(Parathënie e vëllimit poetik “Dielli udhëton nëpër re shiu” të Xhevdet Bajrajt, botoi Shtëpia botuese DRINI, Ferizaj, 2024)
Anton Nikë BERISHA
Poezia si mënyrë komunikimi dhe mbijetimi shpirtëror
Gjithë poezia e Xhevdet Bajrajt, duke filluar nga libri i parë (“Nënë prej guri” 1988) deri tek ai i lënë në dorëshkrim dhe botuar pas vdekjes (“Angelus novus” 2023), si dhe poezitë e zgjedhura nga 13 libra që i kam përfshirë në këtë vëllim – “Dielli udhëton nëpër re shiu”, përligjin dukurinë e rëndësishme: për autorin poezia ishte një mjet – mënyrë e ngushëllimit shpirtëror e mendor, e komunikimit dhe e mbijetimit. Bajraj ka qenë i lidhur ngushtë me poezinë edhe atëherë kur s’ka hedhur në letër vargje e s’ka hartuar ndonjë poezi të plotë. Në një mënyrë ose në një tjetër, poezia për të ishte frymëmarrje, po dhe dëshmi e pasurisë shpirtërore, e një bote sa të ndieshme, po aq dhe tunduese. Pra, poezia si krijimtari shpirtërore, si komunikim, po dhe mënyrë e shqiptimit të dukurive ishte ngushtë e lidhur me jetën që e bëri dhe e përjetoi në Kosovë, po dhe në Meksiko, ku e kaloi pjesën e fundit të jetës: Duke prerë nyjën e Gordit me tehun e një vargu / Para se të më mbesë në fyt e të më mbyt / Poezia që ma dikton jeta (Blues i harruar). Megjithatë, duhet theksuar se përkundër të dhënës që poezia e tij frymëzohet dhe shpreh rrjedhën konkrete të jetës, prapë se prapë, ajo gërshetohet me përfytyrimin dhe ëndrrën. Ndodh kështu nga se poeti përmes poezisë jo vetëm shpreh pakënaqësinë dhe shqetësimet, mospajtimin dhe kundërvënien ndaj asaj që ndodh në vendin e tij dhe me njerëzit e gjakut e të gjuhës, po realitetin e përftuar përmes tekstit poetik ia kundërvë realitetit të përditshëm, konkret, që është tundues dhe tragjik, qoftë kur e shqipton jetën në kohën e luftës (shih poezinë “Pranvera 1999” e të ngjashme) dhe pas mbarimit të saj, ku liria është e “[…] rrethuar me tela gjemborë”, shenjëzim i vijimësisë së mugëtirës, i vetëdijes së fjetur të njerëzve që morën në dorë drejtimin e fatit të gjallimit në Kosovë.
Realitetit të rëndë në Kosovë (kur Kishte koha ethe, kishte koka frymë (Azem Shkreli) poeti Bajraj i kundërvihet edhe përmes shpirtëzimit të gjërave, të pamjeve, të pikturave (të natyrës së vdekur), të cilat bëhen pjesë e frymëmarrjes; ndërlidhen me shqetësimet dhe pësimet e njerëzve dhe bëjnë realitetin e tekstit poetik të përftuar përmes gjuhës.
Dy mënyrat e përftimit të tekstit poetik
Vetë tekstet e poezive të Xhevdet Bajrajt e përligjin në mënyrë të pamëdyshtë parimin krijues poetik të tij. Mirëpo, janë disa vargje – pjesë të poezive që e qartësojnë mirëfilli këtë koncept, që degëzohet në dy rrafshe kryesore: në qasjen dhe shqiptimin shumësor të njëmendësisë (realitetit) dhe të kërkimit të së bukurës, pa të cilën poezia nuk do të ishte ajo që është. Për autorin tonë poezia është, para së gjithash, ngushëllim i shpirtit, po dhe mjet komunikimi, mospajtimi dhe kundërvënie e realitetit konkret, përkatësisht e shqiptimit të tij përmes gjuhës. Pra, në disa poezi del qëllimi përkatës i tekstit të hartuar nga ai: Poezisë sime / i dashur lexues / përpiqem t’i jap vlerë njerëzore (Lexues i dashur) dhe se ishte besnik / ndaj kërkimit të tmerrshëm të realitetit (Në bregun e oqeanit). Bajraj e zbulon poezinë brenda vetvetes dhe ajo bëhet shoqëruesja e rëndësishme jetësore e tij, në hare dhe në vuajtje, prandaj poeti thotë që “kutinë e zezë” ta kërkojnë te vargjet e tij, kutinë e zezë të jetës sime / midis vargjeve të mia (Arkivoli).
