APOLOGJETI I COOL XHAZIT
Xhazi është akoma prezent në qytetin e Lucca-s si notë ritmike që vazhdon dhe krijohet në raste dhe takime që mbledhin/tubojnë njerëz, pasionantë të xhazit
Bujar MEHOLLI
Nëse shumë njerëz e njohin qytetin e Lucca-s për muzikantët e famshëm klasikë që nga Boccherini, Catalani, te Puccini, maestro i padiskutueshëm i melodramës, – mbase jo të gjithë e dinë se nga vitet ’50 portat e qytetit italian mblidhnin ritmet e xhazit që rrihnin në shpirt e zemër. Ishte viti ’47, dy vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore; në Lucca lindi Hot Club Lucca, me qëllim favorizimin dhe promovimin e xhazit. Aktivitetet e muzikantëve të rinj pas viteve të veprimtarisë klandestine të detyruar nga regjimi fashist i Mussolinit, më në fund u liruan dhe nisën transmetimin dhe interpretimin e muzikës në radio, tingujt e ri të së cilës nga Amerika hapërdaheshin në Gadishullin Apenin, duke shtuar kështu dashamirësit e xhazit në qytetin e Lucca-s. Ky gjak i ri Lucca-s do të krijojë njërin nga grupet më të rëndësishme italiane të xhazit, Quartetto di Lucca. Anëtarët e grupit, Giovanni Tommaso në kontrabas, vëllai i tij Vito në piano, Antonello Vannucchi në vibrafon dhe Giampero Giusti në bateri, të gjithë me origjinë Luccase, u takuan dhe nisën të bënin muzikë në një bodrum të Piazza San Giovanni, vetëm disa hapa larg qytetit. Duomo. Në atë bodrum të errët, nisi një nga aventurat që edhe sot e gjithë ditën përbën bazën e shkollës italiane të xhazit.
Dhe, është e vërtetë që Lucca së bashku me zonën aty pranë Versilia-s, ishte në fund të viteve ’50 një nga vendet kult të muzikës së re. Në klubin Bussola, i kthyer në një tempull kombëtar nga Sergio Bernadini, mund të dëgjoheshin zërat dhe muzika e artistëve të njohur italianë dhe të huaj të atyre viteve. Jo vetëm Trio Carosone, Fred Boungusto, Buscaglione, Adriano Celentano, Luigi Tenco, Patty Pravo, Fabrizio De Andre, Mina, të gjithë emra themelorë të muzikës moderne italiane, por edhe Juliette Greco, Josephine Baker, Ella Fitzgerald, Ginger Rogers dhe Marlene Dietrich. Për shkak se Sergio Bernardini ishte largpamës dhe kishte talent të shkëlqyer për kombinimin e stileve të reja muzikore me ato tradicionale. Kah fundi i viteve ’50, falë këtij ambienti dhe kësaj gjallërie të madhe kulturore, shumë artistë të muzikës xhaz që zbarkonin në Itali gjatë turneve të tyre nëpër Evropë, vendosnin të luanin edhe nëpër qytete më të vogla të Toskanës. Midis tyre ishte një lojtar i ri, me fytyrë engjëllore, me njëfarë stili jetese të turbulluar. Chet Baker arriti për herë të parë në Firencë në vitin 1956 dhe më pas u kthye shpesh në Toskanë, ku u bë mik i mirë me Giampiero Giuistin, daullistin e Quartetto di Lucca-s. Nga këtu nisi një aventurë muzikore, me amerikanin që përshkonte një turne në tërë Italinë, më 1958. Një amerikan avangard, trumbetar xhazi, në tokën italiane! Mrekulli! Chet Baker mbeti shumë i lidhur me Lucca-n dhe bregdetin e Versilias, ku Bernardini e thërriste shpesh për koncerte dhe në klubin Bussolotto, vend i vogël ku luhej muzikë deri në orët e hershme të mëngjesit.
Kur gjendej në Lucca, Chet-i qëndronte gjithnjë në Hotel Universo, dhoma 15, i ulur pranë dritares dhe duke luajtur në bori. Kjo dhomë është edhe sot e kërkuar nga adhuruesit e tij, dritaret e saj shohin në sheshin Teatro del Giglio, ku Chet-i pati mbajtur disa koncerte. Por, mbase më emocionuesi për të ishte ai koncert i organizuar për nder të tij më 15 dhjetor të vitit ’61 nga miqtë, xhaz lojtarët: Giovanni Tommaso, Franco Mondini, Antonello Vannucchi dhe Amedeo Tommasi, ditën kur u largua nga burgu i San Giorgio-s në Lucca, një vit pas paraburgimit. Një vit më parë, në natën e 31 korrikut të vitit 1960, Chet-i kishte një histori; pati përdorur drogë dhe si pasojë e mbidozës u plandos në një pompë karburanti në periferi të qytetit. Rreth njëzet ditë më vonë, u arrestua dhe u padit. Gjyqi, i mbajtur në Lucca, u ndoq me vëmendje nga gazetat italiane dhe ato të huaja. Mario Frezza, një avokat nga Lucca, e mori në mbrojtje dhe ia doli që ta zvogëlojë kohën e burgimit nga shtatë vitet që i dha Prokurori Publik i Firences. Në fund, Chet Baker-i u dënua me “vetëm” gjashtëmbëdhjetë muaj dhe i kaloi ato në mjediset e burgut të qytetit. Gjatë atyre muajve, Chet-i kompozonte me zjarr dhe thuhet se në muret e qytetit pranë burgut, grupe fansash mblidheshin për t’i dëgjuar tingujt e tij që vinin nga brendësia. Tingujt e tij janë melhem; jo rrallë herë më ndodh që pas ndonjë dite të ngarkuar pune, shpenzoj orë të tëra dhe “shëlbohem” duke dëgjuar xhazin e tij, “Almost Blue”, “The Touch of Your Lips”, “Alone Together”, “My Funny Valentine”… ndaj po marr përsipër ta quaj apologjet i cool xhazit.
Xhazi është akoma prezent në qytetin e Lucca-s si notë ritmike që vazhdon dhe krijohet në raste dhe takime që mbledhin/tubojnë njerëz, pasionantë të xhazit. Circolo del Jazz është pasardhës i klubit historik Hot Club Lucca duke organizuar festivalin Lucca Jazz Dona që ju dedikohet ekskluzivisht grave dhe yjeve të mëdhenj të xhazit që portretizojnë tablonë e qytetit. Në atë skenë debutoi bateristi Kim Thompson më 2006’ën, po ashtu lozi edhe partnerja e fundit e Baker-it Ruth Young, pastaj saksofonistja amerikane Lisa Pollard, anëtare e orkestrës së Duke Ellington-it. Njashtu u dëgjua dhe zëri i Roberta Gambarin-it, këngëtare italiane e njohur dhe e vlerësuar, madje e konsideruar si pasardhëse e Ella Fitzgerald-it. Chet Baker-i megjithë jetën e tendosur dhe abuzimin me drogat, ka shkruar me germa të arta emrin e tij në skenën e xhazit që hap portat dhe fton njerëzit në liri, delirium, shtendosje dhe reflektim të brendshëm sikur pas vizitës te neurologu.