Qysh moti dihet se fuqia e shpërblimit (për ndonjë sjellje të caktuar), është më efikase se sa fuqia e dënimit
Gjuro SHUSHNJIQ
Secila shoqëri disponon me mjetet (metodat) me anë të së cilave i sjell “në rend” anëtarët e vetë, nëse këta të fundit e rrënojnë “rendin dhe paqen” ekzistuese.
Mjeti i parë është dhuna e vrazhdë fizike apo forca e detyrimit. Të kontrolluarit e sjelljes me përdorimin e forcës fizike nuk është efikase, “sepse nëse e thyeni njeriun duke e munduar atë, ai do t’iu urrejë përgjithmonë” dhe do të përpiqet që ta ndryshojë gjendjen e vetë, duke mos bërë llogarinë se çfarë mjete do të përdorë dhe nuk do të bartë përgjegjësi për atë që është duke e bërë. Krahas kësaj, ai që ushtron dhunë (detyrim), gjithnjë ndjen frikë prej atij mbi të cilin ushtrohet dhunë. “Burgu nuk është asgjë. Burgu krijon vetëm urrejtje. Këtë do të duhej të kuptonin të gjithë armiqtë tanë”. “Nëse do të ishte e mundur që egërsirën e fjetur te njeriu ta ndaloni duke e burgosur atë apo me dënimin në botën tjetër, gjithsesi – unë mendoj se emblema më e lartë e njerëzimit do të ishte cirku zbutës me shkopin goditës, e jo predikuesi që viktimizohet. Por, realiteti është në faktin se me shekuj njeriun nuk e ngrit mbi kafshët dhuna, por muzika dhe mospërballimi i së vërtetës, atraktiviteti i shembullit të saj. Vlerësohet se deri më sot, më të rëndësishme në Ungjill janë ato porosi dhe rregulla që janë përfshirë në urdhëresat; për mua më e rëndësishme është që Krishti flet prej rrëfimeve nga jeta, duke e ndriçuar të vërtetën me shembujt e përditshmërisë. Në bazën e këtij veprimi, mbështetet mendimi se familjarizimi midis të vdekurve është i pavdekshëm dhe se jeta është simbolike, sepse është e rëndësishme.
Qysh moti dihet se fuqia e shpërblimit (për ndonjë sjellje të caktuar), është më efikase se sa fuqia e dënimit. Sociologu më i shkëlqyer midis shkrimtarëve dhe shkrimtari më i shkëlqyer midis sociologëve, Balzaku, për këtë shkruan: “Secili pushtet përpiqet që të mbahet. Që qeveritë të rrojnë, sot sikur që ishte dikur, duhet që t’i pranojnë në vallet e tyre njerëzit e fuqishëm, duke i marrë ata gjithkund ku ndodhen, me qëllim që nga ata të krijojnë për vete mbrojtës dhe që me anë të tyre t’ua marrin turmave ndjenjat dhe guximin që i nxisin ata për t’u revoltuar…Shteti i përshpejton revolucionet”. Ai që është shpërblyer, ndjen falënderim ndaj atij që e ka shpërblyer, ai ndjen përgjegjësi që në të ardhmen sjellja e tij në afat të gjatë kohor t’i kënaq pritjet dhe përkushtimin e shpërblyesit.
Mjeti i tretë i fuqishëm me anë të të cilit kontrollohet sjellja e pjesëtarëve të shoqërisë, janë normat shoqërore –qoftë në formë të ligjit (normat juridike) apo në formën e formave morale (imperativet morale), urdhrat fetare (dhjetë urdhëresat e Zotit) ose udhëzimeve ideologjike, apo thjesht e normave zakonore. Për aq sa norma zakonore, morale, juridike, religjioze apo ideologjike, është karakteristikë e grupit dhe derisa anëtarët e atij grupi i përmbahen asaj, e vlerësojnë dhe e përjetojnë atë normë si të tyren, ajo shërben si mënyrë e pritur, bile edhe si mënyrë ideale e sjelljes për të gjithë anëtarët e grupit (shoqërisë). Normat juridike, morale dhe religjioze, internacionalizohen bashkë me kohën. Kjo do të thotë që sjellja me kohë bëhet e pavarur prej prezencës së drejtpërdrejtë të autoritetit të normave ose individit, të cilët e kontrollojnë nënshtrimin ndaj normave. Brendia e kontrollit nuk do të thotë zhbërja e kontrollit, por transferimi i saj nga rrethanat e jashtme në brendinë e vetëdijes, ku kontrolli tashmë është më pak i dukshëm, por jo edhe më pak efikas. Por, shumica ngelet e vetëdijshme për fuqinë represive të normës.
