnë atë, të njihet nga lexuesi edhe pa e parë emrin e autorit.

Agim Bajrami është poet linear. Gjithë poezia e tij ndërtohet mbi një fabul me shtrirje horizontale, ku ndërthuren të gjitha elementët esencial të ngjarjes. Ato janë gjetje artistike, të thjeshta në dukje, por në thelb jo të tilla. Janë origjinale, të veçanta dhe vilen nga realiteti i përditshëm i jetës apo përjetimet e tij individuale. P.sh, përshtypja që i bën autorit një grua që ecën në bulevard, një mëngjes i prishur nga një njeri i keq, një pritje e zgjatur nga një ardhje e munguar, një udhëtim me urbanin e linjës, një shi i zymtë, situatë pandemie etj, etj. Kjo lloj poezie e bën mjaft të vështirë trajtimin artistik pasi duhet mbushur me elemente të përditshmërisë të cilët kanë brenda tyre “kurthin e Circes”që lidhet me rrezikun e poetizimit të gjithçkaje, me vargëzimin e rëndomtë dhe degradimin e saj në bejte.  Por Agimi i shpëton këtij kurthi pasi, në laboratorin e tij, ka një “solucion” të veçantë që e realizon mjaft bukur poezinë. Ky është talenti dhe pa atë, nuk mund të ketë shkëlqim artistik asnjë poezi.

Nëse do ta analizonim në mënyrë grafike poezinë e tij do vinim re se ajo shtjellohet në formën e një trekëndëshi. Çdo brinjë e tij mbart ngarkesa energjike të caktuara që manifestojnë të tërën e saj. Në brinjën e parë të këtij trekëndëshi shtrihet hyrja e fabulës që shpesh autori e prezanton në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe rrezatuese. Kjo hyrje hap “portën” e fabulës dhe prezanton lexuesin me klimën e “stinës poetike”dhe shijen e saj që ai do të përjetojë në vazhdim:

                                       Ka ditë, që s’ndihem si më parë

                                       Dhe kjo mendoj, e ka një shkak.(Ka ditë)

Shpesh në thelbin e tyre, fabulat marrin ngjyrime dramatike. Autorit i shkojnë shumë ngjyrimet e trishta të ndodhive dhe kjo i jep një lloj veli aristokratik. Dramat e mëdha shfaqen tek indet e shoqërisë. Poeti nuk rend pas bujës, ai ndërton poezinë duke qenë përgjithësisht aktor i fabulës, madje edhe posedues shpirtëror i saj. Posedimi lidhet organikisht me unin poetik dhe poeti e ka më për zemër këtë lloj demonstrimi. Kjo përbën brinjën e dytë të trekëndëshit dhe vihet re sidomos tek poezia erotike.  Erotizmi shpesh ndërtohet në dualitet kundërvënës me femrën. Gati të gjitha poezitë e këtij vëllimi ndërtohen mbi një raport komunikimi të ndërsjellët të dashuruarish. Kjo e mbush me jetë, i jep ngarkesë intimiteti poezisë e bën të hajthme, interesante dhe të perceptueshme:

                                              Tek të sjell në mendje, i turbulluar

                                              Vetveten pyes, çfarë ngjau me ty?

                                              Sepse sa herë unë zemërohem,

                                              Verbohem keq nga njëri sy. (Stres!)

Pasi ndërton fabulën, poeti rrëfen ngjarjen dhe mban edhe qëndrimin e tij ndaj saj, qëndrim vlerësues ose ndëshkues. Kjo është brinja e tretë e trekëndëshit dhe pikërisht kjo e bën poezinë e tij sa kritike aq dhe edukative. Te kjo brinjë shfaqet edhe nervozizmi gjuhësor, si një element teknik i shprehjes poetike. Nëpërmjet një fjalori të ashpër dhe ndëshkues, jepet nervi i revoltës së tij për të metat e njerëzve, veprimet e tyre të mbrapshta dhe energjinë negative që ata çlirojnë në kontaktet me njerëz dhe ambientet sociale. Kritika ndaj realitetit është ngritur në nivel estetik te kjo poezi dhe i jep asaj nota të theksuara morale:

                                  Ma prishi mëngjesin ky njeri pa fytyrë

                                  S’më la ta nis ditën i qetë,

                                  Tashmë rrotull nesh vjen gjithçka erë këllirë,

                                   Që zor se pastrohet lehtë! (Njeriu këllirë)

Apo:

                                   Një nënë e ngrirë me foshnjë në duar

                                  (Dhe pse e vdekur, s’mi ndan sytë)?

