Sa mahnitëse është që një poet me një përulësi kaq të madhe (ndaj humusit, tokës) është në gjendje që strofën e fundit, ta mbyllë duke folur si vdekatar
Philip METRES
Arseni Tarkovski (1907–1989) është një prej poetëve prijës në poezinë ruse, të dalë nga epoka sovjetike, megjithëse, siç thuhet, shumicën e kohës është marrë me përkthime të poezisë aziatike. I biri, Andrei Tarkovskij, filmbërës, u dha një jetë tjetër vargjeve të tij.
Poezia e Tarkovskit demonstron pasurinë e poezisë ruse, të prirë siç është nga muzika e saj dhe nga një shumëllojshmëri mahnitëse e metrave dhe skemave të rimës; përkthimi ynë, siç e përcaktuam, duhet të bëjë çdo përpjekje për një muzikë paralele (në mos tamam korresponduese). Për shembull, në portretin e tij të kohës së luftës “Një i verbër po udhëtonte…,” Tarkovski praktikon një trimetër daktilic (plus një ritëm përfundimtar) në varg distik që u bën jehonë metrave të këngës popullore të lirshme të Nikolai Nekrasovit, duke krijuar një efekt keqtingëllues me fotografinë e zymtë të një të verbri në një tren mallrash gjatë pushtimit nazist. Pothuajse rastësisht, fillova ta dëgjoja poemën si amfibrah, një këmbë e pazakonshme tripjesëshe (e patheksuar-e theksuar-e patheksuar) dhe pastaj punova për ta hequr atë valle gati deri në fund.
Pa një ritëm dhe rimë, do të rrezikonim ta kthenim Tarkovskin në një realist socialist standard, duke humbur atë qepje tingulli dhe vizioni që e bën poezinë e tij të qëndrueshme. (I kam dhënë vetes pak liri me kuptimin, por kryesisht si një mënyrë për të mos e thyer artikulimin.
Te “Për poemat”, panteizmi karakteristik kristian i Tarkovskit ngrihet në sipërfaqen e poemës, si e gjelbra e papritur në pranverë. Vijat përfundimtare paraqitnin një problem që u qartësua nga F.D. Reeve, i cili vërejti se «Sytë e barit» u referohet fushave me bar, që janë të mbushura me lule të egra, «sytë» e të cilëve do të mbillnin farën në tokë.
Në atë që është një problem tepër tipik në përkthim, ajo që dukej si një surrealizëm i pastër i thellë “Sytë e barit” ishte një kërcim bashkëshoqërues nga një vend në një vend tjetër, shumë mbi tokë dhe nën tokë. Sa mahnitëse është që një poet me një përulësi kaq të madhe (ndaj humusit, tokës) është në gjendje që atë strofë të fundit, ta mbyllë duke folur si vdekatar.
Arseni Tarkovski
NJË I VERBËR I HIPUR NË NJË TREN PA NGROHJE
Një i verbër i hipur në një tren pa ngrohje,
Nga Brianski po udhëtonte për në shtëpi me fatin e tij.
Fati i pëshpëriti diçka që i gjithë vagoni mundi ta dëgjonte:
Pse duhet ta vrasësh mendjen për verbërinë dhe luftën?
Është mirë, po i thoshte, që ti nuk sheh dhe je i varfër.
Po të mos ishe i varfër, nuk kishe për të mbijetuar.
Gjermanët do të të kishin vrarë, ti ishe askushi për ta,
Lermë të ta vë këtë çantë në sup.
Atë me vrima, të grisurën bosh.
Më lër të të ngre qepallat sa më lart.
I verbri po udhëtonte për në shtëpi me fatin e tij
Tani falënderues për verbërinë. I lumtur që e kish.
(Përktheu: Irena Dono)