Shtresat e elitës kulturore në Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më shumë po fishken. Ato duan shpëtim dhe, shpëtimi i tyre është vetëm në themelimin e fondeve si institucione të pavarura (fondi i filmit, fondi i teatrit, fondi i librit apo qendra e librit, qendra e ansambleve, e filarmonisë, e operës etj) kurse ministria të merret ekskluzivisht me politika të larta kulturore, mbi të gjitha, humane
Nga Avni HALIMI
Kush mund ta trondit fuqishëm një pushtet politik të paudhë më shumë se sa elita kulturore, më shumë se sa institucionet dhe shoqatat që merren me kultivimin e identitetit të mirëfilltë kulturor! Pse sot në Maqedoninë e Veriut nuk ka një personalitet të fuqishëm letrar, një aktor të madh, një krijues fjala e të cilit do të kishte peshë të madhe kombëtare! Sepse, të tillët sot janë të shpërndarë nëpër parti, ose, duke qenë nën presionet e mëdha sociale, i nënshtrohen secilit pushtet i cili e ka gjetur mekanizmin e heshtjes së këtyre shtresave elitare përmes “financimit” të projekteve të ndryshme kulturore!
Gjeostrategjia kulturore
Deri më sot, politikat kulturore të qeverive maqedonase mbështeten kryesisht në dy aktivitete prioritare: në gërmime arkeologjike dhe në prezantim të kulturës nacionale maqedonase nëpër vendet e ndryshme të botës. Akoma janë të freskëta politikat nacional-shoviniste të Gruevskit, i cili ia doli të krijojnë edhe hartën e gjeostrategjisë kulturore të Maqedonisë së Veriut, e cila kryekëput shkonte në drejtim të përforcimit të “bindjes” se Maqedonia na është shtet një-etnik e një-kulturor. Me këtë “fakt” duhet të bindet edhe bota perëndimore! Ky ishte prioritet i kësaj politike dhe para këtij prioriteti duhej të përkuleshin e të heshtnin të gjithë ata që merreshin me veprimtari krijuese e, përgjithësisht, kulturore. Heshtja shpaguhej! Qeni me ndonjë kockë nga i zoti i shtëpisë, kulturëdashësi me ndonjë projekt nga pushtetari…
Më vitin 2006-2007 gërmimet arkeologjike ishin të përqendruara në 5-6 lokalitete në tërë Maqedoninë, më vitin 2008-2009 ky aktivitet u shtri në 16 lokalitete, ndërsa më vitin 2010 u bënë gërmime në 21 lokalitete, kryesisht në Maqedoninë verilindore dhe juglindore. Të gjitha gjërat e gjetura, mbi 300-400 mijë artefakte të zbuluara, në vend se të emërohen si trashëgimi kulturore e shtetit, ato u përvetësuan dhe u quajtën si trashëgimi kulturore maqedonase!
Çfarë peshe kulturore ka një popull me trashëgimi kulturore të vjedhur?! Trashëgimia kulturore në Francë është një nga më të pasurat në botë, por francezët për kulturë, madje të shenjtë, e konsiderojnë përgjigjen shkencore për çdo objekt të cilit nuk ia mohojnë prejardhjen kulturore e etnike. Animi politik kah “kultura ariane” është hyrje në racizëm. Me lashtësi të rrejshme nuk mund të arrihet madhështia kombëtare e të bëhet rreshtimi përkrah popujve me histori sa vetë njerëzimi, përkrah civilizimeve të hershme. Gruevski dhe tajfa e tij “kulturore” sikur bindën se e kanë arritur atë “pedigre” ndaj dhe, përmes aktiviteteve kulturore jashtë vendit përpiqeshin ta bindin botën se vetëm populli i lashtë maqedonas di të bëjë kulturë si populli gjerman, anglez, francez, norvegjez, suedez, spanjoll, italian (po në këtë kohë për në Itali u nis Opera maqedonase në një aktivitet dymujor!!!)
Kjo përpjekje nacional-shoviniste e Gruevskit pati edhe koston e vet financiare! Askush nuk kërkoi llogari për këtë, askush nuk e kuptonte se nga ky aktivitet përfitonin edhe shumë “xhepa patriotikë”. Gjatë viteve 2008-2010, qeveria maqedonase, sipas të dhënave të qendrave analitike, kishte shpenzuar afro 100 milionë euro për reklamimin e Maqedonisë ekskluzivisht maqedonase “me vlera të larta antike”!
Strategjia e vrasjes së krijuesve letrar
Para tërë kësaj “politike kulturore” imorale do të heshtin të gjitha shtresat e elitës intelektuale. Aty-këtu mund të vërehej ndonjë protestë nga ndonjë intelektual por, të gjitha ato protesta mbeteshin në suaza të komenteve, analizave e kolumneve gazetareske! Asnjë protestë aktive, asnjë reagim aktiv e i zëshëm i shkrimtarëve, i aktorëve, i piktorëve, i skulptorëve, i muzicientëve, i ansambleve kulturo-artistike! Të gjithë heshtnin, sepse për këtë heshtje paguheshin!
