PORTA E KIÇIT

Portat triumfale historia i njeh si krijime më distniktive arkitekturale që nga periudha antike e perandorisë romake. Portat i lakmuan edhe xhelatët e njerëzimit. Sot mund të hasen nëpër shumë shtete afrikane e aziatike me sistem diktatorial e autoritar. Po pse edhe në Maqedoni

Nga Avni HALIMI

“Porta Triumfale” e porositur dhe promovuar nga ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe e pagëzuar si “Porta Maqedonia”, është godina e fundit e paraparë në projektin “Shkupi 2014”.  “Porta” u ngrit në mes të skajit perëndimor të Qendrës Tregtare dhe skajit perëndimor të ndërtesës së gjatë ku ndodhen zyrat e Avokatit të Popullit. Hapësira në fjalë paraqet grykën e ish-sheshit të Shkupit, i cili tashmë është zënë e ngulfatur nga dhjetëra përmendore e skulptura, duke marrë pamjen e një zoo-kopshti të bronztë e të mermertë.

“Portat” histori e diktatorëve

“Porta Maqedonia” u ngrit si skulpturë! U “zbukurua” me dhjetëra detaje nga historia e cila fare nuk i përket maqedonasve të Gruevskit. Aty është Aleksandri i Madh dhe Filipi me fallangën, Justiniani i Parë, Mbreti Samoli, Mbreti Marko, relieve me motive nga kryengritja e Ilindenit etj. Pra, një kiç objekt që mundëson perspektivën drejt hapësirës plot hile! “Porta Turpë-madhe e oborrit hileqar”! Kështu nisën ta quajnë turistët racionalë “deriçkën” me gjithë ish-sheshin e Shkupit.

Në periudhën antike të Perandorisë Romake portat triumfale ngriheshin në respekt të kthimit triumfues nga luftërat e ndryshme. Përmes atyre portave parakalonin ushtarët romakë dhe robërit e luftës. Qindra vite më vonë, pushtues të ndryshëm evropianë, duke pushtuar e okupuar vende të ndryshme, ndjenin se po përshkohen nga “fama dhe lavdia romake” ndaj dhe nisën të ndërtojnë porta në shenjë të triumfalitetit të tyre. Në ditët e sotshme si porta më të njohura është ajo e Napoleonit në Paris si dhe Porta e Brandenburgut në Berlin. Në Berlin kishte planifikuar një portë triumfale edhe Adolf Hitleri. Projekti i tij parashihte një portë me lartësi prej 170 metra, apo 49 herë më të madhe se ajo e Parisit. Kjo praktikë e ngritjes së këtyre objekteve vazhdoi sidomos në viset diktatoriale nëpër shtetet e ndryshme afrikane e aziatike. Nëpër këta vise skajshmërisht është deformuar kuptimi i këtyre objekteve duke simbolizuar “fitoret e njëpasnjëshme” edhe pse shoqëritë e tyre janë të mbërthyera në varfëri të madhe, u nëpërkëmben të drejtat dhe liritë njerëzore, sundohen nga diktaturat klasike. Nga portat triumfale të sotshme si më e njohura është ajo e diktatorit koreanoverior Kim il Sing e ngritur më vitin 1982, e cila simbolizon qëndresën luftarake kundër Japonisë.

