TRI ESE-të E STUDIUESIT TONIN ÇOBANI
Shënime për librin: “Tri ese: Shqiptari i refuzuar si shqiptar. Dimensioni kulturor i Kanunit. Mitologjia në Lahutë” i studiuesit Dr. Tonin Çobani, botuar nga Enti Botues “Gjergj Fishta” Tiranë, 2019
Xhahid BUSHATI
1.
Libri më i ri i studiuesit Tonin Çobani, titullohet: “Tri ese: Shqiptari i refuzuar si shqiptar. Dimensioni kulturor i Kanunit. Mitologjia në Lahutë.” Gjatë leximit dhe studimit të kësaj vepre, ndjesia e parë që përfton është se, pavarësisht se autori i ka emërtuar “ese”, mendoj se janë më shumë se kaq. Janë studime që sjellin dhe trajtojnë ende problematika aktuale me frymë bashkëkohësie. Autori Çobani i ofron si modele nga hulumtimet e tij. Problemet që zbërthehen e marrin zhvillim në këtë libër, në të vërtetë kanë udhëtuar e vazhdojnë të udhëtojnë në kohë e hapësirë. Nuk flasim për vjetërsinë e problemit, por ende për panjohjen e tij. Shpesh kjo panjohje nuk falet, kur flasim për rrafshe identitare të qenësisë së shqiptarit.
Një ndjesi tjetër që përfton gjatë leximit dhe studimit të kësaj vepre, është e lidhur me disa veçori të portretit të studiuesit, të cilat në këtë rrugë përzgjedhjeje janë thelluar dhe kristalizuar. Kanë marrë dimensione të reja. Po përmend disa prej tyre, si: – rrafshet e trajtimit të problemit, – forca e argumentit dhe thellësia e tij, – guximi prej studiuesi, – qëmtimi në shumë problematika shteruese, – literatura e pasur e shfrytëzuar maksimalisht, – këndvështrimet dhe ligjërimi kulturologjik, etj. E gjithë kjo paraqitje studimore, pavarësisht se secila ese ka të veçantat e saj, ato kanë përbashkësinë se formojnë bërthamën e librit, brenda së cilës jetojnë: – autoktonia, ekzistenca, jetesa, mbijetesa, modelet e konstitucionit shpirtëror dhe jetësor, rrathët e kulturave dhe etnokulturave si gjenezë dhe si zhvillim të embrioneve folklorike, mendësia, psikologjia dhe pasuritë intelektuale si dukuri shoqëruese dhe bashkëvepruese në rrugën e historisë sonë, etj., etj.
Po të bëjmë një shikim dhe lexim formal të titujve të tri ese-ve, është e pamundur të mos ndalesh: – në aktin dhe termin dimension kulturor, – apo tek mitologjia si lindje e inteligjencës njerëzore dhe si bashkëveprim me kulturat autoktone të natyrës shpirtërore dhe materiale. Pra, duhet domosdoshmërisht të ndalesh në këto stacione për të kuptuar thellësinë e fjalës, të problemit a problemeve që trajtohen, ku shpesh mugëtira e shekujve, keqdashja, indiferenca, mosdashja, mosguximi… etj., kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë zbehjen e kujtesës historike, ku sigurisht, jemi në borxh të saj. Ky libër vjen për të afirmuar në një dimension shkencor dhe kulturor personalitetin dhe mosvdekjen e kujtesës historike. Kjo është arsyeja që çdo ese mbart një shumësi argumentesh e trajtesash shkencore.
2.
Siç thotë autori Tonin Çobani: “Eseja e parë (“Shqiptari i refuzuar si shqiptar”) shtjellon lidhjen e fjalës Shqipëri (shqiptar dhe gjuhë shqipe) me fjalën rrënjë shqipe / shqiponjë, që në gegërishten e hershme (deri më 1972) vinte me grafinë shqype / shqypja.”
Pak portret… (1)
Eseja e parë fillon me një kredo-urtësie të filozofit Faik Konica. Citoj: “Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi… … janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimëri (trimëri) të gjata e të forta që kanë lënë gjurma në letërsinë e gjithë popujve të qytetëruar.” E bëra këtë citim, nisur nga disa fjalë-kyçe që kanë domethënien e tyre brenda tekstit dhe kontekstit kohor, që ruajnë ngarkesa patriotike, ekzistence e mbijetese, etj., e që në vështrimin e autorit Çobani e gjitha kjo përbën themelin mbështetës për zbërthimin e analizën problemore e argumentuese të shtjellimit të esesë.
Skema e ndërtimit e esesë…
*Pjesa e parë.
