POEZIA E BEQIR MUSLIUT

Arsenali i tij poetik përbëhet nga një varg figurash, simbolesh, formulash, toposesh dhe mjetesh tjera gjuhësore-stilistike, të huajtura nga folklori, mitologjia dhe historia kombëtare ose e krijuar në mënyrë të pavarur dhe individuale

Sherif SELIMI

Beqir Musliu është njëri nga poetët e letërsisë shqiptare, krijimtaria letrare e të cilit korrespondon me poetikën e simbolizmit europian dhe është në përputhshmëri të plotë. B. Musliu është në të njëjtën vij të krijimit me Edgard Alen Poen, Sharl Bodlerin, Stefan Malarmen, Pol Verlenin, etj. Sipas tyre, përveç të bukurës, si kategori estetike ekziston edhe e shëmtuara, apo ,,bukuria e zezë”. Konceptet poetike të Musliut janë në të njëjtën vij me ta, kur është fjala për aktin e krijimit. Edhe poezia e B. Musliut përputhet me dis-harmoninë, që vije si rezultat i tragjikes. Sipas Aleksandër Bllokut: “poezia më tepët ,,zbulohet se sa që shkruhet dhe pastaj bëhet medium, që ajo vetë e përcjell mesazhin, prej një paraforme të ekzistimit të saj”. Nëse ndalemi ta zbulojmë poezinë e Beqir Musliut, do të shohim se ajo do të bëhet medium, që do ta përcjellë mesazhin përmes simboleve që i merr nga folklori, mitologjia dhe historia kombëtare ose të krijuara në mënyrë të pavarur-individuale, duke qenë në kontakt me kulturat tjera, që mund të trajtohen si paraforma të ekzistencës së saj.

“Nuk ka dyshim se B.Musliu është poeti me fantazi të pasur dhe kërshëri të gjerë krijuese… Arsenali i tij poetik përbëhet nga një varg figurash, simbolesh, formulash, toposesh dhe mjetesh tjera gjuhësore-stilistike, të huajtura nga folklori, mitologjia dhe historia kombëtare ose e krijuar në mënyrë të pavarur dhe individuale (shumë herë edhe në kontakt me literaturën e lexuar). Mirëpo, derisa simbolet e marra nga folklori, mitologjia dhe historia kombëtare, çfarë janë Rozafa, Gjergj Elez Alija, Albanopolo, Dardania, Kulla, etj., apo edhe nga mitologjia antike e orientale (Feniksi, Promoteu, Sizifi, Sazamet etj.), rrezatojnë kuptime pak a shumë të afërta dhe të kapshme për lexuesin, simbolet e ashtuquajtura private, individuale, …(p. sh., bukuria e zezë, fyelli i humbur, trëndafilat e drujtë, lumi që ka aromë trëndafili, druri i zi, etj.)”.

Poezia e Beqir Musliut, përveç se e njeh poetikën e simbolizmit, ajo e njeh edhe poetikën e surrealizmit dhe hermetizmit. Kështu duket qartë se ai e kundërshton formën e krijimtarisë letrare të realizmit socialist, që zhvillohej aso kohe në letërsinë shqiptare (në veçanti në Shqipëri, që ishte vënë në shërbim të politikës). Kështu, Beqir Musliu me poezinë e tij e kundërshton logjikën utilitariste (art për masën) dhe e sjell konceptin art për artistin. Beqir Musliu e ka kuptuar se në letërsinë evropiane simbolizmi ishte formacioni i parë stilistiko-letrar që e ka mohuar realizmin dhe natyralizmin, kurse kontinuitetin e kërkonte me një formacion tjetër stilistiko-letrar, pra me romantizmin, duke iu kthyer individualizmit. Kështu, simbolistët e përjashtojnë utilitarizmin (art për masën), që ishte karakteristike për poetikën e realizmit dhe i kthehen lartpularizmit (art për art), që do të jetë karakteristike për të gjitha fraksionet e modernizmit dhe postmodernizmit. “Duke qenë poet me imagjinatë të pasur, por të padisiplinuar në masë të duhur, B. Musliu sjell një materie (lëndë) po ashtu të pasur poetike, por edhe të pasistemuar dhe të paseleksionuar sa duhet”. Agim Vinca kur thotë se poezia e B.Musliut është “e pasistemuar dhe e paseleksionuar sa duhet”, na bën të kuptojmë se është fjala për tekstin automatik, në artin figurativ e kemi pikturën automatike, bazuar në aspektin psikik si pjesë e funksionimit të nënvetëdijes, që nënkupton mbretërimin e lirisë, pra që është karakteristike për poetikën e surrealizmit. 

