Demonstrimin e pushtetit të ZOMBIT në mënyrë të përkryer e ushtruan oficerët nazi-fashistë. Ju kujtohet: një ushtar gjerman hipur në një motor e pushtonte një mëhallë, një katund, një qytezë! Të gjithë i nënshtroheshin! Ndryshe, për një gjerman të vrarë vriteshin 100 qytetarë të nënshtruar
Nga Avni HALIMI
ZOMBI është qenie që lind nga shpirti i njeriut i zhytur në trup të një bishe në çastin e vdekjes së tij! Me këtë rast, shpirti ndikon vetëm në shpërfytyrimin e bishës në pamje njeriu dhe jo edhe në zbutjen e tij. Njeri me tipare të bishës! Diçka si vampiri! ZOMBI është krijesë për të cilin mendohet se ka vdekur dhe është ringjallur pa ndonjë qëllim e pa një gram dëshire për liri! Shih për këtë kjo krijesë e ulët kontrollohet nga BOKORI, ringjallësi i ZOMBIT! Kështu thonë mësimet e besimit VUDU. Psikiatria skoceze i ka kushtuar vëmendje të posaçme ZOMBIT! Sipas kësaj psikiatrie bëhet fjalë për një fenomen që manifestohet me skizofreni të përcjella me disa sëmundje të veçanta mendore. Ky zombifikim bën që, i sëmuri mendor, ta përceptojë dhe ta besojë veten gjarpër zot. Ndaj mësimet Vudu thonë se ZOMBI mund të asgjësohet vetëm nëse goditet në kokë, si gjarpri!
Frika as nuk mbillet as nuk korret
Në politikë ZOMBI përfaqëson diktatorin, njeriun që nuk ngopet me derdhjen e gjakut të qytetarëve; njeri që famën e vet e ngrit mbi metodat torturuese derisa qytetari të mos bindet se zot në tokë e në qiell është ai, ZOMBI!
Në kohë paqe, ZOMBI imponon dhunshëm bindjen se është përfaqësues i tërë popullit të vendit, i popullit shumicë, ndërkohe që vendi mund të jetë i populluar prej më shumë popujve. Të tjerët janë qese gjaku, ku, përmes “puthjes së amshueshme” siguron përjetësinë. Në kohë paqe, ata që nuk i përulen ZOMBIT shkojnë për lesh, ata që servilosen, të parët i bluajnë ushqim për ZOMBIN.
Luftë nuk ka në kohën e pushtetit të ZOMBIT. Me luftë në këtë kohë nënkuptohet kataklizëm absolut! Në këtë kohë mund të ketë padëgjueshmëri qytetare.
Në kohën e padëgjueshmërisë qytetare vlejnë rregullat e luftës nazi-fashiste: për një – njëqind, apo, me raste, për një dyzet! Për një lëndim, për një vrasje, për një sharje, apo, për një moslargim nga komunikacioni kur këtë e do ndonjë kokëtullac i ZOMBIT, qoftë ky me emrin alfa, beta apo gama (ZOMBI gjithnjë synon lashtësinë greke paçka që për këtë synim mund të humbë gjithçka, madje edhe veten!) do të bastisen dhjetëra shtëpi, do të keqtrajtohen qindra qytetarë të padëgjueshëm. Frika duhet të mbillet në palcë. Në kohën e ZOMBIT, palca është si një granit i pashkërmoqur, ndërsa frika si një bimë e butë, pa rrënjë, që nuk zë as në lesh! Prandaj, te të padëgjueshmit, që kanë gjak kryeneç, frika nuk mund të mbillet, e as të korret. Frika të vdes! Kjo palcë e kurrizit vertikal nuk mund të jetë as integruese e as të integrohet në projektet laboratorike të ZOMBIT.
