POSTKRITIKA

Kritiku është një figurë dramatike paradoksale, i vendosur midis dy realiteteve, realitetin e vet kritik dhe realitetin tjetër, letrar

Afrim REXHEPI

Është tejet intrigues fakti që sot po flitet për fundin e letërsisë, për krizën e shkencave humane, për fundin e arteve. Nuk është e rastit që Marta Nusbaum përcaktimet e tilla i quajti “Krizë e heshtur” („The SilentCrisis“) e shkencave humane dhe shoqërore në kohën tonë. Impakti i shkencave humane dhe shoqërore, dukshëm po zbehet, sepse po preferohet përfitimi i shpejtë dhe aftësitë e aplikuara të përshtatshme për përfitim. Ne nuk po mendojmë seriozisht për këto ndryshime që po ndodhin, nuk po i zgjedhim ato, e megjithatë ato po e kufizojnë gjithnjë e më shumë të ardhmen tonë – shënon Marta Nusbaum.Megjithatë, besoj bindshëm në faktin që arti dhe letërsia, që shkencat humane, që humanistika, me ripozicionime teorike të përshtatshme, do ta mbijetojnë edhe këtë krizë të heshtur.Funksionet e kritikës letrare janë mjaft komplekse dhe shumëdimensionale, sociale, humanistike, intelektuale etj. Kritiku është një figurë dramatike paradoksale, i vendosur midis dy realiteteve, realitetin e vet kritik dhe realitetin tjetër, letrar. Objekti i kritikës është modeli i botës së tekstit të caktuar dhe gjuha e botës së shkrimtarit në veprën e caktuar. Në vazhdim shënojmë faktin që kritika ngritët mbi një bazë teorike (poetika), dhe është funksionale në projektimin e sistemeve teorike – metodologjike të studimit të letërsisë, si dhe në sistemet e vlerave kulturore, me theks në vlerat estetike, etike dhe antropologjike. Kritika letrare shënohet përmes tre funksioneve bazike: inerpretative – hermeneutika si instrument i kritikës dhe aksiologjike; edukative – universitare dhe akademike; estetike – teksti kritik tejkalon vijën e perceptimit metaletrar në dobi të dimensionit artistik.

Në shqyrtimin e tij për librin Kufijtë e kritikës (2015) të Rita Felskit, TerryEagleton vlerëson faktin që në filozofinë kantiane nocioni i kritikës është i lidhur ngushtë me vendosjen e përcaktimeve të gjykimit. Megjithatë, TerryEagleton përcakton “studimi i Rita Felskit ka të bëjë me kritikën në kuptimin më pak të specializuar të analizës kritike. Nuk është një vepër për vendosjen e kufijve, por një vështrim kritik i idesë së kritikës, ose të paktën i një versioni të caktuar të pranuar gjerësisht”. (Eagleton, 2015: 238)Rita Felski nuk mendon për hermeneutikën e dyshimit të PaulRicouer, për hermeneutikën që duhet të gërmojë kuptime dhe kontradikta të fshehura kuptimore të tekstit, hermeneutikë që demaskon apo ç’mitizon tekstin, duke e zbehur vlerën e saj estetike. Ideali i saj kritik është një hermeneutikë e shpresës që ruan vlerat estetike, e që funksionon përmes leximit post-kritik. Në kontekst të kësaj, parashtrohet pyetja:ç’është leximi post-kritik? Leximi postkritik është proces i lidhjes interaktive të teksteve, të rrjetëzimit të veprave letrare dhe elementeve me funksion aktancial, pra postkritika krijon mundësinë e lidhjeve që nuk kanë ekzistuar më parë. Modeli i tillë kritik, rrëzon kontekstin, aktantët veprojnë në të tashmen duke u lidhur me aktantë tjerë, veprat nga e kaluara lidhen me bashkëkohoren, lidhjet janëtranskohore, jo të fiksuara në kohë siç do të donin historianët e rinj. Në këtë kontekst shënojmë ANT (Actor – NetworlTheory – Teoria e rrjetëzimit aktorial), e BrunoLatour (sociolog dhe antropolog), i cili sugjeron që bota përbëhet nga rrjetet ANT, në të cilat përfshihen elemente jomateriale dhe koncepte e ide të njerëzve, ku gjithçka ka vlerë të barabartë dhe që është pjesë e rrjetit të përgjithshëm të ontologjisë së sheshtë (të rrafshët). Gjithçka është e lidhur në një formë interaktive me njëra tjetrën. Në vend të përcaktimeve tradicionale për objektivitetin dhe subjektivitetin, mendohet për inter-objektivitetin. Ky fakt intrigon, sepse si mund të jetë një objekt po aq i rëndësishëm sa një qenie njerëzore, në një rrjet të caktuar, p.sh. një celular e ka vlerën e barabartë me një qenie njerëzore. Pra, objektet krijojnë më shumë lidhje se sa ne mund të imagjinojmë. Në letërsi, lexuesi mund të lidhet me stilin e preferuar, apo me ndonjë zhanër, me elemente të librit, me personazhe, me kritikë të caktuar, me koncepte te ndryshme në sistemin e caktuat kulturor. Edhe kanonet letrare, janë rrjete asociative të lidhura në ndonjë qendër socio-kulturore, ideologjike-politike apo edhe nacionale e akademike etj.

