PROJEKT ME TËRËSINË E VET

(Rreth librit: Arti i këndimit dhe pedagogjia vokale, të autores-solo këngëtares Elife Podvorica-Jashari)

Sami PIRAJ

Libri “Arti i këndimit dhe pedagogjia vokale” i autores Elife Podvorica-Jashari,i cili tashmë është në duar të lexuesve, përbëhet nga një strukturë interesante homogjene e spektrit të anatomisë së organeve të frymëmarrjes që sintetizohet në këndimin e drejtë apo më mirë të themi në artin e mirëfilltë të këndimit. Libri është i formës së eksplorimit shkencor, por edhe narracionit,i cili gërshetohet me eksplorimin e anatomisë së frymëmarrjes,dhe shërben parasegjithash për orientimin e drejtë të pedagogëve të këndimit, e deri tek recipienti i fundit që është vetë nxënësi pse jo edhe studenti i solokëndimit. Diskursi i shkoqitjes pragmatike të artit të këndimit, të kësaj zeje intelektuale do ta quaja, ka zanafillën shumë herët, por tek ne, mbase është në fillimet e shtjellimit teorik dhe praktik në baza shkencore. Nuk do të themi se mënyra e qasjes për këtë shkoqitje logjike ka munguar, por një argumentim i stërholluar me shembuj dhe orientim të disiplinuar dhe të natyrshëm,është padyshim imirëseardhur dhe tejet i nevojshëm në këtë disiplinë muzikore. Autorja Elife Podvorica-Jashari,është pedagoge e lëndës së solokëndimit dhe interprete e spikatur e shumë veprave muzikore. Me performancat e saja skenike ka lënë gjurmë në jetën tonë muzikore. Pse e themi këtë? Sepse janë këto përvoja dhe argument i nevojshëm për një domosdoshmëri të trajtimit të kësaj lënde, për të bërë më të natyrshëm mësimin praktik, pse jo edhe teorik, në ambiente të ndryshme. Librin e saj e fillon me një mendim të nxjerrë nga Enciklopedia britanike duke theksuar se: Instrumenti i këndimit, është vetë trupi i njeriut me organet e tij. Shikuar më gjerësisht, mbase vetë autorja, sugjeron se, këndimi është një nga vlerat që njeriu e disponon dhe e mbruan si qenien e vet të rëndësishme. Libri në mënyrë të stërholluar vë në pah komponentët që përfshihen në studimin e artit të këndimit siç janë: zëri, anatomia dhe psikologjia të cilat mpleksen në procesin fizik për këndimin, frymëmarrja dhe mbështetja e ajrit–appoggio, postura e trupit gjatë këndimit, fonacioni, ambitusi i zërit, klasifikimi i zërit, regjistrat e zërit, rezonatorët e zërit, diksioni dhe artikulimi. Më tej ajo ndalet tek komponentët e rëndësishme të këndimit vokal siç janë: kordat e zërit,  trakti vokal (laringu, faringu, hapësira e hundës, sinusëve dhe gojës), ngrohësit e zërit – rezonatorët (hunda dhe goja). Kurse për zërin e njeriut autorja me të drejtë citon kompozitorin italian me famë botërore, Gioachino Rossini: “Zëri është akumulim apo kompleks i të gjithë tingujve, të cilët njeriu i shfrytëzon përmes organeve vokale të tij”.

Dallimi në mes të folurit dhe këndimit si një element bazik të shtrirjes së materialit dhe karakteristikave qenësore për të argumentuar proceset që vijojnë, nëlibrin: “Arti i këndimit dhe pedagogjia vokale”, argumentohet me fakte relevante, me natyrshmërinë e rrëfimit strukturor dhe fotografi shkencore. Autorja, nuk bënë asnjë veprim pa pasur bazën shkencore dhe argumentin e studimeve të njohësve të kësaj fushe shkencore. Literatura e bollshme e autorëve me renome, dhe vlera shkencore e cila merret për bazë në krijimin e tërë strukturës organizative të materialit të eksploruar në këtë libër, bënë që vlerësimi të jetë maksimal, pse jo edhe joshës për recepientin. Mbindërtimi shkencor që është parashtruar në faqe të tëra, në mënyrë të argumentuar,është impuls drejt krijimit të imazhit për këndimin e drejtë. Nuk janë të lehta për t’u zbatuar këto fakte,që janë të paraqitura goxha detaisht në librin në fjalë. Natyrisht se kërkohet një zbatim korrekt, pastaj një dije paraprake  dhe në fund gjithsesi kohë dhe hapësirë për t’i jetësuar këto në praktikë. Libri “Arti i këndimit dhe pedagogjia vokale” mund ta quajmë edhe si një projekt, apo si një sistem që ka tërësinë e vet. Pse e themi tërësinë e vet? Sepse detajet janë pjesë integrale. Madje, po të shikohet me gjuhën e argumentit të tekstit dhe të fotografive, këto detaje funksionalizojnë përmbajtjen dhe strukturën homogjene të librit. Mund të themi pa mëdyshje se ky material i mbështetur në argumente shkencore siç thamë më herët, ka një sistem, një plan narrativ, një strukturë të përcaktuar mirë e mirë për një funksion artistik, që është dhe mbetet qëllimi kryesor i tërë kësaj pune të vështirë por gjithsesi të dobishme për të gjithë ne dhe gjeneratat në vijim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.