ZOMBI në letërsi përfaqëson figurën mitologjike e cila tashmë është ngritur në metaforë që shpreh trishtimin, mynxyrën, dhimbjen e tmerrshme, makthin, ngulfatjen, vrasjen, therjen, prehjen e gjuhës, thithjen e gjakut, rrahjen, mohimin për ekzistencë, thithjen e ajrit, të lagështisë, pushtimin e lirisë. Në letërsi Zombi shpreh gjithçka që është zi e më zi! ZOMBI “artistik” dallon nga ai Vudu-Zombi dhe nga ai folklorik-mitologjik. Popujt që e kanë përjetuar nën lëkurën e tyre fenomenin ZOMBI, ata këtë krijesë e përshkruajnë si krijesë të uritur për mish e gjak njeriu. Gjithnjë është në gjah të njeriut, i përjargur e me shenja në trupin e dekomponuar. Është pa ndjenja e pa shenja personaliteti.
ZOMBI vetëm kur ka pushtet dhe në pushtet mund të jetë me këto virtyte antinjerëzore, përndryshe, ngjanë në një milingonë! Ndaj e gjakon pushtetin, flijon gjithçka për të mbetur në pushtet, vret e pret! Në këtë shkallë të absolutizmit arrin vetëm kur ta bind popullin e vet se është shpëtimtari i tij. Kjo do të thotë se, popujt e tjerë detyrimisht duhet të nënshtrohen, sepse është i përzgjedhuri, i përkëdheluri dhe i përkrahuri i popullit të vet. Të gjithë popujt e botës duhet ta kenë të qartë këtë!
ZOMBI nuk mbinë si fara e keqe! Derisa të bëhet i përzgjedhuri i popullit ka punë! Fillimisht bëhet urë për popullin, pastaj, vorbull për popullin dhe në fund kolovajze cirku duke i dhuruar popullit një kënaqësi deri në delir – rrotullimi sa më i frikshëm aq më i lezetshëm!
“Zombët” si operativë
Disa mësime pagane thonë se, në çastin kur trupi vdes, shpirti kalon në trup tjetër, kryesisht në trupa kafshësh! Mësimet indiane shpirtin e njeriut e shohin të kalojë në trup të shqiponjës, ndërsa paganizmi i eurolindorëve pohon se shpirti i njeriut kalon në kafshë e shpendë, varësisht nga karakteri i atij shpirti; mund të kalojë në ari, në ujk, në kali i cili, meqë është i lindur për dru gjithnjë e legjitimon dhunën, por edhe në patok të shpifur! Patoku është qenie e butë, e ëmbël, e lezetshme! Po cili mund të jetë patoku i shpifur? Pa dyshim, ZOMBI i sotshëm.
ZOMBI i sotëm, i plotpushtetshëm, të lë përshtypjen se ka ikur nga legjendat dhe është varur në akrepat e orës sonë! Sot ZOMBI vret e pret në emër të popullit! Jo, ZOMBI është i gjithëfuqishëm, ndaj ai nuk vret, as nuk pret, por, me një urdhër, të gjithë vetëpriten, vetëvriten, vetëbastisen nëpër shtëpi që nga orët e hershme të mëngjesit, vetëkeqtrajtohen, vetëizolohen, vetëburgosen, vetëvarrosen! Këto veprime i fsheh nën rreshtat e mediave të cilat vihen nën shërbimin e tij! Ato media që nuk do ta shërbejnë, pronarët e tyre do të vihen në tapet!
Tashmë ZOMBI ka krijuar shumë “zombëz” (kalamaj të tij), që në gjuhën policeske do t’u thoshim “operativë” dhe, këta janë ata që kryejnë punë në terren. Këta “operativë” apo, “zombëza”, nuk është me rëndësi a gënjejnë, a sajojnë, a trillojnë, a rrahin, a burgosin, a vrasin – për ta me rëndësi është që ta përmbushin kënaqësinë e ZOMBIT. Populli është i kënaqur me të! Madje edhe sikur të mos jetë i kënaqur, tashmë është i disiplinuar dhe ndjenë një “siguri” prej tij. Ndaj, Zombi punon në emër të popullit! Gjithësesi, në emër të popullit të vet, të tjerët janë veçse kot!
Është “jo etike” nëse do të përkufizonim ZOMBIN, apo nëse do ta krahasonim me vampirin irlandez apo me Drakullën rumun, me gogolin karpatian apo me bajlozin oriental. Zombi i sotshëm është një konglomerat në mes të patokut të shpifur, rinoshit dhe shpirtit që pat fatin ta njerëzojë një bishë të pangopshëm.
