POLITIKAT KULTURORE NË RAPORT ME LETËRSINË SHQIPTARE

Letërsia e autorëve shqiptarë nga diaspora, në kohën e Rilindjes Kombëtare, letërsia e autorëve disidentë që bënë jetën e refugjatit, letërsia e krijuar jashtë kufijve të shtetit amë, letërsia e krijuar nga krijues jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe piktura, muzika, teatri, folklori, janë materie bazë që e përforcuan tabanin e identitetit kulturor shqiptar! Këtë taban, sot, dikush po e spërkat “me acid” me qëllim të drobitjes së saj sa më parë

Nga Avni HALIMI

Politikat kulturore të shteteve tona si dhe të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët partiakë trumbetojnë se janë “ortakë të qeverisë” (dhe jo vasalë!), po zhvillohen në guaca të mbyllura, sidomos në krijimtarinë artistike! Shqiptarët e Shqipërisë ka kohë që janë viktimë e propagandës dashakeqe që thotë se në Maqedoninë e Veriut nuk ka shkrimtarë shqiptarë, por “shkronjës” dhe, si rrjedhojë e këtij mentaliteti neo-sllav, autorët nga ky shtet përjashtohen, nuk botohen (me përjashtim të një-dy autorëve); autorët nga Kosova nuk përkrahen, sepse, sipas një logjike të mbrapshtë të disa “botuesve shqiptarë”, ata nuk po ditkan të shkruajnë, ose shkruajnë me një “gjuhë neveritëse”, gjysmë gege e gjysmë të çalë nga ndikimet e të menduarit sllavisht! Autorët shqiptarë të Luginës së Preshevës si dhe ata të Malit të Zi, janë “krijues provincialë” ndaj dhe duhet të mospërfillen! Megjithatë, sa për shpëlarje parash, deri para do kohe, ministritë respektive të kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës, nënshkruanin një marrëveshje për “bashkëpunim sezonal” kulturor që do të zgjaste tre muaj të verës. Në start kjo marrëveshje privonte nga e drejta e natyrshme që të përfshihen edhe krijuesit e fushave të ndryshme nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Lugina si dhe nga diaspora! Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, ndonëse me zëvendësministër dhe me sekretar shtetëror shqiptar (2021-2023), përjashtoi nga aktivitete dhe ngjarjet kulturore të gjithë artistët e kulturës shqiptare që nuk janë rezidentë të këtij shteti! Taksapaguesit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nuk paguajnë për këtë “përjashtim kulturor”! Taksat shqiptare shpenzohen për autorë sllavë, për ata serbë, rusë, por edhe për bullgarë që për dreq, vështirë që dallohen nga ata maqedonas, meqë kanë emra e mbiemra të përafërt.

“Globalistët” që vrasin të veten

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut edhe ashtu nuk marrin as një për qind për kulturë nga ajo që paguajnë si taksë shtetërore. Kultura shqiptar është një, letërsia shqiptare është një dhe, çdo politikë përjashtuese apo segmentarizuese është antishqiptare, është politikë e huaj e cila prej shqiptarëve mundohet të bëjë disa “kombe”! Politika kulturore e Shqipërisë, por edhe e Kosovës, ministritë përkatëse, qeveritë kombëtare, duhet të jenë më të logjikshëm dhe, patjetër e kanë që jo vetëm të jenë kombëtarisht gjithëpërfshirës, por edhe të parashohin buxhet subvencionues për ngritjen, zhvillimin dhe afirmimin kulturor të shqiptarëve gjithandej ku jetojnë. Pa dyshim, në shumë segmente kulturore Kosova është më korrekte në përfshirjen e krijuesve shqiptarë gjithandej botës në programe e aktivitete kulturore që subvencionohen nga ministria gjegjëse. Kohëve të fundit po subvencionon projekte e aktivitete kulturore edhe në Luginën e Preshevës.

Letërsia e autorëve shqiptarë nga diaspora, në kohën e Rilindjes Kombëtare, letërsia e autorëve disidentë që bënë jetën e refugjatit, letërsia e krijuar jashtë kufijve të shtetit amë, letërsia e krijuar nga krijues jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe piktura, muzika, teatri, folklori, janë materie bazë që e përforcuan tabanin e identitetit kulturor shqiptar! Këtë taban, sot, dikush po e spërkat “me acid” me qëllim të drobitjes së saj sa më parë! Politikat kulturore shqiptare, para se të jenë globaliste, është mirë të jenë më kombëtarisht të kujdesshme!