– A e dinë shqiptarët përse quhen shqiptarë?, – “Kënga e Shqipes”, e pakënduar që 100 vjet., – “Shqypnia dhe shqyptarët”, sipas Plutarkut., – Shqiponja e Dodonës., – Shqiponja, mëkati dhe virtyti.
*Pjesa e dytë.
– Shqype dhe shqipe., – Arbëni dhe Shqypni., – Shqiptari i refuzuar., – Ironia e Konicës.
*Pjesa e tretë.
– Ekuacioni i Pilikës., – Shqiponja e shenjtë., – Braktisja shtetërore., – Historia si identitet.
Shënimi im…
Studiuesi Tonin Çobani në punët e tij shkencore është i prirë të trajtojë tema të rëndësishme, madhore (bazike) e delikate; edhe atëherë kur heshtja ka mbizotëruar gjatë dhe muzgu i shekujve ka marrë ngjyrën e harresës. Argumenti (teza) që shtron mbart dëshmi historike. Kjo është arsyeja, sinë rrafshin historik ashtu edhe në atë letrar problemi ndjehet “i sigurt”, i studiuar dhe i zhvilluar shpesh deri në shterje. Për një frymëmarrje më të gjerë vjen dhe paraqitet pasuria e literaturës. Gjithashtu vijnë si dëshmi plot ilustrime, stema, vula, etj.
Pak portret… (2)
Citoj nga autori i librit: “Eseja e dytë (“Dimensioni kulturor i Kanunit”) ka në fokus një shtjellim disi të thukët për një nga shtyllat më të larta të trashëgimisë sonë kulturore…”
Skema e ndërtimit e esesë…
-Hyrje., -Çështja e parë e diskutueshme: “Gjaku shkon me gjak”., -Çështja e dytë e diskutueshme: “Grueja asht shakull për me bajtë”. –Çështja e tretë e diskutueshme: “Themeli nuk zhgulet”.
Shënimi im…
Studiuesi Çobani, shpesh në rrugëtimin e tij shkencor, një problemi a disa problemeve iu është kthyer më shumë se një herë në veprat e tij. Gjithherë ka ruajtur të veçantat, duke mos sjellë aspak nëpër mend përsëritjen. Risia dhe fushëpamja mbeten, krahas të tjerave, kolona të rëndësishme me ngjyra inovacioni. Kjo ka ndodhur edhe me esenë e dytë. Pra, duke e thënë fjalën e tij sa më të plotë, njëherazi portretit të tij i theksohet edhe një veçori, siç është ai i seriozitetit. Duke iu rikthyer Kanunit dhe ligjeve të tij, autori ka fokusuar tri çështje që kanë të përbashkëtën e tyre, shprehjen “Çështje të diskutueshme”. Autori të fton në “sofrën” e tij shkencore dhe polemizuese. Drita e shikimit ndriçon dhe “rivlerëson rastet e diskutueshme duke depërtuar kuptimin figurative të formulimeve gjuhësore, që kanë mbërritur deri në ditët e sotme si sentenca të ngurtësuara juridike.”Trajtimi i këtyre problemeve këndvështrohet në shumë aspekte. Rrafshet për të cilat flitet e analizohen kanë kompetencë shkencore. Gjuha që përdor në këtë punim është e pasur. Prirja drejt brumit të shqipes është parësore. Kjo shihet me ardhjen, zgjedhjen dhe përdorimin e fjalës apo të shprehjes në teksturën e nënteksturës që përdoret dhe deshifrohet, në frazelogjinë e saj të kuptimtë dhe funksionale, etj.
Pak portret… (3)
Citoj nga autori i librit: “Eseja e tretë (“Mitologjia në Lahutë…”), … vjen si një kontribut origjinal i Gjergj Fishtës për të shpërfaqur mitologjinë shqiptare në letërsinë e kultivuar.”Ese-ja në fjalë është e ndërtuar në nëntë pjesë.