Pra, poezia ishte njëjtësuar me poetin. Këtë na e thotë ai vetë në mënyrë të qartë: kështu / e zbulova poezinë/ apo ajo më zbuloi mua (Sytë e saj). Pikërisht përmes poezisë Bajraj e kërkoi, e zbuloi dhe e shqiptoi të bukurën: Jam mplakur duke e kërkuar / të bukurën për t’i dhënë emër / zaten / kjo është puna ime(Duke e kërkuar të bukurën). Kur lexohet me vëmendje gjithë poezia e Bajrajt, dalin në dritë dy mënyra kryesore që i zbatoi në ndërtimin e teksteve:
A) Tekstet që nuk ndjekin një vijimësi mendimi dhe ndërtimi si tërësi shprehëse poetike e kuptimore, si njësi e pandarë (unike), po zbatohet shkëputja, degëzimi, përftimi i një realiteti të hapur, shumësor, si dhe i përdorimit të mënyrave të të shprehurit dhe të ballafaqimit ose të kundërvënies. Ajo që i cilëson tekstet e poezive të kësaj natyre është figurshmëria, herë – herë befasuese dhe paradoksale.
B) Tekstet që kanë një shtjellim më të rëndomtë, që kanë tërësinë përkatëse dhe vënë komunikim më të drejtpërdrejtë; vijimësia e asaj që shqiptohet është më e natyrshme dhe më përfillëse; rrëfimi, gjuha dhe kuptimësia janë të zakonshme, pra është e kufizuar figurshmëria dhe shumësia kuptimore e tekstit.
Realiteti poetik rrjedhojë e tundimeve shpirtërore
Poezia e Xhevdet Bajrajt është e lidhur ngushtë me atdheun dhe me njeriun e tij, po dukuria shtrihet edhe tek njeriu në përgjithësi, kudo qoftë ai dhe cilitdo kombi t’i përkasë. Bajraj nuk ishte një vrojtues i thjeshtë e gjakftohtë i asaj që ndodhte në atdhe dhe me njerëzit e tij gjatë e pas luftës së fundit në Kosovë, po gjithçka e përjetoi në mënyrë të thellë e tronditëse. Ndoshta këtë e kushtëzoi edhe fakti se ai për shumë vite jetoi jashtë vendit, në Meksikë.
Pikërisht jeta e rëndë në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999, po dhe koha pas saj, ku ngjarjet, siç thuhet në një varg, nuk mund të tregohen nga dhembja, kanë kushtëzuar që, përmes poezisë, Bajraj të shprehë pakënaqësinë, kundërshtimin, kundërvënies ose ta ironizojë atë gjendje, meqenëse ai, si individ, nuk mund të bënte asgjë që ajo të ndryshonte. Ndonjëherë pakënaqësia dhe trazimi marrin përmasa të mëdha.
Pjesë të poezive po dhe poezi të tëra dëshmojnë shqiptimin e të parëndomtës, të pamundshmes, të panjohurës dhe të fshehtës. E fshehura dhe e panjohura janë shumëfish të rëndësishme për vështrime letrare poetike, qoftë për zbulimin dhe për njohjen e tyre për bukurinë që fshehin dhe mundësinë e ndikimit te njeriu (Siç thuhet në romanin “Princi i vogël” të Antoan Dë Sent Egzyperi-t (Antoine de Saint – Exupéry), qoftë e bukurisë së brendshme të njeriut ose e bukurisë në natyrë: “ajo që përbën bukurinë e tyre është e padukshme!”); ato të thellojnë në mundësinë e gjurmimit e të komunikimit të lartësuar e shumësor, të degëzimit të kuptimeve e pamjeve që përftohen brenda një teksti. Tekstet e natyrës së këtillë ta vënë mendjen në veprim, të zhytin (thellojnë) edhe në atë që del nga nënteksti i tekstit, nga ajo që heshtet (sipas gjermanit Wolgang Iser-it nga vende të zbrazëta – Die Leerstellen eines literarischen Textes).
Po sjell disa vargje që e provojnë këtë mënyrë shqiptimi poetik për shumëçka të rëndësishme në poezinë e poetit: Një gruaje që nga kujtesa vjen; Ëndrrat digjen mbi gurë varresh; çmendjen duhet fisnikëruar thellë nën dhe si zjarrin; njeriu është e vetmja gënjeshtër / që mund të mposhtë të vërtetën; që pakëz ëndërr të shndërrohet në zhgjëndërr; etje shkretëtire nga buzët më shpërthyen; loti nuk rrit lule po dhembje mbjell; guri i varrit sy i hapur kohe; me të gjitha ethet e natës nën sqetull; derisa e mbaj natën mbi qepallë; Në sytë e fëmijës shihet / bukuria e ëndrrës së poetit; Çojmë dashuri me dhembjen; Tani në fushën e zemrës / Kullot flutur e dhembjes; Nënat zëvendësonin zemrat me gurë dielli udhëton mbi re shiu”.
