PSE “DELE TË ZEZA”!?

Ndër ne ka edhe individë, të cilët dallohen me prirje dhe shije të sëmurë për t’i pëlqyer gjërat vetëm pse janë të huaja, të jashtëzakonshme e të stërholluara, pa shikuar vlerën e vërtetë të tyre. Kjo sëmurje ndryshe njihet si snobizëm dhe është një tendencë që gjithnjë e më shumë shënon rritje.

Ta mohosh atë që është shtyllë e identitetit kombëtar dhe të bëhesh rob i një mendjeje të sëmurë që konsideron se gjuha amtare, përkatësisht gjuha e nënës karshi gjuhëve të huaj nuk ka vlerë apo është e turpshme, kjo vërtet kërkon një analizë më të thellë, por edhe një shpjegim të thukët për të arritur te konstatimi se një tendencë e tillë është më shumë se e rrezikshme.

Viteve të fundit arsimtarët tanë po përballen me filloristë, të cilët kanë probleme me gjuhën amtare, përkatësisht me fëmijë, të cilët ndonëse jetojnë në vendet e lindjes dhe janë të rrethuar me anëtarë të familjes që nuk e përdorin gjuhën angleze, ata thjeshtë kanë probleme me gjuhën amtare, kurse përgjegjësia kryekëput bie mbi prindërit e tyre, të cilët konsiderojnë se gjuha amtare është demode, prandaj duhet dhënë përparësi anglishtes, me qëllim që të kenë “një të ardhme të sigurt”.

Fatkeqësisht, këta prindër snobë, nuk janë të vetëdijshëm se çfarë u bëjnë fëmijëve të tyre, të cilët sapo t’i shqiptojnë fjalët e para bëjnë çmos që t’ua mësojnë anglishten, me qëllim që ardhmëria e tyre të jetë”më e lehtë”. Qysh në ditët e para të fillimit të shkollimit, ata, duke mos e njohur gjuhën amtare, ngelin margjinave, duke u bërë “dele të zeza”, edhe atë për shkak të prindërve, të cilët u kanë hipur mbrapsht gomarëve, duke ua bërë fëmijëve të tyre ferr fillimin e shkollimit.

Mësimi i gjuhës së huaj nëpër kurse të ndryshme, por edhe përmes emisioneve të shumta televizive, është vetëm një e keqe e sforcuar dhe pa nevojë, sepse duhet pasur parasysh edhe ngarkesën e madhe psiko-fizike të fëmijëve, të cilët jo gjithmonë mund t’i plotësojnë dëshirat e sëmura të prindërve të tyre.

Kjo dalldi e shumë prindërve snobë është një dëshmi e qartë se pse kemi kaq shumë analfabetë funksional. Këta prindër, duke menduar se ua hapin perspektivën fëmijëve të tyre, ata në fakt ua errësojnë këtë perspektivë. Mund ta marrim me mend se me çfarë problemesh ballafaqohen mësuesit, të cilëve nuk u premton koha që të merren me një apo dy nxënës, të cilët nuk mund të flasin gjuhën e tyre amtare. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.