Sibel Halimi, poete dhe sociologe
Poezia e mirë përmban ADN e autorit/autores, dramën dhe dilemat e tij/saj, përmes të cilave ai/ajo vendos dialog me epokat para dhe pas, kulturat dhe botëkuptimet tjera.
Intervistoi: Zyrafete SHALA
Sibel Halimi është poete dhe sociologe. Deri më tani ka botuar katër vepra me poezi: “Kopshti i mëkateve”, “Qenia nuk banon këtu”, “Me ekzistu është vetë kuptimi”, “Zoti më dashuron mua” si dhe përmbledhjen eseistike “Shoqëri në alarm”.Aktualisht ajo është duke doktoruar me temën “Trupi si konstrukt shoqëror: Drejt sociologjisë së trupit në Kosovë” dhe është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës. Njihet si aktiviste për barazi gjinore dhe të drejtat e grave. Me angazhimin e saj, ka arritur që disa çështje që kanë të bëjnë me gratë, t`i vë në fokus të debatit publik.
HEJZA: Angazhimi juaj jetësor e profesional zhvillohet mes dy fushave të ndryshme, sociologjisë dhe poezisë; në cilën nga këto të dyja mendoni se arrini të kontribuoni më shumë?
S. HALIMI: Sociologjia dhe poezia si një simbiozë janë të përbrendësuara në krijimtarinë time. Ndaj, si të tilla ekzistojnë duke qenë të pandara, thuajse e ndihmojnë njëra – tjetrën për të mbijetuar.Në relacion me sociologjinë, e cila kundron realitetin ashtu siç është, poezia ta jep mundësinë e projektimit të diçkaje që të bën të ndihesh mirë, njëfarë shtegtimi imagjinar për të dëshirueshmen. Kur shpresa humbet, poezia ta jep mundësinë e konceptimit të vetes në relacion me të tjerët, ajo është shpëtim.
Trajtimi i fenomeneve sociologjike në shoqërinë kosovare, shpesh më ngjason me njëfarë vargëzimi sociologjik. Poezia, është një lloj zgjatimi, ku fenomenet marrin trajtë artistike, e vargu shndërrohet në revoltë, indinjatë, ndaj si i tillë nuk e përmbush veten vetëm në aspektin metrik. Poezia është shëmbëllim i vetvetes, katarsis dhe nostalgji për atë që s`e ke, për atë që e do dhe për atë që mbase mund të mos jetë e arritshme kurrë. Shprehja nëpërmjet vargjeve është ngarendje pas lirisë, ngase aty përplotësohet uni dhe dëshmohet se liria individuale është mbi të gjitha.
HEJZA: A ju kujtohet momenti apo periudha kur për herë të parë e keni ndjerë nevojën për të shprehur ndjenjat përmes poezisë?
S. HALIMI: Kujtoj veten të shqetësuar me ambientin shoqëror që më rrethonte. Nuk kam mund asnjëherë të qëndroj indiferente karshi tjetrit/tjetrës, nëse do të gjendej në pozita diskriminuese. Prandaj, shkruaja për të qenë zëri i të pathënës dhe kështu ndihesha e çliruar.
HEJZA: E keni ende poezinë tuaj të parë?
S. HALIMI: Poezinë e parë nuk e kam, por para një vitit arsimtari im i letërsisë në sirtarin e tij prej mësimdhënësi e kishte poezinë që e kisha shkruar në klasën e IV, i vetmi kujtim poetik i fëmijërisë sime. Poezia titullohej “Lamtumira e përgjakur”.
HEJZA: Edhe pse poezia i bashkon të gjithë poetët në një komunitet, arsyet e të shkruarit të saj janë të ndryshme për secilin poet. Madje, pikërisht këtu lind edhe relacioni specifik mes poetit dhe poezisë; thënë ndryshe, këtu formësohet mënyra e trajtimit të poezisë nga ana e poetit. Cila është marrëdhënia juaj me poezinë? (Çka është poezia për ju? Pse shkruani?)
