POPRISHINI I KOHËS SONË

Monodrama “Vrasja e mushkonjës” është e shkruar në vargje, sepse për autorin Xhevdet Bajraj vargjet janë trualli që i krijon hapësirën e nevojshme për t’i shtrirë pakufi krahët e imagjinatës

Zyrafete SHALA

Monodrama “Vrasja e mushkonjës” e poetit Xhevdet Bajraj, e ribotuar nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”, edhe pse e shkruar qysh në vitin 2010, vazhdon të jetë aktuale edhe sot, ashtu siç ndodh rëndom me krijimet artistike që trajtojnë dilemat dhe përjetimet njerëzore në planin universal. Nga këndvështrimi i konventave zhanrore, “Vrasja e mushkonjës” vjen si rrëfim subjektiv i protagonistit, monologu i të cilit në fakt paraqet eksternalizimin e tendosjes dhe konflikteve psikologjike të tij, që shfaqen si përgjigje ndaj realitetit. Drama psikologjike e personazhit, që zë fill në pamundësinë e frymimit me aritminë e kaosit që e rrethon, duket që merr përmasat e tensionit të theksuar frustrativ: Nuk e di nëse unë jam duke qëndruar kokëposhtë /apo bota është përmbys. Në këto dy vargje mjeshtërore/antologjike autori jep esencën e dezintegrimit të personalitetit, te personazhi i tij, tek i cili shohim prototipin e njeriut që nuk gjen hapësirë për realizimin e ego-idealeve në mjedisin ku jeton.

Pamundësia e ndjekjes së shpërfytyrimit dhe kundërnatyrshmërisë së realitetit, që rrezikon ta kthejë njeriun në një krijesë pa imagjinatë, shtron domosdoshmërinë e kërkimit të shkaqeve në momentet që shënojnë devijimin e njerëzimit nga natyra e tij, apo kërkimin në përsiatjet rreth jetës e të jetuarit, nëpër të cilat rrugëton personazhi, krahas rrugëtimit brenda vetes. Observimet e tij, rreth realitetit aktual dhe të kaluarës, përshkohen nga ironia e fuqishme që shpeshherë arrin deri në sarkazëm, duke krijuar situata të jashtëzakonshme, që shpërfaqin degradimin e realitetit deri në një absurditet ku është e vështirë të gjejnë qetësi njerëzit që ëndërrojnë një jetë normale. Endja nëpër periudha të ndryshme të së kaluarës, është edhe një përpjekje e personazhit për të gjetur strehim nga trazimet e tij, por vështrimi në retrospektivë vetëm sa e thellon edhe më shumë greminën mes tij dhe asaj që konsiderohet njerëzore. Jo rastësisht rrëfimi nis me poezinë, trajtën sublime të shpalosjes së botës së brendshme, për më tepër me një poezi që shpërfaqë pamjen e trishtë të botës ku njerëzit, si qenie superiore të saj, garojnë për të tejkaluar njëri-tjetrin në egërsi dhe destruktivitet.

Preokupimet e personazhit, megjithëse pikënisjen e kanë gjithnjë brenda kufijve kombëtar, herë pas here i tejkalojnë ata, prandaj edhe shqetësimet e personazhit janë njëlloj të kapshme për çdo njeri, pavarësisht se në cilin skaj të botës jeton. Rrëfimi i tij ngjan me një kolazh të ndërtuar me fragmente të historisë njerëzore, ku është vështirë të gjenden gjurmë sado të vogla të paqes. Në zërin e tij përmblidhet pakënaqësia e të gjitha qenieve që kanë shijuar kupën me helmin e kësaj bote, qofshin ata njerëz apo krijesa të tjera të pafajshme. Ai është njëlloj i brengosur si për klithjen e lules që po lind, si për vajin e pëllumbeshës nënë për të birin që i ngec fluturimi në fyt, për kafshët që mbijetojnë në kopshte zoologjike, të tjerat që notojnë në valët brenda konservave, apo ato që janë futur me forcë brenda zorrëve të veta. Dhimbja e tij shtrihet më tej te njerëzit që duke i ndjekur ëndrrat e tyre, për një botë më njerëzore, edhe pse të strehuar brenda manastireve të poezisë, u bënë pre e diktatorëve që e ushqenin ‘paqen’ me gjak njerëzish të shquar. Doemos që përballë një bote të tillë personazhi i monodramës ndihet i pafuqishëm, prandaj si reagim kërkesat e tij ndaj jetës i tërheq në vete dhe gjen siguri brenda mureve të shtëpisë.