Historia politike dhe ushtarake është përplot shembuj të fuqisë karizmatike. Kjo është fuqia që ndonjë personalitet i veçantë e ka mbi turmën – pavarësisht faktit se a ka ai personalitet veti të prijësit të veçantë apo turma beson se ai i ka ato – dhe kjo fuqi mbështetet në frikën irracionale të respektit dhe besimit në pagabueshmërinë e prijësit. “Autoriteti karizmatik, është një nga fuqitë e mëdha revolucionare të historisë, por në formën e pastër ai ka karakter plotësisht autoritar dhe zotërues.”
Për ne, e rëndësisë së veçantë është fuqia mbi mendimin apo teknika e sundimit me anë të përdorimit të simbolit (idesë). Përpjekja që sjelljet e individit apo grupit të kontrollohen nëpërmes manipulimit të shkathët me anë të simboleve (ideve) shënon kthesë në metodat e sundimit në këtë kuptim, ngase metodat e vrazhda të detyrimit zëvendësohen me teknikat e buta të bindjes. “Heq dorë prej sundimit mbi trupat tuaj, por vetëm për atë që të sundoj me shpirtrat tuaj”. Asgjë nuk ka më të marrë se sa të ngadhënjesh; lavdi e vërtetë është që të bindësh.” ”Sepse pushteti dhe mbikëqyrja është në fjalë, e jo në duar. A ke diçka për të thënë apo për të dhënë, ndonjë vërejtje për mendimet e mia?”
Ajo çka e dallon manipulimin prej metodave të njohura historike të kontrollimit të sjelljeve është: a) se manipulimi është “bindje pa shkaktuar dhimbje”, për të cilën njerëzit nuk janë të vetëdijshëm, sepse nuk e ndjejnë detyrimin b) manipulimi mbështetet në studimin shkencor të njeriut, c) janë të zgjeruara dimensionet e sundimit (mediet masive), d) varësia e individit prej organizatave të fuqishme dhe nga institucionet të cilat kanë monopol mbi informacionet, është brengosëse ( dhe kush është i varur me atë, është lehtë të manipulohet); e) ndarje e punës dhe specializimi i pengojnë individët që edhe ashtu të arrijnë ta kuptojnë gjithë atë që është duke ndodhur me shoqërinë civile, prandaj janë të detyruar që këtë pamje të shoqërisë ta marrin prej atyre që në fakt ua ofrojnë këtë pamje; f) manipulimi nuk është formë e institucionalizuar e sundimit dhe për atë ai që e ka këtë fuqi nuk duhet të thotë, se si do ta përdorë, kur dhe për çfarë qëllimesh do ta përdorë, kështu që për qytetarët qëllimi i vërtetë ngelet i panjohur.
Vështrimi fluturimthi i tipave të kontrollit social, tregon se janë duke u ndryshuar format e kontrollit, që i praktikojnë grupet e fuqishme të interesit në shoqëri, por kontrollet nuk vdesin. Kontrolli bëhet më pak i dukshëm, por jo edhe më pak i fuqishëm.
Ne nuk mund ta dimë thjeshtë se a manipulon dikush apo jo derisa nuk e kuptojmë se çka nënkuptohet me shprehjen e manipulimit. Për këtë shkak, do t’i përmendim elementet përkatëse të konceptit të manipulimit dhe në bazë të tyre do ta ofrojmë definicionin e qartë teorik dhe empirik të nocionit të përdorur të shprehjes. Elementet bazë të shprehjes (që njëherit e përbëjnë strukturën bazë të këtij punimi) janë: – manipuluesi (burimi i mesazhit, dërguesi i mesazhit), – mesazhet që dërgohen në masë (përmbajtja, forma, koha), – turma me të cilën manipulohet (pranuesi i mesazhit), – kushtet socio-psikologjike në të cilat kumtohet mesazhi, – mjetet teknike, nëpërmjet të cilave transmetohet mesazhi, – çështje publike me të cilin ka të bëj mesazhi, – për problemin nuk ekziston pajtueshmëria e përgjithshme, – por ekziston interesimi për mesazhe (motivimi), – pasojat që i shkakton mesazhi.