S. HALIMI: Poezia është thelbësorja e ekzistencës.Vështirë të arrij ta përkufizoj dhe të vë në korniza, madje edhe të personales. Por, nëpërmjet poezisë arrij të ballafaqoj veten me të jashtmen. Shpëtohem nga vetja dhe të tjerët kur shkruaj. Shpeshherë reflektoj se si do të duket jeta ime pa shkrimin, poezinë. Mbase e kufizuar në fizikën. Me poezinë arrij të arratisem nga definimet, të cilat na mbajnë peng të ngujuar në realitetet e paracaktuara. Ndaj, çlirimin që ma sjell poezia, frymëzoj e inspiroj lirinë edhe për gratë.
Sigurisht, kur shkruajmë jemi të vetmuar dhe të shqetësuar jo për veten e të tashmen, sa për të ardhmen e afërt e gjeneratat që vijnë. Natyrisht, letërsia ndër të tjera ka edhe një mision politik. Me politikë nënkuptoj frymën që tentojmë ta krijojmë. Premisa, nëse mund ta emërojmë kësisoj, e poezive të mia e ka fokusin te gratë, jetën dhe padrejtësitë që u bënë asaj përgjatë historisë.
Saherë që mendoj për ta konceptuar gruan, më duket sikur ia bëj të padrejtën e radhës sikurse vetë historia. Të gjitha etapat, duke e përfshirë edhe feminizmin, janë përpjekur për të definuar atë, ndaj në këtë ngarendje me dashje apo jo, ne kemi vendosur gruan brenda projeksioneve tona. Ajo është përtej konceptimit shoqëror dhe politik. Gruaja dhe liria janë të disiplinuar dhe kontrolluar duke përcaktuar role dhe përgjegjësi statike, andaj gruan nuk mund ta konceptoj ndryshe, përpos si liria vetë. Pa mëdyshje, nocionin grua do ta kisha zëvendësuar me liri, ndoshta vetëm në këtë mënyrë do t`i kishim zbutur mëkatet ndaj saj.
HEJZA: Si e shihni rolin tuaj si poete dhe sociologe në shoqërinë moderne? A mendoni se mund të jeni një zë i rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet sociale dhe promovimit të ndryshimit në shoqëri?
S. HALIMI: Ndërgjegjësimi nuk lind, por është diçka që zhvillohet dhe rritet përmes edukimit, përvojës dhe reflektimit. Një person me ndërgjegjësim të lartë është i aftë të reflektojë mbi veprimet e tij, të vlerësojë ndikimin e tyre në të tjerët dhe të marrë vendime të përgjegjshme.
Prandaj, në këtë rrugëtim, për të arritur ndryshimin na duhet një angazhim gjithë shoqëror. Rrjedhimisht, qëllimi brenda meje ekziston dhe jeton pamëdyshje. Sigurisht, shkruaj për të bërë ndryshimin, gjithmonë për një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë për njerëzit. Ndërsa, sa arrij të ndikoj, besoj që vetë nuk arrij ta konkludoj.
HEJZA: A mendoni se poezia ka kapacitetin për të ndryshuar mendësitë dhe qëndrimet e njerëzve në lidhje me çështjet sociale? Na veçoni ndonjë poezi tuajën?
S. HALIMI: Poezia është një mjet shumë i fuqishëm për të shprehur emocione, për të eksploruar thellësisht temat e ndryshme dhe për të nxitur reflektimin dhe ndryshimin e mendimit.
Krijon lidhje emocionale midis lexuesit dhe autorit, duke i bërë lexuesit të ndjehen të përfshirë në përvojën dhe perspektivën e tjetrit. Ajo mund të ndezë imagjinatën dhe të hapë mendësinë e lexuesit ndaj një realiteti të ndryshëm, duke shfaqur perspektiva të reja dhe duke shkaktuar reflektim mbi qëndrimet dhe besimet ekzistuese.
Përmes fjalës së saj të fuqishme, mund të përcjellë mesazhe të rëndësishme për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, diskriminimin, padrejtësinë sociale, varfërinë, luftën, paqen dhe shumë tema të tjera të rëndësishme shoqërore. Ajo mund të krijohet për të shkaktuar emocione të forta te lexuesi dhe për të ndërmarrë një thirrje për ndryshim.
HEJZA: Emri dhe angazhimi juaj është i lidhur edhe me lëvizjen feministe, gjegjësisht lëvizjen për të drejtat e grave dhe çlirimin nga kthetrat e patriarkalizmit. Krahas këtij motivi, që zë vend të veçantë në krijimtarinë tuaj, cilat motive të tjera nga tema sociale ju interesojnë më shumë dhe pse?
