Profile

MAKSIM GORKI, PATRIARKU I PROLETAREVE

Nën drejtimin e ideve të Vladimir Iliçit, mikut të tij të përhershëm, iu përkushtua tërësisht Revolucionit të Bolshevikëve. Shpirtërisht, nga bastionet e Letërsisë, u bë “Patriarku i Proletarëve”, duke frymëzuar milionat e tyre me veprat e veta. “Revolucioni i Tetorit” nuk mund të kuptohet pa Leninin dhe Gorkin njëkohësisht

Grigor JOVANI

Padyshim që është njëri nga shkrimtarët më të shquar të Rusisë, historikisht tokë pjellore letrare në shekuj. U bë i njohur botërisht me pseudonimin letrar, Maksim Gorki, por i vërteti është Aleksej Maksimoviç Peshkov. U lind në Nizhni Novgorod, nga prindër të varfër. Qysh atëherë e ndoqi një fat i vështirë. Mbase për këtë edhe pseudonimi që përzgjodhi mban këtë përkufizim: i hidhur. E rritën gjyshërit. Pretendon se ata e bënë shkrimtar, me etikën e gjërave që i mësuan dhe me mënyrën e jetesës. Nëntë vjeçar u detyrua të largohej edhe prej tyre. Tani gjendej vetëm, ballëpërballë me jetën. Beteja e mbijetesës i ishte i vetmi shteg që mund të ndiqte. Ndërroi shumë punë e zanate, duke përftuar kështu një përvojë të pasur jete. Ky ishte, sipas rrëfimeve të mëvonshme, “universiteti i tij”. Prej kësaj shkolle lindi një shkrimtar i madh, Maksim Gorki, dashnor i jashtëzakonshëm i jetës, por mbi të gjitha shoku dhe miku i njerëzve të rrëzuar, që dëshironin me çdo kusht të ngriheshin dhe të ecnin me këmbët e veta. Aspak e rastësishme, më vonë u bë patriarku i tyre shpirtëror.

Dashuria tjetër e madhe i ishin udhëtimet, eksplorimi i botës. Gjersa bridhte anekënd Rusinë, në këtë mozaik të pashembullt shoqëror, njohu thellësisht njerëzit e saj, studioi gjer në detaje shpirtin e tyre, dhimbjet që u shkaktonte diktatura cariste. Kjo la pasojat e saj në shpirtin tejet të ndjeshëm të “djaloshit të hidhur”. Më 1887, nëntëmbëdhjetëvjeçar, bëri tentativë vetëvrasjeje. Për fat të mirë, shpëtoi.

Pesë vjet më vonë mori vendimin e madh, t’i hynte letërsisë. Ishte i mbushur me përvojë jete dhe me talent të rrallë letrar. Shkrimet e para iu dukën në gazeta provinciale. Nuk i prishte punë. Edhe ai, njeri i provincial ishte. Dhe nuk e fshihte. Suksesi i parë i erdhi me botimin e tregimit “Celkas”, më 1895, në periodikun e shkrimtarit të njohur të kohës, Korolenko. Kaq mjaftoi. Nuk mund ta përmbante brenda caqeve të saj provinca ruse. Talenti i tij ishte shumë i madh, e pamundur të mos kombëtarizohej. Tregimet iu bënë “bestseleret” e kohës në botën letrare aq të pasur dhe të vështirë ruse. Tërhoqi vëmendjen e shkrimtarëve më të mëdhenj, Leon Tolstoj dhe Anton Çehov ishin dy prej tyre, por mbi të gjitha admirimin e lexuesve të thjeshtë, që e përpinin me çdo gjë që shkruante. Nuk mjaftoi kjo. Shpejt fama i doli jashtë Rusisë. U përkthye në Evropë dhe u dallua për stilin e veçantë dhe kryengritës. Askush si ai.

Më 1902 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shën Petërsburgut. Car Nikola urdhëroi të anulohej ky vendim i Akademisë, për shkak se Gorki “ishte armiku i tij”. Kështu u bë, veçse Korolenko dhe Çehov – dy shtyllat e Aakademisë, u larguan në mënyrë demonstrative prej saj, në shenjë kundërshtimi. Kjo gjithashtu fliste shumë.

Më 1905 mori pjesë në revolucionin e dështuar, arrestohet nga regjimi carist dhe burgoset. Gjithmonë shpejtohej të kapte kohën që rendte para tij. Por nuk kishte ardhur koha e tij, ajo e proletarëve.