Dështimet triumfale si fitore

Gjatë promovimit të “Porta Maqedonia” u tha se kjo godinë simbolizon fitoret e reja të Maqedonisë që nga pavarësimi i saj më 1991. Cilat janë këto fitore?! Ajo përgjatë ushtrimit të pushtetit diktatorial mbi shqiptarët e këtushëm? Fitorja përgjatë diskriminimit të gjithanshëm të shqiptarëve të këtushëm; fitorja mbi tendencën e shqiptarëve për t’u ndjerë qytetarë të barabartë me të gjithë të tjerët në vend; fitorja në vjedhjen e historisë kombëtare shqiptare e antike greke; fitorja mbi tendencën e shqiptarëve për ta zyrtarizuar gjuhën shqipe, për t’i përdorur simbolet kombëtare, për ta gëzuar pjesën përkatëse të buxhetit shtetëror, të punësimeve reale, të ngritjes së standardeve jetësore, të urbanizimit të lagjeve të tyre që gjithnjë e më shumë ngjajnë në getot klasike! Fitorja e luftës kundër shqiptarëve më vitin 2001; fitorja në konfliktin ndëretnik që do të rezultojë me ngritjen e kishës politike në majën e Kalasë së Shkupit! Për t’i flakur këta dyshime reale nga koka e shqiptarëve, pushteti gruevskian (që mbahej në këmbë edhe nga do shqiptarë të diskutueshëm) po pretendonte se ka ngritur një godinë që do të bëhet “institucion kulturo e turistik”. Hile e madhe! Kurrfarë pamjesh nuk ofron tarraca e kësaj Porte, e cila për dhjetëra metra është më e shkurtë se objektet që e rrethojnë, e para dhe, e dyta, ky objekt është ngritur si “përmendore” dhe jo si godinë institucion. Dihet se cila është procedura e ngritjes së një institucioni kulturor. Paramendoni sikur një ditë dikujt t’i teket dhe të kërkojë që fontana e “Aleksandrit të Madh” të shndërrohet në objekt përfitues, në pishinë ku hyrja për t’u larë do të bëhet me lekë. Kështu e menduan edhe “Portën Maqedonia”! Fatkeqësisht, u hasi gozhda në sharrë ndërsa funksionarët shqiptarë kukulla në qeverinë e Gruevskit nuk ngulën këmbë që të përfitojnë për interesin kombëtar diçka nga kjo hile maqedonase që kësaj radhe vinte nga Ministria e Kulturës.

Karikaturizimi i triumfit

Në dy shtyllat e “Porta Maqedonia” parashihej që të ketë galeri, hapësirë për promovime letrare, kulturore dhe ta ketë tarracën prej nga turistët do ta shikojnë “xha Pilon”! Pra, këto aktivitete do të bëhen me pagesë, me lekë. Lekun duhet ta marrë pronari i objektit! Përmendoret nuk kanë pronar. Kjo ishte hilja e radhës. Zëri kadastral “përmendore” duhej të ndryshojë në “institucion kulturor”. Institucioni kulturor duhet të ketë listë poseduese, t’i përket një pronari me adresë të saktë, të ketë një drejtor dhe disa të punësuar. Rregulli e donte që të bëhej edhe pranim-dorëzimi i objektit. Por, kush do ta bënte dorëzimin? Një skulptore? Është e pamundshme, sepse, objektin e nënshkruan vetëm arkitekti. “Porta Maqedonia” për autor ka një skulptore dhe jo një arkitekt! Dhe, e tërë kjo lojë shpjegohet: ne, jo që patëm nevojë për institucion të ri kulturor por, meqë e luftojmë korrupsionin dhe kriminalitetin, na duhej të fiskalizojmë të hyrat që do të vijnë nga aktivitetet e shumta që do të zhvillohen në këtë “godinë grandioze”! Fillimisht shërbeu si portë përmes së cilës triumfalisht parakaluan hendbollistët maqedonas, të cilët, të frustruar me shovinizmin dhe racizmin antishqiptar, ranë në delir duke kënduar bashkë me përkrahësit e tyre këngë raciste kundër shqiptarëve gjatë ndeshjeve në kampionatin evropian që po mbahej nëpër Serbi.

Karikaturizimi i triumfit është karakteristikë e shoqërive të përulur para “perandorit të pathyeshëm” fuqia e të cilit mund të krahasohet me shkelmimet e fundit të demit me plagë fatale. Ndërsa sot shërben si zone e pakalueshme nga tax-it, apo, si “parking place” i taksive prej nga shpesh kumbojnë edhe këngë nacionaliste maqedonase.

Leave a Reply

Your email address will not be published.