S. HALIMI: Të angazhohesh për të drejtat e grave dhe vajzave është përkushtimi dhe besimi në lirinë, barazinë dhe konceptin e shoqërisë së hapur. Ndaj, motivi për të ndryshuar shoqërinë gjithmonë në të mirë të këtyre të drejtave është angazhimi sublim. Mbase, është borxhi ynë ndaj vendit për të orientuar drejt emancipimit e drejt vlerave të përbashkëta evropiane, ku barazia dhe drejtësia ndaj grupeve të margjinalizuara tanimë janë të përmbushura.Prandaj, nuk kam hezituar asnjëherë të rreshtohem pas këtyre vlerave perëndimore!
HEJZA: A ekziston dallimi në mes grave dhe burrave që bëjnë letërsi, nëse konsideroni se ekziston një dallim i tillë?
S. HALIMI: Ndoshta më mirë do të shqyrtoja konceptet ndërmjet “letërsisë femërore” dhe “kritikës feministe”. Konceptimi fillestar i letërsisë femërore duket te jetë projeksion patriarkal, përpjekje për të kornizuar letërsinë e grave brenda gjinisë. Derisa e dyta është kritikë, perspektivë feministe mbi traditën letrare, rolet e kufizuara që u atribuoheshin personazheve fiktive të shkrimtarëve si dhe njohjen e shkrimit të grave. Kritika feministe gjatë tri dekadave të fundit na shpie në fokusimin dhe tematizimin e nënshtrimit letrar të grave, përjashtimin e tyre e gjer tek analiza e konstruksionit dhe prezantimit të gjinisë brenda diskursit letrar.
Andaj, si e tillë, kritika feministe i ndihmoi institucionalizimit dhe legjitimimin e feminizmit si vlerë akademike, falë përpjekjes së shumë teoriticienteve dhe shkrimtareve feministe, si Mary Wollstonecraft, Madame de Stael, George Eliot, Margaret Fuller, Rebeka West, Virginia Woolf, Simon de Beavoir e Judith Buttler.
Derisa në Kosovë roli i grave në letërsi dhe në art, ende është konceptualizuar në kuadër të paradigmave patriarkale. Vetëm nëse marrim pjesë në grupet letrare, shohim që ekziston një dominim i shkrimtarëve burra, të grumbulluar në grupe të caktuara, të cilët janë në shpërputhje të madhe në mes asaj çfarë shkruajnë dhe çfarë mendojnë e kush janë në të vërtetë. Letërsia duhet të jetë, ndër të tjera, dhe ngacmuese në nervin dhe kallon e shoqërisë patriarkale, duhet të ketë misionin emancipues, në të kundërtën do t`i përshtatet rahatisë që ua sjell ky sistem. Por, edhe një element i rëndësishëm ka të bëjë me letërsinë e mirëfilltë, e cila duhet të bashkëjetojë me kritikën letrare.Vetëm kësisoj veprat arrijnë të tejkalojnë provincialen dhe të jenë e krahasueshme me letërsinë moderne.
HEJZA: Si u lidh poezia me angazhimin tuaj feminist dhe sa ju ka shërbyer ajo që zëri juaj në mbrojtje të të drejtave të grave të dëgjohet më shumë? A mendoni se poezia ka aftësinë të ndikojë në ndërgjegjësimin shoqëror për çështjet e femrave?
S. HALIMI: Zëri poetik është Zëri i gruas në liri dhe për lirinë, të vetes dhe tjetri/tjetrës. Poezia e vërtetë është edhe manifest estetik që ndërgjegjëson njeriun se në këtë botë nuk është vetëm. Që i flet njerëzimit me zërin më sublim dhe më të butë për tjetrin/tjetrën brenda nesh!
HEJZA: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat një poete feministe përballet në botën e poezisë?
S. HALIMI: Sfidat e poeteve feministe në botën e letrave janë tronditja dhe çarja që shkaktojnë në botën e kontrollit të burrave dhe sëdyti, gratë që i përkasin shoqërive (shteteve) të vogla dhe shkruajnë në gjuhët e vogla, natyrisht se mund të mos dëgjohen përtej stereotipeve për ato shoqëri, kultura dhe gjuhë.
