PSE SHQIPTARËT S’JANË ENDE NË EVROPË?

Arbën XHAFERI

Shqiptarët, ndonëse nuk kanë distancë nga Evropa, megjithatë, edhe ato vlera që i njohin, nuk i trajtojnë seriozisht, si diçka fondamentale për një shoqëri moderne. Jemi të prirë ta pranojmë formën, pa obligime ndaj përmbajtjes. E duam hedonizmin evropian, por jo stoicizmin, përkushtimin ndaj punës, seriozitetin e tyre, respektimin e ligjit. Gjenetika, origjina apo gjeografia nuk janë përcaktues të mjaftueshëm të identitetit evropian, por sistemi i vlerave. Zhvillimi politik, ekonomik dhe qytetërues i Evropës ka një parahistori të gjatë dhe nuk është aspak rastësi. Dokumenti i parë që ngushton hapësirën e sovranit (mbretit) dhe që paralajmëron konceptin e shtetit ligjor, parakushtit për zhvillim të shoqërisë, Magna Carta Libertatum, u hartua më 15.6.1215. Ky ishte dokumenti i parë që e kufizoi pushtetin absolut të mbretit (John Laclandit, Gjonit Patokë) dhe krijoi kushte për përhapjen e idesë, të standardit kushtetues që garanton mbrojtjen e drejtave dhe lirive e njeriut. Ky dokument ka rëndësi historike, ngaqë e hapi shtegun për humanizim të shoqërisë. Kjo ndodhi shekuj më parë.

Evropa me guxim ec përpara duke rrënuar barrierat ataviste, tabu temat që e bllokojnë trurin, ajo me vendosmëri i zëvendëson idetë e vjetra pengestare me ide të reja që në fakt është fshehtësia se si krijohet historia e vërtetë. Pra, ne sot e kësaj dite nuk kuptojmë rëndësinë e gjithanshme të idesë së shtetit ligjor, standardit për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, domosdoshmërinë për verifikim shkencor të gjitha ideve që janë në funksion të organizimit shoqëror, nxitjen e hulumtimit të fenomeneve dhe përfundimisht rëndësinë e ndarjes së shtetit prej religjionit. Sot në të gjitha shtetet e Ballkanit, politikanët kërkojnë ndihmën e faktorit religjioz për legjitimimin e tyre politik, moral dhe partiak. Kjo gjithsesi nuk ndodh në shtetet evropiane. Në kuadër të kulturës evropiane, këto vlera, pa të cilat nuk mund të funksionojë një shtet modern, janë të njohura me shekuj dhe ne, nëse dëshirojmë të jemi evropianë, duhet para së gjithash t’i pranojmë, t’i interiorizojmë këto standarde në sistemin tonë të vlerave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.