                                   Është një Rozafë me sy të shuar,

                                   Legjendë që veten lind çdo vit.” ( Pas tërmetit)

Erotizmi tek Bajrami ka një shfaqje të veçantë gati, gati personale e cila është mënyrë të shprehuri dhe karakteristikë e tij individuale. Ai nuk e jep atë nëpërmjet veprimit aktual, nuk përshkruan konkretisht procesin e zhvillimit, praktikën apo rrjedhën e dinamikës së tij. Përkundrazi, të gjitha këto, shmangen me finesë dhe zëvendësohet me motivet e mungesës, me dramën e shkaktuar prej largimit të së dashurës, me dëshirën apo pendesën e saj:

                                     Nuk di tek unë se ç’ke trazuar,

                                     Nuk di ç’më ke kurdisur

                                     Nga një njeri i qetë, i shtruar,

                                     Të kthehem një i krisur.” (E mbushur plot kjo kafe)

Gjithë krijimtaria poetike e Bajramit zhvillohet thuajse brenda këtij trekëndëshi. Pikërisht aty ndodhet edhe “syri i ciklonit”, një lloj bërthame energjie që gjeneron vrullin e poezisë dhe e ngre peshë lexuesin. Kjo i bën brinjët e trekëndëshit që, nga forma statike e përfytyruar, të vibrojnë me elasticitet, e të kthehen në linja transmetimi të energjie poetike dhe, ta bëjnë poetin poet. Pikërisht kjo është shtjella e poezisë, është gjurma që autori lë mbas rendjes poetike, kthesat e papritura ku e fut lexuesin, befasi dhe momentin final tij, ku e nxjerr sërish atë, pra është një tipar strukturor i imazhit që ai ndërton. Në të kundërt të saj, poezia do të ishte përshkruese, drejtvizore, pa nerv dhe pa joshje. Është vështirë të ecësh në këtë rrugë por Agim Bajrami tashmë udhëton i sigurt nëpër të.

Një element tjetër që vihet re te kjo poezi, është edhe kontrasti i brendshëm poetik, i cili shfaqet si një element stilistikor frekuentiv. Ky element na vjen shpesh si një lojë e zhvilluar midis dy vargjeve në kundërvënie harmonike të njëra tjetrës:

                              “Më masin kohën sa jam gjallë

                                  Më ndjellin kohën kur do vdes.” (Orët)

Apo:

                              “Që unë të bëhem sy e veshë

                                  Dhe ti të bëhesh veshë e sy.” (Gjeste dashurie)

Nëpërmjet këtij elementi, autori përdor “erashkën” për t’i bërë freskë poezisë së tij. Këto janë teknika të thjeshta, por të përvetësuara e të përdorura shpesh nga një autor, përbëjnë pjesë të fondit të tij poetik dhe bëhen element të pasaportës së tij identitare.

Hapësira e përshkrimit poetik, tek Bajrami është gjithashtu një tjetër element stilistik nëpërmjet të cilit ai rrok gjithësinë brenda një momenti të caktuar, qofshin këto në rrafshe sociale apo individuale.  Ky lloj këndvështrimi zë vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij dhe formon një nga tiparet stilistikore më të dallueshme:

                                       “Padashur duart tona

                                           U prekën paksa lehtë

                                           Pranë teje unë mësova

                                           Se si lindin rrufetë.” (Padashur)

Në këtë relacion, prekje duarësh – lindje rrufesh, autori demonstron hapësirat e tij shpirtërore, të cilat trasmetojnë ndjesinë refraktare të shkaktuar nga një çast erotik sublim. Këtu shfaqen hapësira të gjera të demonstrimit shpirtëror e mbi të gjitha, heshtja lirike përzier me përvuajtjen e thellë të mungesës. Në këtë mënyrë, Bajrami, krijon një univers shpirtëror të dualizuar me ndjenjën dhe aktin e saj dramatik ç’ka aktivizon fuqishëm“syrin e ciklonit” dhe poezia merr gravitet, bëhet e qartë e perceptueshme, e ëmbël dhe mjaft sensible:

                                            Një ikje pa kthim koke

                                            Dhe pa asnjë shpjegim

                                            S’e di, s’e di akoma

                                           Ç’ish gjithë ai zemërim? (Lulja “mos më prek”)

Metafora te Bajramit është një tjetër burim energjie, një“superstrukturë”e rëndësishme e krijimtarisë së tij,  për të cilën kanë folur e komentuar studiues të ndryshëm të poezisë së tij. Ajo është e  freskët, origjinale dhe mjaft funksionale, por unë do evidentoja faktin e aktivizimit të saj në ca momente të veçanta, atëherë, kur ai i këndon (vajton) ikjes, largimit, ndarjes, braktisjes. Pikërisht në këto momente, metafora e tij merr dritë hënore e shfaqet me gjithë shkëlqimin e saj verbues:

                                      “Nga ky shkak zogjtë kanë ikur larg,

                                          Kanë marrë me vete dhe foletë.” (Lirikë e djersitur)

Apo:

                                        Unë sytë e mi i kam bërë kishë,

                                        Ku vijnë të falen orët e mallit. (Mungesë)

Së fundi, dua të theksoj edhe faktin se poezinë e Bajramit e gjallon një unitet i brendshëm, një shtjellë logjike që bazohet mbi parimin e kronologjisë së veprimit apo rrjedhës dinamike të saj. Kjo është tregues i pjekurisë artistike të autorit, pjesë e pjekurisë së tij profesionale. Shpesh kjo poezi shfaqet si një pentagram i mbushur me nota të trishta muzikore që kumbojnë , duke fshikur ëmbëlsisht shpirtrat e lexuesve si një fllad i freskët pranveror. Është simfonia poetike e tij dhe pikërisht këtu qëndron edhe një nga arsyet e përhapjes masive të kësaj poezie dhe të reflektimit të menjëhershëm të lexuesit ndaj saj. Dhe natyrisht, për të gjitha këto, poezia e Agim Bajramit, duhet konsideruar një kapitull i nderuar i letërsisë së sotme shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.