Mungesa e kritikës profesionale ka ndikuar në humbjen e nuancave të përshkrimit të shfaqjes, të aktrimit, të elementeve skenike dhe ka humbur rrënjësisht diskutimin elitor për teatrin
Dr. Luljeta ISAKU
Teatri si investim na lidh me njëri-tjetrin dhe forcon aftësinë për të përballuar sprovat e ndryshme të jetës. Për më tepër, nuk ka asnjë metodë që thyen barrierat dhe angazhon vlerat e përbashkëta më shumë sesa teatri. Njerëzit e teatrit nuk duhet ta shohin veten si elitë për të cilën flitet, por si popull i cili vepron.
Shfaqja teatrale është një ngjarje publike, e cila zgjon kureshtjen te njerëzit duke i zgjuar ata, për një arsye ose një tjetër. Atë e bën të suksesshme estetika dhe efekti i saj në shoqëri. Prandaj, qëllimi i teatrit nuk është vetëm të argëtojë, por të vetëdijesojë dhe të krijojë shqetësim te çdo qytetar. Mes teatrit dhe publikut qëndron kritika, e cila çmohet si disiplinë artistike e veçantë e dijes teorike estetike. Ajo respekton dhe duhet të riartikulojë të vërtetat që na vijnë nga vepra dhe produksioni teatror. Kritika artikulon mendimin e krijuar për shfaqjen dhe artistët duke përcjell vlerën e krijuar për vepra të ndryshme teatrale. Duke qenë mendim tejet i kualifikuar dhe me nivel sipëror, sot për sot kjo nuk ekziston.
“Kritika është një gjykim i bazuar në rregullat e shijes së edukuar, të paanshme dhe të lirë. Lexon një poezi, shikon një foto, dëgjon një sonatë, ndjen kënaqësi ose pakënaqësi, kjo është shija; analizoni arsyen për të dyja – kjo është kritika, “shkruan V. Zhukovsky.
Kritika është promotori i artit dhe pa kritikë të mirëfilltë arti, është një event në vetvete dhe humb misionin.Te shqiptarët kritika asnjëherë nuk është kuptuar si diçka që qytetërimit i ka ndihmuar në zhvillimin e gjithanshëm. Çdo kritikë qoftë edhe konstruktive, është kualifikuar si tendencioze.Kjo është ndjerë në të gjitha fushat e jetës, në letërsi, art, teatër. Frika për ta thënë të vërtetën ka tkurr rrjedhat normale të kulturës sonë.
Hapësira e kritikës për teatër është zvogëluar shumë. Rrallë, shumë rrallë dikush i qaset me profesionalizëm kësaj udhe jo të lehtë që kërkon njëherësh shumë dije, shumë guxim dhe shumë karakter. Një situatë e tillë e lë teatrin pa asnjë gjykim profesional.Kritika, veç tjerash, ka qëllim ta ndajë të mirën nga e keqja, dhe kjo hap rrugën për prurjen e vlerave të qëndrueshme. Ç’është e mirë duhet vlerësuar dhe ç’është e keqe duhet kritikuar. Kritiku i teatrit ka nevojë të shndërrohet në një medium të kualifikuar midis teatrit dhe publikut. Në teatër nuk mund të bëhet çfarëdo dhe të mos ketë kush ta kritikojë, kush të shkruajë për të.
Për të shkruar kritikë teatri, nuk mjafton të jesh gazetar. Kritiku duhet të jetë psikolog, historian, regjisor, aktor.Mungesa e kritikës profesionale ka ndikuar në humbjen e nuancave të përshkrimit të shfaqjes, të aktrimit, të elementeve skenike dhe ka humbur rrënjësisht diskutimin elitor për teatrin. Aty ku nuk ka zhvillim dialektik të kritikës mbinë injoranca dhe subjektivizmi merr forma afirmative.