Prej kësaj buron përkufizimi: Manipulimi mund të definohet si veprim i paramenduar, veprim sistematik dhe i kontrolluar, apo si një mori veprimesh me ndihmën e të cilave manipuluesi, duke u shërbyer me mjete simbolike, në kushte të përshtatshme psiko-sociale për atë, dërgon në turmë, përmes mjeteve të komunikimit, mesazhe të caktuara, me qëllim që të ndikojë në bindjet, qëndrimet dhe sjelljet e një numri të madh të njerëzve, në mënyrë që ata, rreth çështjeve për të cilat nuk ka pajtim të përgjithshëm, dhe për të cilat çështje ata janë të interesuar jetësisht, do t’i orientojë drejt bindjes, qëndrimeve dhe vlerave të manipuluesit, dhe që për këtë veprim ata fare të mos jenë të vetëdijshëm.
Nëse krahasohet ky përcaktim i manipulimit (si formë socio-ekonomike e komunikimit) tanimë me formulën klasike të Lasvelovit “who says what in which channel to whom with what effect”, menjëherë do ta shihet se formula Lasvelovit megjithëse e potencon burimin e mesazhit, përmbajtjen e mesazhit, mjetet për të përcjellë mesazhin, pranuesin e mesazhit si dhe efektin që e shkakton mesazhi, por në të njëjtën kohë neglizhohen kushtet sociale-psikologjike në të cilën mesazhi bëhet publik, synimet e dërguesit të mesazhit, problemin me të cilin ka të bëjë mesazhi dhe motivimin për mesazhet.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm midis përcaktimit të ofruar për manipulimin dhe shumicës së definicioneve që teoricienët e komunikimit i kanë ofruar, përbëhet nga fakti se shumica e tyre i kushtojnë më tepër kujdes këtij apo atij elementi të nocionit – disa e potencojnë rëndësinë e burimit të mesazhit, të tjerët formën dhe përmbajtjen e masazhit, të tretët i potencojnë mjetet teknike, të katërtit pranuesin e mesazhit, të pestit i potencojnë efektet e mesazhit, të gjashtit rrethanat në të cilat mesazhi bëhet publik – derisa përkufizimi i ofruar nuk i kushton ndonjë vëmendje të veçantë cilitdo element të shprehjes, por i sjell ata në raporte midis vetvetes, me analizën e të cilëve elemente zbulohet thelbi i nocionit të manipulimit.
Marrëdhëniet e zakonshme midis elementeve që i përmban përkufizimi ofruar i manipulimit, në të vërtetë e përbëjnë teorinë e manipulimit. Për shembull: ekziston lidhja e zakonshme ndërmjet autoritetit të manipuluesit dhe efektit të mesazhit të tij, midis efektit të mesazhit dhe rrethanave socia1-psikologjike, në të cilat mesazhi bëhet publik, midis mjetit teknik dhe efikasitetit të mesazhit, midis vetive të turmës (personalitetit) dhe efikasitetit të mesazhit.
Dhe e treta, dispozita e ofruar e manipulimit çon në atë, se për manipulimin nuk do të ketë qasje nga këndvështrimi i cilësdo disiplinë shkencore – siç është i shpeshtë rasti – sepse, “brenda kufijve të çdo disipline të veçantë në fushën e shkencave shoqërore, lënda e trajtuar shkapërderdhet”. E vërteta është tërësia. Në ndarjen shkencore të punës, është thyer tërësia. Nga këndvështrimi i cilësdo shkencë, nuk është e mundur njohja e tërësisë apo së vërtetë. Prandaj, të kuptuarit e kësaj që pason, kërkon nga lexuesi të paktën të njohurit e koncepteve bazë të filozofisë, sociologjisë (veçanërisht sociologjisë së dijes, sociologjinë e gjuhës dhe sociologjinë e komunikimit masiv), psikologjisë sociale, psiko-analizës, por edhe të shkencave politike.
(Shkëputur nga libri PESHKATARËT E SHPIRTRAVE NJERËZORË, botoi Logos A – Shkup, përktheu nga serbishtja Skender Latifi)