Vendi i zgjedhur për strehim del të jetë i pasigurt, sepse aty duhet të përballet me mushkonjën dhe gruan e tij, njëra, krijesë shumë e vogël por që i shkakton shqetësime të mëdha dhe tjetra, personi që ai i dhuroi dashurinë e tij; relacioni me to e përbën konfliktin themelor të  monodramës, ku personazhi vihet në situata sa komike aq edhe tragjike. Pamundësia për t’u mbrojtur nga një insekt aq i vogël si mushkonja dhe përpjekja për ta përballuar mllefin e gruas që e bëri ta njohë dashurinë, tregojnë se ai është i humbur në luftën e tij kundër maliciozitetit që mbizotëron atje, në botën e madhe, jashtë shtëpisë së tij. Kjo sepse në një shoqëri ku e vërteta u takon gjithmonë atyre që qeverisin pa turp, nën moton In Gold We Trust, njerëzit që besojnë në të mirën e përgjithshme, deshën apo jo duhet të përdorin frenimin e ambicieve dhe ëndrrave, si mekanizëm mbrojtës, frenim ky që shpesh rezulton me shfaqjen e një disekuilibri emocional e psikologjik, që tregon se fati i tyre është i destinuar të jetë tragjik.

Akti përmbyllës i monodramës dhe dialogu që e rrëfen personazhi, i zhvilluar me njerëzit që vijnë ta arrestojnë, mbetet të vendoset nga lexuesi nëse është real, apo i takon sferës së halucinacioneve, që vijnë si rrjedhojë e përshkallëzimit të çrregullimit, ashtu siç mbetet të vlerësohet edhe vetë gjendja e personazhit, nëse është i dehur apo ka pësuar ndonjë çrregullim emotiv. Por, një gjë është e sigurt, personazhi është i vetëdijshëm se ashtu si shumica e njerëzve, edhe ai vetë, ka lindur në një tregim të Gogolit. Me këtë aluzion që na shpie në tregimin Shënimet e një të çmenduri të Gogolit, autori Xhevdet Bajraj, i sugjeron lexuesit një zgjidhje të këtyre dilemave. Personazhi i monodramës mund të shihet si një Poprishin i kohës sonë, një qytetar i botës, që duke u shfaqur si produkt i deformimeve të saj, epokë pas epoke, me zërin dhe klithmën e tij synon të zgjojë ndërgjegjen e fjetur të njerëzimit.   

Monodrama “Vrasja e mushkonjës” është e shkruar në vargje, sepse për autorin Xhevdet Bajraj vargjet janë trualli që i krijon hapësirën e nevojshme për t’i shtrirë pakufi krahët e imagjinatës, ashtu siç janë Kosova dhe Rahoveci toposet e përzgjedhura të poetikës së tij. Stili sublim, veçori tjetër e krijimtarisë së autorit, e përshkon fund e krye monodramën duke e bërë leximin të mjaftueshëm për të shijuar vlerat estetike të saj, pa qenë nevoja të ndiqet domosdoshmërisht e luajtur në skenë. Vlerësimi korrekt i ecjes së shoqërisë shqiptare nëpër shtegun e gjatë të shtet-ndërtimit, kritikat që nuk e kursejnë asnjë subjekt që keqpërdorë pushtetin, madje as popullin që i përcjell me indiferencë lojërat që bëhen në kurrizin e tij, krahas realizimit të lartë artistik, e bëjnë veprën e Xhevdet Bajrajt një barometër të gjendjes në të cilën ndodhemi. Prandaj edhe “Vrasja e mushkonjës”, si pjesë e opusit të tij krijues, është një kryevepër e letërsisë shqipe në zhanrin të cilit i takon.

Leave a Reply

Your email address will not be published.