Ikën nga Rusia për në Amerikë, në botën e kapitalit. Nuk iu përshtat. Prej andej kapërceu në Evropë. U vendos në Kaprin kozmopolit të Italisë, prej nga vazhdoi betejat kundër diktaturës cariste në Rusi. Pikërisht atje i ndodhi ngjarja e madhe dhe vendimtare e jetës. Njohu Leninin. Vazhdimi është i njohur. Nën drejtimin e ideve të Vladimir Iliçit, mikut të tij të përhershëm paskëndaj, iu përkushtua tërësisht Revolucionit të Bolshevikëve. Shpirtërisht, nga bastionet e Letërsisë, u bë “Patriarku i Proletarëve”, duke frymëzuar milionat e tyre me veprat e veta. “Revolucioni i Tetorit” nuk mund të kuptohet pa Leninin dhe Gorkin njëkohësisht.

U kthye në Rusi më 1928. Ishte tashmë shkrimtari më i rëndësishëm e vendit. E njohur miqësia e tij me “babain e revolucionit”, Leninin, veçse shumë e vështirë bashkëjetesa me transformimin e mëtejshëm të shtetit të proletarëve. Kuptimplotë ishte internimi i tij “de facto”, për një kohë të rëndësishme të jetës, jashtë Bashkimit Sovjetik. Më 1932 u rikthye, madje me ftesë personale të Stalinit, për të jetuar atje gjer në vdekje, veçse copëzat e thyera të kësaj marrëdhënieje nuk u ngjitën kurrë plotësisht.

Regjimi u mundua të rehabilitonte ndërgjegjen e vetë, për përndjekjen e heshtur që i kishte bërë shkrimtarit. Gorki u shpall zyrtarisht “themeluesi i realizmit socialist”, iu bënë edhe shumë ndere të tjera. I dhanë për të banuar në Moskë pallatin e një ish milioneri, godinë impozante që ekzistoi pas vdekjes së shkrimtarit si “Muzeu Gorki”. “Teatri i Artit” në kryeqytet mori emrin e tij, si edhe një qytet i tërë, Nizhni Novgorodi, Parku Qendror në Moskë dhe rruga kryesore “Tverskaja”. Më 1932 “u zgodh” ose më mirë u caktua si kryetari i parë i Lidhjes së porsaformuar të Shkrimtarëve Sovjetikë. Vetë Stalini, për ta lajkatuar, tha për një vepër të Gorkit, poemën “Një vajzë dhe vdekja”, se “kjo vepër është më e fortë se “Fausti” i Gëtes”. Megjithatë, Gorki vazhdonte në mënyrë kapriçoze të kishte miqësi me Kamanevin dhe Buharinin, kundërshtarët opozitarë të Stalinit. Bënte ç’ishte e mundur të ndihmonte shkrimtarët e përndjekur. Le që deklaroi nga ana tjetër, se “Nëna” – vepra themeltare e realizmit socialist, e cila trumbetohej nga regjimi si romani model i një shkrimtari revolucionar, ishte për autorin e saj, as më pak dhe as më shumë… “vepra e tij më e dobët”. Kjo e të tjerat shtyu regjimin stalinist ta detyronte shkrimtarin e plakur dhe të sëmurë të kalonte ditët e fundit të jetës në “arrest shtëpie”. I survejuar nga shërbimet e fshehta.

Veçse në asnjë kohë ylli i tij letrar nuk u mjegullua. U propozua pesë herë për Çmimin “Nobel”. Por kishte pranuar më parë atë “Lenin”, antipodin letrar të botës tjetër politike, kështu që nuk bëhej. Muret e botës ishin aso kohe të pakapërcyeshme, qoftë edhe për korifeun e letërsisë së proletarëve.

U largua nga jeta më 1936. I hidhëruar, siç kishte ardhur. Ishte pikëlluar pa masë dy vjet më parë, me vdekjen e papritur dhe të dyshimtë të të birit, Maksim Peshkov. “Teoritë e konspirimit” flasin për helmim të të dyve, biles kjo akuzë u shpreh edhe në gjyqin e mëvonshëm të Buharinit (1938), konkretisht se helmimi i tyre u realizua nga të famshmit “mjekë të Kremlinit”, të cilët u dënuan edhe ata për krime të tilla, në shërbim të regjimit. Zyrtarisht vdekja u e tij iu dedikua sëmundjes së vazhdueshme të mushkërive dhe trupin pa jetë të shkrimtarit e përcollën për në banesën e fundme mbi supet e tyre Stalini dhe Molotovi.

Bashkë me të, në panteonin e pavdekësisë, i hipën edhe veprat më të rëndësishme: “Mikroborgjezët”, “Në thellësi”, “Fëmijët e diellit”, “Barbarët”, “Armiqtë”, “Njerëz të çuditshëm”, “Celkas”, “Familja Orlov”, “Të tre”, “Nëna”, “Rrëfimi”, “Vera”, “Përralla italiane”, “Adoleshenca”, “Makar Çudra”, “Universitetet e mia”, “Biznesi Artamanov”, “Foma Gordejev”, “Në vendin e Sovjetëve”, etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.