Mënyra e tillë e shqiptimit dëshmohet edhe në këto pjesë – pamje që janë ndërtuar nga i njëjti parim dhe kanë të njëjtën natyrë dhe veçanti shprehëse poetike:
Vetëm edhe pak kohë më duhet
të mbërrij tek ti
më prit të lutem
sa t’i shkurtoj këmbët me sharrë
(Më prit të lutem)
²
Pranë këmbëve të saj qëndron një valixhe
plot me puthje të ëndërruara
(Statuja e heroit)
²
paramendo veten në shtratin tim
e dehur nga dashuria
si lulja pranë lumit
kur sheh
diell në ujë diell në qiell
e unë gjithkah
me buzët në ty
mbjell vetëtima
(Dielli në ujë)
Poezia si ngushëllim shpirtëror e mendor dhe kundërvënie e realitetit
Për poetin Bajraj poezia është sa një ngushëllim shpirtëror e mendor, një formë – mënyrë komunikimi dhe mbijetese, një njësim frymëmarrje me përditshmë-rinë, po aq është, thënë poetikisht, një regëtimë psherë-timash, shkreptimë ethesh dhe shqiptim i ëndrrave plot ankth, i pësimeve dhe i fatit tragjik. Poeti u qaset dhe i bën objekt vështrimi dukuri e gjëra nga më të ndryshmet, edhe ato të imtat (Nëna Tereze thoshte: “Bëj gjërat e vogla me dashuri të madhe”). Duke marrë formën përkatëse përmes tekstit, ato dëshmojnë rëndësinë e tyre dhe e plotësojnë mozaikun e shumëllojshëm dhe të pasur të asaj që Bajraj e krijoi.
Në poezinë e tij, siç u tha, mbipeshon vëzhgimi poetik i rrjedhës së jetës në Kosovë dhe i fatit të njeriut të saj, po dhe të botës shqiptare në përgjithësi. Poetin e trazon gjendja në atdhe, pësimet dhe tragjikat e shumta që e goditën popullin e Kosovës në fund të shekullit të kaluar, dukuri të mbarsura me ankthe e tundime të pazakonshme. Për Bajrajn Kosova është frymëmarrje jete, është “Nusja ime / Jeta ime / Kosovë” (Cila rrugë shpie për te ti), po dhe dhimbja dhe vuajtja më e madhe: Po t’i lë ëndrrat e mia mbi tavolinën e bukës / Që të mund t’i gjesh më lehtë / Atdhe (Ëndrrat e mia mbi tavolinën) nga se njerëzit e tij pësuan dhunime e tmerre nga më të ndryshmet nga pushtuesi, sa edhe Nënat zëvendësonin zemrat me gurë (Pranvera 1999).
Fitimi i pavarësisë së Kosovës ishte për poetin një shpresë për dritë dhe për një jetë më të qetë e të mirëfilltë, mundësi për pasurim shpirtëror dhe ngritje të besimit e të vetëdijes, po mjerisht nuk ndodh ashtu: Kosova fle e sëmurë nga harresa; Ëndrrat digjen mbi gurë varresh (zari u hodh Cezar) dhe, siç shprehet në poezinë “Ujqërit ilirë”:
ulur mbi varret e të rënëve për liri
i hëngrën ditët tona
si të ishin fara të pjekura kungulli
Edhe pas luftës njerëzit në Kosovë u ballafaquan me vështirësi të mëdha, prandaj për të mbijetuar mësyjnë shtetet e ndryshme të Evropës, pra Kosova u zbraz nga njerëzit e saj, sidomos nga të rinjtë, të cilët e bëjnë të sotmen dhe të nesërmen e saj:
Në oborret e shtëpive të braktisura
në Kosovë
zgjohen sythët nga gjumi
çelin lule
dhe vdesin
nga malli për njerëz
Një gjendje e këtillë kushtëzoi që poeti t’i kthehet botës së ëndrrës dhe të përfytyrimit. Veproi në këtë mënyrë për dy arsye. E para, përfytyrimi dhe bota e ëndrrës i jep mundësinë që të përftojë një botë poetike të lirë e të pakushtëzuar; t’i japë shfrim imagjinatës po ashtu dhe të shprehurit, për t’u njësuar me të bukurën, pa të cilën s’ka art. Në këtë mënyrë e krijoi botën që e parapëlqeu dhe iu desh poetit për t’i përmbushur synimet dhe konceptin e tij krijues në mënyrë sa më të mirëfilltë; në botën e ëndrrës dukuritë e kohëve të ndryshme përafrohen e njësohen; të shprehurit poetik mund të përdoret në format nga më të ndryshmet. E dyta: Për t’iu kundërvënë dhe, siç u tha, për ta kundërshtuar realitetin konkret jetësor në Kosovë, të rëndë dhe të ankthshëm,për ta shmangur shtegtimin me “[…]ethet e natës nën sqetull”, për të mos e parë Kosovën “fushë pa emër”, siç e duan “pushtuesit e varreve” për arsye se, sipas poetit, Së pari nuk ishte fjala / së pari ishte uria (Buka e atdheut).
Në mbyllje të kësaj parathënie po përmend faktin se s’kam kursyer as mund, as kohë, as dije që në këtë zgjedhje t’i përfshij krijesat më të ngritura poetike të përftuara nga Xhevdet Bajraj.
Prishtinë, fund shtatori 2023
P.S.
Për shkaqe teknike poshtëshënimet janë mënjanuar