PSE DUHET RILEXUAR“RAPSODI…” E JERONIM DE RADËS!

Nuk mund të përfshihen në një diagram komunikimi Budi, Bogdani, Matranga e Variboba, njësoj si De Rada, Dara dhe Serembe

Mehmet KRAJA

Pa asnjë pretendim studimi, vetëm për kënaqësi artistike, këto ditë lexova për të tretën ose të katërtën herë “Rapsodi të një poemi arbëresh” ose “Rapsodi të një poeme shqiptare” të De Radës (për mendimin tim njërën nga veprat poetike më të rëndësishme të mbarë letërsisë shqipe) dhe u përpoqa të sjell ndër mend një për një të gjitha ato studime historiko-letrare me shpjegime akademike për këtë vepër, si lindi ajo, kur u botua, ç’e shtyu autorin të mblidhte e të rishikonte këngët e mbledhura, ç’iluzione romantike ushqente ai për mundësinë e rikëndimit të një “Iliade” shqiptare dhe gjëra të këtilla më pak ose më shumë esenciale. Ndër ato studime, pa dyshim me vlerë, mund të mësohen shumë gjëra rreth kësaj vepre, vetëm se nuk e di përse me kohë kisha krijuar një bindje se kjo vepër e De Radës, pa të drejtë, ishte zhvendosur nga letërsia në histori. Pra, ishte shtyrë disi matanë artit, ishte kthyer disi në data, në fusnota, në shënime bio-bibliografike dhe gjëra të këtilla, me të cilat zakonisht merret shkenca. Kisha idenë se kjo shkencë e historisë së letërsisë krijonte një mur të pakalueshëm ndërmjet veprës dhe lexuesit dhe e ndërpriste atë komunikimin e domosdoshëm, të lirë e të papenguar, të cilin e supozon çdo lexim i letërsisë. Pastaj krijova bindjen se kjo shkencë e historisë së letërsisë, duke u marrë me gjëra dytësore rreth kësaj vepre, i kishte bërë asaj shërbimin më të keq që mund t’i bëhet letërsisë, sepse nga një vepër që mundet dhe duhet të lexohet në mënyrë aktive, e kishte kthyer atë në një lëndë studimi, që domethënë se e kishte larguar nga lexuesi dhe e kishte arkivuar në një mësim pasiv, në lexim për qëllime të tjera, ndoshta shumë të rëndësishme, por që në një masë të madhe përjashtojnë leximin e saj si vepër arti. Të më lejohet që këtu të hap një parantezë dhe të them se po në këtë mënyrë është vepruar me letërsinë arbëreshe në tërësi dhe në këtë pikë ajo krejt gabimisht është vendosur në të njëjtin kontekst leximi dhe në të njëjtin rrafsh komunikimi me letërsinë e vjetër shqipe.