Edukimi estetik dhe letërsia për fëmijë

Ministria për Kulturë e Shqipërisë, e gjendur nën presion të dyfishtë: nga krijuesit letrarë për fëmijë që nuk po stimulohen nga institucionet kulturore dhe, nga prindërit e fëmijëve që pareshtur ankoheshin se fëmijët nuk po kanë se çfarë të lexojnë në gjuhën shqipe për moshën e tyre, do të hapë konkurs për Fondin e “Krijimtarisë letrare për fëmijë”! Të gjithë u ndanë të kënaqur, mbi të gjitha, juria e ngritur e cila do të shprehet shumë e lumtur për interesimin e madh në këtë konkurs të krijuesve letrarë për fëmijë. Ku kishin qenë këta deri në ato çaste? Jo se nuk ka krijues në Shqipëri, por ku t’i botojnë krijimet e veta? Shtëpitë botuese nuk rrezikojnë për të botuar për fëmijë, sepse me të drejtë kanë nuhatur që shtresa më inferiore ndaj librit janë fëmijët dhe të rinjtë, kjo “gjeneratë e celularëve dhe e lojërave digjitale”! E entuziazmuar nga paraqitja e numrit të madh të krijuesve për fëmijë, kjo ministri vendosi që ta rikthejë Çmimin Kombëtar të Letërsisë për Fëmijë!

Po si është situata në Kosovë? Po në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës, në mesin e shqiptarëve të Malit të Zi, në diasporë? A kemi sot plejadë të gjeneratës së re krijuese për fëmijët! A shkruan sot dikush për fëmijët apo të gjithë shkruajnë për dashurinë e humbur, për shtratin e thatë, për fatin e zi, për vrapimin me re e me mjegull, për luftërat me dreqin etj. Institucionet shtetërore në Kosovë, por edhe participientët qeveritarë në Maqedoninë e Veriut e gjetiu, është mirë që ta ndjejnë atë mungesë të fëmijëve, atë boshllëk shpirtëror e cila mund të ndjehet e përmbushur vetëm duke lexuar libra për moshat përkatëse. Sa më shumë që do ta ndjejnë atë nevojë fëmijërore, aq më shumë do të kontribuojnë në prurje të reja letrare. Shkrimtarët për fëmijë duhet të kenë një trajtesë korrekte dhe të mirëfilltë nga institucionet gjegjëse shtetërore. Ata duhet të ndjehen si shtresa më e privilegjuar e komunitetit të shkrimtarëve.

Kanë kaluar dekada e dekada ndërsa ministritë tona të arsimit assesi nuk janë bërë të mbara të vendosin për kolonat e lekturave shkollore sipas moshës. Sot nuk kemi lektura të përbashkëta. Të dhënat flasin se, tash e dy dekada, këtë nevojë për fëmijët tanë po e përmbushë vetëm Shtëpia botuese Logos A e Shkupit, pa u përkrahur dhe ndihmuar nga asnjë dikaster përkatës i qeverive tona shqiptare. Si rrjedhojë, edhe kjo shtëpi botuese nuk është në gjendje që të ofrojë tirazh të mjaftueshëm për të gjithë fëmijët tanë si në këto hapësira ballkanike ashtu edhe në diasporë.

Njëmend, çka të lexojnë fëmijët tanë në diasporë! Si ta ushtrojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe? Si ta arrijmë edukimin estetik të fëmijëve tanë nëse nuk kemi letërsi bashkëkohore për fëmijë si dhe krijues letrarë për fëmijë! Shopenhaueri thoshte: ,,Vetëm ndjenjat për të bukurën, mund të neutralizojnë veset instiktive, negative të njerëzve”! Kur fëmijët tanë do të lexojnë sërish shkrimtarë si: Adelina Mamaqi, Agim Deva, Astrit Bishqemi, Bedri Dedja, Gaqo Bushaka, Isuf Nelaj, Odhise Grillo, Pandeli Koçi, Petraq Zoto, Rifat Kukaj, Skënder Hasko, Sokol Jakova, Shkëlzen Zalli, Tasim Gjokutaj, Vangjush Saro, Vehbi Kikaj, Viktor Canosinaj, Xhahid Bushati, Xhevat Beqaraj, Ymer Elshani, Vehbi Kika, Rexhep Hoxha, Mehmedali Hoxha, Liri Loshi e shumë e shumë të tjerë!

Kur fëmijët e sodit do të kenë mundësinë që nëpër aktivitete letrare të organizuara nga shkollat e tyre, do të kenë mundësinë të takojnë shkrimtarë për fëmijë, të bisedojnë me ta, të shtjellojnë tema të prekura nga krijues letrarë! Fëmijët tanë duhet të kalojnë sa më shumë kohë me librin shqip, me gjuhën shqiptare, me traditën, kulturën shqiptare. Fundja, këtë çdo shqiptar ia ka borxh trashëgimtarit të vet.