ZOMBI i sotshëm është i bindur se ka përkrahjen absolute të popullit të vet ndaj, për popujt e tjerë “që i administron” as që do t’ia dijë! Çdo kërkesë, apo çdo lëvizje politike të popujve të tjerë ai e percepton si shigjetë të helmosur drejt popullit të vet. Në tender ka hedhur kërkesën për një mekanizëm disiplinues, i cili në praktikë merr trajtën e një aparature të përsosur dhune. Fillimisht, parinë e popujve të tjerë që i ka në pushtet të vet i fut në këta mekanizma disiplinor dhe pastaj, me pëlqimin e tyre të përshpirtshëm nis e ushtron dhunë mbi gjithçka! ZOMBI me shpatë mbi gjuhë, mbi mendje, mbi shëndet, në dyqane e në xhepa, në traditë e kulturë.
Të flasim me gjuhën konkrete dhe të shtrojmë një pyetje retorike: sot, një ZOMB i tillë, si do të sillej me shqiptarët? Sot Zombi shqiptarëve do t’ua kishte mohuar të folmen shqip, ndërsa gjuhën ua kishte prerë me sëpatë, do t’ua kishte përkeqësuar sistemin e arsimimit deri në analfabetizëm, do t’ua shtrembëronte historinë kombëtare, në shërbimin shëndetësor shqiptarët do t’i kishte trajtuar si kavie, në kulturë do t’i kishte trajtuar njerëz me bisht ndaj të cilëve në mënyrë permanente duhet ushtruar superioritet kulturor; në sport për t’i përdorur si të gjitha llojet e topave, në ekonomi për t’ua vjedhur tërë kapitalin, në financa për mos t’ju dhënë asnjë lekë; në administratë për t’i lënë nëpunësit shqiptarë nëpër korridore e bufe; me flamurin kombëtar për t’ua shënjuar shtëpitë për bastisje, traditën për t’ua marrë dinjitetin nëpër këmbë! Natyrisht, jo të gjithë shqiptarëve por, vetëm atyre që nuk i nënshtrohen pushtetit të tij. Ata që integrohen në pushtetin e tij zombian e nxjerrin “bythën në stom” dhe duke shijuar nektarin e rehatisë politike, derisa nuk hasin në mut, mbajnë syze te zeza në diell e në shi.
Në emër të cilit popull dënon ZOMBI
Pra, Zombi krijon aparaturë të përkryer dhune dhe, sa herë që dëshiron ta ngjallë frikën dhe të dëshmojë se është i fortë, e aktivizon atë mbi kurriz të popullit të papërmbajtur. Populli i papërmbajtur kurrë nuk rresht së tërhequri vërejtje – ZOMB e teprove!
Ata që e shajnë i ndëshkon me operacione policore mëngjesit të hershëm të ditës, apo i burgos, ose i zhduk me nam e me nishan ose edhe i dënon me lekë. ZOMBI nuk shahet, për të nuk shpifet, ai nuk pështyhet, ai nuk urrehet – ZOMBI urohet dhe duhet të ngritët në kult! Duhet të konceptohet si fuqi absolute, dëshirë kjo e çdo krijese të çoroditur të Krijuesit Absolut.
Pasi populli t’ia falë besimin absolut këtij farë ZOMBI atëherë nuk i mbetet asgjë përveçse t’i përulet përjetë. Me përulje gjen sigurinë e plotë. Jo njëherë kemi thënë – do hamë bukë e krip vetëm të kemi paqe e siguri! Këtë e siguron ZOMBI! Por, vetëm për ata që i nënshtrohen apo që integrohen në sistemin e tij të funksionimit. Të gjithë të tjerët, të gjithë ata që i bien grusht tavolinës së kundërshtimit, do të përballen me sanksione, dënime, keqtrajtime, vrasje, rrahje, burgosje e zhdukje. Dhe, krejt kjo në emër të popullit.
Vërtet, në emër të cilit popull vepron ndëshkueshëm ZOMBI?