Duke e shikuar në nivelin profesional dhe sipëror, ka dekada që zëri kritik për teatrin nuk ekziston. Kultura e urimit dhe komplimentimit që kultivohet në shoqërinë tonë fill pas premierave, bën të pamundur përmirësimin e shfaqjeve në aspektin artistik. Kritika heziton ta thotë të vërtetën për punën e teatrove, sepse luhat marrëdhëniet kolegjiale midis artistëve. Kur mungon qasja objektive e të shkruarit kritikë nuk risim ndërgjegjen e ekipit teatror, po përkundrazi, mundësojmë një komoditet për të vazhduar me gabimet, në shfaqjet tjera të radhës. Ndodh që festivalet teatrore nisin dhe përfundojnë pa asnjë gjykim profesional. Të njëjtat për shpërblimet që duhet dhënë kanë juri vlerësuese jokompetente.
Teatrot tona sillen rreth vetes, apo krahasohen me një teatër të ngjashëm me vetveten. Aktorët nuk fitojnë përvoja loje jashtë teatrit të tyre, jashtë mjedisit në të cilin performojnë. Atëherë si ta kultivojnë aktorët elementin krahasues mes lojës së tyre dhe lojës së aktorëve diku në teatrot e avancuara botërore. Mungesa e stabilitetit ekonomik ka tension të natyrshëm në përvojën profesionale të teatrove tona dhe njëkohësisht edhe në rolin e kritikut.
Ka kohë që mjegulla ka rënë mbi kulturën shqiptare. Gjendja e këtillë dëshpëruese, erdhi si pasojë e trajtimit të saj në mënyrë më të vrazhdë të mundshme, nga ana e atyre që kulturën e kuptuan si një orkestrinë që duhet dirigjuar nga politika.Politika dhe kultura janë dy skaje të kundërta dhe çdo përpjekje për t’u afruar pranë njëra tjetrës është me pasoja. Kultura nuk bëhet me improvizime dhe me mjeshtrit e manipulimeve që ruajnë pozicionet e tyre në hierarkinë e posteve politike. Pikërisht ata që do të duhej ta parandalojnë këtë, janë vënë në shërbim të politikave ditore të pushtetit.
Sot publiku i ri shqiptar nuk i njeh dramaturgët e vet bashkëkohor, sepse drejtuesit e teatrove tona për shumë arsye e kanë bërë modë më tepër të vënë në skenë shfaqje të huaja klasike duke anashkaluar dramaturgjinë shqiptare.Teatrot nuk janë as një përqind në atë nivel si para tre a katër dekadave. Në atë kohë kishte shfaqje që përjetonin të reprizoheshin për të qindtën herë. Sot, pasi shfaqet premiera, gjithë publiku ngritët në këmbë duke duartrokitur 5-10 minuta duartrokitje frenetike, përulen aktorët para publikut, fiken dritat, dhe me këtë akt”fiket” edhe shfaqja.Edhe nëse shkruhet rrallë herë një kritikë profesionale për shfaqjen, ajo nuk luan rolin motivues për të frekuentuar teatrin. Profesionalja është e rëndë për ta kuptuar.
Sot mungojnë organet e shtypit që duhet të jenë të specializuara për kritikën. Mungesa e tyre ka bërë që tashmë çdo vepër teatrale të jetë më shumë vetëm si lajm. Kritika duhet të bëhet pronë e publikut. Prandaj, duhet të ketë revista të përbashkëta të specializuara për gjithë hapësirën shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e veriut, Luginë e Preshevës, Mal të Zi, që me profesionalizëm të trajtojnë problematikat e teatrit. Kriza e kritikës në shoqërinë shqiptare është shkaktuar edhe nga mosunifikimi dhe mosuniteti i subjekteve kulturore kombëtare. Këtu nuk duhet përjashtuar edhe rrugët jo të drejta të përfitimeve materiale të organizatorëve të festivaleve që lindin si kërpudha pas shiut. Në këtë mënyrë, në tërë hapësirën kombëtare, avancimi i mendimit kritik, kultivimi i temave dhe perfeksionimi i formave skenike, mbetet në plan të fundit. Këto ngecje tejet të dëmshme e bëjnë teatrin, dramën dhe skenën tonë të ngelet më e varfra në rajon. Nëse institucionalisht nuk veprohet për mbrojtjen e këtij zëri të rëndësishëm për kulturën e kombit, gjithnjë e më shumë kritika e mirëfilltë për teatrin do të bëhet barrë dhe jo vlerë.