Shënimi im…
E kam thënë dhe më parë kur kam hedhur shënimet e mia për botim për veprat e studiuesit Tonin Çobani, ai mbetet fishtolog. Edhe sot e kësaj dite është fishtolog. Me këtë emërtesë i kam thënë të gjitha. Me poetin kombëtar Gjergj Fishta përmes studimeve të tij Tonini ka një proces e marrëdhënie të gjatë provash e sprovash, si e si të ndriçohet e të plotësohet sa më mirë figura gjeniale e këtij poeti kombëtar. Ky proces e kjo marrëdhënie vazhdon, sepse edhe kërkimet dhe hulumtimet vazhdojnë…
Ndryshe nga dy esetë, e treta vjen disi më konkrete në rrafshin artistik. Kemi të bëjmë me një qasje, apo siç thotë autori Çobani “… për të dëshmuar ngjizjen mitologjike tëLahutës së Malcis.” Le t’i shohim me radhë argumentet e studiuesit:
-Figura e Zanës së Frymëzimit na sugjeron të dallojmë origjinalitetin epik të Fishtës, lirizmin në Lahutë të Malcis, ironinë dhe, veçanërisht, lehtësinë e rrëshqitjes së poetit nga realja tek jorealja e anasjelltas, gjëra që përbëjnë përgjithësisht magjinë e verbit fishtjan. … Ai (Fishta, shënimi im Xh. B.) krijoi edhe personazhe të tjerë mitologjikë: Orën e Shqipërisë dhe orë të tjera, Zanën e Madhe dhe Zana të tjera, Dragonjtë e Kuçedrën, Lugetërit, Shtrigat, Floçkën. Të gjitha figura këto përbëjnë shtratin mitologjik të Lahutës së Malcis…
-Në mungesë të letërsisë së kultivuar, në popull gjallonte një letërsi e pasur gojore ku elementet fantastikë dhe figurat mitologjike bashkëjetonin besueshëm me figura historike të së kaluarës së largët e të afërme. … Në këtë realitet të përzier fantazish, Fishta këndon mitologjinë thjeshtë shqiptare, atë që rridhte prej bjeshkëve të larta ku historia ishte endemit dhe miti përjetohej çdo ditë si realitet epik.
-Te Lahuta e Malcis fillesa mitologjike zë vend të rëndësishëm në strukturën e veprës… Fishta nënshkroi me pseudonimin “Kangë Popullore”, sepse orientimi i veprës së tij. Ishte vërtetë për popullin shqiptar, përfshirë edhe atë masë që nuk dinte shkrim e këndim, po jetonte estetikisht kohët mitike.
-… areali i figurave mitologjike në Lahutë të Malcis nuk është folklorizëm, sado që derisa Fishta i rikrijoi në veprën e tij, qeniet mitologjike ekzistonin vetëm në folklor e në besime popullore.
-… Fishta këndon Zanat, Dragonjtë… si një pasuri të rrallë e deri atëherë të palançuar të kulturës shqiptare…
-E gjithë lënda mitologjike, me të cilën u mbrujt Lahuta e Malcis është vetëm shqiptare dhe krejtësisht pagane.
-… mitologjia e Lahutës së Malcis nuk ka marrë thuajse asgjë nga mitologjia biblike…
-Nëse do të studiohet Lahuta e Malcis thjeshtë si një ngjizje epike e periudhës së romantizmit të vonë në Ballkan, atëherë do të arsyetohej më bindshëm edhe lënga historike në të, ashtu e përzier me figurat mitologjike dhe e mbrujtur me një gjuhë të gjallë dhe të pasur popullore; do të konkludohet më saktë për llojin e epikës fishtjane të shpallur apo të pashpallur, do të arriheshin edhe më shumë konkluzione të qëndrueshme për individualitetin krijues të autorit të saj që tashmë është kthyer në model klasik të letrave shqipe.
Shënime që shërbejnë si përfundim…
Esetë janë shkruar plot frymëzim. Treguesit flasin se krahas gjuhës së studiuesit “shëtit” poetikisht edhe gjuha e poetit. Esetë në “fabulën” e tyre mbartin kohë, vite, hapësira, gjurmë, dritë-hije, drama, progres e regres, dashamirësi e dashakeqësi, … por pareshtur në kërkim të vlerave të vërteta që na bëjnë të ndjehemi krenarë dhe të dinjitetshëm.
Çdo ese mbart një Epokë. Nuk është muze heshtjeje çdo ese por Muze jete, ëndrrash, devocioni dhe shërbimi për dashurinë e kësaj toke që quhet Shqipëri. Dhe në nderim të këtyre vlerave, përveç të tjerave, na i sjellë fisnikërisht libri i ri i Tonin Çobanit. Libër që na bën, njëkohësisht, të mendohemi e të reflektojmë…
Çdo ese mbart kohën dhe veçantitë e saj, por që nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por diku dhe në mënyrë njerëzore e në mënyrë shqiptare takohen … Po ku? Po shqiptojmë tre elemente, të cilat i kemi ndeshur gjatë leximit e studimit të kësaj vepre: – Identitet, – Themeli nuk zhgulet, – Fishta, modeli klasik i letrave shqipe.