Letërsia e diasporës

Bota akademike e refuzon kategorikisht një emërtim të tillë dashakeq, sa për t’ia vënë një “emër” letërsisë që krijohet nga krijues shqiptarë që jetojnë në diasporë! Diasporë do të thotë grup etnik që jeton jashtë shtetit të vet amë! Shpesh haset edhe si “Letërsia e migracionit”! Historia e popullit shqiptar migrimet më tragjike që i njeh janë ato të periudhës pas vdekjes së Skënderbeut, pastaj gjatë periudhës së invazionit të mbretërisë serbe mbi tokat shqiptare, është brezi tjetër i shqiptarëve që braktisin atdheun të shtrënguar nga politikat raciste rankoviqiane, pastaj brezi i “disidencës” në fillimet e instalimit të ideologjisë komuniste, pastaj brezi i viteve ’90-të dhe, i fundit, migracioni ekonomik i periudhës nga fundi i shekullit XX e këndej. Të gjithë ata që ikin nga atdheu për shkaqe politike, ekonomike, sociale etj. quhen emigrantë! Në esencë emigranti është person tragjik. Duke ia shtuar disa artifice e bëjmë edhe më tragjik! Në mesin e këtyre brezave emigrantësh pa dyshim që ka pasur edhe talente, madje gjeni të krijimtarisë artistike, ka pasur artistë të fushave të ndryshme, ambasadorë të kulturës shqiptare. Si ta quajmë letërsinë e Kadaresë të tri dekadave të fundit të krijuar në Paris? Shqiptarët, sikur edhe në Hënë të shpërnguleshin, ata që do të shkruajë në shqip, prapëseprapë kontributi i tyre do të vlerësohej si madhor në letërsinë shqiptare!

Historianët e letërsisë shqiptare kurrë nuk e kanë bërë këtë gafë siç po e bëjnë sot disa “kritikë” duke emërtuar një letërsi pa kurrfarë kodi gjenetik! Letërsia e diasporës!!! Letërsia e migracionit!!! Historia e Letërsisë Shqiptare fillon me Mesharin e Gjon Buzukut, këtij emigranti shqiptar që u strehua në Itali, pastaj me Budin, Lek Matrëngën, Frang Bardhin, Naim Frashërin, Jeronim De Radën, Çajupin, Faik Konicën, Nolin, Martin Camajn, Arshi Pipën, Skënder Sherifin e një duzinë shkrimtarë shqiptarë, pas të cilëve radhiten shkrimtarët bashkëkohorë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, si dhe nga viset e tjera etnike. Edhe nga ata shkrimtarë që “u dëbuan” nga ideologjia komuniste! Çdo gjë e shkruar në gjuhën shqipe dhe nga krijues shqiptarë, kudo qofshin ata në botë, përbën Letërsinë Shqiptare!

Paramendoni sikur kjo “kulturë” të influenconte edhe më thellë dhe, sot të nisnim e të flisnim për “gjuhën e diasporës”, për “pikturën e diasporës”, për një “kulturë” që i përket diasporës shqiptare! Sot kemi krijues e artistë të ndryshëm shqiptarë që jetojnë anekënd botës. Krijimtaria e këtyre krijuesve e artistëve pa dyshim që i bashkëngjitet vlerave të përgjithshme kulturore shqiptare. Ata nuk mund të kenë një amëz tjetër, nuk mund të kenë rezervë një arkë ku i palosin shenjat dhe kodet e një kulture, të një civilizimi që nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën shqiptare! Sepse, të thuash “letërsia e diasporës”, do të thotë t’i japësh vetes të drejtë të “krijosh” një etnikum të ri, apo të jesh qenie raciste që e diferencon “etnikisht” një kulturë duke e lënë margjinave të teksturës amë!

Krijuesit në diasporë, që migruan për shumë arsye, krijojnë letërsi shqiptare, pikturë shqiptare, flasin e shkruajnë shqip, kultivojnë gjuhën shqipe, përforcojnë identitetin e tyre kulturor. Pra, edhe letërsia shqiptare ka vetëm një identitet, sado që dikush, mbase krejt pa qëllim të keq, mundohet ta parcializojë në “identitet komunitar” të papërfillshëm dhe, i emëruar si i tillë, duhet të ngelë sa ma larg “trungut letrar” që ka rrënjët brenda kufijve të shtetit! Ky, madje nuk mund të jetë as “projekt i djallit”, por vetëm sharlatantizëm dhe pseudo-shkencë e palo “kritikëve letrarë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.