Rita Felski konstrukton një teori neofenomenologjike e lidhur ngushtë me pragmatizmin. Postkritika ka kuptimin e idesë së kritikës që realizohet përmes interpretimit interaktiv midis entiteteve të rrjetëzuara që i definojmë si aktantë. Aktanti ka intensitetin apo vlerën e duhur, në varësi të modusit ku funksionon, ka forcën lëvizëse të lidhjes së entiteteve që dallojnë. Funksioni i kritikës është ndërmjetësues midis lidhjeve interaktive ku qarkullojnë aktantët letrar në procesin në të cilën ato transformohen në vlera. Pra, kritiku nuk është më gjykatësi i cili përcakton vlerat, por është njëri nga aktantët e rrjetëzimit, duke i intensifikuar dhe i moderuar rrjetëzimet. Në kontekst të kësaj, sipas teorisë postkritike, kritiku letrar duhet të bëhet pjesë e ontologjisë së sheshtë, të kooperojë me leximin e masës, në funksion të qarkullimit të vlerave estetike. Sipas Teorisë së rrjetëzimitaktorial – ANT, nuk është aq e rëndësishme çështja e tekstit apo e lexuesit, sa pyetja si dhe në ç’mënyrë ata lidhen. “Nëse dëgjon çfarë flasin njerëzit, ata do t’ju sqarojnë çështjen, sa thellë janë të prekur e të lidhur me veprat artistike që i mundësojnë t’i përjetojnë gjërat, dhe t’i transformojnë përjetimet e idetë e tyre”. (Felski, 2015: 118)