Në rajon dhe më gjerë, veprimtaria botuese tashmë ka marrë karakterin komercial. Shteti, dmth qeveria, mund të subvencionojë vetëm në ato projekte për të cilat mendimi shkencor konsideron se janë me interes të lartë nacional. Vetëm Maqedonia e Veriut i financon botuesit, vetëm në Maqedoninë e Veriut shikon se si shkrimtarët bien në nivelin e botuesit, vetëm në Maqedoninë e Veriut mund të vërehet se si financohet vdekja e librit! Të gjithë botuesit, shkrimtarët, u kapën për karremin e pushtetit gruevskian dhe aty nisën të bëjnë jetën e parazitit, në vend se të mbeten të dinjitetshëm duke e bërë jetën, nëse jo të disidentit, të paktën jetën e opozitarit, ashtu siç i ka hije kësaj shtrese kulturore karshi politikës të cilitdo pushtet. Një numër i shkrimtarëve dhe i botuesve aktivë nuk bënin zë, sepse frikoheshin nga ndonjë hakmarrje politike, një pjesë e botuesve dhe shkrimtarëve të refuzuar nga programet vjetore kulturore heshtnin, duke shpresuar se me këtë heshtje do të shpërblehen në konkursin e vitit të ardhshëm. Një pjesë tjetër prej tyre pushteti i angazhonte nëpër komisione, këshilla e borde dhe për një shukë lekësh nuk dëshironin t’i prishnin raportet me pushtetin!
Në rajon e më gjerë botimi i librit konsiderohet festë letrare, por edhe sfidë për menaxherët të cilët përpiqen që librin ta depërtojnë në çdo bibliotekë shtëpie. Në Maqedoninë e Veriut botuesit dhe shkrimtarët bëjnë hile, botojnë disa ekzemplarë (tani ka makina që të nxjerrin librin edhe në dhjetë ekzemplarë) ndërsa marrin lekë për 1000 ekzemplarë! Pushteti i shihte dhe i toleronte! Të gjithë ishin të kapur në rrjetin e merimangës së pushtetit dhe, të vetëdijshëm se për ndonjë lëvizje eventuale menjëherë pushteti do ta aktivizonin “merimangën” (inspektorët kulturorë, auditin e brendshëm, auditin shtetëror). Prandaj heshtin!
Morali i heshtjes
Shtresat e elitës kulturore në Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më shumë po fishken. Ato duan shpëtim dhe, shpëtimi i tyre është vetëm në themelimin e fondeve si institucione të pavarura (fondi i filmit, fondi i teatrit, fondi i librit apo qendra e librit, qendra e ansambleve, e filarmonisë, e operës etj) kurse ministria të merret ekskluzivisht me politika të larta kulturore, mbi të gjitha, humane. A do të ndodhte kjo venitje, sikur, për shembull, ministria e kulturës të ndante buxhet për “fondin e teatrit” ku do të konkurronin të gjithë teatrot dhe teatër-dashësit! Në botën artistike, pas shkrimtarëve numerikisht më të shumtë janë aktorët! Në botën perëndimore që moti kanë ndryshuar politikat teatrore! Meqë numri i aktorëve është në rritje e sipër, në rritje e sipër janë edhe teatrot të cilat, kryesisht dëshirojnë të funksionojnë si të pavarura! Në teatrot e sotshëm aktori është më i rëndësishëm se drejtori. Vetëm në Maqedoninë e Veriut teatrot funksionojnë për drejtorin. Madhështia e një teatri këtu matet me numrin e premierave dhe, sa më shumë premiera aq më i suksesshëm është drejtori! Funksioni i teatrit është tkurrur deri në shfaqje të premierës, pas kësaj, nuk është mëkat nëse teatri rri mbyllur për 7-8 muaj në vit! Teatri në fakt është punëtori e aktorit: sa më shumë të punojë aq më shumë do të fitojë! Nuk ka fitim më të madh për aktorin se sa të jetë çdo natë në dërrasat e skenës teatrore ku ai papushuar e kërkon veten, e realizon veten, e gjen përsosmërinë e vet prej aktori të mirëfilltë. Kurse kjo arrihet me përsëritje të shfaqjeve! Përsëritja e shfaqjeve mundëson që çdo aktor të jetë në punë, në detyrë! Teatrot maten me përsëritje të shfaqjeve dhe jo me premiera! Ndaj dhe teatrot duhet të kenë program dhe buxhet për përsëritje të shfaqjeve prej repertorit të krijuar brenda, bie fjala, pesë vjetëve. Premierat pasivizojnë një numër të madh aktorësh, i lënë pa punë, me nga dy-tri vjet e më shumë, ndërsa të papunët duhet të largohen nga organizata! Zaten këtu qëndron edhe morali i heshtjes së një numri shumë të madh të aktorëve, të cilët, tashmë totalisht kanë harruar se ç’do të thotë të aktrosh, të luash në dërrasat e skenës! Heshtin me shpresë se drejtorët partiakë do të kenë mirësinë që t’i angazhojnë në ndonjë premierë, kurse heshtin edhe nga frika se, si të margjinalizuar, nëse pak e ngrenë kokën, do të fluturojnë nga puna!
Politika kulturore në Maqedoninë e Veriut po përjeton krizën më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë! Arti dhe kultura janë partizuar deri në përmasa të banales, ndërsa artbërësit dhe kulturëdashësit nuk kanë asgjë të përbashkët me artin dhe kulturën nacionale. Edhe aktiviteti i tyre por edhe heshtja e tyre është në funksion të jetëgjatësisë së pushtetit politik i cili, këtë kontribut, ua shpërblen me ndonjë kockë të tharë. Çfarë mëkat, ë!