HEJZA: Si e vlerësoni pranimin dhe perceptimin e poezisë sociale nga publiku? A mendoni se ka më shumë ndërgjegjësim dhe interesim për këtë lloj poezie sot në krahasim me të kaluarën?
S. HALIMI: Poezia sociale ka ndjekës në çdo epokë, por ajo i nënshtrohet rrezikut që të tjetërsohet në programe ideologjike. Sot, poezia sociale nuk flet më për skamje, por për vetmi dhe humbje në fshatin global dhe teknologjinë e lartë.
HEJZA: Ku e gjeni ju inspirimin tuaj në çështje sociale, apo personale? A keni faza kur edhe bllokoheni, nuk mund të shkruani?
S. HALIMI: Vështirë të bëhet një dallim i prerë në mes personales dhe sociales në të shkruar. Përditshmëria sociale është pjesë e pandashme dhe jo vetëm. Rrugëtimi i njeriut në ngjarjet politike dhe shoqërore janë inspirimi im. Prandaj, nëpërmjet poezisë përpiqem të çliroj njeriun nga dogmat e ndryshme që ia zënë frymën atij, e në këtë synim e çliroj edhe veten. Por, nuk e di nëse e kisha emëruar “moment bllokim”, ndoshta do të ishte më mirë ta quanim “moment reflektimi!”, por nëse për ju është bllokim, në rregull jemi, nuk ka asgjë të keqe as nga formulim i juaji!
HEJZA: Cili është projekti ose angazhimi më i rëndësishëm me të cilin po merreni në këtë kohë?
S. HALIMI: Ka dy dekada që vazhdimisht jam munduar të shtyj përpara kauzat të cilat mendoj se janë tejet të rëndësishme për zhvillimin e vendit, përmes pozitave të ndryshme, kryesisht studimeve, letërsisë dhe angazhimit publik. Ndërsa tash jam angazhuar politikisht në mënyrë aktive në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Besoj fuqishëm që vlerat për emancipimin dhe të drejtat e njeriut të cilat synoj t`i promovoj me poezinë dhe sociologjinë, ta prekin ndryshimin nëpërmjet politikës. Poashtu kam filluar një cikël të bashkëbisedimit në Kosovë dhe jo vetëm për të iniciuar debat lidhur me disa tema kruciale të zhvillimit të shoqërisë sonë.
Jashtëzakonisht e lumtur që njerëzit tanë shprehin interesimin për ta marrë timonin e ndryshimit me synim shoqëritë e emancipuara, por fatkeqësisht vendi ynë është ngulfatur nga temat të cilat nuk po ndikojnë në ndryshimin e përditshmërisë së tyre. Ndaj, duke qenë sociologe nuk mund të rrija pasive duke soditur gjendjen që e kemi në kontekstin e të drejtave të njeriut dhe grave, ndaj kam marrë iniciativën e këtij dialogu social.
HEJZA: Çfarë në të vërtetë nënkupton emërtimi i librit tuaj me poezi “Me ekzistu është vetë kuptimi”?
S. HALIMI: Njeriu kosovar është i instrumentalizuar nga politika, religjioni dhe konsumerizmi dhe si rezultat ne e kemi humbur atë si një mendje kritike. Ne, thjesht sot e takojmë njeriun që i përket grupeve të ndryshme, kolektives, kokë ulur, e në një ambiguitet të thellë. Prandaj, mesazhi i titullit ka të bëjë me zhveshjen e njeriut nga kuptimet që e emërtojnë identitetin personal, çlirimin e tij nga kuptimet që i japin vlerë e si rrjedhojë duke mos qenë vetja, njeriu është i humbur.
Ndonëse, rruga për të vetja është e gjatë, prandaj si fillim thjesht duhet t`i gëzohemi ekzistencës, pavarësisht pasigurisë e konfuzionit që mund të shkaktohet nga fakti që nuk i takojmë askujt. Por, po bëhemi të vetëdijshëm për veten, ne e kemi bërë hapin e parë drejt vetëdijes mbi jetën tonë e shoqërores, vetëm kësisoj mund ta shpëtojmë lirinë.
