PROVINCIALË PËRBALLË KADARESË

Të lexosh librat e Kadaresë, do të thotë të hysh në një makth ku s’mund të banojmë, por ndiejmë se Kadare banon me ne

Richard EDER

Bota e Ismail Kadaresë është pak a shumë si antimaterie. Ajo shkatërron tonën. Me përjashtim të kësaj, ndryshe nga shembulli i grimcave elementare të fizikës, në të njëjtën kohë plotëson tonën me efektin e zymtë. Për të lexuar romanet e këtij shkrimtari të madh shqiptar, “Pallati i ëndrrave”, “Piramida”, “Ura me tre harqe”,  do të thotë të hysh në një makth ku s’mund të banojmë, por ndjejmë se ai banon me ne.

Provincializmi ynë i madh kulturor kërkon korrigjues. “Shkrimtari i madh shqiptar” mund të na sjellë një gogësimë vetvetiu. Por botët e tij të vogla mbushin ato të mëdhatë: shoqëria e fshatit të Jane Austen, Misisipi me baltë i Mark Twain, Mança e dremitur e Servantesit. Për këtë shkak, “Ferri” i Dantes është i populluar nga zënkat gjakatare të disa qytet-shteteve të vogla. 

Shqipëria ka jetuar e izoluar, e varfër, e shkretuar, gati si një mendim i mëvonshëm nga marshet dhe kundramarshet e Lindjes dhe Perëndimit, dhe e qëndrueshme në kokëfortësi, me kodin antik të dhunës së reprezaljeve dhe armiqësinë e gjakut. Zoti Kadare na tërheq në çuditshmërinë e saj dhe ne dalim si të çuditshëm për veten. 

Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e bën një këmbim të tillë më të qartë se veprat e fundit të zotit Kadare, të cilat e arrijnë atë përmes ndërlikimit të tmerrshëm. Këtu, në këtë përkthim të kohëve të fundit nga versioni francez, hyrja e Perëndimit të përparuar në errësirën shqiptare dhe morali i tij që çmontohet, fjalë për fjalë rrëfen vetë historinë.

Njëzet vite pas Luftës së Dytë Botërore, gjenerali italian dërgohet në Shqipëri të gjurmojë dhe të kthejë me mijëra ushtarë italianë, të vrarë nga pushtimi famëdashës dhe shkatërrues i Musolinit. Ata janë varrosur në dhjetëra vende të shpërndara dhe të paemërtuara në të gjithë fshatin e rrezikshëm.

Misioni reklamohet si  nderi i kombit; gjenerali niset me siguri të tepërt në vetvete, por nuk kalon gjatë para se të ndihet i pushtuar. Ai ka vetëm shoqërinë e një prifti italian, të një eksperti shqiptar dhe një grupi pune, për të përfunduar punën e mundimshme të konsultimit të fshatarëve për të gjetur vendndodhjen e grumbujve të kockave, për t’i gërmuar ato, për t’i zgjedhur dhe për t’i futur në çanta të vogla neljoni, më pas për të kërkuar në të dhënat e zbehta për t’i identifikuar ato.

Ai ruan sigurinë e tij kryelartë. Hartat e shkëlqyera dhe listat e përgatitura mirë për të vdekurit janë shumë më superiore se mjetet e plogëta të një gjenerali shqiptar i ngarkuar me një mision të ngjashëm, dhe kaq të pasuksesshme sa shqiptarët përvetësojnë disa eshtra italiane për t’ia shtuar zbulimeve të tij të varfra. 

Dhe më pas zoti Kadare përparon i sforcuar dhe pa emocione në errësirë. Besimi i lumtur i gjeneralit italian gradualisht minohet. Prifti, i cili e njeh vendin, e paralajmëron se lopatat e punëtorëve po dhunojnë një tabu. Është hera e dytë në 20 vite që një ekspeditë e huaj ushtarake ka pushtuar Shqipërinë. Heshtja e fshatit nuk është pranim i heshtur, por kërcënim; për shekuj me radhë kodi ka kërkuar një reprezalje të vdekur për çdo ofendim ndaj nderit.  “Hakmarrja e tyre është si një pjesë e kompozuar në përputhje me të gjitha ligjet e tragjedisë”, paralajmëron prifti.  “Natyra e tyre kërkon luftë, thërret për luftë”, thotë ai. “Në paqe, shqiptarët bëhen grindavecë dhe gjysmë të gjallë, si gjarpri në dimër. Vetëm atëherë kur lufton vitaliteti është i shpalosur plotësisht”.

Zoti Kadare nuk bën mesazhe; ai i sjell ato në jetën vdekjeprurëse. Një fshatar i jep zë rrymës së errët që ekspedita lëshon. Për të nxjerrë eshtrat e pushtuesve italianë dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, do të thotë të përforcosh armikun, ankohet ai. Ushtarët e vdekur janë ushtarë.

Gradualisht, ashtu si tek “Zemra e errësirës” së Kurtz, një frymë primitive e vendit infekton të huajin në dukje superior. Gjenerali fillon të mendojë për grumbujt e kockave ashtu si mendon edhe një fshatar. “Kam një ushtri të tërë nën komandën time tani”, mendoi ai. Vetëm se në vend të uniformave kanë veshur çanta najloni. Çanta blu me dy shirita të bardhë dhe cepa të zinj, të bëra me porosi nga firma “Olimpia”. Dhe, “tani na mbetet të përfundojmë regjimentet dhe divizionet”. Menjëherë fillon të imagjinojë këtë ushtri, nën lidershipin e tij, që fiton në Normandi, Kore, Vietnam. “Ai ishte një gjeneral që e dinte ç’do të thotë të komandosh”.

Ushtria e vdekur pushtuese është luftarake tek ai, ashtu si vendet e fshehta të shpirtit shqiptar, ku edhe 20 vite më vonë lëndimet thërrasin për hakmarrje. Në të njëjtën kohë, për arsye se zoti Kadare është shkrimtar shumë i mprehtë për të ndjekur një linjë të vetme, gjenerali shkund atë që e trazon në brendësi, edhe pse ajo e trazon edhe së jashtmi. I sigurt në arrogancë, ai insiston të marrë pjesë në një dasmë fshati i paftuar, me gjithë paralajmërimet e priftit. Vëzhgime të errëta dhe heshtja i përshëndesin ata, edhe pse kreu i shtëpisë e pret me mirësjellje. Atje s’mund të ketë kërcënim, i mburret ai priftit; shih respektin.  “Vdekja urdhëron respekt”, i përgjigjet prifti.

Një skenë trullosëse vjen pas kësaj; drama shpërthen si një ulërimë pas heshtjes së gjatë. I turpëruar, gjenerali përballet me atë që superioriteti perëndimor kishte shpërfillur. Ka vdekje, por zoti Kadare e di se vdekja transmetohet më fuqishëm kur nuk zbulohet e tëra. 

Në pjesën e fundit të librit, protagonisti, misioni i tij është në përfundim, pi në një hotel me kolegun pjesërisht-perëndimor, gjeneralin shqiptar. Muhabeti është qëllimisht, topitës dhe pafundësisht i parëndësishëm. Antiklimaksi është klimaksi i fshehur. Vdekja e zotit Kadare kishte nevojë vetëm për një çast që të tregonte fytyrën e tmerrshme para se të fundosej në banalitet. /New York Times/

Leave a Reply

Your email address will not be published.