PROFESIONI SHKRIMTAR!

Shkrimtari është mjeshtër i fjalës, është ai që shkruan vepra letrare artistike. A është profesion? A ka ndonjë që punon me profesion shkrimtar! Mjeshtri pa profesion – ky është shkrimtari! Edhe krijuesi figurativ (piktori, skulptori, ai që merret me grafikë) është mjeshtër pa profesion! Shkrimtari, sikundër edhe krijuesi figurativ, mund të punojnë si mësues, profesor, porse kurrë në profesionin e shkrimtarit apo të piktorit!

Aktori angazhohet në profesionin e vet dhe punon në teatër! Sopranon e tenorët punojnë në operë, balerini në balet, instrumentisti në filarmoni. Pra, janë disa veprimtari artistike profesionale ku artistët përkatës veprojnë deri në pension! Paguhen me rrogë mujore për profesionin që e ushtrojnë!

Cili shkrimtar sot merr pagë mujore për romanin që po e shkruan, apo për dramën, apo për poezinë! Cilit krijues letrar sot i thotë dikush, ti do të punosh si shkrimtar dhe si shkrimtar do të paguhesh! Po, mund t’i thotë ndonjë altruist, por nuk ka institucion nacional përkatës ku shkrimtari do të kishte për detyrë të shkruajë, ndërsa për këtë veprimtari të merrte rrogë mujore, të pensionohej si shkrimtar! Nuk ka!

Nuk ka as ligj e institucion shtetëror që do t’i ndiqte abuzuesit me të drejtat e autorit. Askush nuk e kontrollon tirazhin e librit, jo për statistikë, sa libra po shiten, por nga shitja e çdo libri përqindja të shkonte në konto të autorit! Nuk ka ligj e institucion shtetëror që rreptësishtë do të kërkonte nga botuesit që, si të tillë, të jenë edhe menaxherë të mirë të librit të shkrimtarit. Shtëpia botuese nuk guxon të ngjasojë në magaze të patateve, të cilat nëse prishen mund të hidhen edhe në plehra, pa u ditur fare se të kujt bujku kanë qenë ato! Botuesi ose duhet të jetë si një lloj “vendi i punës” i shkrimtarit ose nuk duhet të funksionojë fare kjo “fabrikë”! Nëse një tregtari nuk i shiten patatet, fajet nuk i kanë konsumatorët por vetë tregtari, sepse duhet të ketë kujdes se me cilët prodhues ka lidhur kontratë! Botuesit lidhin kontratë me shkrimtarët e mirëfilltë, për të cilët ndjehen krenarë, madje me lehtësinë më të madhe e menaxhojnë librin e tyre! Por ama, nëse boton pseudo-shkrimtarë, nga botimet e të cilëve turpërohen të thonë qoftë edhe një fjalë si propagandë, faji për mos-shitjen e atyre botimeve nuk duhet kërkuar te lexuesit numri i të cilëve është në rënie e sipër! Pra, shkrimtarët për momentin janë kategoria më e pambrojtur nga turlifarë abuzuesish (shume respekt për botuesit e mirëfilltë!), shkrimtarët nuk marrin as honorar dhe përqindja nga shitja do të jetë për turp, sepse botuesit nuk ia kryejnë profesionalisht reklamimin, sepse pastaj duhet ta reklamojë edhe librin e pseudo-shkrimtarit! Honorari solid që do t’i jepej shkrimtarit, do ta detyronte botuesin që përmes veprimtarisë reklamuese ta kthejë atë shumë të paguar si honorar si dhe përmes shitjes të fitojë edhe vetë botuesi!

Edhe krijuesin e artit figurativ e përcjell i njëjti fat, madje edhe më keq! Në shtetet e fuqishme të BE-së, piktori trajtohet krijues i veprës unikale! Piktura nuk i nënshtrohet tirazhit si vepër e riprodhuar, e reprodukuar në njëmijë kopje! Nuk është punë piktori kjo, por punë matrapazësh, tregtarësh të pandershëm! Një piktor edhe mund ta reprodukojë punën e vet në një zeje të veçantë. Për shembull, në poçeri një piktor mund t’i vizatojë enët prej balte, por kjo nuk bie në mjeshtërinë klasike të pikturimit, por në artin kreativ, në industrinë dhe ekonominë e artit! Vepra e piktorit, nëse nxirret në treg dhe blihet, piktori ka të drejtën që ta ketë adresën e blerësit dhe te ai në shtëpi të shkojë kur të dëshirojë. Jo për ndonjë miqësi, porse, thjesht, për ta përcjellë gjendjen e veprës së vet. Në shtetet e zhvilluara të BE-së, edhe në rast të stërshitjes së veprës, blerësi i fundit është i detyruar t’ia japë adresën piktorit të veprës që ka blerë. Në rast nevoje për restaurimit, këtë mund ta bëjë vetëm autori origjinal i veprës, prandaj lidhshmëria e blerësit dhe krijuesit figurativ, deri sa të jetë gjallë, është e pashmangshme. Blerësi dhe krijuesi kanë të njëjtin interes, t’ia ruajnë origjinalitetin dhe të intervenohet nga dora e njëjtë e mjeshtrit, sepse është në interesin e blerësit që ta ruajë pikturën sa më gjatë. Piktura e vjetër dhe e padëmtuar mund të kushtojë miliona herë më shumë se sa kur është shitur për herë të parë, të dytë, të tretë!

Po te ne, cili është fati i veprës figurative, sidomos të blera e të varura mureve të institucioneve nacionale e shtetërore? Nëse krijuesi është “militant” i një partie, kurse në pushtet është një parti tjetër, menjëherë ato krijime do të zbresin nga muri e do të futen nëpër bodrume të institucioneve ku lagështia e myku e bren edhe çelikun e jo më pëlhurën në kornizë druri. Dhe ky cikël mund të përsëritet në çdo katër vite, varësisht kohëzgjatjes së pushtetit. Ky urdhër i pushtetit mund të vlejë edhe për librin. Militantët partiakë porositen që mos ta blejnë librin se autori ka dëmtuar partinë në fushata parazgjedhore. Ja që ndodh edhe kjo!

/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.