HEJZA: Gratë dhe dhuna ndaj tyre, si mund ta konceptoni?
S. HALIMI: Për t`i ndryshuar paradigmat shoqërore shtypëse ndaj grave është i domosdoshëm një projekt shumëdimensional i fuqizimit të vajzave dhe grave. Por, më e rëndësishmja është ndërgjegjësimi gjinor e rritja e vetëdijes lidhur me rëndësinë e barazisë gjinore në vend. Ne duhet të përqendrohemi në identifikimin e shkakut të pabarazisë, nëpërmjet luftimit të stereotipeve e ndarjes tradicionale të roleve gjinore prej edukimit të hershëm.
Trajtimi i gruas si viktimë i ka ndihmuar shoqërisë për të uniformuar atë në një të vetme, sepse duke i parë të tilla, kultura patriarkale i ka më të qarta dhe më të definuara pozitat karshi disiplinimit, kontrollit e pushtetit.
Dhuna ndaj gruas asnjëherë nuk duhet trajtuar dhe identifikuar vetëm me termet të cilat e përforcojnë pozitën e të qenët viktimë. Çdo përpjekje për të lokalizuar gruan në viktimë përgjatë trajtimit të dhunës ndaj saj, krijon një normë të re kulturore që përmes gjuhës e shndërron viktimën dhe dhunën në ‘normalitet’. Andaj, kur flitet për dhunën ndaj gruas, në prapaskenë domosdoshmërish do të përfshihen nocionet si fuqizim e emancipim.
HEJZA: Sa mund të njihet autori nga poezia e tij? Sa shprehet personaliteti juaj në vargjet tuaja?
S.HALIMI: Poezia e mirë përmban ADN e autorit/autores, dramën dhe dilemat e tij/saj, përmes të cilave ai/ajo vendos dialog me epokat para dhe pas, kulturat dhe botëkuptimet tjera.
HEJZA: Poezitë në të shumtën e rasteve shprehin preokupime mjaft personale, për shembull dashurinë, frikën dhe vetminë. Poetët shpesh i mbajnë këto poezi për vete pasi janë shumë zbuluese. Keni ndonjë poezi që preferoni ta mbani për vete dhe nëse po, për çfarë bëjnë fjalë?
S. HALIMI: Robert Frost shkruan se ‘të jesh poet është një gjendje…’, atëherë nëse ne fshehim dhe e mbajmë të ndrydhur këtë gjendje, ne e mbajmë të mbyllur të vërtetën për njeriun.
Prandaj, vështirë të flasim për këtë dimension, meqë konsideroj që poetët nuk do të duhet të kishin dilema të tilla. Poezia mban ekzistencën e vet nëpërmjet dashurisë, dhembjes, frikës e vetmisë, nëse poetët fshehin njerëzoren, i shërbejnë vlerave dominuese të një shoqërie. Prandaj, shkruajmë, për ndjenjën e njeriut, për t`ia lehtësuar atij që nuk është vetëm.
HEJZA: Si e shihni poezinë shqipe sot?
S. HALIMI: Poezia shqipe sot i përshtatet konditave të reja sociale, e larmishme në subjekt, por edhe në rritje të numrit të poeteve. Mbase, zhvillimi i teknologjisë e ka mundësuar shpërfaqjen e poetëve të rinj. Por, megjithatë kritika letrare është e mangët përballë vërshimit të poetëve, ndaj si e tillë vështirë të bëhet diferencimi i poetëve të mirë. Duhet t`ia lëmë kohës, mbase mund të jetë vlerësuesja kryesore.
HEJZA: Cili është mesazhi kryesor që dëshironi të shprehni nëpërmjet poezive tuaja në lidhje me rolin e grave në shoqëri?
S. HALIMI: Mesazhi thelbësor i poezisë është dialogu ndërmjet botëve, përmes trukut ose lojës gjuhësore dhe magjisë që gruan e vë në qendër të qeniesimit njerëzor, as nën as mbi dhe as manash. Ajo duke shkruar krijon një rend të vlerave një hierarki ku më së larti qëndron liria.
Gruaja duhet të jetë sinonim i lirisë! Mbase duke e menduar kështu, mund të çlirohen edhe burrat nga barra e patriarkut.