“Arbitrariteti i shenjave dramatike dhe teatrore, mungesa e një konsekuence artistike, është pasojë e tipit të shkrimit automatik, surrealist, asociativisht të pakontrolluar”. Sipas teorisë së Rolan Bartit, kemi vdekjen e autorit dhe lindjen e lexuesi. Kështu, përjashtohet autori dhe vihen relacionet midis tekstit-veprës dhe lexuesit. Pra, atëherë nuk është me rëndësi të merremi me autorin, por me poezinë e Beqir Musliut. Mund të themi sepoezia e Beqir Musliut paraqet revoltën kundër realizmit, e në veçanti kundër realizmit socialist, madje poezia e tij e njeh poetikën e simbolizmit, poetikën e surrealizmit dhe poetikën e hermetizmit. Nga ana tjetër edhe sikur në mënyrë të pavetëdijshme t’i kishte krijuar këta forma të poezisë, sipas Zhak Lakanit edhe pavetëdija është gjuhë. Por, Beqir Musliu këtë e bën në mënyrë të vetëdijshme, poezia e tij korrespondon me poetikën e simbolizmit, surrealizmit dhe hermetizmit. Pra, meqenëse poezia tij i njeh këta forma, kjo është edhe një dëshmi shtesë që e përforcon bindjen e Nehas Sopajt, se me Beqir Musliun fillon postmodernizmi në letërsinë shqiptare. “Nga natyra e shkrimit, krahas mungesës së narracionit (që mund të na presupozonte titulli, pra baladë a legjendë), hartimi letrar që lexojmë këtu, pothuaj me asgjë nuk dallon nga hartimet tjera të pjesës së parë të librit, që s’janë veç ,,legjenda” e ,,balada”, mandej këto hartime të pagëzuara si legjenda e balada edhe në dy librat e parë të autorit, po si edhe në të gjitha librat tjerë të mëpastajme, vazhdojnë të jenë problem i leximit të lexuesit si do ai t’i pagëzojë, vjersha apo poema, sepse ato janë poezi të pastra të mbindërtuara ashtu siç ndodh në artin post-modern”. (Nehas Sopaj Individualitete letrare i Beqir Musliu (studim) Shtëpia Botuese Rozafa, Prishtinë , 2008).   

Simbolet e marra nga folklori, mitologjia dhe historia kombëtare, në poezinë e Beqir Musliut na dalin si balada e legjenda: Legjendat mbi vorret e krushqve, Gjergj Elez Alia ose Balada përbalozin shtatë krerësh, Motra me nandë vllazën dhe përalla e përhimtëose Balada për shtatë ditë e shtatë net, të cilat shërbejnë si forma intertekstuale. Intertekstualiteti në kuptimin e ngushtëtë fjalës paraqet pjesët që gjejnë më pak ose më shumë vende konkrete të komunikimit me një tekst tjetër. Këtu baladat dhe legjendatkombëtare hyjnë në poezinë e B. Musliut dhe marrin dimension të ri. Kjo tregon se është fjala për paraqitjen e një dukurie të re në hapësirën e letërsisë shqiptare, konkretisht në poezinë e B. Musliut.

P.S.

Poshtë shënimet për shkaqe teknike janë mënjanuar

Leave a Reply

Your email address will not be published.