Nuk mund të përfshihen në një diagram komunikimi Budi, Bogdani, Matranga e Variboba, njësoj si De Rada, Dara dhe Serembe. Autorët e letërsisë së vjetër mësohen dhe studiohen dhe janë të rëndësishëm për shumë arsye, por ata nuk lexohen dhe nuk shijohen në mënyrë aktive, së paku jo në masë të tillë siç mund të lexohet De Rada ose Serembe. Në planin e leximit dhe të përjetimit artistik nga ana e lexuesit, këta autorë duhet të qëndrojnë pranë Naimit dhe të rilindësve të tjerë, jo më në planin e vlerësimit dhe të vendit që u është caktuar në trashëgiminë tonë letrare, por edhe në planin e leximit aktiv dhe të njohjes së themeltë të krejt asaj që përbën nukleusin e vlerës artistike të veprës së tyre. Arsye themelore që këta autorë i ka bërë objekt studimi dhe jo objekt leximi, përmendet ose vetëkuptohet se ka qenë gjuha, që domethënë vështirësia e leximit të një dialekti, i cili me kohë është larguar nga trungu gjuhësor i shqipes. Mirëpo, nuk mund të thuhet me aq bindje se ky faktor ka qenë vendimtar, sepse ka kohë që veprat e De Radës, Darës dhe Serembes janë rikënduar ose transliteruar në gjuhë të sotme shqipe, ndërkohë që shkalla e komunikimit aktiv me këtë letërsi ka mbetur po ajo. Prandaj jam i prirë të besoj se këtë shërbim të keq letërsisë sonë ia ka bërë historia e letërsisë dhe studimet tona tepër inkonsekuente dhe perifrazuese, në të cilat thuhet çdo gjë që është e dorës së dytë, por fare pak flitet për artin dhe për vlerat e tij. Mua, ta zëmë, fare pak më intereson nëse De Rada i mblodhi “Rapsoditë…” në këtë vend apo në atë vend, i botoi dhe i ribotoi në këtë datë ose në atë datë, me këtë titull ose me atë titull; nëse rreth tyre kishte këtë ide mistifikuese ose demistifikuese. Për mua është i rëndësishëm fakti se ai bëri një vepër letrare artistike nga më të përkryerat të poezisë shqipe, që në shumë pika edhe sot shfaqet e pakalueshme. Për mua po kaq i rëndësishëm dhe njëkohësisht tragjik, është fakti se një pjesë e mirë e poezisë shqipe e shekullit XX, u shkrua pa e njohur, pa e lexuar dhe pa e asimiluar një vepër të këtillë, së paku jo në shkallën që do të duhej. Sepse, “Rapsoditë…” rrezatojnë art të pastër, art qenësor, substancial. Po cilat janë esencat që këtë poezi, këtë libër, këto “Rapsodi…” i vendosin në themelet e artit, pra në vetë substancën e tij? Së pari, janë motivet të cilat, njësoj si tërë letërsia antike, shprehin raportet themelore të njeriut me enigmat e ndryshme të jetës e të ekzistencës, siç është raporti ndaj jetës dhe vdekjes, dashurisë, fatit, dhembjes njerëzore e kështu me radhë. Janë këto motive të përjetshme, gjithmonë të përsëritura në artin e letërsisë dhe asnjëherë të shterura deri në fund. Këto motive universale në “Rapsodi…” gërshetohen në mënyrë krejt të natyrshme me situata dhe rrethana jetësore të mileut arbëresh, pastaj me historinë e dhembshme dhe tragjike të një entiteti që është i mbyllur në rrethin e pamundësisë. Tragjikja e pamundësisë në këtë rast është fatale, e para, sepse njeriu nga vetë natyra e qenies së tij është i dënuar të mos arrijë të zgjidhë enigmat themelore të jetës dhe vdekjes, pra edhe të fatit të vet; e dyta, kësaj rrethane tragjike ia shton peshën vetë fakti i të qenit arbëresh. Arbëreshi, për shkak të rrethanave historike, për shkak të pamundësisë për t’i ndryshuar këto rrethana, vetë është një tragjedi e mbaruar, të thuash e përsosur, me të gjitha aktet e saj.