Teoria e rrjetëzimit aktorial – ANT, është e përkushtuar për të shumëfishuar ndërmjetësit dhe për të përfshirë spektrin e plotë të aktorëve. Fati i veprave letrare shqipe, sot është i lidhur me agjentë të panumërt: botues, recensues, agjentë, librari, teknologji të konsumit (e-readers, Amazon.com), korniza institucionale, forma e përshtatjes dhe përkthimit, vetive fizike dhe materiale të librave, duke filluar nga fontet deri te fotografitë e kështu me radhë. Nga një këndvështrim i tillë, marrëdhënia tekst – lexues është vetëm një pjesë e vogël e rrjetit që po zgjerohet. Një zgjidhje e mundshme do të ishte përmes funksionalizimit të postkritikës, mundësinë e rrjetëzimit të kritikut letrar, brenda modusit kulturor, në funksionin aktancial, – lëvizës i proceseve, si promotor, redaktor, recensues, moderator, koordinator interpretimesh dhe shijesh profesionale e jo profesionale, gjithnjë në funksion të vlerave estetike. Nevoja për interpretim është esenca e jetës, të interpretosh do të thotë të jetosh. Pra, post-kritika përveç që është proces subjektiv, është edhe proces pragmatik. Në vend që të merret me kritikën a teorinë e kritikës, ajo është më e interesuar të testojë mënyra alternative të leximit dhe të menduarit. Ajo që vlerësohet në leximin post-kritik, është aftësia e tyre për të rikontekstualizuar atë që dimë dhe për të riorientuar dhe rifreskuar perceptimin e lexuesit si dhe ngritjen e tyre shpirtërore dhe morale. Pra, post-kritika shqyrton raportet midis leximit kritik dhe post-kritik, post-kritika supozon kritikë. Vetë termi post-kritikë, përfaqëson një metodë dhe një moment, si për praktikën e leximit, njashtu edhe për disiplinën e studimeve letrare. Në nivelin e leximit, post-kritika sugjeron faktin që pasi të praktikojmë kritikën, lexojmë tekstin në mënyra të tjera. Teoritë pro post-kritikës, argumentojnë faktin që metodat post-kritike janë mjete për të rifituar kënaqësinë e kritikës dhe interpretimit tekstual. Pra, vepra estetike nuk ka asgjë për të fshehur, është e hapur për lexim dhe në funksion të mundësisë që fusha e studimeve letrarë “të rikthejë kënaqësinë e kritikës”. Rita Felski me neofenomenologjinë e saj të leximit, interesohet për çështje që kanë të bëjnë me funksionin pragmatik të letërsisë. Në librin e saj Letërsia e shfrytëzuar (2008), sistemon katër modele të interaksionit letërsi – lexues: rinjohja, fascinimi, dija dhe tronditja. Bëhet fjalë për një kthim afektiv që në dekadën e fundit, po bëhet funksionale në shkencat humane. Në kontekst, funksional është rrjetëzimi i Latour, sepse shkakton fluktuacion të afekteve, duke risjellë vlera të reja estetike. Është tejet intrigues fakti që në praktikën interpretative, ndonjëherë preferohet të thuhet që nëse nuk mund të kuptosh, atëherë përpiqu të ndjesh. Në fakt, sipas Felskit, teksti dhe lexuesi janë interaktiv, jo vetëm në dimensionin interpretativ – racional por edhe në dimensionin kognitiv – emocional. Një teori pragmatike e tipit që çdo teori thelbësore e etikës kërkon një kuptim thelbësor të emocioneve, do të thellonte leximin post-kritik, mbase përmes konceptit të filozofisë së ndjenjave të MarttaNussbaum. Duke u bazuar në konceptin e Prustit për emocionet si “përmbysje gjeologjike të mendimit”, traktati i Nussbaum ofron një kundërvënie të qartë ndaj idesë së vjetër se emocionet tona janë thjesht energji shtazore ose impulse primare krejtësisht të ndara nga njohja jonë, dhe se çdo teori thelbësore e etikës kërkon një kuptim thelbësor të emocioneve. Në kontekst, Nussbaum shënon strukturën narrative të emocioneve dhe mënyrën se si rrëfimi e rindërton marrëdhënien tonë me përvojën.“Kjo është ajo që donte të thoshte Proust, kur pretendonte se disa të vërteta rreth emocioneve njerëzore, mund të përcillen më së miri në formë verbale dhe tekstuale,vetëm një vepër e tillë do të tregojë saktë strukturën e ndërlidhur kohore të emocioneve dhe mendimit”. (Nussbaum, 2003: 6)Kritika letrare është metadiskursive, dhe se çfarë do të shënojë, varet nga funksioni i saj bazik, të vlerësoj dhe të rivlerësoj vlerat, të zgjidh kriza të vlerave të letërsisë, të artit dhe të jetës kulturore në përgjithësi, pse jo edhe të parastrukturohet përmes opsioneve metodologjike të diskursit kritik. Post-kritika e Rita Felskit, e bazuar në teorinë e rrjetëzimit aktorial, shënon faktin që kritika letrare gjendet para sfidave të theksuara: ndërveprimi midis kritikës dhe parakritikës profesionale dhe mediatike; ndërmjetës midis autorit dhe lexuesit (botues, redaktor, recensent, librari, shpallje në internet etj.); dominimi i rekomandimeve të marketingut dhe të reklamave (vlerësime sipërfaqësore dhe sisteme vlerësuese konjukturale e simulative); fuqizimi i marketingut në dëm të vlerave estetike; politizimi i diskursit kritik; margjinalizimi i rolit edukativ dhe racional të kritikës; spektakli i kritikës letrare dhe margjinalizimi i kritikës profesionale etj. Dhe kjo tregon faktin shqetësues që kritika letrare ndodhet para sfidave shoqërore, mediale, komunikative dhe të tregut, respektivisht po zhvillohet transformimi i strukturës së kritikës dhe funksionit të saj shoqëror. Këtu vjen në shprehje funksionaliteti konstruktiv dhe esencial i post-kritikës, që përmes teorisë së rrjetëzimit aktorial, kritiku, duke qenë pjesë e rrjetit, në rolin aktancial, moderon intensitetin e lidhjeve të rrjeteve, në të cilën qarkullojnë vlerat estetike, dhe me gjasë që këto vlera të mbijetojnë në kohë.

Kritika letrare, sikur është lodhur nga “luftërat” teorike që i imponoi post-strukturalizmi, që shpirti kritik sikur më nuk e posedon energjinë e duhur që e kishte dikur. Ndoshta post-kritika na mundëson të rifreskojmë njohuritë tona për letërsinë dhe pozicionin e saj në kohën e “krizës së heshtur”, ku seriozisht po rrezikohen shkencat humane, në kontekst edhe letërsia dhe vlerat estetike. Ndoshta, post-kritika përfaqëson njërën nga paradigmat e mundshme teorike, për të rigjallëruar kritikën e cila e mbështetur në Teorinë e rrjetëzimit aktorial – ANT, do të mbetet njëra nga opsionet e paradigmave të teorisë së kritikës, për gjeneratat që do të vijnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.