POEZIA BASHKËKOHORE PROMOVOHET ME PIKATORE!

A thua se ora e letrave tona poetike të ketë ngecur në vend dhe ne paskemi udhëtuar gjithë këtë kohë në shkretëtirë?

Agim BAJRAMI

Me ka rastisur disa herë të jem i ftuar nëpër aktivitete te ndryshme letrare, organizuar në kuadrin e muajit të letërsisë dhe arteve apo evente të tjerë festive nëpër shkolla të ndryshme publike dhe private, dhe ajo që më ka bërë përshtypje është se repertori i interpretimit nga nxënësit e këtyre shkollave, ka qenë pothuajse i njëjtë me atë që mbaj mënd unë nga vitet e mia të fëmijërisë dhe rinisë, me një përjashtim fare të vogël. Kanë hequr “Nëna Shqipëri” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe i kanë zëvendësuar me “Bagëti e bujqësi” e NaimF rashërit, “Poema e mjerimit” e Migjenit, “Kur ti të jesh mërzitur shumë” e Agollit, shumë shumë dhe me ndonjë fragment nga “Lahuta e malcisë” e Fishtës. Mund të kem harruar edhe ndonjë fragment nga “Hakërrimë” e Ali Asllanit dhe Pashko Vasos, por megjithatë nuk besoj të kem gabuar shumë në këtë drejtim. Duke i kundruar gjërat nga pozita e një krijuesi dhe dashamirësi të fjalës së bukur, më lind e drejta t’i bëj pyetje atyre që merren me hartimin e programeve te letërsisë në vite dhe vetë organizatorëve përgjegjës. Vetëm kaq pak autorë me emër ka nxjerrë poezia shqipe,që ju ulni e ngrini në çdo aktivitet po ata. A thua se ora e letrave tona poetike të ketë ngecur në vend dhe ne paskemi udhëtuar gjithë këtë kohë në shkretëtirë? A ka pasur vazhdimësi rrjedha poetike tek ne apo …

Për një njohës të mirë të këtij zhanri, pyetje të tilla tingëllojnë absurde dhe natyrisht që nuk do të jetë dakord,por faktet e konstatuara në terren flasin me gjuhën e të parit. Nga shumica e nxënësve, pak ose aspak, njihen poetët e vërtetë bashkëkohore Fryma e nënçmimit ndaj krijimeve me tendencë soc -realiste,që u ngrit menjëherë mbas viteve 90 -të, vijon të jetë prezente akoma. Jam dakord se nuk është mirë të vazhdojmë t’iu injektojmë brezave ende krijime të infektuara nga kjo rrymë,por ky boshllëk mund të mbushet me krijime me vlerë nga poetë të mrekullueshëm dhe antikonformiste, si Genc Leka,Vilson Blloshmi,Vehbi Skënderi etj,që e kanë kundërshtuar dhe paguar me burg dhe jetë metodën zyrtare të realizmit socialist, në emër të lirisë e tyre së mendimit dhe krijimit. Nëse për opinionet e disave ata nuk ia vlejnë,përse ngurrohet ende për t’i njohur nxënësit me brezin e poetëve të spikatur të pas viteve 90, si Frederik Reshpja, Ndoc Gjetja, Visar Zhiti, Ali Podrimja, Agim Gjakova, Mirko Gashi, Skender Buçpapaj, Ilirian Zhupa, Petrit Ruka, Skënder Rusi, Luljeta Lleshanaku etj., krijimtaria e të cilëve është botuar dhe përkthyer në shumë antologji poetike të Evropës dhe botës,duke u nderuar edhe me çmime të rëndësishme. Poetë të tillë jo vetëm që janë një vazhdimësi e bukur e traditës sonë më të mirë,por edhe e kanë ngritur atë në stade më të larta artistike. Në këtë rast, nuk do të bëja me faj vetëm hartuesit e programeve mësimore,por edhe drejtoritë arsimore dhe iniciativat e pakta të mësuesve përkatës, të cilët ende nuk e kanë kuptuar rolin e tyre si misionarë të përhapjes të së resë. Duhet të jenë ata që me përzgjedhjet e tyre profesionale të bëhen përçues të arritjeve tona tradicionale dhe bashkëkohore. Është e qartë se shumica e tyre nuk kanë as informacionin më të vogël të gjendjes në të cilën ndodhet poezia jonë me emrat e saj më përfaqësues.Kam qenë dhe do të jem gjithmonë kundër tendencave mohuese të dikujt, që në emër të modernes bën thirrje për mohimin e vlerave të letërsisë së shkuar,ashtu siç nuk do të isha dakord kurrsesi me një pjesë tjetër që me mënyra dhe forma të ndryshme bëjnë gjithçka për të penguar promovimet e krijuesve të bashkëkohësisë, stilet,prirjet dhe shkollat e reja poetike, që e kanë bërë poezinë tonë të qëndrojë në të njëjtin nivel me letërsitë e vendeve të zhvilluara. Elementët e rinj artistikë dhe profilet interesantë, që kanë krijuar ata në vite, nuk mund të fshihen me një të rënë të lapsit vetëm për shkak të shijeve të mangëta ose të kulturës së mangët të dikujt, që e ka në dorë këtë punë. Letërsia tradicionale dhe ajo bashkëkohore janë pjesë e së njëjtës familje dhe si të tilla ato plotësojnë më së miri njëra tjetrën. Një tendencë e tillë vend-numëro, jo vetëm krijon boshllëqe në kulturën letrare të nxënësve,por dhe një realitet të gënjeshtërt të gjendjes së saj faktike. Njëkohësisht, i demotivon dhe i fyen rëndë krijuesit e sotshëm të poezisë sonë bashkëkohore në punën dhe përpjekjet e tyre krijuese. Nëse do të kishte një reflektim të thellë nga ata që e kanë në dorë këtë punë, gjëja e parë që duhej t’u bëhej do të ishte pasurimi i bibliotekave të shkollave me librat më të mirë të këtyre poetëve dhe diskutimet krijuese rreth vlerave të tyre. Nuk do ishte keq që në to të thirrej herë pas here edhe ndonjë individualitet i njohur i kësaj fushe,ose studiues. Përsa i përket hartimit të teksteve shkollore në të ardhmen, del si domosdoshmëri kërkesa që hartuesit e tyre të zgjidhen nga radhët e kritikëve dhe studiuesve më të mirë në vend,atyre që i njohin mirë rrjedhat dhe trendet e poezisë. Lënia e tyre në duar të amatorëve dhe botuesve profanë,është e gabuar dhe me pasoja afatgjata…

Leave a Reply

Your email address will not be published.