Njësoj si heronjtë e antikës, për shkak të këtyre dy rrethanave konkrete dhe universale, arbëreshi është i dënuar me dhembje të përjetshme, me pësime dhe fatalitet. Në këtë rreth motivor sillen thuaja shumica e këngëve të “Rapsodive…”. Prandaj, shikuar nga ky prizëm, arti i tyre është esencial, sepse shpreh një gjendje pafundësisht të përsëritshme për vetë njeriun dhe qenien e tij në këtë botë, sikundër që shpreh edhe kompleksin e rrethanave gjithashtu të përsëritshme të fatit tonë kolektiv. Rrallë do të gjendet një histori kaq artistike dhe kaq e plotë e një kolektiviteti që jeton midis kujtesës për ndodhi të largëta dhe ëndrrës se ky iluzion mund të bëhet realitet. Arbëreshi i “Rapsodive…” ka bërë veprimin më artistik, të cilin arti e ka synim të vetin në përgjithësi: injoron, anashkalon, braktis një realitet të zymtë, të pamundshëm, dhe e zëvendëson atë me botën fiktive. Ai krijon botën e ëndrrës dhe të kujtesës dhe asaj i jep përmasat e një hapësire ku jeta është e mundshme, e durueshme dhe ku ajo ka një kuptim. Ky shndërrim i botëve është vetë arti, sepse që në zanafillën e tij ky art nuk ka synuar gjë tjetër, pos që t’i japë dimensione reale botës së ëndrrës dhe të fiskionit. Së dyti, “Rapsoditë…” i bën art të lartë dhe të papërsëritshëm një tjetër esencë: kondensimi i madh i figurave, pra, të kënduarit dhe të rrëfyerit përmes figurshmërisë, e cila nuk shtrihet vetëm në rrafshin e gjuhës, por në shumicën e rasteve është qenësi e ligjërimit. Pra, metafora, kjo mbretëreshë e poezisë, në shumicën e këngëve të “Rapsodive…”, por në disa syresh në mënyrë të veçantë, nuk ka vetëm funksion të jashtëm, ta themi kushtimisht, stolisës dhe zbukurues, por vihet në funksion të krijimit të situatave rrëfimore, të cilat në këtë mënyrë bëhen poezi e mbaruar. Trimi e puth vashën arbëreshe, ajo skuqet dhe e lan faqen në lumë dhe rrobat që i lanin gratë poshtë rrjedhës, nuk zbardheshin, por skuqeshin. Metafora të këtilla, t’i quajmë rrethanore, do t’i gjejmë me shumicë në këngët e “Rapsodive…”, veçmas të atyre që kanë tingëllimë elegjiake ose baladike. Për mendimin tim, një prurje e veçantë e këtyre “Rapsodive…”, bashkë me një pjesë të mirë të letërsisë arbëreshe në përgjithësi, është tematika kalorësiake dhe aristokrate, e cila në këto vepra dimensionohet përmes personazheve, situatave dhe të një fondi fjalësh e shprehjesh që vihen në përdorim. Për shkak të rrethanave social-kulturore dhe historike të krijuara më vonë, kjo frymë aristokrate e letërsisë shqipe (e cila nënkupton jo vetëm përshkrimin e ngjarjeve, ndodhive dhe karaktereve nga një kohë e largët, por më shumë se kaq, është një frymë e brendshme që rrezaton hijeshi dhe elegancë) nuk do të përsëritet më në letërsinë shqipe, madje do të harrohet shpejt, bashkë me depërtimin e fuqishëm të frymës plebeje në poezinë dhe përgjithësisht, në letërsinë tonë. Duke marrë për bazë faktin se sot letërsia në përgjithësi është sinkretike, që domethënë se asimilon në mënyrë të pakufizuar përvoja të ndryshme kontemporane dhe ambientale, një rishikim i kësaj tradite nga ana e letërsisë sonë bashkëkohore do t’i ndihmonte asaj të rivendoste një kod të ri komunikimi me këtë përvojë dhe që është po kaq me rëndësi, përveçqë do të mbushte një vakum historik, do t’i jepte poezisë sonë, por edhe letërsisë në përgjithësi, shtysën për t’u kthyer tek esencat e saj, për t’u bërë art i kulluar, i lartë, fisnik, një art që diferencohet vetvetiu nga prurjet tepër të dyshimta të asaj poezie që mund të shkruhet nga të gjithë. Leximi aktiv i “Rapsodive…” vetvetiu krijon shije të kultivuar letrare dhe njëkohësisht, krijon ndjenjë refuzimi ndaj “kooperativizmit letrar”, që ende është i pranishëm fuqishëm në mbarë letërsinë tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.